Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, May 29, 2006

Brezi i humbur

Këtë emër, që thuhet se e përdori së pari poetesha amerikane Gertrud Shtajn për të karakterizuar një grup shkrimtarësh të rinj të shquar amerikanë që të pakënaqur me vendin e tyre erdhën në Evropë e kryesisht në Paris në çerekun e parë të shekullit të 20-të, e mori më pas i gjithë ai brez i të rinjve të dalë të zhgënjyer nga Lufta e Parë e botës. Jeta e këtij brezi, ngërthyer në morinë e dallgëzuar të ngjarjeve të botës që e shpinin atë drejt Luftës së Dytë, është përshkruar në një sërë veprash të mrekullueshme si “Trilogjia e SHBA” e Xhon Dos Pasos, “Lamtumirë armë“ e Ernest Heminguej, “Tre shokët” e Erih Maria Remark, “Getsbi i madh” i Skot Fitxherald e mjaft të tjerë.

Breza të humbur ka patur mjaft në gjithë shtrirjen e historisë njerëzore. Por shpesh herë kam menduar se nuk ka pasur kurrë brez më të humbur se ai i të rinjve shqiptarë të sapodalë nga Lufta e Dytë e botës dhe që në një pjesë të madhe përqafuan me vrull e entusiazëm komunizmin duke e menduar atë si shërim e ilaç për botën e sëmurë. Eshtë brezi i atyre që tani janë mbi 70 vjeçarë, me një pjesë të madhe prejt tyre që u janë shtuar me kohë të shumtëve të kësaj bote.

Ky brez jetoi një rini të shkurtër e të vrullshme, mbushur nga ëndrra për një jetë e një botë tjetër ku të triumfonte barazia dhe vëllazërimi mes njerëzve. Pastaj erdhi për ta një periudhë e burrërimit të plotë kur zunë të shburrërohen sepse panë që gjërat nuk qenë ashtu siç i kishin menduar dhe e ndjenë se nuk mund t’i thoshin ato me plot gojën. Ata që guxuan të vënë në dukje të meta e gabime të udhëheqjes së pagabueshme të partisë, u shpallën armiq e u kalbën burgjeve e moçalishteve të internimeve. Njohja dhe pranimi në vetvete i së vërtetës ishte një proces i gjatë dhe mundues e tepër individual. Pati nga ta që shkuan drejt vdekjes me emrin e udhëheqësit të madh në gojë, duke mos e kuptuar deri në fund se ai ishte një monstër nga monstrat më të rrezikshme të botës, që ja shtrëngonte popullit litarin në qafë duke thirrur: Rroftë populli. Të tjerë, u mbyllën në vetevete, sepse dhe muret kishin veshë, dhe jepnin e merrnin në veten e tyre se pse jeta u mori këtë udhë. Të tjerë, më pragmatistë, e kuptuan se kjo punë, megjithë petkun e ri ishte po aq e lashtë sa historitë e neandertalit, kur duhet t’i hanje kokën tjetrit apo të ta hante ai ty, për një shpellë, për një zjarr, për një pre. Ata ju qepën me thonj e me dhëmbë baobabit të madh të pushtetit duke u kacavjerë trungut e degëve të tij. Të tjerë akoma, që e kishin ditur që në krye nga monstra e Rusisë se ç’fshihej pas parullave komuniste, qenë të deklasuarit, biografiliqtë, që u përpoqën të mbijetojnë, kush duke fshirë nga llagapet emrat e të parëve, kush duke ulur kokë e duke ndërtuar profile të ulta e të parëna në sy. Sigurisht jeta e këtyre të fundit ishte që në krye një skëterrë e vërtetë, me gijotinën e diktaturës që u rrinte e ngrehur mbi krye. Ndërsa ata të tjerët që u kalbën burgjeve e moçaleve komuniste meritojnë më vete mijra e mijra shkrime më vete.

