Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Saturday, February 17, 2007

Kur vallë do të mësojmë ndonjëherë?

Kushdo e sheh që gjithë politika shqiptare është mbërthyer me thonj e me dhëmbë e fytafyt duke sokëllitur e duke tundur armët lidhur me zgjedhjet e 18 shkurtit. Përsëri i njëjti film që është parë kaq e kaq herë në perden e grisur e të njollosur të kinemasë së laskarosur verore shqiptare: ndërkombëtarët që kërkojnë me ngulm zgjedhje të rregullta, pozita e opozita që nuk merren vesh kurrë, kandidatë që premtojnë parajsën dhe si për kapar shpërndajnë thasë me mjell e ndonjë para nën dorë, postera të mëdha që vihen ditën e grisen natën, lista të dyshimta e të pasakta, ligje që interpretohen në mënyra të ndryshme, akuza e kundërakuza, skandale pa fund, analistë e statisticienë kompetentë që si orakujt parashohin përfundimet. Dhe mënjanë këtyre të gjithëve, populli, ai i urti, pëshpëritësi, i hutuari e i ngatërruari, vulëmadhi e vulëhumburi, që kur u duhet i thonë sovran i gjithpushtetshëm, po kur ja hipin në shpinë ja bëjnë gjak ijet me mamuze dhe s’pyesin në se ai hunguron e hedh shkelma.

Normalisht zgjedhjet vendore, kur populli zgjedh pra njerëzit që janë në krye të drejtpërdrejtë të punëve e halleve, njerëzit e bashkive e komunave, pra që s’kanë të bëjnë as me politika të jashtme të mëdha, as me mbrojtje e strategjira mbarëkombëtare, as me buxhetin e shtetit, duhet të ishin më të thjeshta, më pa zhurmë e rrjedhimisht shumë më të qeta. Populli vallë i bën ato të tilla, të zhurmëshme, të egra, kacafytëse, shpërthyese me një gjasë të përherëshme dështimi? Nuk ta do mendja. Ç’interes ka populli ta bëjë këtë? Ai është tepër i përkorë në kërkesat e veta. Do vetëm ca mundësi më shumë, ca drita e ujë më shumë, ca korrupsion e hajdutëri më pak dhe t’ja lënë veshët rehat me tamtamet e politikës së madhe. Eshtë vetë politika që me planet e saj të ardhëshme, presidencën që vjen më pas, parlamentin tjetër akoma ca më pas e të tjera e të tjera, u hedh atyre barut e benzinë e i ndez kështu siç i ka ndezur.

Si nuk u pa një copë fushatë dinjitoze dhe e ndershme? Si nuk doli kush të thotë një fjalë të mirë për kundërshtarin e tij që deri dje mund ta ketë patur edhe shok e mik e të thoshte: Filani është burrë i aftë e i zoti po ai ka gabuar këtu e këtu dhe unë premtoj që këto gabime, po të më zgjidhni, të mos i bëj, po të rregulloj këtë e atë punë...Por jo, kundërshtari është armiku më i madh i botës deri sa të dy ata vijnë nga parti që janë armike për jetë a vdekje. Nuk guxon kush të dalë kandidat i pavarur. Sepse partia, qoftë blu e qoftë rozë, ja heq mbështetjen dhe e përjashton nga rradhët e saj. Dhe në të përjashtoftë partia, edhe avokati i madh Ngjela të jesh, nuk bën hajër e prokopi më kurrë. E pra, në të tilla zgjedhje, duhej të na bëhej qejfi në se kandidatë do të ishin individë pa përkatësi partiake, që njerëzit i njohin nga afër në komunat e bashkitë dhe u a kanë dalluar virtutet, aftësitë e energjitë. Por jo që jo. Partia është ajo që të ngre e të ul, të jep nder e lavdi apo të rropos e të bën zhul. Partishmëria është lebra më e zezë që Hoxha me komunizmin e tij i ngjiti këtij populli dhe nga e cila ai nuk po shërohet dot kurrë.

