Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, October 17, 2007

Mendimi eklektik

Zoti Kastriot Myftari është një penë e njohur në shtypin shqiptar të këtyre viteve të fundit dhe i pranishëm pothuajse përditë në gazetën Sot. Opinionet për të janë të ndryshme, për mirë e për keq. Është e natyrshme që ai të bëjë shumë armiq me hamendësimet, hipotezat, stilin e nganjëherë edhe sharjet e fyerjet. E them që në krye se autori i këtyre rradhëve nuk hyn në listën e armiqve të zotit Myftari. Ai e pëlqen shumë informacionin dhe erudicionin e këtij gazetari por kjo nuk e bën të jetë dakord me shumë nga fjalitë, pikpamjet e opinionet që ai shpreh në lumin e shkrimeve të veta. E mbi të gjitha, ai nuk është dakord me mënyrën e analizës që ai operon.

Ajo që më bëri të ulem e të shkruaj më konkretisht për të ishte shkrimi i tij në gazetën Sot të 17 tetorit, ku ai analizon, sulmon e denigron historianin e shquar, Prof. Kristo Frashëri. Nuk dua të merrem me të gjithë shkrimin po më bëri përshtypje një pasazh i tij: “Për mua, bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë në vende si Shqipëria, Jugosllavia apo Greqia, ku kishte lëvizje komuniste të fuqishme të kontrolluara nga Moska, që rrezikonin të merrnin pushtetin, janë të shfajësuar në krahasim me homologët e tyre në vende ku lëvizjet komuniste qenë të dobëta si Danimarka, Norvegjia, Holanda, Belgjika.” Mbase gaboj dhe nuk kam informacionin e duhur, por është hera e parë që shoh që dikush të marrë në mbrojtje bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë. Pra kolaboracionistët (term i njohur ndërkombëtar ky) në këto vende që përmend zoti Myftari, qënkan të shfajësuar. Pse? Sepse ata nuhasnin rrezikun komunist, na spjegon ai. Në listën e vendeve Danimarkë, Norvegji, Hollandë e Beligjikë, që zoti Myftari thotë se kishte lëvizje të dobëta komuniste, ai nuk ka futur Francën. Nuk e ka futur se ka harruar apo se ajo nuk hyn në vendet me lëvizje të dobët komuniste? Po të jetë kjo e fundit, pra që Franca kishte lëvizje të fuqishme komuniste (gjë që është e vërtetë), ai shfajëson pra edhe kolaboracionistët francezë.

A e di zoti Myftari se qeveria e Vishisë, nuk ndoqi, burgosi e vrau jo vetëm komunistët por edhe çifutët e frimasonët dhe zhvilloi një politikë të egër raciste? A e di ai se kur Franca u çlirua, mareshalli Peten, heroi legjendar i atij vendi u shpall tradhëtar dhe u dënua me vdekje por u fal nga de Goli dhe vdiq në burg? Po ashtu, a e di ai se gjatë luftës në Francë u ekzekutuan nga anëtarët e rezistencës franceze rreth 6,000 kolaboracionistë dhe pas luftës rreth 4,000 të tjerë? Këta qenë si rezultat i ndjenjës së vrullshme anti-tradhëtare të vetë francezëve se vetë qeveria e de Golit dha 1,500 dënime me vdekje për kolaboracionistët e Vishisë. Midis atyre që u pushkatuan qenë kryeministri Pierr Laval, shefi i milicisë Josef Damand e dhjetra të tjer, për të mos thënë se u pushkatuan edhe shkrimtarë që kishin dalë haptazi në mbrojtje të pushtuesit. Jo, zoti Myftari, antikomunizmi nuk mund të shërbejë si shfajësim e përligjie për bashkëpunim me atë që i ka marrë lirinë vendit. Janë ca të vërteta e ca kapituj morali që bota e qytetëruar ka kohë që i ka vendosur në panteonin e mënçurisë së saj.

Në këtë shkrim zoti Myftari bën një batërdi të padëgjuar. Për të përligjur ato që mendon për kolaboracionistët nuk e kursen as Çërçillin apo Britaninë e Madhe. Sipas tij, këtyre u interesonte të digjej e gjithë Evropa. Mendoj se ky arsyetim është shumë naiv e semplist. Nuk përjashtohet ajo që aleatët kundër boshtit nazist në Luftën e Dytë Botërore edhe pse qenë aleatë kishin interesat e strategjitë e tyre jo kurdoherë të nxjerra në shesh. Por strategjia kryesore qe lufta kundër kuçedrës hitleriane që rrezikonte të shkatërronte botën mbarë.

Komunizmi ishte gjithashtu një e keqe e madhe që pllakosi botën më së shumti pas luftës, por mos vallë duhen përligjur Frankoja, Salazari, Pinoçeti, juntat ushtarake sepse qenë antikomunistë? Mos duhen përligjur bëmat e tyre të pashëmbullta gjakatare? Mos duhen përligjur luftrat në Indokinë qoftë kur protagoniste ishte një kampione e demokracisë si SHBA, sepse qenë kundër përhapjes së rrezikut komunist? Bota demokratike sot nuk është e këtij mendimi. Dhe kur them bota demokratike, nuk nënkuptoj qarqe të caktuara brenda apo jashtë qeverive që janë të interesuara që bota të ketë kurdoherë konflikt e luftra, por ato mendje të kthjellta që kumbojnë me thjeshtësi e solemnitet në auditoret e Harvardit, Berklit, Oksfordit, Parisit e Berlinit dhe në mediat e përparuara anembanë botës.

