Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Bregoviç dhe mendësitë tona arkaike

Koncertet e Bregoviçit në Tiranë veç kënaqësisë e gëzimit që u dhanë një pjesë të muzikëdashësve shqiptarë ngjallën një reagim të çuditshëm te një pjesë tjetër, kryesisht me zanafillë nga Kosova. Duam s’duam ne shqiptarët, Goran Bregoviç është një muzikant që ka bërë emër në botë me motivet e tij ballkanase. Ai nuk është ndonjë armik i betuar i popullit shqiptar se ndryshe edhe sikur ta ftonim ne, nuk do të shkelte në Tiranë. Përkundrazi, organizatorët thoshin se ai u emocionua nga ftesa dhe e priti me gëzim të madh ardhjen në Tiranë. Sigurisht, ai nuk është shqiptar, është kroat e serb dhe s’duhet të prisnim të vinte në Tiranë me një flamur të madh ku të shkruhej: Pavarësi Kosovës! Ai erdhi thjeshtë me këngët e tij dhe të grupit që e shoqëronte, si një profesionist i shkëlqyer dhe jo si politikan apo përfaqësues i serbëve apo kroatëve. Pse atëhere u dashka të nxirrnim për të defterët e vjetër se si nuk e dashkan në Sarajevë apo në Prishtinë, se si na paska vjedhur ca motive, se si paska lidhje të mira me Beogradin dhe paska qenë kundër bombardimeve të Serbisë nga NATO?

Bota e qytetëruar di ta ndajë kënaqësinë e artit nga pozicionimet politike apo morale të artistëve. Majkëll Xhekson është një këngëtar i madh, një muzikant që solli risi të vërteta në muzikën bashkëkohore, por ai deri vonë u zvarrit gjyqeve për abuzime seksuale me fëmijë të vegjël. Që të mos përmendim pastaj historitë pafund me drogë të mjaft të shquarve të tjerë, rebelimet e njerit apo tjetrit ndaj ketij apo atij presidenti e të tjera. Sipas mendësive tona arkaike, as ish presidentin Klinton nuk duhet ta qasnim në Tiranë pas proçkës që bëri me atë internisten budallaqe të Shtëpisë së Bardhë.

Shumë nga të revoltuarit na përmendin të vrarët e Kosovës, ata që ende nuk u gjenden varret etj. Po ata nuk i ka vrarë Goran Bregoviçi more zotërinj. Nuk i ka vrarë muzika. I ka vrarë shovinizmi serbomadh i cili gjithashtu me siguri nuk e do Bregoviçin sepse ky krijon ura midis njerëzve e kombësive. Sa më shumë Bregoviçë të ketë Serbia e Ballkani, aq më pak shovinizma e konflikte do ketë.

Rasti me këtë muzikant më kujtoi atë që kam dëgjuar kur Marinela, një këngëtare e madhe greke erdhi në Tiranë për një koncert në kohën e merhum Enverit. Diabolik siç vetëm ai mund të ishte, ky porositi sigurimin e shtetit që t’i bënin njerëzit të iknin nga salla e koncertit sepse ata nuk e pëlqenin muzikën dhe interpretimin borgjez të këngëtares. Me këtë i tha botës: ja, ne e ftuam por populli nuk e pëlqen. E gjora Marinelë, me lot në sy e pa veten në një gjendje që s’e kishte parë në asnjë skenë të botës. Kjo është pra demagogjia.

Vallë me mendësi të tilla do të shkojmë ne e të bashkohemi me Evropën e me botën? Ky qënka vallë patriotizmi? Që të politizosh gjithëshka e që t’i shohësh gjërat bardhë e zi: ne dhe armiku? Atëhere pse jemi hipokritë me botën dhe bëjmë sikur atje në Kosovë nuk jemi ne që prishim pune, por janë serbët se të ishte për ne, jemi gati të rrojmë me ta në një shoqëri multietnike, por janë ata që s’duan. Të rrosh në një shoqëri multietnike do të thotë të mos të dhëmbin sytë kur e sheh fytyrën e atij tjetrit, kur i dëgjon zërin apo muzikën. Të bësh ndryshe nuk është as fetare e as njerëzore. Patriotizmi nuk është ky por është ajo ndjenjë që të bën t’i dalësh zot vendit e kombit tënd atëhere kur duhet e siç duhet.

