Daullexhinjtë e patriotizmit
Shumë të këqia shqiptarëve historikisht u kanë ardhur nga brenda. Ata që i kanë bërë dëm më së shumti kanë dalë prej vetë atyre. Natyrisht ata nuk kanë bërtitur se veprojnë për interesa të ngushta të vetat apo të dikujt tjetër. Daullja e tyra ka qenë se i shërbejnë Shqipërisë dhe interesave të mbrojtjes kombëtare e të ardhmes së shqiptarëve. Kjo lojë demagogjike ka shekuj të tërë që vazhdon dhe natyrisht nuk është karakteristikë vetëm e shqiptarëve. Por gjithsesi, më e theksuar kjo dukuri është në popujt ku nuk spikat kultura, që gënjehen e sugjestionohen lehtë dhe i marrin rrahjegjokset e pseudoheronjve si kumbime të daulleve të kushtrimit për shpëtimin kombëtar.
Në fakt debati që ka në fokus çështjen kombëtare është më popullori e më i preferuari për kombin tonë. Ai bën të harrohen hallet e tjera të së përditëshmes. Me sa duket ne nuk rrojmë dot pa armiq bile edhe pa pseudoheroj që të na tregojnë se ku janë armiqtë. Enver Hoxha ishte një nga ata që në vend t’u jepte shqiptarëve bollëkun e premtuar, u vinte paprerë përpara koka armiqsh, të vendit e të jashtëm. Në kohën e tij, thonë që në poligonet ushtarake, ushtria dhe i gjithë populli ushtar merrte shenjë kundër tabelave që kishin mbi to fytyrat e Reganit, Brezhnjevit e Titos. A thua se ata e kishin fajin për mishin me tallon, ushqimet me racion e jetën me privacion.
Koha kur rrojmë, në kushtet e zhvillimit të globalizmit e të prirjes së vendeve më të vogla e më të pazhvilluara për t’u integruar në bashkime e organizma shtetesh të fuqishme, është koha kur bota bëhet gjithnjë e më tepër botë e të gjithëve dhe kur njerëzimi mëson gjithnjë e më tepër nga gabimet e veta dhe rreket të ndërtojë udhën e vet sa më pranë të ndershmes e së drejtës duke formuluar parimet demokratike që i shkojnë më së miri arsyes së qënies njerëzore mbi këtë planet. Në një kohë si kjo, gogoli i rrezikut kombëtar, britma nacionaliste dhe pseudoheronjtë që nuk rreshtin së gjeturi e treguari armiq, po humbasin gjithnjë e më tepër terren. Ky profesioni i lashtë i demagogëve të veshur me petkun e patriotizmit, po bjerret e shuhet përditë. Ata që vazhdojnë t’u bien këtyre daulleve janë në grahmat e fundit. Një i tillë është z. Kastriot Myftaraj i cili ka rrëmbyer flamurin e patriotizmit dhe u mëson shqiptarëve se ç’duhet të bëjnë në këto kohra “rreziku të madh”.
Shkrimi i fundit i z. Myftaraj në gazetën Sot, godet Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. A është i besueshëm ky zotni në ato që thotë? Nuk kam as kohë e as mundësi të verifikoj të gjitha thëniet e tij, por duke u nisur nga një pohim në një tjetër shkrim të tijin kohë më parë se I.Kadare mori pjesë në mitingun e organizuar nga komunistët në pushtet pas ndodhisë së ambasadave dhe foli atje kundër të ikurve, më duhet të them se ai nuk ja përton shumë të flasë kodra pas bregut. Eshtë një fakt historik se Kadare as foli e as mori pjesë në atë miting surrogato. Pretendimi për të kundërtën nuk e nderon një njeri që trajton tema intelektuale pafund në shkrimet e veta.
Përveç profesionit të patriotit e nacionalistit që z. Muftaraj e luan me kompetencë të plotë, ai merr edhe rolin e babait shpirtëror të kombit shqiptar, duke i rekomanduar atij që të përqafojë fenë protestante të krishterë (?!) Se pse duhet të bëjnë shqiptarët kështu, ai e di. Ky zotni na paska zbuluar se të parët e tij na qënkërkan detyruar të ndrrojnë fenë.
A thua kjo është udha për ta nxjerrë në dritë këtë vend e këtë popull? E dimë që shumë nga fqinjët tanë kanë patur synime shoviniste ndaj trojeve tona, e dimë që na kanë kafshuar e na kanë sakatuar mjaft herë duke përfituar nga konjukturat e ndryshme dhe interesat e fuqive të mëdha. E dimë që ka qarqe në Greqi e Serbi që ende sot, do të donin t’i shihnin në hell shqiptarët; serbët kanë gjakosur kosovarët e grekët çamët e jugun e Shqipërisë. E parë nga një tjetër këndvështrim, edhe ata janë patriotë për vendet e tyre. Mos vallë presim që të luftojnë për çështjen shqiptare? Një shkrimtar i mënçur polak, Jaroslav Lec ka një aforizëm të famshme: “Fytyra e armikut më tremb më tepër kur shoh se sa e ngjashme është me timen.” Faleminderit zotërinj daullexhinj, nuk është ky patriotizmi që na duhet.
(botuar në Koha Jonë, 10 korrik 2006)
1 Comments:
kot fare
Post a Comment
<< Home