Por jeta si proces biologjik e njëherazi shoqëror, bënte të vetën. Kishte dashuri, ndjenja njerëzore, martesa, lindje fëmijësh, familje. Kishte kënaqësi të vogla e të thjeshta njerëzore, dielli agonte e ngrysej, dita gdhihej e errej, yjet në qiell qenë mahnitës, dallgët e detit puthnin lehtazi bregun sikur s’kishin të bënin me atë jetë, zogjtë këndonin e lulet erëmira çelnin. Të gjitha këto plekseshin me orët e mundimshme të ditëve e netëve, me mundimin e mbijetesës, shtirjen, provokimin, burokracinë, luftën e klasave, bukën me racion, mishin me tallon, zborret, bunkerët që mbushnin fushat e malet, punën që shpesh s’dihej pse bëhej, bashkimin e tokave, bashkimin e kafshëve, bashkimin e njerëzve, paradat pompoze, gjestet trimërore të udhëheqësve ndaj të mëdhejve të botës, ndreqjet e prishjet në Evropë e Azi, festat e koncertet lum-si-ne që hapeshin me Parti-Enver, librat me shumë socializëm e aspak realizëm, pikturat e shtatoret proletare muskuloze. Të gjitha këto kultivuan dyfytyrësinë, njeriun siç ishte dhe njeriun siç hiqej. Njeriu u rrënua dhe u zhbë nga hipokrizitë, nënështrimi, imoraliteti, spiunimi e skamja.

Dhe erdhi një kohë kur të gjitha ëndërrat qenë vërtetuar për të gënjeshtërta. Një pjesë u mbytën nga dëshpërimi për rininë e humbur më kot. Ajo ishte larg tanimë, sa yjet larg, e zhgënjyer dhe e shpërdoruar. Po të kishin patur mundësi ta rronin edhe një herë atë, ashtu të çartur e trima siç qenë një kohë ndaj pushtuesve të vendit, ata do të qenë ngritur tashmë ndaj ëndrramashtruesve kriminalë por jo, ishte tepër von, këmbët u dridheshin, fryma u mbahej, kishin familje, fëmijë. Dhe mbylleshin në vetevete, ndonse detyroheshin të diskutonin në organizata e fronte e të hidhnin votat pro në kutitë e votimit. Fara e dreqit qe mbjellë.Të tjerë e të tjerë dilnin pas tyre, në krye edhe ata me besimin te ëndrra e gënjeshtërt por që pastaj e kuptonin shpejt se jetohej më mirë e nderoheshe më shumë sa më lart të ishte në trungun e degët e baobabit të pushtetit. Dilnin edhe të atillë që s’u gjente shpirti rehat pa e thënë fjalën e pa e drejtuar gishtin, por ata shuheshin shpejt burgjeve e internimeve apo bëheshin pre e aksidenteve të stisura ashtu siç kishte ndodhur me shokë të tyre gjatë luftës që morën plumbin pas shpine kur armikun e kishin përpara.

Dhe vjen agonia komuniste në fund të viteve ’90. Ramiz Alia pati shansin që nga 1985 t’i kthente gjithë këtij brezi të humbur, komunistë të bindur, komunistë të zhgënjyer e antikomunistë, një jetë më të mirë për atë pjesë jete që u kishte mbetur, t’i jepte fund mashtrimit të mëtejshëm shnjerëzor dhe ta kthente drejt brigjeve të sigurta kaiken e lodhur e të shpartalluar shqiptare. Por ai nuk e bëri këtë deri në fund. Të mënçur aq sa ta kuptonin dështimin, ai dhe ata që kishte rreth vetes menduan vetëm për klanin e tyre, vazhduan përsëri lojën demagogjike duke u hequr njerëzorë, duke pranuar ndonjë gabim të vogël, të vockël fare dhe duke pretenduar heroizmat e bëmat e tyre të mëdha. Asnjë fjalë për të vrarët e të shtypurit pa gjyq vetëm pse mendonin ndryshe, asnjë fjalë për ëndrrat e shpresat e vrara, gëzimin e plagosur njerëzor, vjedhjen e pronës, mashtrimin e madh të imponuar, asnjë fjalë për handakosjen gjysmëshekullore. Kasketat e vjetra, mbetën të hutuar nga ai shpërthim i papritur energjish. Të plakur tashmë, të rrënuar e vulnerabël, të ndjeshëm ndaj fatit të fëmijëve e nipërve, një pjesë e tyre u trembën nga kaosi e dhuna, nga arroganca e dëmtimi i asaj prone të gjithkujt e të askujt, ku qe mishëruar mundi e djersa e tyre në vite. Pjesa më e madhe mbetën të grupuar pas PS, e cila e mbushur më së shumti me individë që vinin nga degët e larta të baobabit të pushtetit të mëparshëm, edhe pse pranoi ndryshimet, nuk u shkëput asnjëherë qartazi nga rrënja e saj e herëshme komuniste. Një pjesë e vogël e kasketave të vjetra të pakënaqura që më parë, si dhe biografiliqtë që kishin rrojtur në hije, u bashkuan me PD ku edhe këtu pati gjithnjë e më pak ish dhjetoristë e gjithnjë e më shumë ish nomeklaturistë.

