Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, January 31, 2008

Nostalgjitë e shkuara që ngatërrojnë vizionet e së ardhmes

Një shkrim imi me titull “A janë vallë komunistët patriotët e vërtetë?” botuar në “Sot” dhe i postuar në Peshku pa Ujë, ngjalli një mori indinjatash se paskam prekur “patriotizmin” e merhumit Hoxha. Pakë nga ata që rrahën me inat tastjerat e kompjuterave e lexuan fund e krye shkrimin tim. Zëmërimi shpesh herë është ngjitës. Turma e anonimëve u turr me egërsi kundër Memisë duke e lidhur me shefa antikomunistë apo me gazetën “55” (siç thotë AR31 që “55” ju dukërka si “SS”), duke bërë përçartje me Dhoqinëra (si Idris) apo duke pretenduar se Hoxha ka mbrojtur kufijtë dhe u ka treguar vendin grekërve e titistëve jugosllavë. Ca e këshilluan atë të shkonte të hante një pjatë grosh. Ca të tjerë i thanë t’i fuste dhe një pilaf prapa. Ha,ha,ha! Shakaçka të qëmotshme shqiptare.

Një parantezë: (Është bërë i modës sot anonimati i internetit. Ka që e quajnë këtë si një fitore të madhe. Fitore e kujt dhe ndaj kujt? Ndaj vetes së tyre? Të polemizosh si anonim është njëlloj si të dyluftosh me një kundërshtar që prapa mureve të kështjellës, kur ai rri e të pret ty përpara mureve. Nejse, kjo është punë për anonimët. Do t’u rekomandoja atyre një këngë të fundit të Bred Pejzlit “Online”. Aty flitet për një tip që thotë: “I’m so much cooler online”. Ky tipi është i gjatë 5’ e 3” dhe nget një Hyndai të vjetër po në MySpace, ai është 6’ e 3” dhe nget një Mazerati, e vajzat çmenden pas tij e të tjera e të tjera. Lum si ju o anonimë që jeni “kull” online).

E pra, po të lexonin me durim shkrimin, këta zotërinj e të tjerë do të shihnin se aty nuk është fjala për ndonjë fushatë antikomuniste (e cila ç’është e vërteta nuk është bërë siç duhet në Shqipëri) por thjeshtë për një shkrim të z.Koço Danaj në Panorama, në 24 janar. Zoti Danaj u rekomandon shqiptarëve (sic!) të kundërshtojnë BE ashtu siç bëjnë nacionalistët serbë se kështu do të kemi më shumë përfitim. E gjithë kjo mbruhet me “patriotizmin” e këtij zotnie të agjitpropit komunist, i cili në fund të shkrimit brohoret: “Poshtë internacionalizmi! Rroftë Shqipëria!”

Shkrimi im rrekej të argumentonte se ata që mbeten në thelb komunistë, nuk mund të jenë patriotë të vërtetë. Ky është mendimi im, ashtu siç e kuptoj unë patriotizmin. Hidhen e thonë se Hoxha mbrojti kufijtë. Po kush diktator nuk i mbrojti ? Dhe ky qënkërka patriotizëm ? Po pse nuk mendojnë këta zëmërakët e Peshkut se kur vallë u prish Hoxha me jugosllavët ? U a them unë po të mos e dinë: u prish atëhere kur Titoja tradhëtoi Stalinin dhe Hoxha u detyrua të zgjedhë. Deri atëhere, ishim gati të bëheshim republikë e shtatë e Jugosllavisë dhe desh ndrruam edhe lekun me dinarin. A ka njeri me pesë para mend të mendojë se po ta kishim vendin e baba Stalinit në kufijtë tanë nuk do të qemë edhe ne brenda kufijve të atij që quhej Bashkimi i madh Sovjetik? Kina ishte në fund të botës dhe merhumi ynë kinezëroi të gjithë Shqipërinë duke i bërë gjimnastikë kolektive mëngjesi dhe një mori hyneresh të tjera. Për çfar “patriotizmi” bëhet fjalë se kishte ky Enver Hoxha që AR31 thotë se ai qënka Patriot (me P të madhe)?

Peshkaxhijtë e Peshkut thonë për mua se qënkam për në muze por paradoksi është se me këto mendime që kanë janë vetë ata ndërkaq në jetën e vërtetë muzeale dhe e gjithë jeta e tyre (në qoftë se rrojnë diku në Perëndim) është për të ardhur keq se s’ua paska shkulur dot nostalgjinë për një të shkuar që nuk ndahet dot si ato qershitë e përmjerrura të Nastardinit: kjo me shurrë e kjo pa shurrë, por duhet flakur toptan se është e gjitha e shurrosur e ca më shumë se kaq.

