Fenomeni Çelebi
Papërgjegjshmëria e implikimit të shqiptarëve nëpërmjet fjalës së shkruar a të shprehur, në politikë, ekonomi, kulturë, mbarëvajtjen e përditëshme të punëve dhe të gjitha gjërat e tjera që ka kjo botë, është e pakrahasueshme dhe e paimagjinueshme. Të ndrydhur, të shtypur e të privuar nga fjala e lirë për gati një gjysmë shekulli komunist dhe edhe më parë pa ndonjë traditë fjale të lirë, ata qenë të etur e të papërmbajtur për të shprehur haptazi mendimet, opinionet, pikpamjet e tyre edhe pse shpesh herë pa kurrfarë tolerance, plot paragjykime, mungesë kulture, megallomani e prepotencë. Deri kur do të vazhdojë kjo inerci e shëmtuar?
Një pjesë e këtyre “të eturve” për fjalë, fjalë e fjalë, shpesh herë llangosur me baltën e sharjeve, përçmimeve, urrejtjeve e talljeve të padenja për cilindo që i vë vetes detyrë që të shkruajë për të ndrequr e jo për të prishur punë në atë kokolepsje të madhe që përbën jetën e njerëzve, janë jashtë vendit dhe duke qenë të paaftë të ndërtojnë atje një personalitet të thjeshtë qytetar e të inkorporohen në jetët e atyre vendeve ku kanë kërkuar strehë, nuk i lë meraku për gërr-mërret e atij vendi ku u bënë këta që janë dhe ndjehen më të lirë për të ulëritur pa doganë vetëm... ulërima.
Vështroni me maturi e gjak të ftohtë forumet e shqiptarëve në Internet dhe do të më jepni të drejtë për sa thashë më sipër. Fshehur shpesh herë pas anonimatit, injoranca këlthet e ulërin sa të vjen të mos e vësh më në gjuhë gjuhën tënde por të shpikësh një tjetër kod të panjohur tingujsh për të komunikuar. Gazetat domosdo kanë një barrierë për llumrat e fjalëve e ndotjet e gjithfarllojëshme që prodhohen nga penat a kompjuterat e grafomanëve të papërgjeshëm që u kërcasin fjalët si ato qeset e letrës kur i mbush me frymë e i plas pas murit. Ato në përgjithësi nuk mund të botojnë çfardo që t’i teket njerit apo tjetrit, shfryrje inatesh e mëri personale. Por ja që edhe gazetat na kanë forumet e tyre. Në njërin nga këto forume, në një nga gazetat e njohura, më i shquari nga të gjithë është një farë Mevla Çelebi që
Mevla Çelebi është i preferuari i forumit të kësaj gazete. Me siguri ata që ruajnë normat e etikës në këtë gazetë, e dinë kush është ai, por me sa duket u intereson tërbimi e çmenduria e këtij zëri fare të çakërdisur (apo edhe të kurdisur) që shan gjithë botën e gjithë njerëzimin vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe Sali Berishën. Nganjëherë kam menduar se mos është një truk i lashtë fabrikimi i këtyre Çelebive, Nastradinëve apo kallam-kusurëve të tjerë për të dhënë ashtu si pa u ndjerë, opinionin e sovranit të madh, popullit. Pra të thuhet: shkruani më kot ju analistë, opinionistë, gazetarë gjithfarsoj po mos harroni se ja cili është mendimi i njeriut të thjeshtë që shprehet lirshëm në forumet e gazetave. Mund të jetë edhe kështu, ku i dihet. Fabrikimi i opinioneve është po aq i lashtë sa vetë politika.
Evlija Çelebiu i vërtetë, udhëtari e historiani turk i shekullit të 17-të ishte nga njerëzit më të bredhur e më të kulturuar të kohës së vet. Si kronikan i Portës së Lartë, ai ka përshkruar lavdinë e pushtimeve perandorake otomane por ka gjithashtu faqe të shkëlqyera për qytetet shqiptare të asaj kohe, Shkodrën, Elbasanin, Tiranën, Beratin e Vlorën. Atij do t’i dridheshin eshtrat në varr po të dëgjonte a të shihte se si shkruan ky hajduti i emrit të tij, pesqind vjet më pas. Kane ardhur kohe te veshtira, thotë ai, per anadollake te tipit te Qoses qe ndonese mund te vishen me frak, ne thelb tymojne si mejhanet e shekullit te 17- te. Vallë është guxim, trimëri a mënçuri të shprehesh kështu për një nga penat e mendjet më të mprehta të kulturës shqiptare? A nuk ngjan ky njeri që fshihet pas emrit të Çelebiut si një i fantaksur që shkreh në hava pisqollën e tij tymosëse ndërsa ka mbuluar kokën me jorgan? A u ka ndodhur të shihni ndonjëherë rrugëve ndonjë qen që rri te pragu i portës e i leh gjithkujt që shkon? Vetëm leh, se nuk ja mban t’i turret kujt. Bile kur ndal hapat e i kthehesh, ai fap, futet pas portës. Ja, një soj i tillë është ky Çelebiu ynë modern, që i bën thirrje kryeministrit të dëgjojë këshillat e tij. Zot na ruaj, ç’qënie të përçudëshme ka bota!
Duhet shumë mund e përpjekje për ta pastruar lëmin e kulturës dhe jetës shqiptare nga fenomeni Çelebi. Njerëz të tillë mbjellin vetëm farën e përçarjes e të urrejtjes. dhe i bëjnë punët më keq se ç’janë. Arsyetimi i tyre është sharja, logjika e tyre është alogjika, fjala e tyre është lehja. Çdokush ka të drejtë dhe është i lirë të shprehë mendimin e tij të lirë po pse u dashka të fyejë, ofendojë e kafshojë me tërbim e përjargie? A nuk ka ky njeri apo njerëz si ky, aq njerëzillëk e shkollë sa të bëjë debat me argumente me ata që s’është dakord? Pastaj, a nuk ka punë tjetër ky njeri? Nuk ka familje, fëmijë ndaj të cilëve të ketë detyrime?
(postuar në Peshku pa ujë, 28 qershor 2006)
0 Comments:
Post a Comment
<< Home