Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 28, 2006

Berkli, San Francisko dhe rrethinat















Tuesday, April 25, 2006

Kujtesë biznesmenëve shqiptarë

Pak ditë më parë në SHBA vdiq në moshën 87-vjeçare Robert B. Vegman, novator i supermarketeve, një njeri i biznesit mjaft i respektuar në të gjithë vendin. Ai është ideatori i blerjes me një ndalesë (one-stop shopping) në rrjetin e supermarketeve të familjes së tij, duke kombinuar nën një çati të vetme të gjitha ç’i duhet të blejë konsumatorit, me punishtet e bukës, ushqimet e importuara, kafes dhe laboratorit të fotografive, mes shumë të tjerash.

I ati dhe xhaxhai i z.Vegman nisën biznesin e shitjes së zarzavateve që në vitin 1921 dhe shumë shpejt ngritën kompaninë e tyre. Në vitin 1946, pas mbarimit të universitetit dhe shrëbimit në marinë, Vegmani i ri nisi punën si kasap dhe pas një viti u bë menazher i dyqanit. Pas vdekjes së të atit dhe xhaxhait, në 1950 ai u bë presidenti i kompanisë së familjes së tij. Përnjëherësh ai rriti pagat e punonjësve dhe futi sigurimet shëndetësore të tyre. Ai e ndryshoi hierarkinë e korporatës, duke e hequr të ëmën nga posti i nënpresidentes (ajo nuk i foli me gojë me vite për këtë).

Vegman është pionieri i futjes së kodeve të unifikuara për produktet ushqimore të paketuara dhe nga të parët që futi në dyqanet e tij skanimin e mallrave me kompjuter në regjistrat. Kompania e tij mbahet e veçantë në Amerikë për besnikërinë e punonjësve dhe klientëve të saj. Paga mesatare e punonjësve të kësaj kompanie është 92,000 dollarë në vit (kur 180,000 dollarë në vit është paga e zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe 40,000 është paga vjetore mesatare e mësuesve). Që nga viti 1984, kompania ka dhënë 56 milion dollarë për shkollimin e punonjësve të saj, përveç programeve shëndetësore. Vitet e fundit, z. Vegman jepte 70 përqind të të ardhurave të tij për arsimin në vend. Në 1995 ai dhuroi 25 milion dollarë për arsimimin e fëmijëve në Rotçester, vendi ku banonte.

Ky biznesmen nuk është i vetmi në bamirësinë e tij në SHBA. Njihen nga të gjithë donacionet e shumta në të gjithë botën të Xhorxh Sorosit, të pronarit të madh të Microsoft, Bill Gejts e shumë e shumë të tjerëve. Shumë muze, biblioteka, institucione shkencore e arti që tashmë janë pronë publike në SHBA, janë dhuruar nga biznesmenë të fuqishëm të vendit të njohur e të respektuar nga të gjithë për humanizmin e bamirësinë e tyre.

Në Shqipëri, për fat të keq, në klasën e biznesmenëve nuk ekziston ende në përgjithësi kjo frymë. Për më keq akoma, mbizotëron fryma e mashtrimit, si ndaj punonjësve ashtu edhe ndaj klientëve. Pronarët e bizneseve rendin pas fitimeve me tre shifra në përqindje dhe duke mos kuptuar logjikën e thjeshtë të marketingut të sotëm se fitimi është më lehtësisht i arritshëm nëpërmjet sasisë së shitjeve se sa rritjes së çmimeve. Në Shqipëri, çmimet rriten çuditërisht edhe në prag kremtimesh të mëdha. Shumë biznese punojnë me dy regjistra, për të fshehur të ardhurat nga taksimi. Rrallë gjen në politikat e punësimit të tyre, sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe bashkëpagesën për pensionet që e bëjnë të gjitha kompanitë amerikane. Shumë nga firmat e ndërtimit, megjithse i kanë ngritur në qiell çmimet, vazhdojnë të veprojnë si firma piramidale dhe i ngrenë ndërtimet me kapitalet e të interesuarve të regjistruar për të marrë shtëpi. Mjaft biznese janë ende të dyshimta në zanafillat e tyre, lidhur shpesh herë me krimin e korrupsionin, drogën e paratë e pista dhe kjo spjegon se pse ndodh që shumë nga biznesmenët ndihen të pasigurt dhe ca nga ta edhe vriten barbarisht duke mos u kursyer as familjet e tyre. Mbaj mend që në qeverinë e parë të Berishës me një program të madh të mbështetur nga jashtë, u futën në regjistrat e dyqaneve makinat elektronike. Pastaj ato të gjitha dolën jashtë loje. Pakë biznese të rregullta i kanë ato ende. Kjo është prirja për të fshehur fitimin apo më tej akoma edhe për ta përdorur biznesin për pastrim parash e njëmijë pisllëqe të tjera.

Biznesmenët tanë dinë vetëm të kërkojnë nga shteti e nga shoqëria. Shteti shpesh herë u a bën punën më të vështirë, i diskriminon politikisht, apo sipas tarafeve, u kërkon “zarfat” veç tarifave ligjore etj. Por janë ata në fakt që e kanë mësuar kështu shtetin. Në rast se një filan pushtetar i kërkon zarfin biznesmenit sot për një tender apo leje ndërtimi apo favor tjetër, ka shumë mundësi që po ky biznesmen më parë t’ja ketë shpënë zarfin, pa ja kërkuar, atij pushtetari apo paraardhësit të tij. Bizneset tona vuajnë shpesh nga nepotizmi, klani, krahinarizmi. Brenda këtyre lidhjeve fshihet mugesa e aftësive menazheriale, përfitimi pa punë, manjakllëqet e tepritë e grave, fëmijve, nuseve.

Makutëria shihet edhe në biznese të tilla më fisnike si ai që ka të bëjë me librin. Botohen gjithfarsoj gjërash, mjafton që autori grafoman të paguajë e bibliobiznesmeni të marrë fitimin e vet bashkë me financime ambasadash e organizatash brenda e jashtë, kur vetë këta duhet të ishin të parët për të dhënë shembullin e donacioneve të fuqishme për librin, arsimin e kulturën shqipe, në vend që të rendin e të ngrenë vila skutave të bregdetit e të harxhojnë para pa hesap për kënaqësi vulgare e të rëndomta.

Komuniteti i biznesit është një autoritet i fuqishëm në çdo shoqëri moderne. Kur është i ndershëm ai, është i ndershëm edhe shteti se nuk ka si bën tjetër. Shpesh herë këtë rol të biznesit e harojmë dhe merremi vetëm me politikën e politikanët duke fajsuar vetëm ata për amullinë e mospërparimin e shoqërisë. Po të jenë biznesmenët në baza të shëndosha e të kenë mbështetjen e publikut nuk kanë pse tremben nga politika e politikanët. Kur nuk ndodh kështu, krijohen lidhje të pandershme biznes-pushtet dhe shumë politikanë turren të hyjnë në politikë duke i vënë bizneset nën emra të tjerë e duke bërë sikur heqin dorë prej tyre.

Nuk është krim të jesh i pasur. Krim është të jesh i pandershëm, të mashtrosh e të bësh dallavere. Makutëria për fitim, që i ka rrënjët te varfëria e barazitizmi i regjimit komunist që lamë pas, sjell veç kokëçarje e pasoja të pakëndëshme për njeriun e biznesit. Ndaj desha që vdekja e Robert Vegman të ishte një kujtesë për të gjithë biznesmenët shqiptarë, për t’i bërë ata të vetëdijshëm se vetëm shpirti i gjerë e bamirës, ndershmëria e respekti për punonësit e klientët të bën të nderuar e të vë në piedestalin e shoqërisë.

(Botuar në Koha Jone, 26 prill 2006)

Sunday, April 23, 2006

Labirintet e së shkuarës

E kaluara nuk është një shpellë e mbyllur një herë e përgjithmonë. Labirinteve të saj u kthehemi sa herë gjejmë shtigje të futemi në to. Pavarësisht se ka njerëz që s’u vjen mirë nga kjo. Ka që bëjnë çmos që të mos hyet më aty, vënë gurë e zënë shtigjet herë me inat e herë me këshilla savantësh: mos shihni të kaluarën po të sotmen e të ardhmen. Por gjithsesi pa ditur nga ke ardhur nuk di se ku të shkosh. Në atë shpellë ku kërkojmë të hyjmë herëpashere është njëlloj si të ketë rënë një tërmet i madh: janë rrëzuar statuja, kollona, orendi e gurë. Janë mbuluar me pluhur data e ngjarje. Ata që hyjnë aty, zihen e grinden me njeri tjetrin se ku e kanë vendin gjërat, si ishte kjo e si qe ajo tjetra. A thua se ka mijra e mijra vjet që kjo shpellë ka qenë e gjallë, kur në të vërtetë ka fare pak vjet. Paleozoologët janë në gjendje që me pak fije eshtra të gjendura në zgafellat e kohrave të ndërtojnë kafshët e lashta që kanë jetuar atëhere. Për të rindërtuar e venë në vend të shkuarën tonë, detyra nuk është kaq e vështirë. Vetë ne e bëjmë kështu. Duke qenë pjesë e një mjedisi të caktuar, njeriu e ka të vështirë ta përcaktojë siç duhet atë mjedis. Duhet të largohet e shkëputet prej tij që këtë ta bëjë më mirë. Dhe tani mund ta bëjmë më mirë.

Shqipëria u shkëput nga murtaja komuniste me një hutim e rrëmujë të paparë. Ramiz Alia, i cili pati shansin historik ta kthente ketë vend në udhën e perëndimit shumë më parë se të pushkatohej Çaushesku, tregoi qulltësinë e pavendosmërinë karakteristike të edukuar për dyzet vjet nën satrapin e madh. Duke humbur këtë shans, i zënë si dhelpra në çark, ai dha e mori të sigurojë dekomunistizimin formal duke infiltruar skalionet komuniste në turmat e revoltuara që kërkonin ndryshimin pa e ditur mirë se cili qe ai ndryshim. Shumë biznese të sotme të suksesëshme, shumë lidhje të brendëshme e të kamufluara, e kanë zanafillën pikërisht në mbledhjet e fundit të shtabit komunist ku janë përcaktuar taktikat dhe janë ndarë detyrat për të ardhmen.

Janë të ndryshme kategoritë e vuajtjeve të shqiptarëve në kalvarin komunist. Një pjesë u zhduk e u shfaros, u burgos e u përndoq; një pjesë tjeter rrojti një jetë me profil të ulët e pa rënë në sy; të tjerë, të lidhur me fitimtarët në pushtet, jetuan jetën e asaj kohe, me të mirat e të ligat, sipas periudhave ku e hidhte adrenalina e kryesatrapit komunist; të tjerë akoma, u ngjitën shkallëve të diktaturës duke u përpjekur të ngjiteshin sa më lart në të. Të ishe disident atë kohë, do të thotë të ishe i vdekur ose në burg. Disidentë të lirë (apo të gjallë) Shqipëria nuk pati. Pësh-pëshet vesh më vesh dhe ndonjë guxim i vetmuar, qenë pjesë e jetës por nuk i jepnin asaj tonin. Një punonjës i vjetër i sigurimit, mik i familjes sime, më pat thënë tani von se nga të gjithë procesverbalet e mbajtura në hetuesi zhdukeshin e fshiheshin të gjitha sharjet e fyerjet që kishin të bënin me Enver Hoxhën. Kështu shkruhej historia. Kishte njerëz që qenë ngarkuar të raportonin për të tjerë njerëz, kishte që paguheshin për këtë, kishte që e bënin pa para, për karierë apo thjesht për inat. Qarkullonin dosje pa fund dhe nëpër organizatat bazë të partisë, si nëpër vrima merimangash endeshin rrjetat ku do të vareshin më pas fate njerëzish të thjeshtë.

Duke mos patur një disidencë të vërtetë, drejtuesit e lëvizjes demokratike për ndryshim u bënë ose ata që kishin ndjerë mbi vete apo familjet e tyre peshën më të rëndë të thundrës komuniste ose komunistët liberalë një pjesë e të cilëve flakën tesrat e partisë së vjetër dhe duke ditur zanatin, zunë menjëherë vendet drejtuese të partive të reja që u bënë biznese fitimprurëse për flamurmbajtësit. Por vendet drejtuese nuk qenë të panumërta. Dhe nga kjo shpejt u rritën tensionet dhe shoqëria u end kuturu dhe s’dihet ku do të përfundonte po të mos e hiqte pas vetes bota. Komunistëve liberalë apo antikomunistëve të butë ju duheshin antikomunistët e egër, pra ata të burgjeve e të internimeve, edhe pse mes këtyre kishte mjaft lapërdharë që do të kishin pranuar me qejf të ndrronin vendet me gardianët e tyre e t’i shërbenin kryesatrapit. Ata ju duheshin për të bërë më të besuar në sy të botës të kaluarën e tyre, për t’i përdorur si argumentë e forcë ndaj kundërshtimit vende vende të plebejve qorra që sokëllinin ndonjëherë “Kumandant, na mori malli!” (Kur kumandanti i la tërë jetën të hanin bar). Me kohë, antikomunistët e egër u lodhën nga lufta politike, ashtu të drobitur e të sakatuar në shpirt siç qenë nga vitet e shkuara dhe u hoqën mënjanë, një herë të zhgëngjyer e pa gjetur rrugëdalje e një herë të mashtruar me një copë kockë që antikomunistët e butë u a vinin pranë si trofe të çmuar.

Intelektualët entusiastë që rendën t’i bashkoheshin vërshimit demokratik, qenë me plot difekte në veten e tyre. Një pjesë, ata që kishin patur mundësi edukimi më të shumta, që kishin dalë jashtë vendit për shkolla e specializime, qenë domosdo nga familje të besuara, të lidhura ngushtë me regjimin. Familjet e tyre ndikonin ende mbi ta edhe në këtë periudhë tranzicioni kur një pjesë e tyre doli në krye të partive e lëvizjeve. Historia u rrokullis shpejt duke lënë pas shumë keqkuptime që gjithsesi s’duhen lënë të varrosen nën pluhurin e kohës. Ndarja me të kaluarën u bë e mangët dhe difektoze. Ata që donin të fshihnin diçka, ulërinin që të mos merreshin me të duke rendur të ndërtonin biografitë e reja, të tjerë që s’shihnin asnjë perspektivë zunë të ngrenë biografitë e tyre duke rrëmuar çdo llagëm të së kaluarës me vlerë a pa vlerë. Ata i vunë kazmën çdo gjëje të bërë apo të jetuar në atë periudhë dhe ngjallën në këtë mënyrë mosbesim e urrejtje tek ata njerëz që edhe pse kishin rrojtur nën diktaturë, u dhimbte ajo pjesë jete që do ta bënin njëlloj edhe sikur diktatura të mos ishte.

