Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Sunday, February 04, 2007

Mjegulla intelektualiste

Të krijohet përshtypja se të tërë shqiptarët në Shqipëri janë sot intelektualë. Dhe sigurisht edhe të gjithe të ikurit që andej. Këta të fundit bile ca më shumë, se kanë parë botën e madhe. Në kohën e diktaturës komuniste, të quheshe intelektual nuk ishte ndonjë gjë e veçantë dhe e lakmueshme. Dihej që intelektualët për partinë në pushtet ishin streha favorizuese e gabimeve ideologjike dhe e mbeturinave mikroborgjeze. Ata qenë kurdoherë të prirur të “gënjeheshin” të parët nga propaganda borgjezo-revizioniste. Qenë zgjyra në farkën ku farkëtohej çeliku i partisë. A guxonte vallë një copë mësues i thjeshtë fshati të thoshte në atë kohë: Unë jam intelektual? Kurrë. Edhe një inxhinier, e kishte më kollaj e më për mbarë të thoshte se ishte klasë punëtore se sa intelektual.

Ideologjia hoxhiste duke shtyrë urët e zjarrit të luftës së klasave, bënte anëtarë të byrosë politike e ministra mjelëse, karrocjerë, shoferë e saldatorë. Një shkollë injorante si ajo e partisë quhej si kryeshkolla e lartë e vendit para së cilës ulnin kokat me turp të diplomuarit universitarë e akademikët. Diktatura ishte ‘e kllasës’ punëtore, pushteti ishte ‘i kllasës’ punëtore dhe intelektualët qenë ca zuzarë që partia s’kishte ç’të bënte se i duheshin dhe ata, pa ndryshe dinte t’ua tregonte vendin. Intelektualët vinin menjëherë pas të deklasuarve, kulakëve, ‘armiqve’ të popullit, në hierarkinë klasore. E pra si i tillë, termi ‘intelektual’ ishte një emërtim që nuk ngjallte ambicje te njerëzit dhe edhe ata që vërtet e kishin, nuk e lakonin shumë atë që mos ngjallnin xanxat e vigjilentëve të partisë.

Kurse sot pra janë të gjithë intelektualë. Shqipëri intelektuale 100%. Ç’është intelektuali për shqiptarin? Një njeri që ka një copë shkollë të lartë. Dhe një copë shkollë të lartë, me të vërtetë apo me gjasme e gjen sot kushdo në Shqipëri. Bile edhe ata që nuk e kanë tamam atë copë shkollë, ndihen si të tillë sepse lexojnë gazetat, shikojnë TV-të dhe nuk e ndjejnë veten as më pak e as më shumë se ata që llomotisin tërë ditën në to. Edhe ata që janë pa shkollë të lartë kur shohin se dinë më shumë se ata që i kanë këto shkolla, u hipën ambicja e inati të quhen intelektualë. Kushdo mund të shkruajë sot në gazeta, të shajë apo të lavdërojë, të kundërshtojë apo të hedhë idera. Kushdo mund të marrë pjesë në publikimet e pafundme në Cyberspace, të shkruajë në gazetat virtuale, të diskutojë në forume apo të komentojë nëpër blogje. Të gjithë e dinë në se dhe ku duhet ndërtuar apo jo një TEC, duhet shtruar apo jo një tubacion nafte a gazi, duhet bërë ky apo ai plan perspektiv qyteti. Pa le kur është puna për çështje të artit, kulturës apo më tej të vokacionit patriotik të shqiptarit. Këtu intelektualët e sotëm shqiptarë të lënë pa mend. Ata dinë si do vejë fati jo vetëm i Evropës por edhe i botës bile edhe botrave të tjera të sistemeve përtejdiellore. Pra, të gjithë i dinë të gjitha dhe japin mend për të gjitha. Kur se di një gjë, e gugllos atë në Internet dhe u a thua menjëherë bashkëbiseduesve si një mënçuri e dije të rrallë.

Në fakt, kuptimi i vërtetë i të qënit intelektual është larg këtyre perceptimeve sempliste por është gjithashtu jashtë përmbajtjes dhe qëllimit të këtij shkrimi.

