Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, October 30, 2008

Ç’bëhet me rininë?

Të kapluar në hallet e jetës së përditëshme e morinë e skandaleve që ndjekin njëri tjetrin në jetën e rrëmujshme shqiptare, njerëzit shpesh herë nuk e vënë re e nuk shqetësohen ( në të vërtetë kanë boll tjetër përse të shqetësohen) se ç’bëhet me rininë e vendit. Prapë kjo është e pafalëshme dhe kriminale për një opinion qytetar që bën kaq shumë zhurmë e zallamahi për gjëra të rëndësishme e të parëndësishme dhe përpëlitet si një peshk i lodhur në rrjetën e mendimit që ka thurur vetë.

Rinia shqiptare meriton një fat e të ardhme më të mirë në demokracinë e re të Shqipërisë. Të kujdesesh për të është të garantosh një të ardhme të ndritur për vendin. Kurse në fakt, ajo është lënë mënjanë e i shtyn ditët me perspektiva të paqarta apo pa fare perspektivë. Një pjesë, nga familje që kanë mundësi ta përballojnë lehtësisht jetën në shoqërinë e sotme shqiptare, bëjnë sikur shkojnë në shkolla e në fakt shullëhen klubeve e bareve, tjerrin kohën në muhabete vanitoze, në mesazhe e biseda telefonike me zhargone banale, seksiste e maçoiste që të kallin të vjellët. E vetmja punë e tyre është se kontribuojnë krenarisht e paturpësisht në harxhimin e parave që fitojnë (në rastin më të mirë, me djersë) prindërit e tyre.

Një takëm tjetër, shokë të tyre, e që nuk i kanë mundësitë e tyre, punojnë vetë për të fituar jetën, por edhe këta ndodh shpesh që tërhiqen nga të parët dhe e shpenzojnë kohën e lirë njëlloj, por me ndryshimin se të paktën harxhojnë ato që fitojnë me djersën e tyre. Kjo është pjesa që bie në sy sepse ka zaptuar qendrën e Tiranës dhe deri aty është kufiri ku lëvizin gazetarët apo gazetarkat e shumta dhe televizionistët gjithashtu të shumtë. Po të shkohet më tutje, është një dramë e vërtetë që nuk ka Kafaz të Artë ta futë brenda. Janë mijra e mijra të rinj anembanë Shqipërisë, që mbushin 20 vjeç me një konfrontim dërrmues e shpesh herë fatal të realitetit me imagjinatën. Të papunë, të pashkollë e me ambicje përtej mundësive, ata bëhen shpesh herë kontigjente të krimit, prostitucionit, emigracionit ilegal. Kurse shteti brohoret për sukseset e arritura, hyrja në NATO, infrastruktura e re e ndërtuar, ligjet që bëhen e zhbëhen, lufta kundër krimit e korrupsionit dhe rritja e hatashme ekonomike.

Një miku im, këtu në Amerikë, më qante hallet e tij një ditë për dy djemtë që kishte. Njëri nga ta ishte në Shqipëri. Tjetri ishte këtu me të dhe bënte shkollën e lartë që ja paguante i ati. Këtij mikut tim, njeri shumë i mirë e i ndershëm, i doli Green Card, kur sapo e kishin liruar nga ushtria, ku kishte qenë oficer andej nga fundi i viteve ’90. Erdhi në Amerikë dhe filloi një jetë tjetër. I pëlqen jeta këtu edhe pse ka mall për vendlindjen e tij, Shqipërinë. Eshtë një jetë e tërë, thotë. Kur ika që andej isha më pak se 50 vjeç. Dhe i mbushen sytë me lot...

Por le të mos largohemi nga tema. Djalit të madh të tij nuk i pëlqeu jeta këtu dhe u kthye në Tiranë, në shtëpinë që i ati nuk e shiti kur iku. Rrojti atje me gjyshërit, deri sa ata vdiqën dhe tani bën sikur punon hop e hop aty-këtu, siç thotë i ati. Ky i dërgon para sa herë i qahet i biri në telefon dhe e kërcënon se do të vrasë veten apo do të ikë me gomone në Itali. Ai po vete 30 vjeç dhe s’lidhet në asnjë hu, thotë babai i tij. Djali tjetër që shkonte mirë me shkollën, ishte shpresa e vërtetë e mikut tim. Ai bëri në Amerikë shkollën tetvjeçare e të mesme dhe tani ka hyrë në kolegj e studjon për teknologji informacioni. Familja nuk ka kursyer gjë për të që të dalë mirë me shkollën. Po ja që edhe këtij nuk ja ka qejfi të rrijë këtu. Qejf bëhet në Shqipëri, thotë ai dhe ka ndërmend të kthehet atje sapo të mbarojë shkollën e të hapë atje një biznes. Po kjo është gjysma e së keqes. Sepse tani ai shkon dy herë në vit në Tiranë me biletat që i pret i ati. I bleva makinën që desh, thotë miku im, i ka vënë dhe targën me emrin e tij “Renci-Tirona”, i ble duhanin, e mbaj me para, po ai hiç. Atje e ka mendjen. Kur shkon atje, zihet me të vëllanë se e do shtëpinë vetëm që të argaliset mirë. Një ime motër që shkon e kujdeset për shtëpinë ndonjëherë, më thotë se duhet të zësh hundën nga plehrat kur të hysh dhe sjellja e djemve është bërë problem për komshijtë. Dhe xërr telefoni. Më dërgoni para, thotë se këtu është shtrenjtë. Ja dërgoj se kam frikë se nuk kthehet e më lë shkollën. Pastaj sheh ai tjetri e kërkon dhe ai. Shpesh, thotë miku im, përpiqem të flas me të e t’i rrëfej se ç’kemi hequr e si kemi vuajtur ne, brezi përpara tyre, po as ai e as ai tjetri s’duan t’ja dinë fare. Ohu, ju keni qenë budallej o babë, thotë ky, ku dinit ju ç’është qejfi. Mbaj mend që pa ikur Shqipëria, me gjithë pleqtë e fëmijët, rronim të gjithë me 400-500 mijë lek të vjetra në muaj. Kurse kaq e më shumë kërkon në muaj tani kur shkon në verë ky i vogli, vetëm.