Pronat nuk u kthyen apo u kthyen pjesërisht e posaçërisht duke u ngatërruar me ligje të koklavitura e premtime fushatash zgjedhore. Dosjet e fshehta nuk u hapën me pretekstin se mund të hynte armiqësia në popull, a thua se kjo armiqësi nuk ka vite që bën ligjin në atë vend. Me shuarjen e zërit të antikomunistëve të egër, antikomunistët e butë bëjnë sot ligjin në Shqipëri. Kjo spjegon se pse nostalgjia komuniste lulëzon herë pas here atje, në media, radio, TV e jetën reale. Del i biri i Enver Hoxhës e tregon përrallat e babait dhe na thotë se po të ishte ai gjallë, Shqipëria nuk do kishte këto probleme që ka sot (po ato problemet e tjera që do kishte, nuk i zë ngoje!). Te shumë shtetarë të sotëm, edhe pas pozave e manierave moderne gjen përsëri komunistët e vjetër. Po t’i ckërmitësh pakë u dalin mendësitë arkaike komuniste. Asnjëherë ata nuk bënë një katarsis të thellë. Ndaj thonë: Mos u merrni me të kaluarën. Shikoni përpara, vetëm përpara. Po ajo “përpara” jo gjithmon është përpara kur të udhëheqin ata. E kaluara duhet njohur e mësuar për të mos u përsëritur më në pjesët e saj të dhimbëshme e të turpshme. Por analizën e saj mund ta bëjë më mirë se kushdo rinia që vjen, që hyn e del në Shqipëri nga universitetet më të mira të botës ku nuk e shpuri Enver merhumi apo soji e sorollopi i tij, por etja për dije e kulturë demokratike. Ylli i atij vendi do të ndritë kur në krye të punëve të saj të dalë kjo rini duke i zënë vendin antikomunistëve të butë demagogë që kanë 15 vjet që pretendojnë se janë ata që kontrollojnë kaosin e rrëmujën por që në fakt është kaosi e rrëmuja që i kontrollon ata.

(Botuar në Metropol, 23 prill 2006)

Friday, April 21, 2006

Shkëlqimi mediatik i zonjës Hoxha

Zonja Liliana Hoxha vazhdon sulmet e saj ndaj R.Alise dhe ramizisteve te tjere duke mbushur gazetat me fraza te gjata delirante qe nuk merret vesh se ku fillojne e ku mbarojne dhe kur i mbaron se lexuari shkrimet e saj te buçasin ende ne veshe krrismat e fjaleve të saj si patllake letre. Nuk e kuptoi valle kjo zonje se pozicioni i saj, edhe kur sulmon me furi e terbim njerez e persona qe vërtet meritojne te vihen ne shenjester te opinionit publik, është përsëri qesharak e i pabesueshëm?

Kjo zonjë është pjesë e familjes së kryekuçedrës. Për të Enver Hoxha ishte mesia që zoti kishte derguar mbi dhe për të shpëtuar Shqipërinë, marksizëm-leninizmin dhe botën të tërë. Të liqtë qenë të tjerët, që komplotonin kundër tij, që e disinformonin, ja shtrëmbëronin mendimet dhe ja devijonin porositë. Kurse ai jo. Kaq naive është kjo zonjë? Apo bën se ashtu i duhet? Si nuk tha ajo një fjalë në tërë ato shkrime të gjata që mbushin kolonat e gazetave si makinat rrugën te Zogu i Zi, për mijra e mijra të vrarë, të burgosur e të përndjekur? Apo vallë vjehrri i saj s’dinte gjë se këto i bënin ata të liqtë e tjerë? Në fund të fundit a beson te komunizmi i vjehrrit të saj kjo zonjë e nderuar? Pse nuk na i thotë këtë? Po na jep mend për ato çka ndodhin sot në Shqipëri, tregon të metat e dobësitë e të tjera. Ajo duhet ta dijë si një e një bëjnë dy se kujtdo sot nuk i vjen mirë që vendi nuk shkon drejt përparimit me ritmin që duhej të shkonte, se ka korrupsion, se ka gërrmërre e sherre pafund, se ka para të shumta të pista e varfëri të skajshme, po kur vjen puna për ta krahasuar me kohën kur ajo ishte princeshë oborri, edhe lluca e rrugëve të Tiranës dhe e çdo fshati në Shqipëri është mjaltë përpara helmit me të cilin mbushte ditët e Shqipërisë epoka e Enver Hoxhës.

E pra, të ishte për zonjën Liliana Hoxha, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot, e mirë, e keqe, por padyshim as që krahasohet me kohën e vjehrrit merhum të saj. As shtypi e mediat nuk do të ishin keshtu. Me talentet e saj, kjo zonja Hoxha do të ishte me siguri drejtoreshë e shtypit në komitetin qendror. Dhe si e tillë, dinte ajo si ta ujdiste shtypin ashtu si duhej të ishte.

Në Shqipëri ndodhin gjëra të çuditëshme. Edhe pse ishte diktatura më e egër komuniste në botë (ndoshta vetëm pas Kamboxhias së Pol Potit), me ardhjen e demokracisë, njerëzit u zbutën disi. U bënë ca gjyqe farsa, jo drejtoria e pritjes, jo kafera e më the të thashë. Të ngatërruar në hallet e përditëshme, njerëzit zunë t’i harrojnë të zezat e hequra nga koha kur Shqipëria ishte feneri i ML në botë. Ata jo vetëm që u zbutën por u qullën fare. Sigurisht ka nga ta që venë e vënë lule natën te varri i lugatit, por unë këto rreshta nuk i kam për ta. Ata atje me të e kanë vendin. Por edhe nga intelektualët, nga firmat e shquara të shtypit pati pakë apo aspak reflektim mbi epokën e zezë komuniste dhe personazhet famëkeqe të saj. Më vetëdemaskuese se shumë analiza të tilla, qenë vetë procesverbalet e botuara të KQ e byrosë politike. Në vende të tjera nuk ndodhi tamam kështu. Nuk del gjëkundi nusja apo bija e Gomulkës, Ulbrihtit, Brezhnjevit e Zhivkovit të mbushin gazetat e televizionet edhe pse të lartpërmendurit qenë ëngjëj të vërtetë në krahasim me përbindëshin tonë satanik. Po kjo Shqipëriza jonë është vendi më demokratik në botë. Kështu e kemi ne, kur jemi vend komunist, jemi vendi më komunist në botë, kur jemi demokraci, padyshim jemi demokracia e parë në botë. Ndaj kullot sipas qejfit kjo zonja Hoxha e gjithë sorollopi i saj, ndaj kullot Ramiz Alia që na i mbajnë si filosof e shtetar të shquar, ndaj shkruajnë kujtime, libra, intervista e dëngla të tjera, ish byroistët e ish veglat e regjimit gjakatar të Hoxhës. Rrnoftë demokracia!

Zonja në fjalë nuk është e pakulturë dhe e pamënçur. Por paranoja shfaqet dukshëm në rrëfimet e kastigimet e saj. Nuk ka si mohoet se përveç që ishte pjesë e familjes, ajo ka qenë pjesë e kastës vendimmarrëse të diktaturës. Më kujtohet se diku, ajo kujton se kishte bërë një rekomandim per postin e sekretarit të parë të rinisë dhe i vjehrri ja kishte zbatuar. Po ç’të drejtë kishte ajo të ndikonte te diktatori? Mos ishte gjë nëpunëse kuadri ajo? Se nuk dimë se ç’ndikime të tjera mund të kishte ajo tek ai.

Eshtë në turpin e inteligjencës shqiptare që i vetmi zë që ndjehet në shtypin shqiptar lidhur me epokën komuniste, është zëri i kësaj zonje. Sigurisht arsyet pse ajo ka marrë penën dhe nxin faqet e shtypit janë krejt personale. Ajo nuk bën pretencën e demaskimin e regjimit komunist por bën retushin e tij. Dhe e bën si s’ka më mirë këtë retush. Na ishte një ari baba dhe një arushë mama, që pollën ca arushë të vegjël që u bënë të mëdhej e u martuan me ca arushka aty rrotull. Por ca arinj të liq donin ta helmonin ariun e madh të mirë, megjithë një arushkë nuse. Dhe te ky komplot për çudi na merrte pjesë edhe arusha mama. Hajde përralla, hajde. Përralla jo me mbret po me ari e arushë.

Padyshim që si nuse e Enver Hoxhës, zonja Liljana di mjaft gjëra të klanit. Po ajo thotë ca dhe të shumtat nuk i thotë. Natyrisht është e drejta e saj të shkruajë. Por pozicioni i saj do të ishte më i respektueshëm në qoftë se do të hapej krejt si një arkiv i madh e metodik dhe të thoshte fakte e vetëm fakte e jo komentet e saj vibrante e emotive çoroditëse. Në gjithë këtë histori shkëlqimi mediatik të zonjës Liljana Hoxha, ajo që i mbetet në mend njeriut të mençur është sakatllëku i shtypit dhe medias shqiptare, çartafillosja e tyre e paskaj dhe topitja e çuditëshme e snajperëve të këtij shtypi, analistë e opinionistë që gjuajnë shpesh herë për laraska kur mund të bënin punëra më të dobishme. Nuk shkohet përpara pa larë hesapet me të kaluarën. Sepse të ardhme pa të kaluar nuk ka, ka vetëm të kaluar pa të ardhme.

(Botuar në Gazeta Sot, 5 prill 2006)

Si lindin diktaturat

Shkas për këtë shkrim u bë një film i Spajk Li që luan këto ditë në kinematë amerikane, “Njeriu i brendshëm” (Inside man). Ky regjisor njujorkez shquhet për temat e mprehta dhe situatat e sjelljet e veçanta të personazheve. Filmi ka një episod ku vjedhësit e një banke për të ngatërruar policinë që i ka rrethuar e i përgjon, e për të fituar kohë, vënë në mikrofon një regjistrim të çuditshëm. Regjistrimi është një fjalim i Enver Hoxhës, një nga ato fjalime pompoze si:...duhet të kisha ardhur më parë këtu tek ju por punët s’më kanë lënë,...se Shqipëria është vendi më demokratik i botës,...se kalasë sonë socialiste i marrin të keqen të gjithë borgjezo-revizionistët e të tjera, e të tjera. Skenat që pasojnë atë janë vërtet komike, kur policia kërkon një shqiptar që të përkthejë ç’thuhet aty. Kaq.

Ishte vertet e çuditëshme atë të dielë mbrëma kur teksa qeshë ulur të shihja filmin në një nga kinematë e qendrës në San Francisko, të më dilte përpara ky lugat. Mjaftoi kjo që tërë atë natë, mendja të më vërtitej atje. Si lindin e rriten përbindëshat, diktatorët? Ç’fat që kishte patur ajo Shqipëri e gjorë që fatin e saj e mori në duar ky monstër?

Asnjë herë nuk e kam parë Enver Hoxhën të gjallë. Kam parë vetëm fotografitë e tij. Më kujtohen ca fotografi të fëmijërisë, një djalë buçko, i shëndetshëm, si djalkë mamaje që rrinte pakëz mënjanë, me siguri nuk lozte kurrë me top, e nuk rrihej me njeri. Edhe kur ishte i ri, pas të njëzetave, ngjan si një dendi, trupbëshëm po i ngathët në lëvizje. Kultura e tij ishte e dyshimtë. Mbaj mend se kur vizituam një herë me shkollën muzeun e tij te Piramida, pashë vërtet shumë libra po asnjë gjë që të të habiste nga kultura e tij e leximeve, refleksione, pershtypje, ide. Marksi, Engelsi, Lenini e të tjerë pavarësisht nga armiqësia që kanë marrë mbi vete prej botës, ishin intelektualë të vërtetë, njerëz që shkruanin bukur që e ndjenin artin dhe shprehnin mendime brilante estetike. Kam dyshuar gjithmon që ky përbindëshi ynë asnjëherë nuk i ka lexuar edhe vetë ata, klasikët marksistë që i përmendte aq shumë për devocion e besnikëri. Por ai kishte një dhunti të jashtzakonshme në lojën me njerëzit dhe dinte të impononte si rrallë kush idenë e madhështisë dhe të pagabueshmërisë së vetes.

Ai erdhi në skenën politike shqiptare më tepër për pasojë të gabimeve fatale të intelektualëve nacionalistë të vendit se sa për meritat e veta e të partisë që përfaqësonte. Duke përfituar nga konjuktura politike, gjendja kaotike e njerëzve dhe lufta kundër pushtuesve, ai u ngjit në krye të lëvizjes të cilën do ta kthente atje ku i interesonte, pra në një lëvizje me prirje komuniste pasi kështu do të ishte më lehtë për të kamuflonte diktaturën. Nga lufta doli komandant i përgjithshëm, ndonse pa asnjë shkollë e njohuri ushtarake. Ky njeri mori mbi vete meritat e sakrificat e mijra partizanëve e komandantëve të lavdishëm që u përleshën me pushtuesit italo-gjermanë. Pas lufte, ai nisi menjëherë realizimin e ambicjes së tij: një shtet ku të ishte mbret përmbi mbret duke qenë sekretar i parë. Skema e tij ishte e thjeshtë dhe efikase: s’ka të ardhme ai që di të kaluarën time. Dhe kështu nisi ajo histori e vërtetë e Shqipërisë, e pashkruar në letra e libra, një kalvar i tërë vuajtjesh e mynxyrash ku krimet më mizore përligjeshin në emër të popullit e për popullin.

Eshtë i pashëmbullt e meriton studime të veçanta sistemi që ai ngriti për të mbajtur e ruajtur diktaturën e tij. Të gjitha qenë të dubluara e të tribluara. Kishte një sigurim të shtetit që ruante shtetin nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm, po kishte dhe një sigurim të tijin që ruante atë nga vetë sigurimi i shtetit, kishte një qeveri me kabinet e ministra, po kishte dhe një qeveri brenda komitetit qendror që i raportonte atij ato që i duheshin. Ndërsente njërin kundër tjetrit, i linte të flisnin e të flisnin e pastaj mbante fjalën në fund duke thënë atë që kishte bërë plan më përpara. E përdorte si rrallë kush teknikën e kontrastit. Si mund të dukesh më i zgjuar e i kulturuar se sa kur je në një tufë budallenjsh? Kështu mblidhte herë pas here me fushata, një tufë budallenjsh besnikë e i bënte anëtarë të komitetit qendror, të byrosë politike, u vinte yjet e heronjve të punës socialiste e të tjera. Të gjitha lëvizjet e mëdha politike të tij, prishja me BS, afrimi me Kinën, prishja me Kinën kishin të bënin të gjitha me ruajtjen e pushtetit të tij. Jeta e tij sendentare, ku i vetmi organ i trupit që i punonte me vrull e papushim ishte truri i tij që thurte paprerë kurthe e bënte plane si ta mbante e ruante pushtetin, bëri që të vdiste relativisht herët, për fatin e tij të mirë. Them kështu sepse personalisht do të kisha dashur të rronte deri në rrëzimin e komunizmit që të përjetonte me tmerr atë tmerr që kishte ngjalluar e ndezur te aq e aq familje shqiptare e për të shpaguar përçudnimin që i kishte bërë një populli të tërë.