Vetë historia shqiptare ka mjaft gjëra që duhen studiuar e sqaruar por jo nën frymën pasionante të politikës së kohës. Ato duhen qartësuar nga njerëz kompetentë dhe jo nga ata që bëjnë të gjithë historinë e botës me artikuj gazetash e as nga ata që hamendësimet e veta nuk i bazojnë kund. Në dijen njerëzore është i njohur eklektizmi si praktikë e zgjedhjes së doktrinave nga sisteme të ndryshme të mendimit pa përshtatur të tërë sistemin mëmë për secilën doktrinë. Këtë praktikë zoti Myftari e trajton paprerë e me shumë sukses në mjaft shkrime të tij. Ai ka borxh të thotë origjinën prej çifuti të aksh personazhi të sotëm të politkës pa na dhënë asgjë të saktë e konkrete të burimeve të tij. Ai na e sjell presidentin e Iranit, zotin Ahmedinexhad në Shqipëri (që edhe mund të ketë qenë, nuk e kundërshtoj) i cili na i dhuron këtij vendi edhe një pjellë njerëzore që zoti Myftari na e shquakërka pas kaq vitesh në krye të një OJQ-je. Hajde katund, hajde!

Në fund të shkrimit në fjalë, zoti Myftari i turret gazetarit Blendi Fevziu dhe i thotë se ç’mund të presësh prej tij si një ish tifoz i Dinamos (skuadra e ministrisë së brendëshme të Enver Hoxhës) që ju kundërvu “demagogut” Kristo Frashëri në emisionin e tij dhe të mos e linte të livadhiste lirisht. E para ta lidhësh qëndrimin e zotit Fevziu prej faktin që paska qenë tifoz i Dinamos me dyshimin se i qan zemra për kohën e Enverit dhe dashka të lejojë shtrëmbërimin e historisë, është njëlloj si të thuash se ai që ha kumbulla të kuqe, është me prirje komuniste. E dyta, qëndri i i zotit Fevziu është ai i një gazetari jo i atij që i di të gjitha. Pse çfar pret zoti Myftari? Mos pret që intervistuesi të ftojë të intervistuar dhe t’u rrëfejë atyre atë që duhet të thonë? Kjo është sa naive dhe qesharake. Sado i bukur e i gjetur qoftë, mendimi eklektik asnjëherë nuk të shpie larg. Ai është si iluzionet optike në shkretëtirë. Ti turresh pas tij të gjesh oazin e premtuar por gjen vetëm rërë.

(Botuar në gazetën Sot, 19 tetor 2007)

3 Comments:

Blogger xixa said...

Pasi zbulova rastësisht blogun tuaj, lexova me mjaft kënaqësi shkrimin në fjalë.
Veç një mendim vazhdon të më brejë ndërkohë që shkruaj këto rreshta: a ja vlen të merresh me një analist si Myftaraj?
Nuk është fjala për talentin e tij të vërtetë (ose të supozuar) si polemist - më tepër mendoj për motivet e tij¨të brendshme që e shtyjnë drejt polemikës. Një "anti-islamist" me mbiemrin Myftaraj që militon për ripagëzimin e Shqiptarëve në fenë e tyre të parë, një "anti-komunist" si ai që justifikon kolaboracionizmin pro-nazist.. këto cilësime ndoshta mjaftojnë për t'a lënë atë mënjanë, të ngopur në vetë-narcisizmin e tij aq babaxhan.
Me kënaqësi do të rikajoj në faqet tuaja.
G. Xexo (Xixa)
www.abanie-abanais.com

12:29 PM  
Blogger Qendra per Zhvillimin e Arsimit said...

miku im e ke marre me yrysh kete muhabet, pa kurrfare frenash dhe pa pare ne pasqyre (dmth. nga disa kendveshtrime).

1. Historine e shkruajne fitimtaret. Ajo po rishkruhet jo vetem ne Shqiperi por edhe ne gjithe europen lindore te kolonizuar nga Bashkimi Sovjetik. Pse? Shume thjesht, autoriteti qe e perligjte kete histori ra.
Historia kerkon nje autoritet qe ta shnderoj kete ne nje myth, dhe nese ai bie, mitet bien, sepse i mungon rituali. Mitet jane "grosse Erzaehlungen" (tregime) te cilat ritualizohen nga perseritja neper gazeta, televizor, libra dhe gojedhena, dikush i tregon, pra fitimtari. Fitimtari tregon mbi bemat dhe heroizmat e tij, por nese atij i mungon autoriteti (besueshmeria) tregimi nuk shnderrohet ne mit.

2. Ti nuk ben te qarte mbi cfare vleresash vleresohet nje patriot. a) Mbi dashurine e vendit? Edhe nacionalistet dhe ballistet e donin vendin, ishin pra patriot. b) duke luftuar per idealin qe e quanin komb? Nacionalistet luftuan per kombin. c) duke thurur plane dhe aleanca per hir te kombit. Kete gje ben ballistet, sic bejne sot Kosovaret dhe Sala me Amerikanet, per hir te kombit.

Kur ti sqarosh keto pyetje dhe te tjera qe do te vijojne nese kthen pergjigje, pra nese ke mesuar rregullat e qarkullimit, ateher mund ti japesh makines se diskutimit.

3:10 PM  
Anonymous Anonymous said...

Zoti Xixa! Ja fut kot mor djale?! Mesa duket do jesh ndonje katundar i malesise se Shqiperise se Mesme deri ne Kavaje,sepse i kishin qejf bythet tuaja osmanet. Po mor lale me gjithe ate Ylberin tone dentist mamaje.
Kastriot Myftaraj eshte Boss! Tung ne Elbasan

2:18 PM  

Post a Comment

<< Home