E me që i kemi qejf vendet e para, le të themi që jemi vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mësuar të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Kush e di sa para kanë harxhuar Evropa e Amerika e shkretë me të dërguarit e tyre, me kurse, leksione e institute, me bursa, forume, uorkshope e konferenca por më kot. Sepse ata të kurseve, leksioneve, bursave, forumeve, uorkshopeve e konferencave janë të njëjtët. Ndërrojnë vetëm markat e kostumeve dhe deodoranteve. Ata i dinë mirë si duhen bërë ato qerrata zgjedhje. Dhe qeshin nën buzë kur u a mësojnë për të disatën herë të të dërguarit e demokracisë. Dhe bëjnë të tyren dhe u a hedhin fajet popullit gjaknxehtë e sedërmadh.

Të gjithë mësuan të bëjnë zgjedhje ndër fqinjët tanë. Mali i Zi ndau një hall të madh që kishte për t’u shkëputur nga Serbia dhe e ndau paqësisht e thuajse pa zhurmë në referendumin e vjetshëm. Po ashtu, Serbia bëri zgjedhje që u quajtën të rregullta e të lira edhe pse ka një klimë politike tepër të acaruar e me probleme. Maqedonia dhe Bosnje dhe Herzegovina po ashtu. Që të mos flasim më tej për Bullgari e Rumani apo për Greqinë ku Demokracia e Re e propozoi vetë për president një socialist si Papulias. Vetëm kjo Shqipëria jonë qënka ndryshe. When will they ever learn (Kur do të mësojnë vallë ata ndonjëherë ?)

Po të shohësh historinë e 10-15 vjetëve të fundit në Shqipëri vë re se zgjedhjet kanë përbërë piketat e asaj udhe lakadredhëse e gaforreske apo karavidheske ku edhe në është bërë ndonjë hap përpara, është bërë për meritë të ndërkombëtarëve që kanë tundur me marifet shkopin e karrotën. Gjashtë muaj para se të bëhen zgjedhjet, qofshin ato të parlamentit apo lokale, i gjithë vendi mobilizohet në luftën zgjedhore. Qeveria nuk punon veçse për zgjedhjet, opozita po se po. Bëhen pra zgjedhjet. Duhet të kalojnë të paktën gjashtë muaj të tjerë që kacafytjet të shuhen disi, zhurma e pluhuri të bjerë dhe zërat e ngjirur të shërohen. Pastaj u vjen radha zgjedhjeve të tjera dhe gjashtë muaj më parë nis përsëri fushata jozyrtare. A nuk ndodhi kështu me këto zgjedhje të rradhës? A nuk ka filluar sherri e lufta për to të paktën që nga gushti i vitit të kaluar? Dhe këtë rradhë konflikti u ashpërsua aq shumë sa që ndërkombëtarët e shkretë e dinë se ç’hoqën me aman e derman për t’i afruar disi duke i zënë për veshi a për gravate politikanët tanë që të merren vesh me njeri tjetrin si ca derra turfullonjës e të inatosur. E pra, në tërë këtë situatë, apo ato të ngjashme me të këto vite, a mundet ndonjë qeveri të bëjë një farë pune për të qënë? E vetmja punë që bën ajo, është: si t’ja bëjë me zgjedhjet e rradhës. Që të mos flasim për ato punërat e tjera që s’dalin në mexhlis e që qeveritë shqiptare i dinë mirë.

Zgjedhjet presupozojnë zgjidhje. Nuk presupozojnë karburant për konflikte të tjera, ngecje, bllokime e bojkotime. Por a do të jenë zgjedhjet që kemi përpara zgjidhje ? Kur vallë do të mësojmë ndonjëherë t’i bëjmë ato siç duhet ? Kur do t’ja lusim e nuk do t’ja vjedhim e rrëmbejmë votën popullit? Ajo që na mbetet të bëjmë këtë rradhë, është të përpiqemi t’i bëjmë ato të rregullta, pa eksese e hundë e sy të skuqur si piperka. Le ta mbajmë mirë në mend: barinjtë tanë të demokracisë po lodhen e mërziten nga ne e do të na lënë udhëve e skërkave nga ku s’do ketë zot të na nxjerrë.

0 Comments:

Post a Comment

<< Home