Sado që është studjuar e studjuar, lindja e bërja e diktatorëve mbetet një nga misteret e mëdha të njerëzimit. E parë në retrospektivë, gjithëshka duket reale dhe kuptohet menjëherë e vërteta nga gënjeshtra, fallciteti, inskenimi, demagogjia. Por puna është se kur i jeton vetë është e vështirë t’i vësh re këto të gjitha teksa noton me të gjitha forcat në rrjedhën e së përditëshmes. Në fund të fundit, diktatori është fara ambicioze që kërkon sundimin, por atë në formën e tij më të përkryer, e bëjmë ne. Jemi ne, njerëzit, energjia e shkarkesave elektrike që Frankeshtajni përdorte për të ngjallur monstrën e tij. Veçse diktatori nuk bashkëjeton dot me dinjitetin. Njerëzit dinjitozë e sëmurin atë dhe e bëjnë të ndjejë vogëlsinë e qënies së vet. Sepse ata dinë t’i thonë mbretit që është lakuriq se është lakuriq, e jo si në atë përrallën e famshme të Andersenit. Sa më tepër kulturë e dinjitet të kenë njerëzit që rrethojnë strumbullarët e diktatorëve të ardhshëm, aq më pak e mundëshme do të jetë bërja e tyre.

(Botuar në Gazeta Sot, 1 prill 2006)

Të dy kokët e korrupsionit

Një nga zhvillime e fundit në serinë e skandaleve të korrupsionit në SHBA është pranimi i fajit nga Mitçell J. Uejd në gjykatën federale në Uashington D.C. për përpjekjen e tij për të ndikuar në mënyrë të paligjëshme procesin e prokurimit në fushën e mbrojtjes. Uejd, një kontraktor i fuqishëm i mbrojtjes, nëpërmjet rrushfeteve dhe kontributeve të paligjëshme të fushatave, ka ndikuar që miliona e miliona dollarë të kanalizohen për kontraktorët që ai donte. Përveç Rendi “Djuk” Kanigham, kongresmenit që pranoi marrjen e rrushfeteve dhe tani është në procesin gjyqësor, në aferë janë përfshirë dhe po hetohen dy kongresmenë të tjerë, Virxhil H, Gudi Jr. dhe Katherin Harris. Kaningham, një kongresmen prej tetë termesh nga Kalifornia, ka pranuar se ka marrë së paku 2.4 milion $ në rrushfete që nga viti 2000. Rrushfetet përfshinin transaksione shtëpish, vetura lluksoze, jahte, qilima persianë, antika dhe para në dorë. Kongresmeni dhe familja e tij udhëtonin me avionë privatë të kontraktorëve, përdornin hotele dhe resorte të paguara dhe hanin dreka e darka me çmime të paimagjinueshme. Thuhet se Kaningham kishte përpiluar një menu të rrushfeteve, ku përcaktoheshin çmimet për çdo lloj ndikimi dhe kontratash.

E rëndësishme është se drejtësia amerikane e goditi korrupsionin në të dy kokët e veta, pra si atë që merr, ashtu edhe atë që jep, për të marrë një tjetër përfitim me vlerë më të madhe. Eshtë fakt se lobingu mbrohet nga kushtetuta e vendit dhe ai nuk mund të ndalohet. Në esencë, lobingu është një mjet demokratik nëpërmjet të cilit shoqëria civile ndërgjegjëson e nxit ligjebërësit për ta drejtuar legjislacionin ndaj problemeve që ajo mendon se janë jetike dhe me dobi në përparimin e vendit drejt demokracisë e prosperitetit si edhe ruajtjes e forcimit të të drejtave të njeriut. Por proceset e fundit gjyqësore në zhvillim dhe veçanërisht ai i lobistit të njohur Xhek Abramof lidhur me biznesin e kazinove të indianëve, kanë bërë të nevojshme ligje të tjera për të bërë të mundur që lobingu të mos degjenerojë në dhënie rrushfetesh e favoresh në këmbim të përfitimeve të mëdha për individë apo grupe individësh.

Në Shqipëri ky proces bëhet i cungët ose s’bëhet fare. Më së shumti zhurma bëhet vetëm rreth korrupsionit si terminologji e përgjithëshme, bëhet nga bisedat e njerëzve, gazetat, radiot, televizionet, kafenetë etj. Fjala korrupsion lakohet në të gjitha rasat: korrupsioni, i e korrupsionit, korrupsionit, korrupsionin, o korrupsion, prej korrupsionit... Dhe asnjë emër. Asnjë emër përpara ligjit se emra në hava ka sa të duash. Eshte e nevojshme qe me anen e ligjeve t’u pritet rruga të gjithë aferave korruptive. Ligji duhet të dënojë si deputetin që merr rrushfet në forma të ndryshme, ashtu edhe atë biznesmen që e jep rrushfetin apo bën favorin, si nëpunësin e policin që për shërbimin apo gjobën merr mitë, ashtu edhe atë hallexhi apo kondravajtës që e jep atë mitë, si mjekun e infermjeren që merr para nën dorë ashtu edhe të sëmurin apo të afërmin e tij që e jep atë.

Dy gjëra të tjera që bien në sy në ndjekjen e aferave korruptive në SHBA janë vendosmëria e gjyqësorit dhe përkushtimi i gazetarisë gjurmuese. Në përgjithësi, gjyqësori në SHBA nuk do t’ja dijë se me kë ka të bëjë njeri apo tjetri i paditur, në se është i njohur i presidentit apo i manjatëve miliarderë, në se cënohet partia në pushtet apo opozita. Ka mjaft figura të paepura e me moral të pathyeshëm të gjyqësorit që i nderon e respekton i gjithë opinioni publik i vendit. Cilido vend që zotohet të luftojë korrupsionin, duhet të reformojë sistemin gjyqësor. Të gjithë të dërguarit e Evropës që vijnë në Shqipëri apo edhe që nga Brukseli, theksojnë pikërisht këtë si gjënë e parë që duhet bërë.

Nga ana tjetër gazetaria gjurmuese është ajo që ka nxjerrë në pah dhe i ka hapur shtegun procesit gjyqësor për rastet më të shumta e më të bujshme të aferave shpërdoruese e korruptive. Kjo e ka ngritur gjithashtu mjaft lart në sytë e opinionit publik figurën e gazetarit gjurmues. Kjo degë e gazetarisë duhet ngritur e forcuar me shpejtësi e përparësi në Shqipëri pasi përndryshe do të mbetemi në llumin e thashethemeve të kafeneve që shpesh përcillen edhe nga media. Një gazetari gjurmuese do ta bënte vërtet median pushtet të katërt dhe jo një kukull në duart e pronarëve të shtypit, grupeve të bizneseve pranë tyre apo formacioneve politike. Pavarësia dhe konsolidimi i gazetarisë gjurmuese kërkon njerëz të pabujshëm por të ndershëm e të guximshëm, sepse ata do të rrezikojnë realisht përballë mafies kriminale e cila ka banditët e saj në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Pra udha është e qartë: bërja e perfeksionimi i ligjeve, ndërtimi i gjyqësorit të pavarur, nxitja e gazetarisë gjurmuese dhe ndërgjegjësimi i opinionit se pa luftuar korrupsionin në të gjitha shfaqjet e veta nuk ka shpresë për përparim e begati. Në këtë mënyrë korrupsionit do t’i goditen të dy kokat e veta dhe jo vetëm për një rast por në vijimësi. Merimanga nuk e thur rrjetën vetëm për një mizë, thotë filosofi i lashtë kinez Lao Ce.

(Botuar në Metropol, 27 shkurt 2006)

Kur e merr penën për pallë

Ne që jemi larg, çdo libër Shqipërie që na bie në dorë na gëzon e mallëngjen. Po kur i hap dhe lexon ç’kanë brenda, jo rrallë ndjen një pështjellim mendimesh dhe ndjenjën e nauzesë. Kështu më ndodhi me librin e Xhelil Gjonit, një një prej shtyllave më të forta të fundit, të diktaturës komuniste, ish kryredaktor dhe ish sekretar i partisë i disa rretheve dhe së fundi, i Tiranës, njeriu që nëmi publikisht e me sokëllima të rënda të ngujuarit në ambasada në 1990. E pra, këtij njeriu që është mësuar gjithë jetën me poste, ofiqe e privilegje, nuk i rrihet e nuk i pëlqen jeta e pensionistit. Ai nuk është i kënaqur sepse nuk është prapë në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe kujton me nostalgji vitet kur ishte dora e fortë e asaj diktature, që bënte sus intelektualët e zvetënuar të vendit. Dhe ndaj merr penën e shkruan kujtimet e tij mitomane. Xhelil Gjoni trim i rrallë, e rrëmben penën si pallë.

O Zot, ç’absurditete, demagogji e gënjeshtra përmban ky libër! Si është e mundur që logjika e një njeriu që nuk ka qenë aspak i lënë mëndsh të bjerret kësisoj? Shfletoni faqet dhe do të shihni se ky njeri beson vërtet se ka bërë një punë të vlefshme e të dobishme gjatë gjithë jetës së tij. Ai thotë se erdhi në Tiranë si sekretar i parë i partisë në një moment të vështirë, erdhi për të shpëtuar intelektualët e kryeqytetit që ishin goditur rëndë ( kush ishte ajo monstër që i kishte bërë kështu?) dhe harron se Partia e tij mëmë e solli si një kampion të forcës së diktaturës së proletariatit për të shtypur “gjarpërinjtë“ e liberalizmit. Dhe dihet mirë se si ky, gjoja mik i mirë i shkrimtarëve dhe artistëve, sillej me artistët mjeranë, me këngëtaret, poetët, gazetarët që bënin atë korrin e laradash të “ahengut” socialist që i ngrinte lavde partisë mëmë e udhëheqësit të madh fytyrëpetull, si një padron i vërtetë, që i dinte të gjitha e që i kishte në dorë të gjithë. Ai të ngrinte në përgjegjësi, të sillte nga rrethet në Tiranë, të jepte shtëpi, bëhej dhe miku i grave në shtëpitë ku e ftonin si mik. Pse nuk na tregon ky zotni për “sukseset” e tij me femrat, për të cilat flitej shumë nën zë, në atë periudhë? Se po të ishte besnik e shpatë e mprehtë e partisë, të lejohej edhe ndonjë kodoshllëk i vogël, mjafton që të mos bëhej bujë e madhe e të mos merrej vesh sa të ngjallje zilinë e atyre që kishe sipër teje. Dhe për të flitej shumë se nuk rrinte pa dy a tre dashnore në çdo rreth që e dërgonte partia me detyrën e lartë.

Pra në vend që të mos e zinte vendi e të merrte penën për të shkruar se si erdhi puna që një ideal fillimisht i pastër, edhe pse i gabuar, u bë një hile e mashtrim i madh për një popull të gjithë, se pse ai dhe shokët e tij degjeneruan në atë rrugë kur për vete si udhëheqës kishin privilegjet dhe popullin e mësonin të rronte edhe me bar, se si mashtruan, hoqën mënjanë, përndoqën, burgosën, torturuan e vranë mijra e mijra bile edhe nga rradhët e tyre, më rrëmben penën si pallë dhe zhgarravit ato rradhë... Po ai ka hak. Se nuk provoi në kurrizin e tij as një të mijtën e asaj dhune e mizorie që pësuan breza të tërë në gati gjysmë shekulli. Se as djali i tij, deputet e ministër i Shqipërisë demokratike e as të afërmit e miqtë e tij nuk pësuan asgjë bile përfituan prej lidhjeve e bëmave të tij. Se populli është popull; sa i madh është në madhështinë e vet aq i vogël është në vogëlsinë e vet. Se ka që dalin dhe i bëjnë këtij njeriu letra përdëllyese, ashtu si një shkrimtar trutharë në librin në fjalë, ku e merr malli për kohën e “babës”.

Ky turp nuk është i vetmi në jetën e Shqipërisë së gjorë. Shikoni lumin pafund të fjalëve të derdhura në gazetat tona, në revista, në emisionet televizive dhe forumet e interneteve. Flasin drejtues institucionesh të asaj kohe, anëtarë të komitetit qendror, ish gjykatës, ish hetues, ish diplomatë, ish spiunë, pjesëtarë familjesh të shquara të nomeklaturës së kuqe. Të gjithë apo pothuajse të gjithë tjerrin velin e gënjeshtrës. Rrallë gjen thërrime të vërtetash në këto vërshime të papërmbajtëshme. Dhe ka që i besojnë. Dhe thonë“ e mo, iku ajo kohë tani, është kohë tjetër...” Kur do të mësojë njëherë ky popull? Ata të gjithë e dinë dhe e çmojnë mirë demokracinë (sado që i merr malli për atë të shkretën diktaturë komuniste). E çmojnë se nga ajo janë të sigurtë, s’i burgos njeri edhe po të shajnë e përflasin, edhe po të mos votojnë a të votojnë për kë të duan, edhe po të kritikojnë qeveritë për këtë e për atë. As nuk i burgos njeri e as nuk i pushkaton njeri që të mos i dihet varri. Për këtë janë të sigurtë dhe e dinë mirë. Por respekti, ajo ndjenjë e paimponueshme dhe njerëzore që njeriu ka për njeriun, është më e fundit gjë që këta mjeranë të torrorisur në fundjetët e tyre ëndërrojnë të kenë prej popullit që i rrethon. Por këtë s’do ta kenë kurrë.

Me këtë ëndërr do të vdesin. Ky është dënimi demokratik për ta.

(Postuar n[ AlbanovaOnline, 17 shkurt 2006)

E ardhmja bëhet përditë

Ecuria e një vendi, arritjet e dobësitë e tij jo kurdoherë përcaktohen saktë nga fjalët e njërit apo tjetrit personalitet të huaj që viziton atë vend. Shpesh herë, fjalë të tilla, që thuhen në mënyrë diplomatike, interpretohen kryekëput ndryshe nga forcat e ndryshme politike në pushtet apo në opozitë, brenda vendit. Një gjë e tillë ka kohë që ngjet në Shqipëri. Por jeta nuk është e gjitha fushatë zgjedhore. Jo kurdoherë, faktet e realiteti përkojnë me entusiazmin e mitingjeve, intervistat optimiste të politikanëve dhe bisedat e kafeneve. Ka ardhur koha që kur bëjmë bilance arritjesh dhe duam të përcaktojmë udhë e strategji që ndikojnë të ardhmen e vendit, është e mira të ulemi e të studjojmë raporte profesionale të cilat na tregojnë se ku jemi e ç’duhet bërë për të shkuar më përpara.

Një i tillë është një studim i fundit i Bankës Botërore, Mbështetja publike financiare për novacionin komercial: Studim mbi ekonominë e dijes të vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore (http://web.worldbank.org).

Termi “ekonomi e dijes” që qarkullon vitet e fundit në literaturën botërore, është futur me qëllim që të mishërojë prirjen e zhvillimit ekonomik botëror dhe rolin në të të shkencës e teknologjisë. Ekonomi e dijes është ajo ekonomi ku organizata dhe njerëzit e marrin, krijojnë, shpërndajnë dhe përdorin dijen më efektivisht për zhvillim më të madh ekonomik e shoqëror. Një ekonomi krijuese e dijes pasqyrohet në kapitalin njerëzor të specialistëve, shkencëtarëve dhe sipërmarrësve që janë teknikisht dhe në mënyrë krijuese të aftë përfshijnë në njohuri krijimin dhe shpikjen. Këto aftësi të bollshme shkencore e teknologjike të ndërthurura me aftësitë sipërmarrëse janë përbërësit bazë mbi të cilat ngrihet novacioni i cili nga ana e vet sjell përfitime edhe më të mëdha për ekonominë. Ekonomia e SHBA është një shëmbull i shkëlqyer i kësaj lloj ekonomie ku financimi i shtetit për shkencën e teknologjinë është i ndërthurur në harmoni me financimin privat të korporatave të cilat janë të interesuara për këtë apo atë zhvillim shkencor e teknologjik.

