Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Patenta politike

Politika shqiptare është përsëri në sherr, në grindje, në tension të pandërprerë. Deklarata të papërgjegjëshme, shfryrje inatesh personale, intolerancë e kokfortësi mushke janë ato që të zë syri e veshi nga kjo arenë ku i mbajnë sytë shqiptarët. Ç’bëhet kështu? Kaq halle e telashe paska ky vend që të mos mundë të bëjë një grimë paqe me veten? Ka 15 vjet që mbajmë mend vetëm luftë të egër për pushtet, përleshje e tërbim për ta zhbërë kundërshtarin, qoftë kur i thua “mirmëngjes” e qoftë kur i thua “natën e mirë“. Dhe po qe kjo gjendje, as mos kij shpresë te begatia e përparimi, te integrimi në Evropë e më tej. Si u mboll e u rrit ky konflikt, një baobab gjigand në arenën e politikës shqiptare që ka prishur rrugët e sheshet dhe degët e të cilit kanë hyrë edhe nëpër muret e pallateve të Tiranës ku njerëzit nuk dinë ç’të bëjnë të shastisur?

Boria që kumbonte më shumë dje nga opinionistët ishte: të ikin Nano e Berisha nga politika. I pari u detyrua të ikë, i dyti përjetoi atë që rrallëkush e përjeton në botë e histori: kthimin për së dyti. Dhe erdhi tamam me votën demokratike të “sovranit”. Për të parin, opinioni politik në SHBA është: i papërgjegjshëm, për të dytin: i rrezikshëm. Imagjinoni tani popullin shqiptar të mbyllur në një maune që është nisur në udhën e gjatë të demokracisë e mirëqënies së begatë, që e pyesin: Kë doni për shofer o milet, këtë të papërgjegjshmin apo këtë të rrezikshmin? Zorr se do të bënte ndonjë zgjedhje të hajrit njeriu me mend. U mërzit e nuk ju zgjidhën hallet nga shoferi i papërgjegjshëm dhe tha, pa hajde ta provoj me këtë tjetrin se mbase nuk është më i rrezikshëm si dikur. Dhe po e provon. Po pse kjo zgjedhje e vetme? Mos vetëm këta të dy kanë patentë për maune o populli im? Ku i gjetën ata ato? A nuk je ti që duhet t’i japësh patentat?

Le ta lëmë mënjanë natyrën konfliktuale shqiptare, le të mos sjellim ndërmend historinë me ngjarjet e shumta që na kujtojnë se si janë grindur e therur shqiptarët ndër vedi. Sot është kohë tjetër dhe genet sado rol të luajnë zbuten në klimën e demokracisë dhe nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Fundja këto gene kanë qenë gjithandej në Ballkan e gjëkundi tjetër në Evropë. Puna është se politika për shqiptarin do të thotë forcë dhe ai forcën e admiron dhe e do mbi të gjitha. Forca sjell pushtet, pasuri, miq, nderim e një mijë të mira të tjera. Padyshim, politika është profesioni më i lakmuar në Shqipëri. Në kohën e merhumit komunist, politika ishte e thjeshtë, ai i ndante vetë mandatet. Por edhe atë kohë ishte gjë e madhe të ishe edhe një brigadier kooperative pa le më tepër. Me rrëzimin e komunizmit aradha e politikanëve që erdhën u ngjiz në dy mënyra: ose duke sulmuar (më së shumti me fjalë) komunizmin që shkërmoqej (Partia Demokratike) ose duke mbrojtur kalimin e butë dhe duke bashkuar zërat fallco me korrin demokratik (Partia Socialiste). Vendet u zunë. Urra! Të tjerët le të bëjnë sehir e të na japin votat kur na duhen. Sepse askush nuk e lëshoi e nuk e lëshon kolltukun (apo llogoren e luftës, siç u pëlqen ca prej tyre ta thonë), me përjashtim të ndonjërit që pleqëria e bën të ngatërrojë emrin e së shoqes me atë të së vjehrrës. Vini re se ç’fat të mjerë patën organizatat e të rinjve pranë dy partive të mëdha. U plakën dhe nga ta hynë në politikë vetëm ata që u gjendën përkrah shefave të tyre në luftrat brenda partisë. Askush pra nuk ikën vetë. Dhe për ta hequr, ai do të luftojë me thonj e me dhëmbë. Sepse politika është biznesi më i madh në Shqipëri. Ç’e do një biznes tjetër? Paguan taksa, të bien në qafë, të kërcënojnë, të vrasin. Kurse ky është ç’është! Të gjitha vinë vetë. Imunitet po, komoditet po, të gjitha të mirat po. Mos prit që këtu të hiqen mënjanë si Leç Valesha ta zemë, apo Vacllav Havel. Ata janë heroj për popujt e tyre, por ama sot në mediat polake apo çeke është e natyrshme që emrat e tyre t’i ndeshësh rrallë. Jeta shkon përpara. Po mund ta durojnë këtë këta tanët. Bah! Ata duan surratin në gazetë e TV dhe të gjitha ato ç’vinë me to.

