Parabola që lodh intelektualët
Nuk ka asnjë respekt për jetën personale të njeriut në rropamat sokëllitëse të medias shqiptare. Gazetat turren si krokodilë sapo bie në ujë një pre e mundëshme.
Ka ditë që gazetat kanë hedhur në publik “asin” e rradhës: ka bërë apo nuk ka bërë krim Kadareja ndaj familjes së një djali që na paska dashur vajzën e tij; a është apo nuk është ky një krim i komunizmit? Kjo histori është pothuajse e njëkohëshme kur diku në Tepelenë, vrisnin veten dy të rinj të dashuruar sepse e shihnin të pashpresë dashurinë e tyre dhe se “shokët” e partisë u a bënë skëterrë jetën. Eshtë histori e njëkohëshme me raste shumë më makabre, arrestimesh, torturash, krimesh gjakatare të diktaturës që diheshin e nuk diheshin. Eshtë histori më e hershme se kur u pushkatuan poetët, u vranë e u tërhoqën
Por jo, ne e kemi mendjen atje, te konfrontimi i “burgjezit” Kadare me “proletaren” Janulla e cila i shkruan letër komisionit të çmimit Nobel qe të mos i japin çmimin shkrimtarit por nuk i shkruan Amnisti International apo gjykatave të mëdha të botës për të akuzuar gruan e diktatorit Nr.1 apo diktatorin Nr.2 që sot hiqet aq demokrat sikur ta kishte nxjerrë Platoni nga hundët. O zot ç’lemerira ndodhin në Shqipëri! Një analist na preket nga kujtimet e fëmijërisë dhe na akuzon krimin e madh të Kadaresë. Gazetat turren me vrap të kapin fqinjë të viktimave, ish policë, ish gjykatës, ish shtetarë që ata të rrëfejnë se si qe kjo apo ajo punë, si i tha, çfar bëri. Botohen edhe vjersha për atë dashuri të mbytur nga babai “burgjez”dhe botuesit rendin si zagarët pas gjahut t’i vënë në libra xhevahiret e pasionit të vrarë e të shkatërruar.
Një gjë harrohet në shpleksjen e kësaj historie: respekti për njeriun, për intimitetet e tij, për botën e tij që ai si qënie njerëzore nuk do e as nuk dëshëron ta ndajë me askënd e jo më me faqet e gazetave e ekranet e TV. Le ta lëmë mënjanë Kadarenë.Ai vetë është mësuar me gjëra të tilla, i janë ngritur kurthe, pusira, janë përpjekur ta demaskojnë, ta heqin qafe dhe herë pas here edhe e kanë mikluar, i kanë bërë qejfin dhe e kanë marrë me të mirë. Interesat kanë qenë të ndryshme e shpesh herë kontradiktore në mbajtjen apo mosmbajtjen e tij, në shpërfilljen, denigrimin apo ngritjen në piedestal. Pra le ta lëmë mënjanë “burgjezin”.
Ç’të drejtë kemi ne të ndërhyjmë në këtë mënyrë në jetën e saj? A nuk është e turpshme që për ta bërë më pikante historinë, lëshojmë e hedhim të papërmbajtur hollësira intime, të vërteta apo të rreme, mobilizojmë imagjinatën dhe lëshojmë pa fre fantazitë tona erotike? I jati i saj e ka marrë në sy të jetë njeri publik dhe i di mirë pasojat e të qënit i tillë.
Shoqëria shqiptare po pëson një polarizim të frikshëm, jo përsa i përket pasurisë por më keq akoma, përsa i përket mënyrës së të menduarit. Ç’vlerë ka që tirret kështu historia e së bijës së shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjithë kohrave, le ta zemë për një bujk në fshatrat e Gramshit, për një pensionist të Ersekës, për një bari fshati në Progonat, për një mësuese në Pukë apo një maturant në Prrenjas? Mos vallë ka të bëjë kjo histori me një pagë më të mirë, me ushqime më të shumta e më të sigurta në sofër, me një rrugë apo urë që ta afrojnë më shumë me botën e madhe, me një mendje apo përvojë që ta bënte më të kulturuar apo më të mençur? Asnjë nga këto. E ndërkohë, atje në metropolin elitar shqiptar tirren e tirren historitë e pavlera, në majë të kullave të larta, në kafenetë e hoteleve luksozë e në baret e restaurantet, në vilat buzë detit. Bah, ç’na gjeti kështu, psherëtijnë të lodhur korifejtë intelektualë: kujt t’i japim të drejtë në këtë parabolë që është më e thellë se sa gjeneza e botës, “burgjezit” apo “proletares”?
Botuar në Koha Jonë dhe Gazeta Sot, 25 tetor 2006
0 Comments:
Post a Comment
<< Home