Në studimin e përmendur, janë analizuar 30 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore, duke përfshirë Evropën Qendrore, Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore. Raporti bën vlerësimin e këtyre vendeve sipas një shkalle nga 1 deri në 10 pikë. Lidhur me indeksin e ekonomisë së dijes (KEI), Shqipëria me 2.99 pikë renditet në vendin e 29-të duke lënë pas vetëm Taxhikistanin. Në bazë të vlerësimit të sistemit të novacionit kombëtar (NIS), studimi dallon katër shtylla kryesore: 1) regjimi i stimulit ekonomik, 2) novacionet, 3) arsimi, 4) struktura informative. Pikët dhe vendi i Shqipërisë në këto katër shtylla janë respektivisht: 1) 2.66, vendi i 23-të, 2) 1.65, vendi i 28-të, 3) 4.81, vendi i 28-të, 4) 2.82, vendi i 27-të. Si përfundim i të gjithë treguesve të mësipërm, Shqipëria ka një renditje të përgjithëshme në vendin e 27-të, duke lënë pas vetëm Kirkistanin, Uzbekistanin e Taxhikistanin dhe duke patur mbi vete edhe vende si Bosnje e Herzegovina e Molldavia, duke mos përmendur të tjerat.

A i lexojnë këto raporte autoritetet përkatëse të vendit dhe a vrasin mendjen mbi to? Apo e kanë hallin vetëm sa makina t’u lënë deputetëve, si ta bëjnë votimin, me kuti apo me elektronikë e plot të tjera. Arsimi në Shqipëri është vërtet ku thërret qameti dhe kërkon veprim të shpejtë e konkret se fëmijët rriten dhe boshllëqet mbeten. Le të shpenzojë më pakë për veten e saj qeveria dhe më shumë për arsimin, shkencën e teknologjinë. Këto dy të fundit po përjetojnë tani një periudhë amullie të pashëmbullt: të prishet apo të mos prishen institutet dhe Akademia e Shkencave, të shkojnë apo të mos shkojnë pranë universiteteve? Qeveria ngre një komison të vetin, Akademia një tjetër. Nuk merret vesh ç’bëhet. Që ka plot njerëz që livadhisin në institutet e Akademisë dhe të ministrive, kjo është e padyshimtë. Por të tillë ka plot edhe në universitete. Kur ndërton e riorganizon sistemin e kërkimit shkencor të një vendi, lipset ta vrasësh mendjen mirë, se nuk është se po ngre një kopësht fëmijësh që nesër e prish prapë dhe e vë atje ku do.

Raporti i mësipërm i Bankës Botërore ka të bëjë pikërisht me rrugët për ta bërë shkencën e teknologjinë më të efektshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe shkenca e teknologjia fillojnë që te arsimi i ciklit të ulët, te fondet për arsimin, pagat e arsimtarëve, cilësia e mësimdhënies, stimulimi i biznesit, te nxitja e shpikjeve dhe novacioneve, e studimeve që i vlejnë ekonomisë, te kërkimi origjinal por edhe aplikimi shkencor e teknologjik i atyre që tashmë bota i përdor në praktikat e veta. Të gjitha këto janë procese të tilla që japin rezultate pas dhjetvjeçarësh të tërë ndaj është krim dhe e pafalëshme të vonohen e zvarriten duke ja lënë një qeveri tjetrës që vjen pas e duke u marrë vetë me gjëra më “të dukëshme” e që bien në sy. S’duhet të harrojmë se e ardhmja që e zëmë aq shumë në gojë, bëhet përditë, në çdo çast të së sotmes.

(Botuar në Gazeta Shqiptare, 11 prill 2006)

Bregoviç dhe mendësitë tona arkaike

Koncertet e Bregoviçit në Tiranë veç kënaqësisë e gëzimit që u dhanë një pjesë të muzikëdashësve shqiptarë ngjallën një reagim të çuditshëm te një pjesë tjetër, kryesisht me zanafillë nga Kosova. Duam s’duam ne shqiptarët, Goran Bregoviç është një muzikant që ka bërë emër në botë me motivet e tij ballkanase. Ai nuk është ndonjë armik i betuar i popullit shqiptar se ndryshe edhe sikur ta ftonim ne, nuk do të shkelte në Tiranë. Përkundrazi, organizatorët thoshin se ai u emocionua nga ftesa dhe e priti me gëzim të madh ardhjen në Tiranë. Sigurisht, ai nuk është shqiptar, është kroat e serb dhe s’duhet të prisnim të vinte në Tiranë me një flamur të madh ku të shkruhej: Pavarësi Kosovës! Ai erdhi thjeshtë me këngët e tij dhe të grupit që e shoqëronte, si një profesionist i shkëlqyer dhe jo si politikan apo përfaqësues i serbëve apo kroatëve. Pse atëhere u dashka të nxirrnim për të defterët e vjetër se si nuk e dashkan në Sarajevë apo në Prishtinë, se si na paska vjedhur ca motive, se si paska lidhje të mira me Beogradin dhe paska qenë kundër bombardimeve të Serbisë nga NATO?

Bota e qytetëruar di ta ndajë kënaqësinë e artit nga pozicionimet politike apo morale të artistëve. Majkëll Xhekson është një këngëtar i madh, një muzikant që solli risi të vërteta në muzikën bashkëkohore, por ai deri vonë u zvarrit gjyqeve për abuzime seksuale me fëmijë të vegjël. Që të mos përmendim pastaj historitë pafund me drogë të mjaft të shquarve të tjerë, rebelimet e njerit apo tjetrit ndaj ketij apo atij presidenti e të tjera. Sipas mendësive tona arkaike, as ish presidentin Klinton nuk duhet ta qasnim në Tiranë pas proçkës që bëri me atë internisten budallaqe të Shtëpisë së Bardhë.

Shumë nga të revoltuarit na përmendin të vrarët e Kosovës, ata që ende nuk u gjenden varret etj. Po ata nuk i ka vrarë Goran Bregoviçi more zotërinj. Nuk i ka vrarë muzika. I ka vrarë shovinizmi serbomadh i cili gjithashtu me siguri nuk e do Bregoviçin sepse ky krijon ura midis njerëzve e kombësive. Sa më shumë Bregoviçë të ketë Serbia e Ballkani, aq më pak shovinizma e konflikte do ketë.

Rasti me këtë muzikant më kujtoi atë që kam dëgjuar kur Marinela, një këngëtare e madhe greke erdhi në Tiranë për një koncert në kohën e merhum Enverit. Diabolik siç vetëm ai mund të ishte, ky porositi sigurimin e shtetit që t’i bënin njerëzit të iknin nga salla e koncertit sepse ata nuk e pëlqenin muzikën dhe interpretimin borgjez të këngëtares. Me këtë i tha botës: ja, ne e ftuam por populli nuk e pëlqen. E gjora Marinelë, me lot në sy e pa veten në një gjendje që s’e kishte parë në asnjë skenë të botës. Kjo është pra demagogjia.

Vallë me mendësi të tilla do të shkojmë ne e të bashkohemi me Evropën e me botën? Ky qënka vallë patriotizmi? Që të politizosh gjithëshka e që t’i shohësh gjërat bardhë e zi: ne dhe armiku? Atëhere pse jemi hipokritë me botën dhe bëjmë sikur atje në Kosovë nuk jemi ne që prishim pune, por janë serbët se të ishte për ne, jemi gati të rrojmë me ta në një shoqëri multietnike, por janë ata që s’duan. Të rrosh në një shoqëri multietnike do të thotë të mos të dhëmbin sytë kur e sheh fytyrën e atij tjetrit, kur i dëgjon zërin apo muzikën. Të bësh ndryshe nuk është as fetare e as njerëzore. Patriotizmi nuk është ky por është ajo ndjenjë që të bën t’i dalësh zot vendit e kombit tënd atëhere kur duhet e siç duhet.

Xhejn Fonda, aktore dhe grua e shquar e Amerikës shkoi në Vietnam në kulmin e luftës dhe mori mbi vete zemërimin e një pjese të vendit të saj. Por pjesa liberale e kundër luftës, e admiroi gjestin që bëri. Ne, përkundër zakoneve tona njerëzore, që presim për mort edhe hasmin, nuk e lejuam presidentin serb të vinte për ngushëllime për vdekjen e Rugovës. A thua me këtë treguam patriotizmin tonë të paepur? Jo, treguam vetëm mendjelehtësinë dhe frymën tonë inatçore. Imagjinoni Ballkanin pas 20 apo 30 vjetësh. A dyshon kush se deri atëhere nuk do të jemi në Evropë? Në rast se dyshon, le të shtojmë edhe nja 10 apo 20 vjet. E pra, a do ketë kufij atëhere? Prapë kështu bardhë e zi do t’i shohim gjërat: vetëm ne dhe armiqtë tanë?

Në gjithë këtë zhurmë kundër Bregoviçit më duket se ka një hile që gazetari Beqë Cufaj e shtjellonte në mënyrë të përkryer në një shkrim të vetin këto kohë. Më vjen çudi se si nuk kanë reaguar në shtyp e në media vetë profesionistët e muzikës sonë. Pse nuk shkruan ta zemë Ardit Gjebrea që ka kënduar së bashku me polifoninë e tij në asamblin e Bregoviçit për koncertin e madh kur Selaniku ishte kryeqytet kulturor i Evropës ca vite të shkuara? A thua pse ju dha këtij muzikanti sllav çelësi simbolik i Tiranës, i paskemi dhënë armikut të përjetshëm shkja çelësin e vërtetë të kështjellës shqiptare? Gjepura. Lërini retorikat e ndryshkura e mendësitë arkaike. Rrojmë në një kohë tjetër zotërinj. Vetëm fitojmë në se Tirana e Prishtina u hapin dyert e zemrat artit e kulturës që edhe kur janë të botës, janë edhe tonat gjithashtu.

(Botuar në Gazeta Sot, 14 prill 2006)

Një prokuror si Patrik Fitxherald

Një nga çështjet më “të nxehta” politike këto ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është hetimi i Ljuis Libit, ish shefi i shtabit i nënpresidentit Çeni. Historia nisi si një rrjedhje informacioni nga Shtëpia e Bardhë lidhur me pozicionin si oficere e CIA-s të Valeri Plejm, gruas së ish ambasadorit amerikan Xhozef Uillson. Ky i fundit ishte ngarkuar nja dy vjet më parë me një mision të rëndësishëm: të hetonte në Nigeri në se Iraku ishte në tratativa për të marrë uran prej këtij vendi. Paralelisht me misionin diplomatik të ambasadorit, në kanale të tjera vepronte e shoqja, një operative e vjetër e inteligjencës amerikane. Uillson jo vetëm që nuk u bind “të gjente” provat që Bushit i duheshin me çdo kusht për të nisur fushatën e Irakut, por ai u kthye në një kritik të ashpër të kësaj fushate. Kohë më pas Libi, në kontaktet e fshehta me shtypin, nxorri misionin e Valeri Plejm dhe faktin që ajo ishte punonjëse e CIA-s. Ky informacion rrezikonte jetën e familjes në fjalë, ndaj ajo paditi administratën amerikane lidhur me këtë.

Disa muaj më parë, prokurori Patrik Fitxherald arrestoi Libin pasi arriti në përfundimin se ishte ai që i kishte dhënë informacionin gazetares së Nju Jork Times Xhudith Miller. Tani, me kurajo e profesionalizëm, ai po grumbullon fakte të reja se e gjitha afera është një përpjekje e përbashkët e kupolës presidenciale për të diskredituar kritikët e Bushit për luftën në Irak. Ky është një përfaqësues i ligjit që të imponon respekt dhe nuk do t’ja dijë se kë cënojnë e vënë në hall përfundimet e hetimeve të tij. Ai deklaroi se “shumë njerëz në Shtëpinë e Bardhë, kanë përdorur informacionin e fshehtë për të diskredituar, ndëshkuar apo për t’u hakmarruar ndaj një kritiku të luftës së presidentit Bush në Irak.”

Patrik Fitxherald, lindur në 1960, vjen nga një familje e shtresës së ulët irlandeze-amerikane. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën për ekonomi e matematikë në Amherst, vazhdoi për ligjet në Harvard dhe në 1988 u caktua ndihmës i prokurorit të Nju Jorkut ku ndoqi trafikun e drogës dhe procedimin e Xhon Gotit, bosit të familjes famëkeqe mafioze. Në 2001 ai u bë prokuror i qarkut verior të Ilinois ku hapi menjëherë disa çështje të rëndësishme duke zbuluar një rrjet korrupsioni e mitëmarrjesh që shkonin deri në kupolën më të lartë të këtij shteti. “E vërteta është motorri i sistemit tonë gjyqësor,” thotë Fitxherald. “Në qoftë se komprometoni të vërtetën, i tërë procesi ka humbur.”

Fitxherald nuk ka asnjë përkrahje në kupolën e lartë të politkës amerikane. I vetmi njeri që vuri re aftësitë dhe kurajon e tij dhe e propozoi si prokuror në Ilinois, ishte Peter Fitxherald (pa lidhje me me të), senator republikan i cili tashmë ka vdekur. Ky prokuror i ri është shembulli i njeriut që ka çarë me zotësinë, ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij në udhët e sistemit gjyqësor të Amerikës.

Kur dëgjoj për të më shkon mendja në Shqipëri dhe ëndërroj sikur edhe atje të kishte gjyqtarë e prokurorë si Patrik Fitxherald. Natyrisht që është vështirë të jesh atje ky lloj njeriu i drejtësisë, kur drejtësia përdoret në më të shumtën e rasteve si një monedhë në pazarin politik. Vini re çka ndodhur me heqjet e vëniet e prokurorëve të përgjithshëm. Lexoja ca kohë më parë kujtimet e Zef Brozit, prokurorit të viteve të para të demokracisë ku tregohej hapur se sa e rrezikuar do të qe jeta e tij në se nuk do kishte pranë ambasadën amerikane në Shqipëri. Me një pazar të tillë politik u hoq Arben Rakipi dhe kështu po përpiqen të heqin edhe kryeprokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku. Kryeministri i sotëm, që e kishte këtë jurist për kaq vjet këshilltar në kohën kur ishte president i vendit dhe që vetë e ka propozuar për këtë post, befas zë e luan të gjithë gurët që ta heqë. Vallë nuk e paska pasë njohur mirë aq pranë sa ç’e kishte kur e mbante për këshilla?

Mund të ketë edhe në Shqipëri gjyqtarë e prokurorë që do të shkonin me siguri në udhën e Patrik Fitxheraldit. Por ata pengohen që në krye. Eshtë vërtet e vështirë të jesh në Shqipëri njeri i ndershëm, por është shumë herë më e vështirë të jesh gjykatës apo prokuror i ndershëm. Kjo sepse të rrezikohet për ditë jeta tënde dhe e familjes, jo nga një keqbërës e dy, po nga klane të tëra, qarqe politike që janë të lidhura me krimin e korrupsionin. Vini re se juristët më të mirë hiqen mënjanë e bëjnë para si avokatë duke zgjedhur më së shumti raste të parrezikshme por që jo kurdoherë dhe atyre u del për mbarë.