A janë patriotë ata “trimat” e Shesheljit në Serbi? A thotë dot dikush se nuk janë? Po ky është vallë patriotizmi, që duhet të ketë njeriu i sotëm? Që të justifikojë krimet e bëra në Kosovë për mbrojtjen gjoja të integritetit të Serbisë mëmë? Që të justifikojë dhunën ulëritëse, vrasjet e përdhunimet e eksodin e një populli të gjithë? Aaaa, do të hidhen anonimët: ata nuk janë patriotë. Patriotë jemi vetëm ne. Ata janë të tjera gjëra, me të tjera llagapëra: shovinistë, nacionalistë ekstremë etj. Është vendi këtu të përsëris edhe një herë një shprehje të aforistit të famshëm polak Vladislav Jirzhi Lec që më është dashur ta them shumë herë në shkrimet e mia: “Fytyra e armikut më tmerron më tepër kur shoh se sa e ngjashme është me timen.” A e dini se kush janë ata “trimat” e Shesheljit? Janë ish komunistët e dikurshëm serbë që koha dhe demokracia u hoqi nga dora “parajsën” komuniste që kishin ndërtuar për veten e tyre.

Patriotizmi sot është një koncept gjithsesi i dyshimtë. Sigurisht është gjë e mirë që njeriu të dojë shtëpinë e tij të lindjes, fshatin apo lagjen e tij, qytetin apo vendin ku rrojnë bashkëkombasit e tij. Po kur këto kthehen në një kult e paragjykim, atëhere koncepti i patriotizmit rrënohet e s’ka logjikë ta mbajë. A nuk ishin “patriotë“ ata francezët që hodhën baltë e përshtymë mbi Emil Zola kur ky shkroi të famshmen “J’acsuse”? A nuk ishin “patriotë“ skalionet e nacional-socialistëve gjermanë të Hitlerit që bënë holokaustin dhe i vunë flakën Evropës e botës? “Patriotët më të liq, thotë kleriku amerikan Uilliam Sloni Kofin, janë ata që më të shtrënjtë se e vërteta kanë mosdyshimin absolut, ata që me qëllim që të kursejnë veten nga vuajtja e mendimit, janë të gatshëm t’u shkaktojnë të tjerëve vuajtje të parrëfyeshme.”

A duhet të bërtasin kaq shumë për patriotizmin mbi një milion shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë? A nuk duhet që t’i duan ata edhe ato troje ku jetojnë e punojnë? A nuk del edhe atje i njëjti diell ditën dhe e njëjta hënë natën? A nuk duhet t’i duan edhe ata që bashkëjetojnë me ta, të zes a të bardhë, të verdhë a të kuq? A nuk u bëhet edhe atje e shtrënjtë një rrugë, një perëndim dielli, një kope zogjsh në fluturim e një pemë kur lulëzon ?

Dhe së fundi, a nuk janë pra bajate diskutimet e sotme mbi “patriotizmin” kur bota moderne hedh vizione të reja për të ardhmen? “Patriotizmi” është ai që ndez sot zjarret anembanë botës: kurdët në Turqi, Darfuri në Sudan, 9 milion e gjysmë refugjatët që janë pa strehë e atdhe në gjithë Afrikën, konfliktet në Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe në Azi. Në vizionin e një bote integruese, të ushqesh “patriotizmin” duhet të jesh alogjik apo të bësh ashtu si ai Baroni Mynhausen i përrallës që kur po mbytej në një moçal, u kap nga flokët e tij, i dha forcë vetes dhe doli nga moçali. Dhe një moçal i tillë do të bëhet çfardo mjedisi ku peshkojnë peshkaxhinj të tillë si ata që përmenda më sipër.


(Botuar në gazetën Sot, 1 shkurt 2008)

1 Comments:

Blogger Aristides Milakis said...

miku im pershendetje!

rastesisht zbulova bllogun tend.
me pelqeu koncepti yt ne lidhje me "patriotiken", dhe "globalen".

te lartesosh ne kohet e sotme, me mure etnik, realitetin shqiptar, eshte te pakten don-kishoteske; dhe teper e rrezikshme per shqiperine dhe shqiptaret.

shume interesante analiza jote. nje ze i urte, mes turmave sy-errura nga terri nacionalist, injoranca historike, dhe histeria shoviniste qe ka kaperthyer shqiptaret e sotem (turmat adoleshente, te udhehequra prej xhaxhallaresh te matufepsur).

sa per anonimatin, mendimi im eshte i ndryshem. anonimati, eshte ai qe siguron edhe debatin demokratik. eshte e drejta e cdo personi te shprehet nepermjet emrit te tij, apo anonimitetit. duke hequr "zinxhiret" qe te lidhin me shoqerine(ne masen qe mund te kryhet ky akt), ke edhe mundesine te shpalosesh idete e tua te verteta, te shprehesh "pa dorashka".

dhe dicka te fundit. duhet te promovosh me teper bllogun tend. fjalet e tua, jane teper te nevojshme per realitetin virtual shqiptar.

pershendetje!

12:02 AM  

Post a Comment

<< Home