Jam nga Toka, Ati im
Nga të gjithë popujt e botës, vetëm çifutët ndoshta u a kalojnë tradicionalisht shqiptarëve në ndjenjën e tyre të emigrimit. Në shekujt e 15-18, dhjetra e qindra mijra shqiptarë emigruan në jugun e Italisë e në Greqi e ca më pak përpjetë bregdetit dalmat. Në shekullin e 19 shqiptarët emigruan me dhjetra mijra më së shumti në disa nga vendet e Ballkanit (Rumani, Bullgari e Turqi) si dhe në Egjipt e deri në Rusi. Gjatë dhjetvjeçarëve të parë të shekullit 20, emigracioni shqiptar u drejtua për në SHBA, Argjentinë, Australi dhe Francë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në valën e parë midis 1892 dhe 1914 përfshihen 20-30 mijë shqiptarë. Duke lënë mënjanë të arratisurit nga regjimi i diktatorit Hoxha, emigracioni u ngri gjatë periudhës 1945-1989.
Dhjetvjeçari i fundit i shekullit të 20-të, shënon valën më të madhe migratore shqiptare të parë ndonjëherë gjatë historisë së këtij kombi. Kaq e ndrydhur ishte liria e lëvizjes nën diktaturën komuniste sa që ajo shpërtheu si një sustë e fuqishme dhe prodhoi disa nga pamjet më makabre të historisë së migrimit të shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Askush nuk ka për të harruar tejmbushjen e oborreve të ambasadave në Tiranë, pamjet e vaporëve të ndryshkur veshur në kuptimin e plotë të fjalës me trupat njerëzorë, stadiumet e Italisë shndrruar në kampe refugjatësh, të mbyturit e shumtë në dete e të ngrirët në malet e Greqisë veriperëndimore.
Qarkullojnë shifra të ndryshme lidhur me emigracionin shqiptar. Duke lënë mënjanë emigracionin e vjetër të shekujve 15-19 dhe të gjysmës së parë të shekullit 20, vetëm gjatë periudhës 1990-2005, përllogariten rreth 1 milion shqiptarë që kanë lënë trojet e vendlindjes dhe janë vendosur anembanë botës. Shifrat janë të ndryshme sipas burimeve e autorëve të ndryshëm por është e qartë se fluksi i emigracionit të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ka qenë pesë herë më i lartë se mesatarja e fluksit të migrimit në vendet në zhvillim. Sipas prof. Kosta Barjabës, në periudhën 1990-2003 emigruan rreth 45 përqind e profesorëve dhe studjuesve nga universitetet dhe institutet shqiptare dhe po kështu bënë 65 përqind e studjuesve që fituan grada doktorature në Perëndim në periudhën 1980-1990.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një censusi të vitit 2000 figurojnë rreth 114 mijë shqiptarë. Kjo shifër është tepër e vëgël po të shfletosh burime të tjera. Numri i shqiptarëve në SHBA sot ka gjasa të jetë midis 300 e 400 mijë.
Këto vitet e fundit shqiptarët kanë ikur me ligj e pa ligj, haptazi e si klandestinë, me pasaporta të rregullta apo me emra të rrejshëm. Me mijra e mijra kanë ikur me viza të rregullta duke u përfshirë në grupe pune, delegacione, ekipe sportive e kulturore. Mua vetë më ka rastisur të takoj jashtë Shqipërisë analfabetë që kanë ardhur me viza si për pjesëmarrje deri në konferenca shkencore. Dhjetra mijra kanë emigruar në SHBA e Kanada me programet e pranimit të të huajve nëpërmjet ‘green card’ dhe mijra të tjerë kanë qëndruar nëpër vende të ndryshme edhe pasi kanë mbaruar shkollat e larta. Eshtë i paimagjinueshëm numri i azilantëve politikë shqiptarë. Në Amerikë ka me mijra e mijra shqiptarë që kanë fituar qëndrimin e përhershëm duke u qarë se nuk ktheheshin dot në Shqipëri se i vrisnin apo i burgosnin të djathtët, pastaj se i vrisnin apo i burgosnin të majtët, janë hequr për kosovarë që kishin frikë të ktheheshin në vendlindje nga frika serbe apo deri homoseksualë apo të sekteve të ndryshme fetare me pretendimin se sojin e tyre e përbuzin dhe linçojnë në Shqipëri. Ç’nuk kanë bërë shqiptarët e gjorë për ca pakë dokumente që do t’iu ligjësonin qëndrimin!
