Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, December 12, 2008

Kalorësi i buzëqeshjes së pavenitur

Për të mos lodhur më kot lexuesit ne hamendësime, po e themi që në krye se ky kalorës është ministri i jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha. Është ai që krekoset si kaposh e supozon skenare imagjinare komplotesh anti-atdhetare ndaj tij prej partisë opozitare. Është ai që përbetohet se është gati të shkojë në burgun më të thellë (me që na dalka dhe me origjinë kosovare) dhe vetëm e vetëm të mos cënohet projekti më i madh i tij dhe i PD i cili nxjerr në selamet Kosovën e Shqipërinë.

Në fakt, ky politikan që shquhet për buzëqeshjen “alla Enver Hoxha” përballet me një sërë akuzash serioze të prokurorisë shqiptare. Kur lexon akt-padinë e prokurorisë bindesh e të vjen mirë për profesionalizmin e kompetencën me të cilën ajo është hartuar. Të vjen mirë gjithashtu edhe nga kurajoja dhe guximi i tyre, i prokurorit të çështjes Arben Kraja dhe i prokurores së përgjithëshme Ina Rama. Është hera e parë që prokuroria i shkon një çështjeje deri në fund, pavarësisht se si do të përfundojë ajo më tej, që nuk është përkulur nga presioni i egër politik (vetëm ta mendosh se ç’bën qeveria për t’i bërë ata të heqin dorë!).

Akuza është fare e qartë e logjike, megjithse ky kalorësi ynë, bërtet e ulëret se ajo na qënka absurde. Edhe një joprofesionist e sheh se shkeljet e procedurave janë të qarta e fare të padyshimta në të gjithë këtë histori tenderash, miqësish e të njohurish ku ka bërë piruetat e tij mahnitëse ministri ynë. Pse mërzitet ai dhe nuk pranon fare urtë e butë të shkojë e t’u tregojë gjykatësve të gjitha justifikimet e tij bashkë me ndërgjegjen e pastër e të papërlyer?

Për një gjë shumë më pak se kaq, gjykata e Maqedonisë fqinjë sapo i dha tre vjet e gjysmë burg ish kryeministrit të vet dhe ish shefit të shtabit të ushtrisë dhe nga tre vjet disa zyrtarëve të tjerë të lartë, për një tender që nuk ishte më shumë se 2.4 milion euro, kur ish kryeministri kishte pasë qenë ministër i mbrojtjes. Gjykata vërtetoi se duke blerë katër herë më shumë se ç’duhej pjesë ndrrimi për tanket e ushtrisë, i qe shkaktuar një farë dëmi buxhetit të shtetit. Pra nuk u vërtetua ndonjë vjedhje e drejtpërdrejtë dhe tenderi nuk ishte me qindra milionë apo deri në 1 miliard euro si ky yni. E megjithatë, ata “goxha burra” të Maqedonisë, morën atë që meritonin.

Bah, po kjo nuk bën vaki në Shqipëri, thotë dikush. Vërtet, a është dënuar nga ndonjë gjykatë ndonjë ministër apo politikan i lartë në Shqipëri? Askush. Eteri shqiptar i mediave, i fjalëve të shkruara apo të thëna, i sharjeve e akuzave është i mbushur i tëri me hajdutë, mafiozë, kontrabandistë, njerëz të hurit e të litarit e prapë askush nuk është dënuar nga gjykatat shqiptare. Ky është paradoksi më i madh në drejtësinë “e pavarur” të këtij vendi. Shikoni se sa ish ministra, ish kryeministra, ish qeveritarë të lartë akuzohen e dënohen në vende si yni, që hynë në demokraci në vitet 1990.

Fenomeni Basha është me shumë interes të studjohet. Ai dëshmon se nuk janë vetëm politikanët e vjetër ata që kanë prirje të korruptohen e të rendin pas aferave përfituese. Ka po ashtu edhe nga të rinjtë, nga ata që vijnë me diploma të rënda e përvoja të Perëndimit, që “ja dinë kimenë parasë“. Ata janë më modernë në shpërdorimet e tyre, në favoret e pasuritë që përfitojnë. Ata hiqen përgjithësisht globalistë, largpamës përparimtarë e mbrojtës të të drejtave të njeriut e të shoqërisë demokratike, po kur u duhet thërresin në ndihmë patriotizmin e mykur dhe përbetohen se janë shkrirë për atdhe e vatan.

Shumë raste tregojnë se figura të tilla të rinj premtues hyjnë me vrull në politikë, mbështetur nga mërzitja e publikut prej letargjisë e pasivitetit të kastave tradicionale politike. Dhënë pas entusiazmit, publiku e media lë mënjanë shpesh herë skanimin e tyre të kujdesshëm. Një gjë e tillë ndodhi në SHBA me yllin e ri të demokratëve në Illënoi, guvernatorin Rod Bllagojeviç, të cilit afera e tentuar zbuluar së fundmi për të shitur një post senatori, i nxorri një mori shkeljesh e abuzimesh të tjera të rëndësishme në karierën e tij që kishin kaluar të pavëna re.

Është fare qesharake e jashtë çdo kontesti logjik qëndrimi i qeverisë në pushtet ndaj prokurorisë. A nuk e kuptojnë këta qeveritarë se duke e sulmuar prokurorinë si “të kapur” e të komprometuar sa herë që ajo përpiqet të bëjë punën e detyrën e saj, ata komprometojnë vetë qëndrimet e tyre të mëparshme. U bë e disata herë që sulmohet e ndryshohet prokuroria duke u etiketuar pasive ndaj krimit e korrupsionit. Prokuroren e re nuk e solli kreu i opzitës sado që qëlloi të kenë bashkë të njëjtin mbiemër. E propozoi partia në pushtet. Atëhere me se na e paska joshur e ndryshuar atë opozita, kur qeveria ka në dorë edhe gurin edhe arrën?

Lëreni prokurorinë e gjyqësorin të punojnë të nderuar qeveritarë! Mos u humbni kohë me përgojime, anatema e telashe se kanë boll punë të tjera për të kryer. Kanë një Gërdec të tërë që ju doni ta fshihni si minaren në kashtë e plot afera të tjera, veç atyre që kryeministri ynë kërcënon t’i nxjerrë kur ta shohë veten keq. Sa për kalorësin tonë të buzëqeshjes së pavenitur, do t’i këshillonim ta hiqte maskën buzëqeshëse dhe t’i nënshtrohet gjykimit të një publiku ku ka pranuar të rrojë për të mirat që kishte, gjykim i përfaqësuar nga autoritetet përkatëse të prokurorisë e gjyqësorit.

Botuar në gazetën Tema, 13 dhjetor 2008

0 Comments:

Post a Comment

<< Home