Bota na kërkon gjithnjë e më tepër reforma në gjyqësor dhe kemi 15 vjet që themi që po bëhen reforma e asgjë nuk vihet në vijë. Themi gjyqtarët e prokurorët janë të korruptuar. Ka edhe që janë. Por jo të gjithë. Por ata nuk i lë politika të jenë të ndershëm. Nuk i lë as politika e as mentaliteti shqiptar, tarafi, rrethi, soj e sorollopi. Ndershmëri do të thotë të futësh në burg edhe tët atë po qe se ka shkelur ligjin. Kur e pyetën në një intervistë Patrik Fitxheraldin se a do ta procedonte një irlandez që hyn pa dokumenta në SHBA, ai tha natyrisht që do ta procedonte. Në qoftë se nuk bënte kështu me atë, tha ai dhe ndryshe kur në vendin e tij të ishte një arab, atëhere ky do të ishte racizëm i pastër dhe shkelje haptazi e ligjit. Mirë është që në çdo profesion njeriu të jetë i ndershëm e me kurajo. Por një artist i madh mund të mos jetë edhe aq i ndershëm e me kurajo, një mjek i zoti, një inxhinier a shkencëtar, po ashtu. Kjo nuk i bën ndonjë dëm të madh shoqërisë, u bën dëm vetëm atyre që janë ashtu. Kurse një gjykatës i pandershëm a pa kurajo dëmton një shoqëri të tërë, ngre apo rrëzon besimin e njerëzve te ligji e sistemi shtetëror. Ndaj nuk është puna të kemi një shkrimtar të madh si I.Kadareja, një muzikant të madh si A.Gjebreja, një humorist të madh si A. Llakaj apo një sportist të madh si E.Bogdani, por të kemi gjyqtarë e prokurorë si Patrik Fitxheraldi.

(Botuar në Gazeta Sot, 19 prill 2006)

Rinia që vjen

Kudo në media, gazeta, revista, TV, radio dhe po ashtu neper forumet ku kuvendojne shqiptaret ne Internet, merzitesh e pikellohesh me katranin e atyre qe shkruajne per gjendjen atje, per zvarritjen e punëve, ngecjet në vend, sharjet, luftrat, korrupsionin, fillimet nga e para, krrabat që tërheqin nga vetja, rrëmujën, premtimet tollombace dhe kundërshtarët fajtorë. Të gjitha ato ç’thuhen janë ashtu, askush s’i luan dot as presjen, bile po të jesh me nge dhe i frymëzuar nga “të ligat” mud të shtosh edhe ca më tepër. Atëhere të pushton një ndjenjë boshi, një eter pikëllues dhe përpiqesh e përpiqesh ta shpiesh mendjen në gjëra të tjera, më të bukura, më optimiste. E megjithatë edhe po të bësh kështu, ajo ndjenja e mëparshme është atje, e rëndë dhe e palëvizëshme, si një gur i zi në mes të rrugës.

Por a kanë kohë për pesimizëm shqiptarët? Pesimizmi, thoshte autori dhe aktori i njohur Piter Ustinov, është luks për kohën tonë. Për ne, ca më shumë akoma. A thua se jemi ne kombi që i paskemi të gjitha të këqiat? Them se jo. Ka dhe kombe të tjerë që nuk shquhen vetëm për virtute. Por është fakt që 15 vjet nuk janë pak për t’u zhgënjyer nga demokracia dhe shteti i së drejtës e begatisë që kërkojmë të ndërtojmë. Këtu nuk është puna te një Berishë e një Nano që shumë naivë gjynafqarë e kanë për kollaj t’u veshin qyrkun e fajit dhe me këtë e shpëtojnë shpirtin. Nuk është puna as te ca politikanë që hynë në listat e para të demokracisë dhe s’ka burrë t’i shkulë nga podiumet. Nuk është fjala për ata çunakë e çupërlina që u rritën me pushtetin dhe ja mësuan hiletë e dredhirat. Eshtë fjala për vlerat, urtinë, kulturën dhe tolerancën e gjithë një kombi. Këto të gjitha, jo vetëm si kemi me tepri, por po të përdornim një mënyrë të butë të thëni, nuk i kemi aq sa të na bënin vërtet punë.

Ajo që më ngroh disi e më jep shpresë të dal nga ndjenjat që më kallin gjithë ç’ndodh në Shqipëri, është koha që rrojmë. Falë proceseve që ndodhën në botë, ai vend nuk është më një bunker komunist, është një vend i hapur. Njerëzit hyjnë e dalin, studjojnë jashtë, kthehen, punojnë, përpiqen. Vërtet ka halle, ka varfëri, ka mungesa, ka mërzi e trishtim por ajo që është e rëndësishme është se kthim prapa nuk ka. Shqiptarët e sotëm po difuzojnë aktivisht me botën e madhe dhe duan s’duan ata që rrojnë atje, do të rrëmbehen nga treni i pandalshëm i Evropës e botës. Por duhet që edhe ne, të nderuar miq pesimistë që e thoni menjëherë fjalën e fundit në trajtë postulati se ai vend s’bëhet kurrë, të forcojmë zemrat e të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Vetëm një rini e mençur dhe e kulturuar e shpëton Shqipërinë. Dhe ajo po vjen. Mos e lëmë atë të prishet e të bjerret e akaparuar nga brezat e mëprashëm të politikanëve. Le të gëzojë rininë si çdo rini e botës, por të mos e orientojë jetën drejt yllit të hedonizmit, drejt qejfeve ë shfrenuara, klubeve, pab-eve, kafeneve, drejt zvetënimit e imoralitetit. Të mos jetë dendi e vanitoze. Le ta kundrojë jetën edhe përtej Tiranës, atje ku djemtë dhe vajzat e moshës së tyre vuajnë njëqind fish më shumë dhe mendojnë vetëm e vetëm si të ikin që andej e të gjejnë një jetë më të mirë. Le të vrasin mendjet për padrejtësitë, për krimin e korrupsionin, për demagogjinë dhe efektivitetin e shtetit.

Eshtë kjo rini që do të sjellë kulturën dhe tolerancën. Sado baltë e kërcuj të bartim me vete nga e kaluara, kultura dhe dija e botës të gdhend. Natyrisht, kjo nuk ndodh me ditë, me muaj, as me pakë vite. Po ç’kuptim ka, do të thuash ti miku im pesimist, sepse jeta ikën. Ka kuptim, o mik: duhet përpjekur më shumë. Vetë fakti që të gjitha të zezat e vërteta thuhen haptazi (bile shpesh herë me mllef të pakontrolluar) në mos në njërën, në tjetrën pjesë të medias shqiptare është një fitore e madhe e brezit paskomunist. Askush nuk të linçon, s’të zënë me gurë, s’të burgosin, s’të internojnë. Kjo nuk është pak. Kjo është fillimi i luftës tënde. I luftës sonë të gjithëve. Ky ishte fati i brezit tonë apo i brezave tanë, i neve që e njohim rregjimin shnjerëzor hoxhian nga librat, filmat e historitë e familjeve tona. Dhe ta dish, duhet të jemi të lumtur me këtë fat. Nuk na çon kush si kope nëpër votime e parada ku të kuasim si bretkoca e të pallim si lopët për udhëheqësit, nuk na shpien në zborre e nëpër rradha qumështi, me një telajo dalëboje për horizont e qiell. E pra, kjo nuk është pak.

Të gjithë popujt kanë pjesën e tyre të dallkaukëve, sharlatanëve, intolerantëve, nacionalistëve ekstremë, demagogëve pa skrupuj dhe budallejve të pandreqshëm. Kush më shumë e kush më pak. Këto pjesë të zeza të shoqërisë (që shpesh edhe njeriu normal i ka në vete e i dalin nganjëherë në pah) nuk pakësohen e shuhen me ndonjë ilaç a terapi, as me dietë e hajmalira. Ato pakësohen e zhduken vetëm me kulturën që nuk është as shqiptare, as greke, as serbe, as italiane apo amerikane. Eshtë kultura që depozitohet nga njerëzimi pa u kuptuar e ndjerë, ashtu si palat e sedefta që u vishen perlave në guackat e funddeteve.

E pra, e përsëris: këtë kulturë mund ta sjellë vetëm një rini e mençur e pa paragjykime. Dhe ajo po vjen për të hequr pikërisht atë gur të zi nga mesi i rrugës.

(Botuar në Gazeta Sot, 14 mars 2006)

Të mëdhenjtë e vdekur dhe të vegjëlit e gjallë

Për shqiptarët, bashkëkombasit e tyre të gjallë nuk kanë ndonjë vlerë apo kanë vlera fare të pakta. Për të vdekurit është ndryshe. Kur je i vdekur, bile sa më thellë në kohë, aq më shumë të respekton shqiptari. Edhe kur nuk të njeh e nuk të di se ç’ke bërë, të ngre lart për ato që ka dëgjuar për ty. Bie fjala, unë vë bast se vetëm një përqindje fare e vogël e shqiptarëve e kanë lexuar veprën e Konicës. Po kush nuk e mban Konicën për të madh e për nder të kombit?

Do të ishte interesante të bëhej një anketë me pyetje të tilla: Cilët politikanë pëlqeni në Shqipëri? A ka shkencëtarë Shqipëria? A ka filosofë? Muzikantë? Piktorë? Shkrimtarë të mirë? Diplomatë? Gazetarë? Zorr se do të thoshte njeri se pëlqen ndonjë politikan. Ose edhe po të ishte një apo disa që do thoshin më pëlqen ky, do të qenë ca më shumë që do të thoshin se ky nuk merr vesh nga politika, se ishte gënjeshtar, hajdut, i poshtër. Shkencëtarë? E si mund të ketë Shqipëria shkencëtarë? Jo po dhe filozofë! Filosofët e kanë mjekrën deri në gjoks. Si mund të ketë Shqipëria filosofë? Shkrimtarë janë nja dy apo tre, po dhe ata kanë të gjitha të këqiat e botës, nuk kanë qenë në burg, kanë bërë çmos të rronin e mbijetonin diktaturën, kanë patur privilegje. Gazetarët? E ku gjendet një mendje për t’i pëlqyer ata? Njëri ngri e tjetri ul. Po diplomatë? Bah, nga na dolën këta diplomatët shqiptarë?! Muzikantë e piktorë as që bëhet fjalë. Edhe kur kanë ndonjë sukses, e kanë kot, vjedhin notat e ngjyrat e të tjerëve andej kendej. (Vetëm për sportistët mund të dalin plot që të thonë: Si ore nuk ka Shqipëria sportistë? Dhe do të zënë me rradhë skuadrat dhe ekipet e botës ku lozin të shkretët shqiptarë).

Por nuk është kështu. Shqipëria ore zotërinj ka shkencëtarë, filosofë, shkrimtarë, politikanë, gazetarë, muzikantë, piktorë, këngëtarë, sportistë dhe specialistë të ndryshëm mjaft të zotë. Mos prisni që të vdesin pa t’i mbani për të mëdhej. Ata që nuk merren me fjalë por dinë të qëmtojnë veprat e tyre, shijojnë artin, muzikën, lojën e tyre, që ndjekin me vëmendje kurbën e karierës së tyre profesionale, ata e dinë se ç’vlerë kanë ata. Eshtë vetëm injorancë e asgjë më tepër të gjykosh mbi vlera që nuk i njeh aspak por vetëm i paragjykon se s’ka se si të mund të jenë në lartësitë korresponduese të botës e të kohrave të tjera.

Pse vallë është krijuar kjo klimë? Në rradhë të parë kjo ka të bëjë me një kompleks të psiqikës shqiptare. Shqiptari është një individ fare pakë modest. Shpesh herë ai është i bindur se i di të gjitha e është i zoti t’i bëjë të gjitha. Nuk është më kot ajo barcaleta që i vajti njëri një miku të lartë në qeveri dhe i kërkoi një punë në një nga ministritë. Posi ore, i tha miku, do ta rregullojmë, po ç’punë mund të bësh ti atje? Nga roje deri ministër, ja ktheu serbes mëtuesi. Në vazhdim të kësaj linje, duke qenë kështu, shqiptari është pakë (pakëz fare!) ziliqar. Vini re si e thotë ai për një njeri që nuk ja mohon dot zotësinë: Eshtë i zoti qeni! I shton edhe një qen në fund pothuajse patjetër, sikur ja vë që ta hajë. Veç kësaj, thashethemnaja ka qenë gazeta më popullore shqiptare e të gjitha kohrave. Shqiptarët flasin e flasin e flasin. Jo gjithmonë gjëra të vërteta. Strumbullarë të tërë fjalësh ku lakohen emra, poste, kariera. Gazetat, radiot e televizionet shpesh herë janë jehonë e kësaj gazete të madhe. Dhe duke qenë vend i vogël e njerëzit janë me njohje të shumta, jetët njerëzore kryqëzohen shpesh. Gjithkush përbetohet se e njeh mirë filanin e fistëkun, ja di të tërë biografinë, ja di dredhat, hiletë. Si mund të jetë ai shkencëtar i madh? Shkrimtar apo filosof? Kurrën e kurrës!

Nga ana tjetër, diktatura komuniste bëri shumë për barazitizmin e pavlerë të vlerave. Ajo nuk mund të pranonte që Shqipëria të kishte njerëz të mëdhej. Vetëm partia ishte e madhe. Vetëm udhëheqësi i madh i partisë ishte i madh dhe qe fatkeqësi që ai kishte qëlluar prijësi i një vendi të vogël sepse meritonte një vend më të madh. Diktatura e bjerri dinjitetin njerëzor të krijuesve, artistëve, shkencëtarëve. Një shkencëtar i madh si Prof. Eqrem Çabej për shembull, jetonte në një shkallë pallati, ta zemë, me një kasap, një roje depoje apo një karrocjer. Duhet të shkonte në punë me një autobuz urban ku ngjeshej si sardele me të tjerët, duhet të mbante rradhën për qumësht, duhet të bënte kërkesë për një autorizim televizori. Si të gjithë.

Vini re sot se sa nënvleftësohet prodhimi i kulturës shqiptare në raport me kulturën e botës. Me pak reklamë, librat e autorëve të rëndomtë e komercialë të botës shkojnë shumë më tepër se librat të autorëve brilantë shqiptarë. Brilantë? Mos ka lajthitur ky, mund të thotë dikush. Jo zotërinj, e përsëris edhe një herë: brilantë. Rroni me kulturën shqiptare, me shkencën, me artin e saj dhe do të shihni se nuk e përdor më kot këtë epitet. Mos prisni që elita e kësaj kulture të vdesë pa ta ngrini lart. Mos i vlerësoni ata nga detaje të rëndomta të jetës së përditëshme, nga ndonjë qëndrim gjoja fyes për rrethana të caktuara ndaj një çështjeje, një partie, një klani. Ai Konica që përmenda në krye nuk ka lënë gjë pa thënë për shqiptarët e Shqipërinë. Po vallë nuk i donte? Ai dhe të tjerët e vdekur janë të mëdhej se nuk na prishin punë ne të gjallëve. Të gjallët nuk mund të jenë veçse të vegjël se i kemi përditë përpara syve. Kur vallë do të heqim dorë nga një mendësi e tillë?

