Politikanë lapërdharë
Mes rrëmujës së shtypit shqiptar, i cili është një pasqyrim shpesh herë modest i rrëmujës së jetës politike të vendit, merret vesh se në memorien e celularit të një delinkuenti të arrestuar së fundmi, qënkëshin numrat e telefonave të aq e kaq ministrave, deputetëve, shefave të policisë dhe pushtetarëve të tjerë. Sigurisht ky ish kuzhinier nuk i mbante për koleksion këto numra. Me siguri edhe i përdorte ndonjëherë kur i duheshin. Dhe ato numra nuk i kishte vjedhur apo marrë vesh me agjentë të fshehtë. Të jeni të sigurtë se ja kishin dhënë vetë të zotët e telefonave të atyre numrave. Shikoni se ç’lidhje e pabesueshme dhe e turpshme: një kuzhinier, që ngre një copë lokal me kashtë, pastaj e bën të bukur e me mure dhe pastaj e bën një hotel me ca kate atje buzë detit, jep e merr me telefona me politikanët që qeverisin vendin. Këto numra telefoni nuk janë në celularin e... ta zemë të Timo Fllokos, apo të Inva Mulës, apo të Kujtim Çashkut, apo Ibrahim Madhit, apo të të ndjerit Vath Koreshi e të shumë artistëve e intelektualëve të tjerë. Jo. Janë në një celular kopuku e zuzari nga një bandë kopukësh e zuzarësh që hynë në politikë e u zuri luga thela.
Vras mendjen se ç’bisedohej në këto telefona. Me siguri fillesat kanë qenë ca qejfe e kënaqësi fare të thjeshta që lidhen me të ngrënët e të pirët. Peshku i bërë ashtu e kështu, karkalecat, kallamarët, aragostat... (Pa, pa sa mirë i bën shejtani! Pa le që mban dhe një verë të mirë. Ku e gjen, xhanëm?). Dhe me që politikanët janë një çikë si majmunët, nami hapej shpejt. Ku ta kalojmë fundditën apo fundjavën? O burra, te kashta, pushtetarë e opozitarë, të rinj e të vjetër, katundarë e qytetarë! Me grupe, nga dy a nga tre, pa familjet. Familjet e gjora thonë: Pu, pu mbeti në punë i ziu burrë, i ziu baba! Dhe nuk e kanë gabim. Fundja dhe atje punë bëhet. Mos kujtoni se flitet për shkollat e Rrëshenit apo Skraparit, apo për spitalet e Hasit apo Kurveleshit, apo për rrugët e urat e Dibrës apo të Kolonjës?
Por me kohë, kënaqësitë e thjeshta të të ngrënit plotësohen nga kënaqësi të tjera, kodoshllëqe, plane biznesesh, zarfa nën dorë kundrejt premtime firmash e ndërhyrjesh për ndonjë gjë të vogël, të vockël fare që s’i prish punë njeriu, si për një copë tokë, një leje ndërtimi hoteli, një tender të vogël, a ndonjë gjë tjetër. Me që ra fjala, le të kërkojnë për pasaportën e ish kuzhinierit dhe le të varem te sahati i Tiranës po s’ja gjetën që e ka diplomatike. Se i takon de.
Sigurisht që politikanët janë njerëz me mish e me kocka, e duan edhe qejfin e kënaqësinë edhe komoditetin e jetës, i duan edhe shtëpitë të mira e moderne (bile edhe ndonjë tjetër në mal a buzë detit) edhe gratë ashtu siç janë nëpër filma edhe fëmijët me shkolla të mira jashtë vendit, edhe makinat që të mos i ndjejnë rrugët e këqia nga paratë e të cilave kanë dalë ato makina. As që mund të mendohej të kishte Shqipëria ca politikanë asketë që t’i hante meraku natë e ditë se s’i ndreqnin punët e këtij qerrata vendi. Por edhe të ketë politikanë që të lidhen me fundërrinat e shoqërisë, me xhambazë, kriminelë ordinerë, trafikantë droge e prostitutash, edhe këtë ky vend nuk e meriton. Nuk janë të gjithë të tillë, do të thotë dikush. Ashtu është po vini re se ç’ndodh. Me veprimet a mosveprimet e tyre, këta njerëz kanë bërë që të futen në një thes i miri e i ligu, i ndershmi e i pandershmi, esnafi e lapërdhari. Sepse populli nuk di ku ta vëjë gishtin më parë. Eshtë detyrë e politikanëve të ndershëm të ndahen nga të pandershmit. Duke i vënë këta para opinionit publik, para podiumeve qeveritare, para drejtësisë.
Shikoni se ç’bëhet në botë: Në SHBA vetëm në dy vjetët e fundit janë mbi dhjetë personalitete të larta shtetërore, senatorë, kongresmenë, guvernatorë, të federatës apo shteteve që janë dënuar për afera korruptive. Në Rumani po hetohen një sërë pushtetarësh të lartë, përfshirë ish kryeministrin e vendit. Pak vjet më parë në Francë shkoi në burg ish kryetari i gjykatës kushtetuese. Në Gjermani për një aferë korruptive (bile jo personale por në dobi të partisë) nuk u kursye Kohl, heroi i bashkimit të Gjermanisë. Raste të tjera të shumta mund të përmenden. Pra edhe kur ka korrupsion (sepse nuk ka vend pa të tillë), në vendet që vërtet duan ta ndreqin këtë të keqe, korrupsioni goditet. Në Shqipëri nuk ndodh kështu, por ndodh si në Zambie, Ganë, Nigeri apo Guinenë-Bisau ku korrupsioni bën kërdinë dhe pushtetarët bëjnë sikur e luftojnë atë. Për sa kohë që në politikën shqiptare të vazhdojë loja e cicmicit, vidh vetë e thirrë bashkë me ata që s’kanë vjedhur, kapeni hajdutin, të gjithë politikanët do të kenë vulën e lapërdharit dhe kjo nuk është në të mirë të vendit.
(Botuar në Koha jonë, 6 maj 2006)
0 Comments:
Post a Comment
<< Home