Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, February 18, 2009

Koha e Hyxhymit dhe shkenca në Shqipëri

Vjen një kohë për njeriun e aftë që lodhet e mërzitet nga një realitet që s’pyet e s’do t’ja dijë për përpjekjet e tij. Vjen një kohë që pasioni për punën i nxihet si një rulon filmi i hapur në diell dhe ai hiqet mënjanë i zhgënjyer dhe e shtyn jetën me gjëra të tjera më pak të rëndësishme. Kjo është koha kur mediokrit ngazëllehen, dalin nga skutat e anonimitetit dhe lëvrijnë plot energji e bërtasin “Hyxhym! Përpara për fitorje të reja!” Ka ardhur ora e tyre: koha e mediokrëve.

Ky skenar po ndodh me shkencën shqiptare, ashtu si me shumë fusha të tjera të jetës së këtij vendi që nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e aftë e të zotë. Por veçse po t’i hidhni një sy tërë kulturës e dijenisë shqiptare në kohra, do të vini re se më të shquarit e saj kanë shkëlqyer më shumë jashtë vendit se sa brenda tij. Atje ata kanë gjetur kushte më të mira për punën e tyre, larg meskiniteteve e zilirave shqiptare, larg kurtheve politike dhe intrigave e nënështrimit ideologjik asfiksues të periudhave të ndryshme.

Regjimit komunist të Enver Hoxhës i duhej si fasadë një Akademi e Shkencave të cilën e ngriti në vitin 1972. Në përbërje të saj u përfshinë figura të shquara të shkencës shqiptare të asaj kohe, shumica me studime të larta të kryera jashtë vendit por që diktatura komuniste nuk i lejoi kurrë të shpalosnin vokacionet e aftësitë e tyre më të mira mishëruar në punën e mirëfilltë shkencore.

Në krye të viteve 1990, Akademia e Shkencave ashtu si e gjithë jeta e vendit u përfshi në reforma të vrullshme të projektuara më së shumti pa largpamësi e të zbatuara nga njerëz arrivistë që rrëmbyen lugët (apo garushdet) dhe ju turrën detit që ishte bërë kos. Veprimi më i shëmtuar për shkencën në qeverinë e parë demokratike dhe “peshqeshi” për mediokrit i Komitetit të Shkencave të asaj kohe me Z. Maksim Konomi në krye, ishte prishja e sistemit të gradave shkencore me dy shkallë dhe njësimi e kthimi i ish Kandidatëve të Shkencave, në Doktorë të Shkencave. Ky vendim i hapi rrugë vërshimit të papërmbajtshëm, të “Doktorëve” të shkencës që u bënë shpejt e shpejt “Profesorë“. Llogaritet se nga doktorët e profesorët e sotëm të shumtë që ka Shqipëria, mbi 95% ose kanë mbrojtur vetëm gradën e Kandidatit të Shkencave, që atë kohë ka qenë një normë e detyruar për të gjithë punonjësit kërkimorë-shkencorë dhe si shkallë e parë e kualifikimit shkencor, pa shumë pretendime për prurje origjinale, ose mbrojtën pas këtij vendimi vetëm një gradë të vetme dhe u bënë “Doktorë”.

Shkenca shqiptare njohu pas kësaj një serë ligjesh e kundraligjesh, statutesh e kundërstatutesh të miratuara e hedhura poshtë sipas rradhës së ardhjes në pushtet të demokratëve apo socialistëve. Vetë Akademia e Shkencave dhe të gjithë strukturat shkencore të vendit u politizuan dhe në krye të tyre u vunë militantë (ose xhaketa të vjetra ish komuniste, ose demokratë dalë nga anonimati). Flamurtarë dhe oligarkë të riorganizimit të të gjithë shkencës së vendit u bënë ca kuadro të shkencave bujqësore si Gjongecaj në vitet 1990 dhe Tafaj në vitet 2000.

Me riorganizmin e fundit, institucionet shkencore pothuajse morën fund duke u hequr nga vartësia e Akademisë së Shkencave dhe duke u bashkëngjitur tek Universitetet sipas ca kritereve të dyshimta e kaotike. Ishte e padyshimtë që këto institucione duhej të riorganizoheshin dhe kërkimi shkencor në Shqipëri duhej vënë në binarë të mbarë, por jo kësisoj siç i thonë: prish poçe e bëj kënaçe. Po të bisedosh me kuadrot e këtyre institucioneve, të gjithë të ankohen nën zë për humbjet e arkivave, prishjes së bibliotekave dhe shpërfilljes së kërkimit shkencor në vite, për shkarkimet nga puna dhe emërimet e reja pa kurrfarë kriteri veç atij partiak.

Dhe me që është koha e Hyxhymit, mediokrit nxorrën nga brezi lugët e mëdha (ose garuzhdet) dhe u turrën përsëri. U turrën drejt marrjes së gradave të larta doktorë e profesorë. Në qeverinë e sotme shqiptare më shumë se gjysma janë doktorë e profesorë. Po të shikonte e dëgjonte kaq shumë tituj shkencore Prof. Dr. deri tek kryeministri e presidenti, një alien i ardhur nga përtejbota, pasi t’i spjegoheshin se ç’ishin ato, do të thoshte se ky është vendi më frutdhënës për shkencën në gjithësi.

Ashtu siç është sot një biznes i leverdisshëm të bëhesh deputet, ashtu u zbulua si biznes edhe të qënët akademik. O burra pra të zëmë listat e të luftojmë për pensionet e akademikëve se tjetër gjë nuk na mbeti. Dhe na del në krye të Akademisë së Shkencave një farë peshëngritësi si Gudar Beqiraj, i aftë sigurisht për pesha të rënda e shkenca të lehta, së bashku me një aradhë mediokrish të tjerë ku rrallë spikat ndonjë shkencëtar i vërtetë që t’i vësh gishtin. Klikoni në Google Scholar emrin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave dhe do të gjeni vetëm dy raporte informative. Asnjë punim shkencor.