Më vjen keq për mikun tim të mirë por mendoj se ai vetë e ka stisur jetën kështu. I ka tërbuar fëmijët duke u përmbushur të gjitha tekat e qejfet. Ai nuk është i kamur. Punon dy punë, në një administratë gjatë javës dhe si kamarjer në fundjavë. Edhe e shoqja punon. Kanë blerë shtëpi e kanë të gjitha të mirat. Po ky me të bijtë është një hall i madh për të. Ja kam bërë qejfin, thotë se kisha frikë se i ngrihej mendja dhe ikën si i vëllai, që mbeti pa shkollë e hallakatet klubeve në Tiranë. Po nuk shoh dritë gjëkundi në të ardhmen e tij. Rri tërë natën e sheh televizor dhe mezi ngrihet në mëngjes e shpesh herë nuk shkon fare në shkollë orët e para. Dhe as që ja ka fare qejfi të punojë. Shikoj të tjerë të rinj këtu që punojnë e shkojnë në shkollë dhe them me vete ç’fat që pata që më ranë këta fëmijë...

Dëgjoj mikun tim të pikëlluar dhe mendja më shkon te ato që më tregonte edhe mua im atë për zborret ushtarake e punën e detyruar gjoja vullnetare e shumë mangësi të jetës së atëhershme. Baballarët e nënat tona jetun kohëra të vështira që i gjetën ashtu e nuk i zgjodhën ata vetë. Por u përpoqën të rrojnë me nder e djersën e tyre. Më shkon gjithashtu mendja te jeta e rinisë sot në Tiranë. Rroftë qejfi! “Kena lind për qejf” më kujtohet ajo kënga e West Side Family. Po vallë ky është qejfi i vërtetë i njeriut, që të jetojë si parazit e të mos vrasë mendjen se çdo të bëhet me të ardhmen e tij? Po ngjizet një rini me kulturë të cungët e sipërfaqësore. U çudita një ditë kur ky djali i mikut tim, që e mban veten për patriot të flaktë dhe desh i vë flakën shtëpisë kur fiton në futboll kombëtarja shqiptare, nuk dinte kush ishte Buzuku e le më tej për botën të gjithë.

Ky pra është një aspekt i rinisë që njoh unë. Por siç thamë, ka edhe shumë më keq se kaq. Se këta dy të rinj për të cilët fola, janë në fund të fundit e keqja e tyre dhe e mikut tim, por ka të tjerë që bëhen e keqja e shoqërisë dhe e mbarë vendit. Atëhere ç’bën shteti e shoqëria këtu? Pika ty, do më thoshte miku im i mirë. Ku ka mendje shteti se ç’bëhet me rininë. Ata kanë mendjen kush të zhvatë më shumë. Dhe qejfi në Tiranë vazhdon. Jetë nate pafund, me klube, bare e pube të gjithfarllojshëm, me drita shumëngjyrëshe, me muzikë, me drita të zbehta, misteriozë, ku njihen mirë klientët e zakonshëm e ndonjë i rastit shihet me dyshim. Rinia nuk shkon më bibliotekave, nuk lexon libra se të gjitha i di nga YouTube dhe MySpace e Facebook. Edhe ata që priren të bëjnë jetë më aktive qytetare e të angazhohen me organizma të pavarur, ose komprometohen nga pushteti, ose shahen e përbuzen nga vetë qytetarët, tifozë të njërës palë apo tjetrës.

Shteti nxit vetëm hapjen e klubeve, lokaleve, bareve, kazinove dhe qendrave të llotarive. Askush nuk çan kokë për qendra sportive lagjesh e qytetesh, për biblioteka lagjesh a qytetesh të lidhura me internet, për pishina të hapura e të mbyllura, për klube lojrash të shëndetëshme si pingpong, shah e të tjera, për eskursione të organizuara e shëtitje turistike. E gjithë Tirana ka vetëm dy kinema, shkollat e mesme degjenerohen gjithnjë e më tepër nën presionin e jetës bjerrakote të gjithë vendit, televizionet kur mbarojnë skupet e ditës, rendin pas filmave me seks e jetës së qejfit dhe ndoshta nuk ka në botë hapësirë eterike të mbushur më shumë me sms e biseda gjepurash në celularë se sa hapësira shqiptare.

Pse vallë e mban më kot emrin e rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve? Ç’bën ajo për rininë? Apo që të kapardiset ministri e t’i duket vetja më i ri? Ç’bën qeveria, ç’bëjnë partitë me programet e tyre të mufatura me retorikë boshe më së shumti të përkthyera nga gjuhë të tjera? Dhe në fund të fundit ç’bën vetë rinia? Pse e lë veten ajo ta trajtojnë kështu? Pse nuk shkundet e të mendojë seriozisht për formimin e saj të shëndetshëm kulturor? Duhet ta kemi të gjithë të qartë një gjë: deri sa kjo rini të endet kuturu si një anije me timon të thyer e pa busull në një det qejfi, kotësie apo parazitizmi por që gjithsesi të mbyt si çdo det, asnjëherë e ardhmja e vendit nuk do të jetë e sigurtë. Pa rini nuk ka të ardhme.

(Botuar në gazeta Tema, 1 nëntor 2008)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home