E keqja tjetër është se sapo hyjmë në politikë, ne na mbushet mendja se e bëjmë këtë punë më mirë se kushdo dhe harrojmë çdo zanat e profesion që bënim më parë. Ndaj s’ka kthim prapa. Veç të vdesësh në kolltuk (apo llogore). Vini re ca profesorë (më shumë se gjysma e politikanëve janë të tillë) që janë bile edhe kot së koti anëtarë të Akademive. Ka pozitë më komode se sa e tyrja për t’u tërhequr e për t’u lënë vendin të tjerëve? Jo, prapë nuk luajnë vendit. S’u hyn më në sy zanati i nderuar i pedagogut, shkencëtarit apo çfardo qoftë.

Le të shohim se si hynë forcat e reja në politikë. Përveç xhaketave të vjetra që riciklohen vazhdimisht e që krerët e partive nuk kanë ç’u bëjnë (sado që e dinë që janë hajdutë, matrapazë, imoralë e të tjera e të tjera) se të tillë janë konjukturat që i mbajnë ata vetë në parti, të rinjtë që vijnë janë skifterët më agresivë që mbrojnë kryeskifterët të cilëve u kanë rënë tashmë puplat, u janë ligështuar thonjtë e sqepat dhe u janë ngjirur zërat. Vetëm këta skifterë hyjnë nga të rinjtë. Dhe janë ata që përzënë nga postet e u marrin kolltuqet skifterëve humbës të krahut tjetër që bëjnë të njëjtën gjë kur u vjen rradha. Më shumë se gjysma e deputetëve i kanë humbur me kohë lidhjet me elektoratet e tyre. Shkojnë andej një herë në hënëz, të hanë ndonjë mish. Pse duhet që kandidatët për deputetë të vendosen nga kryesitë e partive? Pse të mos i caktojë ata baza e partisë që i ka djemtë e vajzat e tyre? Ah jo, se kështu kryeskifteri humbet kontrollin e partisë dhe partia kthehet në një kotec me pula, thonë të diturit e partive.

Duke parë shëmtimin e zymtinë e politikës shqiptare, njerëzit hiqen mënjanë të zhgënjyer, përpiqen të shohin punën e tyre, po prapë s’i lë meraku, përgojojnë, shajnë, përpiqen të arsyetojnë dhe kaq. Kjo bën që demagogët politikanë ta luajnë më lirshëm e më shpenguar vallen e tyre. Vetëm duke qënë më aktivë e më të ndërgjegjshëm mund të ndreqim diçka në arenën e politikës sonë. Jo duke dhënë mend të gjithë e pa rradhë siç e kemi zakon, për politikën e madhe, por duke ndërhyrë me karar e mend që nga gjërat e vogla. Duke përkrahur forcat e reja, rininë që do të jetë aradha e re e politikanëve, duan apo s’duan ata që e dredhin sot politikën si hoxha tespiet. Ji më aktiv e nxirr nga gjiri yt i madh të tjerë njerëz, o popull. Nxirr të tjerë e të tjerë si një përrua në vërshim që s’li lë kurrë gurët që bëjnë shtratin e tij t’i vishen me lëmashk. Mos i lërë ata të humbin lidhjet me ty, të humbasin pas perdeve të zyrave, makinave luksoze, celularëve pa limite e fluturimeve të shtrenjta. Kontrolloja faturat siç t’i kontrollon ty ai punonjësi i KESH-it. Dhe mos u mëdysh nga zgjedhja e shoferit. Më shumë se në çdo kohë tjetër, patentat i jep vetëm ti dhe je vetëm ti që mund t’i marrësh. Merrjua dhe lëri të ngasin qerre, karroca e katërrrotakë të tjerë por jo maunen tënde. Je vetëm ti që e zgjedh shoferin.

(Botuar në Gazeta Shqiptare, 11 mars 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home