Ky fluks i madh emigracioni ndikoi dhe ndikon në gjithë strukturimin e ri ekonomik e politik të Shqipërisë. Remitancat apo paratë që hyjnë në këtë vend nga emigracioni llogariten 15 deri 20 përqind rë GDP. Ato janë nga rreth 530 milion $ në vitin 2000 deri në rreth 780 milion $ në 2003.
Pse ikin shqiptarët nga vendi i tyre? Dihet që kurbeti ka qenë një karakteristikë e lashtë shqiptare. Por kurbeti ka qenë një zgjidhje e përkohëshme për një hall apo periudhë të rëndë ekonomike që pllakoste, për t’i ikur shërbimit ushtarak, gjakmarrjes etj. Zakonisht në kurbet shkonin burrat dhe familjet i linin atje ku qenë. Shumica iknin me mendjen për të bërë një pasuri të vogël e për të ardhur prapë në strehën e lindjes. Nga natyra, shqiptarët janë njerëz të hapësirave të gjera edhe pse natyra e historia tokën u a dha të pakët. Ata dinë që të vegjël shumë më tepër nga gjeografia e botës se sa adultë të tjerë në botë. Edhe me mungesa të shumta kulturore kur qëllon të jenë, ata dinë nga vendet e popujt e botës shumë më tepër se ç’dinë banorë të vendeve të ndryshme për vende larg tyre. Shqiptarët përshtaten shpejt me shoqëri të ndryshme, mbijetojnë e çajnë e ngrihen gjer në kulmet e këtyre shoqërive. Kjo vërtetohet që nga epoka e sundimit otoman kur një sërë syresh u bënë vezirë, pashallarë, komandantë e gjeneralë dhe deri dijetarë e teknicienë të perandorisë. Ata e duan atdheun e tyre, duan të dëgjojnë mirë për të e t’i shkojë mbroth zhvillimi, por ama duan më shumë të mirën e tyre dhe në mos u pengofshin nga formacione të tilla siç qe diktatura komuniste, ata tentojnë të shkojnë atje ku është më mirë e jetohet më mirë.
Strategjitë e emigrantëve të sotëm shqiptarë janë të ndryshme. Një pjesë rrahin të bëjnë emigracionin sezonal, shkojnë e vijnë dhe ata nuk zënë dot vend në vendet ku janë. Të tjerë mendojnë të mëkëmben e të bëjnë pakë prokopi për t’u kthyer e kaluar një pension të qetë në vendlindje.
Në evolucionin e një bote që lëviz drejt integrimit e globalizmit kjo prirje e shqiptarëve është e njëkahëshme. Shqiptarët e kanë atdheun e tyre de facto dhe de jure dhe nuk u ka marrë atë kush si çifutëve dhe as nuk duhen marëveshje e traktate për ta krijuar rishtas. Edhe Kosova, si pjesë e trojeve mbarëshqiptare do të marrë të drejtën e saj dhe nëpërmjet integrimit në Evropë e në botë do të bashkohet me Shqipërinë zyrtare më shpejt se nëpërmjet pasionit anakronik nacionalist panshqiptar. Dhe në një botë pa viza e kufizime lëvizjesh, shqiptarët do të përhapen edhe më nëpër botë, si njerëz mendjehapur, të aftë e të zotët që dinë ta ndërtojnë jetën atje ku mundësitë e liritë janë më të dobishme për ta.
Kur del së pari nga një fshat ku je lindur e rritur e has udhës njerëz që të pyesin se nga je, u thua: Jam nga aksh fshat, o njeri. Kur shkon më larg, e të pyesin prapë, u thua: Jam nga filan krahinë. Kur del jashtë vendit, në vendet fqinjë, e të pyesin përësri, u thua: Jam nga filan vend. Kur shkon përtej Evropës, u thua: Jam nga Evropa, miku im. Dhe në ndodhtë të të pyesin alienë të botrave të tjera, apo më mirë në ndodhtë të të pyesë Zoti vetë, ai i madhi e i përjetëshmi që fetë e ndryshme e quajnë me emër të ndryshëm, patjetër do t’i thuash: Jam nga Toka, Ati im!
Botuar në gazetën Tema, 30 shtator 2006
0 Comments:
Post a Comment
<< Home