(Botuar në Gazeta Sot, 24 shkurt 2006; Tirana Observer, 6 mars 2006)

Oskar 2006: shtigjet e reja të filmit amerikan

Të dielën, 5 mars në orën 5 p.m. shikuesit e tifozët e shumtë të kinemasë në botë do të ndjekin me interes festën e 78-të të Oskarëve, një prej veprimtarive më madhështore të artit të filmit në botë. Ai do të zhvillohet në Teatrin Kodak të Hollivudit dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga mbi dyzet stacione televizive të botës (të vjen keq që në këtë numër nuk ka asnjë stacion televiziv të Shqipërisë, edhe pse është Televizioni i Kosovës).

Filmat që konkurojnë sivjet kanë ngjallur diskutime të shumta lidhur me temat komplekse, praninë e fenomenit “gej”, përplasjen e rracave dhe qytetërimeve, mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut etj. Pesë filmat e propozuar si filmat më të mirë janë: “Mali shpinëthyer”, “Natën e mirë dhe paç fat”, “Kapoti”, “Krisma” dhe “Munih”.

“Mali shpinëthyer” është një histori epike dashurore për dy kauboj homoseksualë. Filmi, me regjisor Ang Li, është realizuar me një filmim të përsosur, peisazhe mahnitëse dhe lojë bindëse të aktorëve të rinj Heth Lexher dhe Xhejk Gylenhall. Natyrisht, shumë amerikanë nuk e gëlltisin dot një temë të tillë, duke patur parasysh mitin burror të kaubojit. Ka patur edhe sulme nga kritikë ndaj Hollivudit ku ky i fundit akuzohet për përvijimin e një drejtimi liberal në filmin amerikan me qëllim të kundërvënies ndaj republikanëve konservatorë në pushtet.

“Natën e mirë dhe paç fat”, me regji të Xhorxh Klunit, është një film për guximin dhe dinjitetin e gazetarit. Ai përshkruan kundërvënien e gazetarit të CBS, Eduard Murrou (luajtur nga Dejvid Stratheirn) ndaj senatorit MekKarti në vitet 1950, gjë që konsiderohet edhe sot si një kulm i dinjitetit dhe përgjegjësisë gazetareske që u flet të gjithë kohrave.

“Kapoti” është një film i Benet Miller bazuar në librin e Trumen Kapotit “Me gjak të ftohtë“. Loja e Filip Sejmur-Hofman është e shkëlqyer dhe ai pritet të marrë Oskarin për aktorin më të mirë. Filmi është një tragjedi rreth njeriut që ngulmon të gjejë atë që do dhe shkatërrohet prej saj. Aty zhvillohet një lidhje komplekse dhe ambiguitive mes shkrimtarit homoseksual dhe vrasësve që presin dënimin.

“Krisma”, me regji të Pol Hagis, është një ndërthurje linjash jetësore që ka për qëllim të japë kompleksitetin e jetës në qytetet e mëdha amerikane, me problemet e bashkëjetesës raciale, të familjes e të vetë individëve të rritur në mjedise të tilla. Filmi ka një dinamikë që të mban pezull dhe është plot kondrapunkte e të papritura.

“Munih” i Stiven Spilberg, një nga regjisorët më të mëdhej të gjallë të artit filmik, përshkruan veprimet e Mosadit, zbulimit izraelit pas masakrës së terroristëve palestinezë në Olimpiadën e Munihut në 1972. Agjenti i ri idealist, luajtur nga Erik Bana, ngarkohet në krye të grupit të fshehtë për eleminimin e organizatorëve të masakrës dhe së fundi ekzistenca e këtij grupi mohohet zyrtarisht nga vendi që i rekrutoi. Heroi i fimit kalon nëpër një kalvar ngjarjesh dramatike që e zhgënjen dhe e bën të vrasë mendjen se a është vallë kjo rruga e drejtë që duhet ndjekur. Filmi ka ngjallur një reagim të ashpër nga ebrejtë në Amerikë dhe në botë.

Filmat e propozuar për kategorinë filmi më i mirë i huaj janë: “Mos thuaj” (italian) me regji të Kristina Komençinit, “Gëzuar Krishtlindjet” (Francë) me regji të Kristian Karion, “Parajsa “ (Palestinë) me regji të Hani Abu-Hasad, “Sofi Sholl, ditët e fundit” (Gjermani), me regji të Mark Rothemund dhe “Tsotsi” (Afrika e Jugut) me regji të Gevin Hud.

Filmat më të mirë amerikanë të këtij viti japin mësime të rëndësishme për drejtimin e demokracisë. Ato tregojnë se Amerika është një vend i komplikuar mbushur me pakica të të gjitha llojeve raciale, kulturore e etike. Ta ngresh atë në art do të thotë të ngresh në art këto diferenca e dallime. Mjafton të kujtojme nje nga filmat e sivjetëm “Vendi i Veriut” (heroina e tij, Sharlizë Theron është propozuar për artisten më të mirë), film i cili i kushtohet grave që qenë të parat në luftën për barazi me burrat në frontet më të vështira të punës. Kur e sheh thua se sa shekuj përpara ka ndodhur kjo. Por jo, nuk është më shumë se 30 vjet përpara. Ja, kështu ka lëvizur Amerika. Larmia e shumëllojtë e temave, guximi krijues (mund të përmendet këtu “Siriana”), aktrimi i mrekullueshëm dhe teknikat më të përfeksionuara filmike e bëjnë kinemanë amerikane (s’duhet harruar kontributi i Britanisë së Madhe dhe Australisë së largët në të) të qëndrojë në pararojë të artit botëror të filmit.

(Botuar në Metropol, 4 mars 2006)

Patenta politike

Politika shqiptare është përsëri në sherr, në grindje, në tension të pandërprerë. Deklarata të papërgjegjëshme, shfryrje inatesh personale, intolerancë e kokfortësi mushke janë ato që të zë syri e veshi nga kjo arenë ku i mbajnë sytë shqiptarët. Ç’bëhet kështu? Kaq halle e telashe paska ky vend që të mos mundë të bëjë një grimë paqe me veten? Ka 15 vjet që mbajmë mend vetëm luftë të egër për pushtet, përleshje e tërbim për ta zhbërë kundërshtarin, qoftë kur i thua “mirmëngjes” e qoftë kur i thua “natën e mirë“. Dhe po qe kjo gjendje, as mos kij shpresë te begatia e përparimi, te integrimi në Evropë e më tej. Si u mboll e u rrit ky konflikt, një baobab gjigand në arenën e politikës shqiptare që ka prishur rrugët e sheshet dhe degët e të cilit kanë hyrë edhe nëpër muret e pallateve të Tiranës ku njerëzit nuk dinë ç’të bëjnë të shastisur?

Boria që kumbonte më shumë dje nga opinionistët ishte: të ikin Nano e Berisha nga politika. I pari u detyrua të ikë, i dyti përjetoi atë që rrallëkush e përjeton në botë e histori: kthimin për së dyti. Dhe erdhi tamam me votën demokratike të “sovranit”. Për të parin, opinioni politik në SHBA është: i papërgjegjshëm, për të dytin: i rrezikshëm. Imagjinoni tani popullin shqiptar të mbyllur në një maune që është nisur në udhën e gjatë të demokracisë e mirëqënies së begatë, që e pyesin: Kë doni për shofer o milet, këtë të papërgjegjshmin apo këtë të rrezikshmin? Zorr se do të bënte ndonjë zgjedhje të hajrit njeriu me mend. U mërzit e nuk ju zgjidhën hallet nga shoferi i papërgjegjshëm dhe tha, pa hajde ta provoj me këtë tjetrin se mbase nuk është më i rrezikshëm si dikur. Dhe po e provon. Po pse kjo zgjedhje e vetme? Mos vetëm këta të dy kanë patentë për maune o populli im? Ku i gjetën ata ato? A nuk je ti që duhet t’i japësh patentat?

Le ta lëmë mënjanë natyrën konfliktuale shqiptare, le të mos sjellim ndërmend historinë me ngjarjet e shumta që na kujtojnë se si janë grindur e therur shqiptarët ndër vedi. Sot është kohë tjetër dhe genet sado rol të luajnë zbuten në klimën e demokracisë dhe nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Fundja këto gene kanë qenë gjithandej në Ballkan e gjëkundi tjetër në Evropë. Puna është se politika për shqiptarin do të thotë forcë dhe ai forcën e admiron dhe e do mbi të gjitha. Forca sjell pushtet, pasuri, miq, nderim e një mijë të mira të tjera. Padyshim, politika është profesioni më i lakmuar në Shqipëri. Në kohën e merhumit komunist, politika ishte e thjeshtë, ai i ndante vetë mandatet. Por edhe atë kohë ishte gjë e madhe të ishe edhe një brigadier kooperative pa le më tepër. Me rrëzimin e komunizmit aradha e politikanëve që erdhën u ngjiz në dy mënyra: ose duke sulmuar (më së shumti me fjalë) komunizmin që shkërmoqej (Partia Demokratike) ose duke mbrojtur kalimin e butë dhe duke bashkuar zërat fallco me korrin demokratik (Partia Socialiste). Vendet u zunë. Urra! Të tjerët le të bëjnë sehir e të na japin votat kur na duhen. Sepse askush nuk e lëshoi e nuk e lëshon kolltukun (apo llogoren e luftës, siç u pëlqen ca prej tyre ta thonë), me përjashtim të ndonjërit që pleqëria e bën të ngatërrojë emrin e së shoqes me atë të së vjehrrës. Vini re se ç’fat të mjerë patën organizatat e të rinjve pranë dy partive të mëdha. U plakën dhe nga ta hynë në politikë vetëm ata që u gjendën përkrah shefave të tyre në luftrat brenda partisë. Askush pra nuk ikën vetë. Dhe për ta hequr, ai do të luftojë me thonj e me dhëmbë. Sepse politika është biznesi më i madh në Shqipëri. Ç’e do një biznes tjetër? Paguan taksa, të bien në qafë, të kërcënojnë, të vrasin. Kurse ky është ç’është! Të gjitha vinë vetë. Imunitet po, komoditet po, të gjitha të mirat po. Mos prit që këtu të hiqen mënjanë si Leç Valesha ta zemë, apo Vacllav Havel. Ata janë heroj për popujt e tyre, por ama sot në mediat polake apo çeke është e natyrshme që emrat e tyre t’i ndeshësh rrallë. Jeta shkon përpara. Po mund ta durojnë këtë këta tanët. Bah! Ata duan surratin në gazetë e TV dhe të gjitha ato ç’vinë me to.

E keqja tjetër është se sapo hyjmë në politikë, ne na mbushet mendja se e bëjmë këtë punë më mirë se kushdo dhe harrojmë çdo zanat e profesion që bënim më parë. Ndaj s’ka kthim prapa. Veç të vdesësh në kolltuk (apo llogore). Vini re ca profesorë (më shumë se gjysma e politikanëve janë të tillë) që janë bile edhe kot së koti anëtarë të Akademive. Ka pozitë më komode se sa e tyrja për t’u tërhequr e për t’u lënë vendin të tjerëve? Jo, prapë nuk luajnë vendit. S’u hyn më në sy zanati i nderuar i pedagogut, shkencëtarit apo çfardo qoftë.

Le të shohim se si hynë forcat e reja në politikë. Përveç xhaketave të vjetra që riciklohen vazhdimisht e që krerët e partive nuk kanë ç’u bëjnë (sado që e dinë që janë hajdutë, matrapazë, imoralë e të tjera e të tjera) se të tillë janë konjukturat që i mbajnë ata vetë në parti, të rinjtë që vijnë janë skifterët më agresivë që mbrojnë kryeskifterët të cilëve u kanë rënë tashmë puplat, u janë ligështuar thonjtë e sqepat dhe u janë ngjirur zërat. Vetëm këta skifterë hyjnë nga të rinjtë. Dhe janë ata që përzënë nga postet e u marrin kolltuqet skifterëve humbës të krahut tjetër që bëjnë të njëjtën gjë kur u vjen rradha. Më shumë se gjysma e deputetëve i kanë humbur me kohë lidhjet me elektoratet e tyre. Shkojnë andej një herë në hënëz, të hanë ndonjë mish. Pse duhet që kandidatët për deputetë të vendosen nga kryesitë e partive? Pse të mos i caktojë ata baza e partisë që i ka djemtë e vajzat e tyre? Ah jo, se kështu kryeskifteri humbet kontrollin e partisë dhe partia kthehet në një kotec me pula, thonë të diturit e partive.

Duke parë shëmtimin e zymtinë e politikës shqiptare, njerëzit hiqen mënjanë të zhgënjyer, përpiqen të shohin punën e tyre, po prapë s’i lë meraku, përgojojnë, shajnë, përpiqen të arsyetojnë dhe kaq. Kjo bën që demagogët politikanë ta luajnë më lirshëm e më shpenguar vallen e tyre. Vetëm duke qënë më aktivë e më të ndërgjegjshëm mund të ndreqim diçka në arenën e politikës sonë. Jo duke dhënë mend të gjithë e pa rradhë siç e kemi zakon, për politikën e madhe, por duke ndërhyrë me karar e mend që nga gjërat e vogla. Duke përkrahur forcat e reja, rininë që do të jetë aradha e re e politikanëve, duan apo s’duan ata që e dredhin sot politikën si hoxha tespiet. Ji më aktiv e nxirr nga gjiri yt i madh të tjerë njerëz, o popull. Nxirr të tjerë e të tjerë si një përrua në vërshim që s’li lë kurrë gurët që bëjnë shtratin e tij t’i vishen me lëmashk. Mos i lërë ata të humbin lidhjet me ty, të humbasin pas perdeve të zyrave, makinave luksoze, celularëve pa limite e fluturimeve të shtrenjta. Kontrolloja faturat siç t’i kontrollon ty ai punonjësi i KESH-it. Dhe mos u mëdysh nga zgjedhja e shoferit. Më shumë se në çdo kohë tjetër, patentat i jep vetëm ti dhe je vetëm ti që mund t’i marrësh. Merrjua dhe lëri të ngasin qerre, karroca e katërrrotakë të tjerë por jo maunen tënde. Je vetëm ti që e zgjedh shoferin.

(Botuar në Gazeta Shqiptare, 11 mars 2006)

Një lëvizje që afron të ardhmen

Pesëmbëdhjetë vjet përpjekje nga brenda dhe ndihmë nga jashtë për ta vënë vendin në udhën demokratike, nuk janë pak për të gjetur në to historinë e re të Shqipërisë, ngjarjet dhe dukuritë e saj të shquara që edhe pse përzjehen me kundërsulme regresi e sforcime të hapërdara karavidhesh, janë ato ushqimi i vërtetë i optimizmit dhe shpresës për të ardhmen e begatë të vendit. Një e tillë është themelimi i lëvizjes rinore MJAFT, tre vjet të shkuara, në 15 mars 2003. Fillimisht ajo u ngrit si një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj dukurive negative të shoqërisë të tilla si korrupsioni, gjakmarrja, trafiku njerëzor, shërbimet e dobta publike dhe keqfunksionimi i demokracisë.

