Vallja hibride
Shqipëria në grupin e vendeve me regjim hibrid në indeksin e fundit të demokracisë të revistës së njohur angleze The Economist. Nga vendet e Evropës Juglindore ka prapa vetëm Bosnje dhe Herzegovinën (që dihet se çfar kongloshteti është) dhe Turqinë ku ende mund të futesh në burg po fyeve “turqizmën”. Greqia, fqinja jonë dhe “armiku” ynë i madh është në grupin prej 27 vendesh të vendeve demokratike të botës, duke lënë prapa Anglinë e Francën. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit janë në grupin e vendeve me demokraci me të meta. Pra kanë të meta po quhen vende demokratike. Ky paloshteti yni, i Shqipërisë, sipas sondazhit është asgjë më shumë se sa...shtet hibrid.
Gjithsesi ky lajm do të kalojë si gjithë të tjerët, pa ndonjë bujë të veçantë në “hibridin” shqiptar. Sa vende janë në sondazh, do thonë? Nja 165. OK, Shqipëria është në vendin e 83, pra në mes. E de, s’është dhe aq keq. Vetëm këtij që u quajtkërka “hibrid” si t’ja bëjmë? Por ne kemi një shprehje: e hamë turpin me bukë. Kjo është e lashtë, kur ushqimi identifikohej me bukën.
E pra, ky lajm do kalojë si pa u ndjerë sepse Shqipëria prodhon lajme pa fund. Ç’thonë të mëdhejtë e politikës? Pse erdhi në Shqipëri Selami? Si u prit në Kosovë si një “vigan liberator” ish diktatori zëkec Ramiz Alia? Ç’thotë Kadareja?
Vallë kështu do të vazhdojë ky vend? Ka 15 vjet në udhën demokratike dhe demokracia nuk duket gjëkundi. Vetëm hibridi na mbeti. Një ironi e shëmtuar e atij misrit që zgërdhihet dhëmbëverdhë e s’do t’ja dijë fare në vlen apo jo për gjë. Vazhdon vallja hibride shqiptare. E çuditëshme, e allasojshme. Na duhet kurdoherë të shpikim një ujk. Që t’ja hapim gojën me zorr e t’ja hedhim vallen mu në gojë. Hajde valle, hajde! Çuditet bota. Dhe po të dalë fjala vjen Amerika, apo
Ky difuzion i natyrshëm është ai që do ta bëjë Shqipërinë duke zhbërë vallen e saj hibride të amokut. Këtij difuzioni i trëmbej diktatura komuniste kur mbyllte deri në gjakderdhje kufijtë. Ky difuzion është fitorja më e madhe e pakthyeshme e Shqipërisë në këto 15 vjet. Ai do të sjellë rilindjen e dytë kulturore të Shqipërisë, do të pastrojë ndërgjegjet e vrara e të malcuara, do të shtojë trensparenten e të ndershmen në jetën shqiptare dhe do të rritë qytetërimin e një kombi vital që është ngrënë përjetësisht me veten e tij më shumë se me të huajt.
Për të arritur këtë na duhet të bëjmë ca gjëra të thjeshta: Të flasim më pak e të punojmë më shumë. Të shplajmë trutë nga mendësitë komuniste. Shteti nuk është as prifti, as mësuesi, as beu e bamirësi ynë; është vetëm partneri ynë për ndërtimin e një jetese më të mirë. Të mos bastionizohemi si gurë shahu në skalionet e politikës duke e parë të keqen vetëm e vetëm në kampin e kundërt. T’i detyrojmë politikanët të jenë më të ndershëm e transparentë. Të luftojmë për ligje të mira dhe t’u bindemi atyre më shumë se zotave e pejgamerëve. Të inkurajojmë futjen e sa më shumë forcave të reja në jetën qytetare e politike. Të mos thashethemizojmë e përgojojmë çdo aspekt të jetës shqiptare duke përhapur ndjenjën e pështirosjes e të mosbesimit. Të mos shpikim armiq e ujqër për vallen tonë e të mos kërkojmë fajtorë jashtë nesh për ato që s’na ecin. T’u hapim udhë më të zotërve e më të diturve dhe të marrim mbi supe aq sa ç’mund të mbajnë supet tona. Të jemi më pak egocentristë e më shumë modestë: qendra e gjithësisë gjithsesi është shumë e shumë larg secilit nga ne. Kulturë, kulturë dhe vetëm kulturë. Kështu do të mund ta futim vallen hibride shqiptare në vallen e shtruar të shumicës më të kulturuar të njerëzimit e botës.
(Botuar në Gazeta Sot, 26 nëntor 2006)
0 Comments:
Post a Comment
<< Home