Xhejn Fonda, aktore dhe grua e shquar e Amerikës shkoi në Vietnam në kulmin e luftës dhe mori mbi vete zemërimin e një pjese të vendit të saj. Por pjesa liberale e kundër luftës, e admiroi gjestin që bëri. Ne, përkundër zakoneve tona njerëzore, që presim për mort edhe hasmin, nuk e lejuam presidentin serb të vinte për ngushëllime për vdekjen e Rugovës. A thua me këtë treguam patriotizmin tonë të paepur? Jo, treguam vetëm mendjelehtësinë dhe frymën tonë inatçore. Imagjinoni Ballkanin pas 20 apo 30 vjetësh. A dyshon kush se deri atëhere nuk do të jemi në Evropë? Në rast se dyshon, le të shtojmë edhe nja 10 apo 20 vjet. E pra, a do ketë kufij atëhere? Prapë kështu bardhë e zi do t’i shohim gjërat: vetëm ne dhe armiqtë tanë?

Në gjithë këtë zhurmë kundër Bregoviçit më duket se ka një hile që gazetari Beqë Cufaj e shtjellonte në mënyrë të përkryer në një shkrim të vetin këto kohë. Më vjen çudi se si nuk kanë reaguar në shtyp e në media vetë profesionistët e muzikës sonë. Pse nuk shkruan ta zemë Ardit Gjebrea që ka kënduar së bashku me polifoninë e tij në asamblin e Bregoviçit për koncertin e madh kur Selaniku ishte kryeqytet kulturor i Evropës ca vite të shkuara? A thua pse ju dha këtij muzikanti sllav çelësi simbolik i Tiranës, i paskemi dhënë armikut të përjetshëm shkja çelësin e vërtetë të kështjellës shqiptare? Gjepura. Lërini retorikat e ndryshkura e mendësitë arkaike. Rrojmë në një kohë tjetër zotërinj. Vetëm fitojmë në se Tirana e Prishtina u hapin dyert e zemrat artit e kulturës që edhe kur janë të botës, janë edhe tonat gjithashtu.

(Botuar në Gazeta Sot, 14 prill 2006)

1 Comments:

Blogger purrini said...

Ylber, ne thelb pajtohem me ty. Nuk dua te peresris se cka ke shkruar ti, por kryesorja eshte qe ne fund pajtohem me ty. Por ama, tonin e ke gabim, edhe krahasimet, Ylber, krahasimet i ke katastofale. Sa per informate, M. Xhekson-it fama ne pus i ka vejt pas akuzave te pedofilise. Jane Fonda ka shku ne Vietnam, edhe, cka? Tani masi Jane fonda paska shku ne Vietnam nuk pu deshken shiptaret me pas nji opinion apo tjeter per qashtjen e Begoviqit? Ta them une ty Ylber: edhe me e rendesishme se "hapjet pa pengesa te kanaleve kulurore" osht liria e te shpregurit te mendimit, le te jete ai mendim demagog ose jo. Sigurisht nuk eshte nevoja te ta perkujtoj se Kosova ka pesuar trauma qe askush nuk duhet ti pesoj; se njohuria e jote e begoviqit eshte e ceket (ne ne Kosove dijme edhe e kemi degjuar Begoviqin shume ma heret sesa ti), edhe se te gjitha keto ne teresi u japin njerezve te shprehin nji mendim kritik ndaj fteses se Tiranes se Begoviqit. Me fjale te tjera, ne shkrimet e tuaja une pashe jo maturi, por perkundrazi retorike ballkanase perderisa u mundoshe ti kritikoje retorikat ballakanase, qe dmth thejsht mendim hipokrit.

7:44 PM  

Post a Comment

<< Home