Partitë politike, sipas shëmbullit të partisë famëkeqe të Hoxhës, ngritën secila bastionet e tyre rinore, këlyshë të vegjël që i përgatisnin për të mbushur rradhët e tyre kur t’u duhej. MJAFT ishte e para lëvizje e madhe e dalë në Shqipëri jashtë suazës së partive politike. Ajo u rrit me të shpejtë duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm në trajtimin e mjaft problemeve që shqetësonin shoqërinë shqiptare të tilla si rritja e buxhetit të arsimit, ulja e tarifave telefonike e të energjisë elektrike, ngritja e imazhit të Shqipërisë në botë, mbrojtja e të drejtave dhe interesave të emigrantëve, krijimi i marrëdhënieve më të mira midis qytetarëve e nëpunësve publikë e të tjera.

Lëvizja nuk lindi nga hiçi. Ajo kishte në bazën e vet disa nisma e projekte të rëndësishme si Balkan Youth Link (BYL) dhe projektet YLLI të organizuara që nga viti 2001 me pjesëmarrjen e rinisë nga vendet e Ballkanit. Bërthama e lëvizjes kishte frymën liberale demokratike të Berklit, Kaliforni, trevë që ka qenë kurdoherë në pararojë të liberalizmit demokratik amerikan. Për përpjekjet e tyre vetmohuese në nxitjen e një fryme të re demokratike të rinisë ballkanase, disa nga themeluesit e lëvizjes janë përgëzuar që në vitin 2001 nga kongresmeni amerikan Tom Lantosh dhe emrat e tyre janë në rekordet e Kongresit të SHBA.

MJAFT ka një bërthamë djemsh e vajzash të kulturuar e pasionantë. Ata janë të rinj, nuk janë murgjër asketë që kanë dalë në piacën shqiptare dhe rrahin veten me flaxhelet e vetëndëshkimit. Ata e gëzojnë rininë me aq sa munden dhe ftojnë edhe bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë ta bëjnë këtë. Eshtë e turpshme t’i përgojosh ata si hedonistë të paskrupull, si vanitozë e të pamoralshëm, siç bën herë pas here dhe kur u duhet e kur është shkelur në kallo, një pjesë e opinionit publik shqiptar. Me shkollimin dhe përvojën që kanë, ata do të gjenin punë shumë më komode e të shumëpaguara jashtë vendit. Megjithatë, kanë një ideal të qartë dhe rrahin ta vënë atë në jetë aty në vendin e tyre, me shumë mundim e përpjekje, shpesh herë mes përjargies e kërcënimeve, sepse krimi e korrupsioni i shohin ata si kundërshtarët më seriozë në fushëbetejë.

Gjatë këtyre tre vjetëve MJAFT është rritur e zgjeruar, ka hapur klubet e vet në Shkodër e Korçë, Gjirokastër e Kukës e të tjera. Ai ka nxitur debate të mprehta brenda vendit duke ftuar njerëzit të diskutojnë probleme të rëndësishme që preokupojnë jetët e tyre, duke luajtur rolin e një faktori të fuqishëm për ndryshime në shoqërinë civile shqiptare. Jo të gjitha betejat që ka zhvilluar, janë fituar nga MJAFT. Të mbetet në kujtesë lufta e tij për largimin e kazinosë nga qendra e Tiranës. MJAFT arriti të bëjë bashkë përfaqësuesit e të tre komuniteteve fetare të vendit që ata të protestonin për këtë ndaj qeverisë. Por nuk është e rëndësishme vetëm fitorja. MJAFT u tregon qytetarëve rrugën demokratike se si duhet fituar. Lëvizja po rritet e piqet mes një klime që jo gjithmonë është dashamirëse ndaj saj. Ajo ndodh që edhe gabon, por këto janë gabime të rritjes. Por në një gjë të rëndësishme ajo nuk ka gabuar kurrë, të akaparohet nga çakejtë e politikës shqiptare, të bëjë lojën e njërës apo tjetrës parti. Dhe për këtë ka përballuar presione të shumta, joshje e tundime të gjithfarllojshme, “këshilla” prej miqsh me interesa të ndryshme për ta tërhequr në udhë të dyshimta që nuk përputhen me idealin e saj.

Si lëvizja më e suksesëshme në shoqërinë civile shqiptare të periudhës pas-komuniste, MJAFT ngjall herë pas here zili, cmirë, hatërmbetje, pakënaqësi. Kjo është e natyrshme për një Shqipëri ku jeta është aq skajshmërisht e politizuar dhe ku pa vënë mend nga bunkerët e diktaturës komuniste, ndërtohen paprerë llogore të thella të pozicionimeve partiake. Shumë kërkojnë të rrëmojnë në rrënjët e saj, kush i solli, si erdhën, kush i do, kush i përkrah, ç’pjesë të shoqërisë shqiptare përfaqësojnë. Por gjërat janë më të thjeshta se koklavitjet e kritizerëve inatçorë. MJAFT përfaqëson një pjesë të rinisë shqiptare me idealet më të përparuara demokratike dhe synon t’i japë peshë zërit qytetar shqiptar kurdo kur nuk garantohet realisht ajo që premton politika. Ndaj ajo është aleatja më e mirë në vend e botës demokratike jashtë vendit. Eshtë një lëvizje që afron të ardhmen.

(Botuar në Koha Jone, 16 mars 2006)

Kapardisja pushtetare

Ajo është e njëjtë në të gjitha kohët. E pandryshueshme. Ma do mendja që kështu ka qenë që në kohët e vilajeteve turke dhe më pas në kohën e Zogollit, në shëmtinë komuniste t[ Hoxhës dhe sot në periudhën e demokracisë, qofshin në pushtet të majtët apo të djathtët. Eshtë e njëjta kapardisje e pashallarëve, spahive dhe sejmenëve të tyre, taksidarëve, qatipëve, shehlerëve dhe kadilerëve, e njëjta si e malokëve që u bënë modernë, e motrave injorante mbretërore, e gjyqtarëve, administratës turkoshake a proitaliane, ministrave kuisligë dhe ushtarakëve që vunë spaletat e fashizmit, e njëjta si e komisarëve të partisë modestia e të cilëve qe e shkurtër si një shi vere, si e byroistëve dhe KQ-ist[ve, sigurimsave që të bënin gjëmën, ushtarakëve barkmëdhej që hanin një qëngj të tërë pa ngritur nga sofra, instruktorëve dhe sekretarëve të komiteteve të partisë dhe deri te kryetarët e kooperativave e brigadierët, e njëjtë me atë të pushtetarëve socialistë e demokratë, të deputetëve që transformohen aq çuditshëm, të ministrave, drejtorëve, këshilltarëve, të nëpunësve që diçka kanë në dorë për hallet e njerëzve.

Le ta lëmë të shkuarën e të bisedojmë për kohën që rrojmë. Pse ndodh pra kjo gjë? Pse kapardisja pushtetare mbizotëron jetën shqiptare sot? Pse pushtetarët transformohen rrufeshëm dhe nxjerrin në pah arrogancën, prepotencën, mëndjemadhësinë, intolerancën, shpërfilljen për mendimin alternativ? Shumë njerëz të thjeshtë zhgënjehen me kohë nga ish shokë apo miq të tyre që e sjell hera të marrin ndonjë karrige e post. Nuk e dinim, thonë, se pakëshin qenë kështu. Ç’instrument i çuditshëm qënka pushteti që i transformoka njerëzit kësisoj? Më ka ndodhur të shoqëroj e të përkthej në Amerikë disa ministra e pushtetarë të Shqipërisë. Në shumicën e rasteve, nuk e kanë mendjen fare te ato që u thonë bashkëbiseduesit, por duan të thonë atë që duan ata dhe që kujtojnë se është kryefjala e artit pushtetar. Të shohin në sy dhe mendjen nuk e kanë aty. E kanë si të rregullojnë ndonjë bursë për djemtë e vajzat, apo si të ujdisin ndonjë ftesë tjetër nga njerëz të rëndësishëm këtej. Megallomanë, të shtirur, të pakulturuar deri në harbutëri.

Eshtë e vërtetë se pushteti është një tundues i fortë. Ai është si një acid që hidhet mbi një lëndë tjetër. Në se kjo lëndë është bazike, zhvillohet një reaksion i fuqishëm, me shkumë, tym, erë dhe përfundon me ndonjë lloj kripe. Por në se lënda është inerte, acidi vepron pakë ose aspak mbi të. Inertët janë në këtë rast njerëzit që pushteti nuk i ndryshon, bile janë ata që e ndryshojnë pushtetin, i japin tjetër fytyrë, që është fytyra e demokracisë së vërtetë. Lëndët bazike janë pushtetarët që pushteti i shpërfytyron, i bën t’u shfaqen ato veti që i kanë fshehur me kujdes thellë karaktereve e marrëdhënieve të tyre me të tjerët. Pushtetarët kapardisen se ndjejnë forcën e pushtetit, kuptojnë se fjala apo veprimet e tyre ndikojnë mbi mijra e qindra jetë njerëzish, u hapin apo mbyllin dyert shumë ngjarjeve. Ç’është një biznesmen para meje, thotë pushtetari. Një servil që më rri mua para e mbrapa që po të dua i bëj namin, i dërgoj kontrollorë e inspektime, i vë taksa dhe e detyroj të falimentojë për një javë. Ç’është një gazetar para meje, vazhdon ai. Një hiç, që rron vetëm me bëmat e mija, që vrapon të përcjellë ç’kam thënë e si e kam thënë. Po të dua nuk e qas fare në konferencat e shtypit e u them bodigardëve ta heqin osh. Ç’është një artist, një dijetar, një specialist i zoti? A nuk jam unë që kam në dorë kaq e kaq gjëra të jetës së tyre? Të gjithë janë hiç përpara meje, vazhdon arsyetimi në subkoshiencën e tij. Zanati e do që të thotë se ai është një shërbëtor i popullit, i sovranit popull, por ama, i thotë zëri tjetër brenda tij, edhe ky qerrata sovran të ma dijë për nder e të më falet tre herë në ditë që po i shërbej. Sigurisht nuk janë të gjithë kështu. Ka pushtetarë të ndërgjegjshëm, të ndershëm e të përkushtuar që nuk e kanë lakmuar pushtetin për forcën e të mirat që i sjell atij, por e kanë pranuar si një detyrë qytetare që ta shpien përpara popullin e vendin e tyre. Por ritmi i zhvillimit të vendit në këto vjet, tregon se numri i të parëve e kapërcen numrin e të dytëve dhe ndaj është kapardisja pushtetare ajo që mbizotëron e bie në sy.

Pushteti është i lashtë dhe siç thamë, kapardisja pushtetare është e lashtë gjithashtu. Por jemi ne, të tjerët që e ushqejmë atë. Në të tjera rende, pushteti dhe pushtetarët qenë absolutë, qe fati i mjeruar i brezave dhe shoqërive të tëra njerëzore të rronin në ato pushtete e pushtetarë. Por sot është në dorën tonë t’i japim hov apo ta fashitim kapardisjen pushtetare. Në rradhë të parë, duke mos e politizuar jetën katërcipërisht siç kemi qejf të bëjmë. Po u politizua jeta s’do mend se politikanët do të jenë më të rëndësishmit njerëz të kombit. Pse u dashka që ata t’i bëjmë më të rëndësishmit? Mos vallë se na zëmërohen e na lënë pa drita e ujë, nuk na qasin në zyra, nuk na shtrojnë rrugë e s’na ndihmojnë bizneset? Po të gjitha këto janë borxhet që ata kanë premtuar në fushatat zgjedhore. Bile shumë më tepër se kaq. Atëhere le të bëhemi më indiferentë me pushtetin dhe pushtetarët por të shënojmë e mbajmë mend të mirat e të ligat e tyre dhe t’i votojmë sipas atyre ç’kanë bërë e si janë sjellë. Vota e lirë është instrumenti më madhështor i demokracisë. Me të mund edhe të mashtrohet edhe të vidhet, por kjo nuk mund të vazhdojë pa fund. Të përpiqemi ta kulturojmë sa më shumë jetën tonë sepse kultura e vërtetë është vdekje për kapardisjen pushtetare. Duhet që shoqëria civile, media e lirë dhe cilido zë njerëzor demokratik t’ua bëjë të qartë pushtetarëve se ata janë vetëm të përkohshëm: i nderojmë e i çmojmë kur bëjnë detyrën e tyre siç duhet dhe i përbuzim, i përçmojmë e i shkulim nga kolltukët kur krraba u tërheq nga vetja, kur krekosen e u del mendja mbi flokë. Pushtetarët duhet ta dinë se edhe në rastin më të mirë nuk krahasohen dot me një artist, me një shkencëtar, me një specialist apo intelektual të shquar. Mos i vëmë pra ata në qendër të vëmendjes çdo ditë dhe orë. Mos i hapim kurdoherë faqet e para të gazetave dhe lajmet kryesore të radiove e TV-ve me ç’kanë bërë e ç’kanë thënë ata. Le t’i hapim ato me hallet e një familjeje në Kurbnesh, në Gramsh apo Çorovodë, me fatin shpesh herë tragjik të emigrantëve apo atë çka ata arrijnë me mund e me djersë, me një libër të sapodalë jo vetëm të Kadaresë por edhe të një të riu të panjohur që beson fisnikërisht se letërsia mund ta ndryshojë botën, me një ngjarje arti e kulture, apo me mendimin e sinqertë dhe açik të një pensionisti. Le të jenë këto scoop-et e vërteta të jetës së vendit. Vëmendja është ushqimi i kapardisjes së pushtetarëve mashtrues. Hiqini atyre vëmendjen dhe do të shihni si do të vërtiten ata në hava si figurina pa bosht, si copërat e tollombaceve të plasura.

(Botuar në Koha Jonë, 14 mars 2006)

Rrethi vicioz i korrupsionit

Korrupsioni është sot sfida e madhe që kërcënon shoqërinë njerëzore anembanë globit. Ai ka zëvendësuar Luftën e Ftohtë që për rreth dyzet vjet i hëngri botës aq resurse e energji të cilat do të dilnin për të nxjerrë nga skamja e mjerimi miliona e miliona.

Lufta kundër korrupsionit nuk përbën më vetëm një çështje morale por ajo është sot një mjet i rëndësishëm në luftën kundër varfërisë. Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, del se në qoftë se një vend i varfër me nivel të lartë korrupsioni ja del të reduktojë korrupsionin në nivel mesatar, ai do të ketë 400 përqind rritje në të ardhurat për frymë. Kjo do të thotë, le ta zemë, një kërcim nga 5000 USD në vit, në 20000 USD në vit.