Erdhëm ku jemi sot. Njerëzit e këtij brezi i sheh tek shkojnë udhëve, në qytetet e fshatrat. Plaka e pleq. Me kostume apo rrobe të thjeshta. me veglat jetësore që po i lënë një nga një. Të brengosur nga jeta. Një pjesë e tyre mezi vërtiten me ato pensione qesharake, të tjerë kanë merakun e fëmijëve që kanë mërguar në botë. Shumë shokë e shoqe të tyre kanë vdekur e janë harruar. Ata shohin e dëgjojnë ç’bëhet, bëjnë krahasime me të shkuarën, bëjnë llogari, kjo ishte më mirë, kjo nuk ishte, shpirti s’u gjen rehat. Më intelektualët rrahin të shkruajnë kujtime, të tregojnë brengat e tyre. Të gjitha më kot. Të rinjtë nuk i dëgjojnë. As fëmijët e as fëmijët e fëmijëve. Mendja e tyre që u zbraz nga demagogjia komuniste, nuk mbushet dot tani, ashtu si ajo shishja që s’mbushet dot e zhytur në ujë sepse nuk e lë ajri i boshllëkut brenda saj.

E pra, a nuk është ky brezi më i humbur i botës? A është faji i tyre që u vunë të tjerrin jetën në ingranazhet e demagogjisë kriminale komuniste? Eshtë dhe nuk është. Në një farë mënyre edhe ata ndikuan të merren jetë të pafajshme njerëzish të tjerë, të mbaheshin burgje e të vidheshin prona. Por edhe ata vetë humbën pronën e tyre sado të vogël, jetuan frikën, dyzimin, shpërfytyrimin dhe mbajtën në zemër një peshë të rëndë. Pjesa më e madhe e këtij brezi nxiu jetën e vet duke nxirë edhe jetën e atyre që s’mendonin si ta. Por e parë ndryshe, dijeni ama se janë ata burra e gra të moshuar që siguruan vazhdimësinë e jetës në atë copë vend. Njerëzit e rinj, mendësitë e reja shqiptare që përpiqen të ecin sot përkrah botës moderne, lindën e ushqyen në strehët e tyre, nuk janë prodhim vetëm i pakënaqësisë së burgjeve e internimeve. Jeta e tyre u mësoi pasardhësve të jetuarit ndryshe dhe ata u përpoqën të përçonin tek ata që vinin, vetitë e frymën e tyre më të mirë. Duke lënë mënjanë ata që sado pleq e buzë varrit duhet t’u thuhet e vërteta e krimeve apo tmerreve që kanë bërë drejtpërsëdrejti, a nuk meritojnë ata të tjerët pak më tepër respekt e kujdes në këto vite të fundit të jetës? Mbi të gjitha, a nuk meritojnë pak më shumë ata që u shkoi rinia burgjeve e internimeve, që u ndanë për së gjalli me të afërmit e të dashurit? A nuk meritojnë të bëhet pak më shumë për ta qoftë nga njëra e qoftë nga tjetra parti në pushtet? A nuk meritojnë të dëgjojnë më pak zhurmë e grindje politike, shthurje, kaos e korrupsion? Duke parë përparimin, një sërë do ta kuptonin më kollaj se sa të gënjyer paskëshin qenë. Dhe ata, të vuajturit e vërtetë, të heshtur shpesh herë e të menduar siç janë, do të kishin ca ditë të bardha para se të iknin një herë e përgjithmonë. Ky ishte fati i këtij brezi në këtë botë. Le të përpiqemi t’u japim sado pak dritë ditëve të tyre të fundit, që të mos ikin nga jeta me mendimin më të trishtuar të jetës se jeta gjithsesi qënka e pavlerë.

(Botuar në Koha Jonë, 28 maj 2006)

2 Comments:

Anonymous Anonymous said...

shkrim kot

11:09 AM  
Anonymous Anonymous said...

brilante do thoja keta jane me te vertete super shkrimtare

12:38 PM  

Post a Comment

<< Home