Ky matematicien “i shquar” është përgjegjës për prishjen (jo tani që u bë riorganizimi, por me kohë përpara) të Institutit të Informatikës. Për vite me rradhë ky institut i kthyer në një ndërmarrje me drejtor Z. Beqiraj, mikun e patundur të ish kryeministrit Meksi por jo më pak edhe të kryeministrave të tjerë peshëngritës, ndihmoi të bëheshin kadastrat e Italisë nëpërmjet ca projekteve të dyshimta ku përfitonin personalisht si Z. Beqiraj dhe sipërmarrësit italianë.

Një tjetër “akademik” del në krye të kryesisë: Salvador Bushati, gjeofizik. Sikur dalin nga nëntoka këta akademikë. A thua se kontributin më të madh Shqipëria e paska në shkencat e natyrës që të ketë në krye matematicienë e gjeofizikë. Por zoti Bushati nuk ju fut më kot me hyxhym riorganizimit të shkencës dhe nuk punoi më kot nja ca vjet si rrogëtar i Akademisë, po të mos kishte shpresë të dilte në krye të saj. Aferim!

Veçse është e turpshme që në Shqipërinë e shekullit të 21-të, në krye të kësaj palo akademie janë ca lapangjozë që nuk u vijnë as te maja e gishtit mjaft prej atyre që kishte vënë Enver Hoxha në krye të akademisë së vet, që ndonse qenë gojëzënë e s’thoshin dot atë që mendonin, qenë të nderuar edhe në botë në fushat përkatëse të shkencave të tyre.

Në riorganizimin e fundit veç ca figurave të njohura si Agolli e Kadare, na futën në Akademi edhe ca shkrimtarë e poetë të tjerë si Kongoli e Spahiu. Po këta përse janë? Për shkencë? Po të jetë se janë për art, akademia duhet të quhet Akademi e Shkencave dhe Arteve që gjë nuk është quajtur. Një mishmash që s’e merr vesh qëni të zotin.

Por kjo gjë nuk po ndodh vetëm me Akademinë e Shkencave në Shqipëri. Vini re çfar “vlerash” po dalin në krye të universiteteve. Dhori Kule, një ish politikan i paskrupull që nuk gjeti më vend në politikë, ju turr me rradhë karrigeve të dekanit e rektorit dhe me një kurrikulum fare ordiner e mediokër për një shkencëtar e profesor të ekonomisë, mbretëron mbi arsimin universitar shqiptar. E vetmja gjë që thonë se bën mirë është ndarja e parave nga konkurset e pranimit dhe vendet e punës.

Nuk është e rastit që organizimet shkencore shqiptare më me vlerë sot po bëhen e zhvillohen jashtë vendit. Mjafton të përmendim AlbShkencën, që po kthehet në një organizatë të fuqishme shkencore me mjaft shkencëtarë të rinj shqiptarë që po shquhen me dinjitet në fushat e tyre përkrah shkencëtarëve më të mirë të botës. Vënë pranë saj, Akademia Shqiptare e sotme e shkencave mban erë myk e kutërbon mediokritet.

Po a mund të bëjë ndryshe zhvillimi i shkencës në Shqipëri? A mund të ndahet zhvillimi i saj nga zhvillimi i jetës së vendit? Kush ja ka ngenë asaj në këtë qerrata vend? Përveç ca posteve, ca rrogave e ca pensioneve që zhvaten prej saj, askush nuk është i interesuar tamam e siç duhet për të. Qeveria e politikanët kanë hyxhyme të tjera. Është koha e Hyxhymit të madh.

4 Comments:

Anonymous Acai said...

Me pelqeu shume shkrimi juaj Ylber,dhe nuk i heq asnje presje atij.
Sic e ke shkruar edhe vete, ne Shqiperi te aftet se kane pasur kurre mundesine per te qene ne ato pozita qe duhet te ishin.
I tille bataku eshte Shqiperia!

Te uroj suksese Ylber!

1:11 PM  
Anonymous Anonymous said...

hi! [url=http://esnips.com/web/minnaregina/]Hello. And Bye.
[/url] http://esnips.com/web/minnaregina/ free nude video clips of milfs
thanks!
free nude video clips of milfs

1:40 AM  
Anonymous Anonymous said...

http://markonzo.edu nolvadex prophylaxis freeport esomeprazole aspcity spentwhen protonix amember imitrex tohave lorazepam omnibus disseminates

12:12 AM  
Anonymous Anonymous said...

hahaha...sa e vertet..sa keq me vjen per ish petagoget e mi te juridikut...une kam studiuar dhe ne amerike, po shokolla e drejtesise ne amerike nuk ka as cerekun e atyre qe ka Juridiku i Tiranes....aq shume prof dhe doctore ka shqiperia prandaj dhe library of new york city ka librat e kadares po jo librat e ketyre profesoreve....ose dhe me e keqa eshte kur teza e nje studenti per mbrojtjen e dipllomes...publikohet nga petagogu ne emrin e tije...what a f...ass.... se kuptojne valle se rrjeti intelectual i shqiperise eshte aq i vogel dhe thashethemet aq te medha...do te ishte interesante te publicohej lista e prof and doc qe kane marr titull ne 1990-2009 dhe krahasohej me ate te 1979-1990...te siguroje une qe pjelloria e lopes "Accademia e Shkencave" do te jete me e larta ne bote... ka pasure bar "para" te jeshije te haje

2:13 PM  

Post a Comment

<< Home