Korrupsioni është sëmundje e përgjithëshme që nxjerr krye edhe në vendet më të pasura e më demokratike të botës. Në SHBA për shembull ka raste skandaloze korrupsioni. Por atje korrupsioni nuk bëhet kurrë tipari kryesor i jetës politike e shoqërore. Jo shumë kohë më parë gjykata e Teksasit paditi kreun e shumicës republikane në Kongres, Tom DeLei me akuzën për konspiracion për të futur kontribute të paligjëshme korporatash në zgjedhjet e vitit 2002 që e ndihmuan Partinë Republikane të rregullojë hartën e vet kongresionale në Teksas dhe të forconte kontrollin në Kongres, në Uashington. Po ashtu në dhjetor, Rendi “Djuk” Kuningham, prej tetë vitesh kongresmen dhe hero i luftës në Vietnam, pranoi fajin për mitëmarrje (2.4 milion USD nga kontraktorë të ndryshëm për biznese qeveritare dhe favore të tjera). I penduar e me lot në sy, ai tha: “E vërteta është se unë kam shkelur ligjin, kam fshehur sjelljen time dhe kam turpëruar postin tim.” Ai mund të dënohet me deri dhjetë vjet burg, ashtu siç u dënua me tetë vjet burg në 2002 për shantazhe e mitëmarrje, një personazh famëkeq që shqiptarët e njohën si mik të zotit Berisha, ish kongresmeni Xhejms Trafikant. Në 21 nëntor, Majkëll Skanlon, një politikan republikan, publicist dhe ish zëdhënës shtypi i Tom DeLeit, pranoi fajin se kishte konspiruar me lobistin Xhek Abramof për t’i dhënë rrushfet një kongresmeni dhe për të mashtruar fiset indiane amerikane me disa dhjetra milionë dollarë për biznesin e kazinove. Pra rastet e korrupsionit janë të shumta, por drejtësia i ndjek dhe nuk do t’ja dijë se ç’pozitë, e ç’funksion kanë ata që përzjehen në aferat korruptive. Presidenti Bush guxoi të thoshte shkarazi se Tom DeLei ishte i pafajshëm dhe ndjeu mbi vete sulmin e shfrenuar të demokratëve e të medias dhe nxitoi të justifikohej se një i paditur hamendësohet i pafajshëm deri sa të provohet e kundërta në gjyq.

Në Shqipëri (dhe shumë vende të tjera si ajo) ndodh ndryshe. Korrupsioni bën kërdinë, të gjithë bërtasin ”Hajduti, hajduti...kapeni hajdutin...!” dhe hajduti s’duket gjëkundi. Sepse vetë hajdutët bashkohen me korrin e madh dhe bërtasin “Kapeni hajdutin!” Në 15 vjet rropatjesh në udhën e demokracisë, me përjashtim të ndonjë hakmarrjeje politike dhe të ndonjë rasti të dorës së tretë, nuk është paditur e dënuar asnjë deputet, ministër apo shtetar i lartë për korrupsion. Ka vetëm kërcënime padish e dënimesh të cilat arrijnë apogjenë e tyre në kohë fushatash.
Sigurisht kjo nuk është e lehtë të bëhet. Të jesh i mbrojtur nga korrupsioni nuk do të thotë vetëm të bësh ligje korrekte dhe të ngresh një gjyqësor të pavarur e efektiv, por kërkon gjithashtu ndryshim në mentalitetin tonë, në qëndrimet dhe praktikat tona të çimentuara për një kohë të gjatë. Dihet se shoqëria civile luan një rol kyç në luftën kundër korrupsionit. Aleksis dë Tokëvil, në veprën e tij “Mbi Demokracinë në Amerikë“ e lidh forcën e demokracisë amerikane me numrin e madh të shoqatave të qytetarëve. Po vallë mjafton vetëm kjo në Shqipëri? Ka shqetësime lidhur me praninë e korrupsionit brenda vetë shoqërisë civile. Në shumë vende, fondet ndërkombëtare kanalizohen gjithnjë e më tepër nëpërmjet OJQ-ve që jo rrallë përvetësojnë një pjesë të tyre. Vetëm duke folur kundër korrupsionit, duke u përbetuar për luftën kundër tij, ne vetëm futemi në rrethin vicioz të korrupsionit nga i cili nuk dalim dot. Ky rreth vicioz është: varfëria shkakton qeverisjen e keqe dhe qeverisja e keqe padyshim shkakton varfërinë.

Nga ky rreth vdekjeprurës dilet vetëm me një veprim aktiv të të gjithë shoqërisë. Nuk mjaftojnë vetëm ngritja e agjensive të fuqishme antikorrupsion, deklarimi publik i të ardhurave të të gjithë shtetarëve të lartë, ngritja e pagave të punonjësve që zbatojnë ligjin, studimet e pavaruar të fizibilitetit, tenderat e hapura dhe vendimet transparente, pavarësia e gjyqësorit dhe e shtypit, prerja e lidhjeve midis politikës e biznesit. Ajo që duhet bërë është që korrupsionit t’i shpallet luftë nga çdo qytetar i thjeshtë sepse janë shpesh herë këta qytetarë të thjeshtë që përçojnë aferat e mëdha korruptive, që ngjallin orkesin e pushtetarëve me rrushfete të vegjël vetëm për një “nder” apo favor. Korrupsionin e vret kultura e re demokratike, mënyra e të menduarit të lirë, asketizmi për mospranim të gjithëshkaje të jashtëligjëshme, jo kultura e kafeneve, ku bëhen hajdutë të gjithë e prapë hajdut nuk ka. Media e pavarur dhe gjurmuese dhe transparenca e format e paanëshme të kontrollit do të bëheshin nga këta qytetarë të ndershëm që pretendojnë të luftojnë korrupsionin e madh qeveritar e shoqëror pasi ta kenë vrarë atë korrupsion në vetet e familjet e tyre.

(Botuar në Koha Jone, 12 janar 2006)

Përgjigje zotit Kajsiu

Duke qenë larg, nuk e kam aq të lehtë sa juve zoti Kajsiu, për të përdorur shtypin e lirë shqiptar. Megjithatë, falë Internetit, shpikjes më të madhe të njerëzimit pas zjarrit e rrotës, edhe unë kam mundësinë, këtu ku jam, në Kaliforninë e largët të SHBA të shprehem për ç’bën vaki në vendin tim. Ç’është e vërteta, jam rezervuar mjaft për të dhënë mend, ashtu siç bëjnë një sërë analistësh e politologësh këtej nga këto anët tona që japin mendime në shtypin shqiptar që nga aleancat partiake, parashikimet e zgjedhjeve e deri te çmimet e gjeldetit për vitin e ri. Por megjithatë, kur është fjala për gjëra që mund të kuptohen pavarësisht pranisë fizike aty, mund të japim edhe ne ikanakët ndonjë mendim.
Unë nuk e di kush jeni ju e ç’punë bëni, por nuk ju kam etiketuar as “anonim” dhe as “kamikaze”. Edhe ju nuk keni pse etiketoni kështu dikë që ka të drejtën të shkruajë si edhe ju, vetëm pse nuk e njihni personalisht. Mua nuk më bën anonim fakti që nuk kam ndonjë post në qeveri, që nuk kam studjuar atje ku keni studjuar edhe ju apo se nuk frekuentoj kafet apo klubet që frekuentoni ju. Unë vetë nuk njoh asnjë anëtar të lëvizjes MJAFT pavarësisht se kjo lëvizje ka ngjallur simpati me veprimet e saj si tek unë ashtu edhe tek bashkëmoshatarë të mij kudo në botë.
Ju ankoheni se ju kanë fyer e përbaltur në shkrimet kundër jush por unë nuk shoh ta kem bërë këtë në shkrimin tim: MJAFT - pema me kokrra, botuar në gazetën Koha Jonë. As nuk u kam cilësuar “armik” me që mendokeni ndryshe nga unë. Lërini patetizmat zotni i nderuar dhe mos luani të përndershmin e viktimizuar. Vetë shkrimet tuaja janë mbushur me mëri, mllef e intolerancë dhe një mungesë të theksuar logjike.
Sa për atë që thoni se unë pretendokam se paska vetëm një të vërtetë dhe kjo i takoka lëvizjes MJAFT, shoh se nuk më paskeni kuptuar dhe u kërkoj ndjesë në se nuk jam sqaruar mirë. Kur unë them që ka një të vërtetë të vetme, dua të them se kjo e vërtetë është ajo që përfaqëson opinioni i shëndoshë ndërkombëtar. Mos përshpëritim vesh më vesh se jo kurdoherë ky komunitet na dashka të mirën ne shqiptarëve. Troç: në qoftë se lëvizjen MJAFT e mbështet komuniteti ndërkombëtar (siç thoni edhe ju), duhet ta mbështesë e gjithë lëvizja qytetare e Shqipërisë. Kjo nuk pengon alternativa të tjera të lëvizjes e organizimeve qytetare tani e në të ardhmen ku edhe ju personalisht mund të derdhni vrullin e energjitë tuaja.

(Botuar në Koha Jone, 8 dhjetor 2005)

MJAFT - pema me fruta

Një fjalë e urtë thotë: Pemës me fruta i shtihet me gurë. Pemëve pa kokrra s’ua ka ngenë njeri. E pra, të shkon mendja se MJAFT është pemë frutore dhe bile me frute të pjekur e të shijshëm gjersa shumë nga ata që shkojnë (shpesh herë, pa punë) nën të i shtien me gurë se mos përfitojnë ndonjë frut prej saj.

Atmosfera e ndezur luftarake që karakterizon luftën e ideve e të opinioneve në Shqipëri është simbiozë e gjendjes kurdoherë inkadenshente të mendjes shqiptare që, ashtu siç nxirrte dje (ndonjeherë edhe sot bile, kur gjen rastin) koburen nga brezi dhe e shkrepte për një gjysmë fjalë apo shikim, ashtu nxjerr lapsin prej analisti, politologu (siç thotë një mbiemër drufrutor) apo opinionisti dhe të bën gjëmën që të mos dish ku të futesh. Ajo që të bie në sy është lufta brenda brezit. Eshtë e natyrshme që një lëvizje si MJAFT të mos i pëlqente ta zëmë, ca brezave të barrikaduar në skalionet politike me frikën se ata do të qenë shpejt a vonë që do t’i përzinin nga këta skalione që mbajnë erën e njohur të moçalishteve. Por MJAFT luftohet edhe nga vetë brezi i MJAFT. Dhe kjo është e çuditëshme. Ç’është e vërteta, ajka e këtij brezi të ri e vital i 25-35 vjeçarëve të sotëm, pati mundësinë të shkollohej plotësisht apo pjesërisht jashtë vendit. Gjeografia e shpërndarjes është e përbotëshme, nga Kalifornia në Malajzi, nga Libia në Norvegji. Të gjithë mund të quhen me mastera e doktoratura jashtë. Po jo gjithshka “jashtë“ është e vlefshme. Ajo që një shahist i njohur i tha mikut të tij: unë mund të ta mësoj shahun por nuk të mësoj dot si të mendosh, ka një të vërtetë të madhe. Pra, jo të gjithë ç’vinë nga “jashtë“ vlejnë për t’u mbajtur si nga “jashtë“. Ndryshe nuk ka si spjegohet ai inat e mllef që vihet re te një pjesë syresh kur i turren MJAFT, një organizate me djem e vajza të moshës së tyre që kanë ndërmarrë një mision të ndershëm e qytetar.

Cilat janë argumentat kundër MJAFT? Organizata qënka anëmbajtëse në gjykimet, i bie njërës palë dhe kursen një tjetër; ajo nuk merrka mendimin e qytetarisë zëdhënëse etë cilës pretendon se është; pushteti i saj vjen nga komuniteti ndërkombëtar (?!). Shumë nga këto argumente i përdor në një lojë fjalësh të paskrupullt zoti Drufrutor në disa shkrime të vetat. Në skenën tonë publike, që është e mbytur me bizantinizma arrgumentative, siç thotë ky autor në një nga shkrimet e veta, ai vetë bën kllounadën më të pashembullt eklektike. Le të ndalojmë në nja dy nga idetë e tij.

Në qoftë se MJAFT përfaqëson lëvizjen qytetare, atëhere u dashka të bëjë plebishit e të pyesë në çdo rast këtë lëvizje për çdo problem që ngre. Por së pari, MJAFT nuk është lëvizja e vetme qytetare në Shqipëri. Ka me dhjetra organizata e OJQ të tjera që bëjnë kush më shumë e kush më pak këtë gjë, pra marrin përsipër të përfaqësojnë mendimin qytetar. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Nga ana tjetër, MJAFT nuk është parti që të respektojë anëtarësinë apo elektoratin e vet. Ajo ngre ato probleme që mendon ajo se duhen ngritur dhe pesha, koherenca, konseguenca dhe mënyra se si i ngre këto probleme përcaktojnë edhe pëlqimin apo mospëlqimin ndaj saj, popullaritetin apo zhgënjimin. E nga na u përcaktoka ky popullaritet? Zoti Drufrutor nuk ka shumë besim tek sondazhet. Por është fakt se njerëzit në Shqipëri janë të lodhur nga gërrmërret politike. Qofshin xhaketa e kasketa të vjetra me lëfyte të rinj, qofshin luftëtarë të rinj fringo, ardhur nga shkollat e përtejdetit me dyfekët e vjetër me gjalmë, lojtarët e sotëm politikë në Shqipëri ta shpien mendimin deri në kufijtë e një nauzeje lemeritëse. Njerëzit pra kanë më tepër besim tek ca të rinj e të reja entusiastë të MJAFT, po aq të ditur e të shkolluar (në mos më shumë) sa shokët e tyre që kanë hyrë në politikë, se sa tek deputetët, ministrat e të gjithë qeveritarët apo edhe opozitarët që mbajnë anën tjetër të tavës politike.

Ajo ku gabon rëndë zoti Drufrutor është inati që ai ka se pse pushteti i MJAFT vjen nga komuniteti ndërkombëtar. Këtu shfaqet fare açik, një karakteristikë e ndyrë shqiptare: e vërteta për ne të fisit dhe e vërteta për ata jashtë fisit, bëjmë sikur jemi dakord, dhe u nxjerrim gjuhën mes nesh. Nuk ka dy të vërteta në këtë botë zoti Drukajsia. Ka vetëm një të vërtetë, një të bukur, një të lartë, një hyjnore. Dhe kjo është si për ne ashtu dhe për “ata” pra për komunitetin ndërkombëtar. Në qoftë se ky komunitet e mbron dhe e përkrah MJAFT, kjo do të thotë se MJAFT duhet mbrojtur e përkrahur. Sepse janë ata që po na mësojnë demokracinë ty dhe mua o zotni. Ndaj lëri pelivanllëqet politike e gazetareske dhe hiq dorë nga teoritë konspirative që i kemi aq për zemër ne shqiptarët. Problemi që ngre sot MJAFT për kazinonë në mes të Tiranës, nuk është një llaf goje, një gjë e vogël. Ç’qënkan ato gjëra më të mëdha se kjo që thua se na paske ngritur ti more zoti politolog?

MJAFT mund edhe të gabojë, të manipulohet e te dalë nga udha e vet më tej. Ku i dihet. Po pse të bejmë Kasandrën? Sot për sot MJAFT është një organizatë që përpiqet të mësojë shqiptarët (edhe veten e tyre) si dhe pse duhet të luftojnë. Dhe kjo nuk është pak e vlen për t’u respektuar.

(Botuar në Koha Jone, 4 dhjetor 2005)