E keqja nuk është tek ajo se si e quan veten njeri apo tjetri, por te detyra që merr mbi vete njeri apo tjetri duke mos e vënë në dyshim se i takon ky emërtim. Se të qënurit intelektual presupozon të jetosh si i tillë, të prodhosh si i tillë dhe të kryesh ato detyra që të takojnë si i tillë në tërësinë e shoqërisë njerëzore. Në qoftë se në modë do të ishte ta zemë, fjala ‘fermer’ (se ‘fshatar’ nuk e fut kush në modë), për të qënë i tillë do të thoshte të dije të mbarështroje tokën, bimët, pemët e kafshët. E pra intelektuali mbarështron fushën e dijeve dhe ata që janë intelektualë të vërtetë i zgjerojnë e shtyjnë më tej këto dije.

Nuk është se Shqipëria nuk ka sot të tillë intelektualë të vërtetë. Por ata ende nuk po dalin nga ajo mjegull e amulli e anonimatit, masivitetit dhe mospërfilljes. Pothuajse të tredhur nga diktatura komuniste dhe duke mos e njohur pothuajse në asnjë rast institucionin dinjitoz e krenar të disidencës, intelektualët shqiptarë u mësuan të jenë zëulët e kokëulur. Nga që kishin në qafë shënjat e zgjedhës, ata hynë në zgjedha të reja të biznesmenëve të rinj dhe të partive politike. Komercializmi e tregu i lirë krijuan hierarki të reja vlerash dhe çorientuan të gjithë prodhimet e dijes në Shqipëri. Shumë intelektualë ndjenë se nuk mund të rrojnë dot pa zgjedhat e reja që solli demokracia. Vetë prodhimi intelektual ndonjëherë deformohet e kthehet në kitch apo pseudokrijim pasi me to mund të rrohet më kollaj e gjejnë treg më shpejt në botën e rrëmujshme shqiptare.

Biznesi politik ka thithur një mori intelektualësh të rreshtuar në skalionet partiake që tjerrin demagogjinë dhe konfliktin ndërpartiak e luftojnë për pushtet. Organizmat e ndryshme të shoqërisë civile me jetën e vakët e mundësirat e pakta të ekzistencës, në vend ta ngrinin lart, e moçalojnë mendimin intelektual. Intelektualët që përbëjnë bërthamat e këtyre organizmave nuk arrijnë të bëhen të besueshëm në masën e njerëzve. Shpesh herë kanë qenë mediat ato që nxjerrin në pah inteligjencën e një vendi. Duke u përpjekur të jenë vetë intelektualë të mirëfilltë, gazetarët mund të tërheqin në podiumin e gazetave të shkruara e audiovizuale mendimin e vërtetë intelektual shqiptar. Sepse jo të gjithë intelektualët preferojnë të shkruajnë e të shfaqen. Ka plot nga ta që të përkushtuar ndaj fushës së tyre s’duan t’ja dinë për shtyp e TV. Sigurisht, ata rrojnë më keq se plot sharlatanë të tjerë pseudointelektualë që njohin mirë zanatin e berihajit e të llafollogjive erudite. Ata nuk i njohin e i dinë as komshijtë e tyre dhe thonë: e mo, ai i shkreti që merret tërë ditën me libra e të shkruara. Por janë ata, ‘të shkretët’ që duhet t’u jepet vendi që meritojnë. Mendimi i tyre duhet bërë buka e lajmeve të përditëshme dhe jo bëmat politike e vetë politikanët që e ndjejnë veten madhështorë vetëm pse u kushtohet vëmendje.

E pra, kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Duke mënjanuar me takt e duke lënë në brazdën e tyre të hequrit për të tillë, ata, intelektualët e vërtetë duhet ta ngrenë patjetër veten në nivelin e nderuar që kjo kategori presupozon. Një shoqëri demokratike është e mangët pa zërin e vërtetë intelektual, pa zërin e diturisë e të krijimit në të gjitha fushat. Intelektualët duhet ta hedhin tej zgjedhën politike dhe ta kthejnë komercializmin që karakterizon tregun e lirë, me aq sa munden në favor të prodhimit të tyre krijues. Mendimi intelektual duhet të jetë bazamenti i të gjitha projekteve shqiptare, që nga ato politike e deri te ato konkrete, natyra, mjedisi, ndërtimet, zhvillimi, kultura, gjuha dhe marrëdhëniet shoqërore. E ardhmja ndërtohet me intelektualë të mirëfilltë dhe jo mjegull e amulli intelektualiste.

Botuar në Gazeta Sot, 4 shkurt 2007 dhe Metropol, 5 shkurt 2007

0 Comments:

Post a Comment

<< Home