Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Një teori letërsie alla Bajri

Vazhdon në shtypin shqip marria e papërmbajtëshme e dhënies mend për çdo gjë e gjithëshka. Zotni Hydajet Bajri, i revoltuar nga gara paskrupuj për hierarkinë e letrave shqipe, na parashtron një teori letërsie alla Bajri (Koha Jonë, 23 janar2006). Zotnia i bie fare shkurt, me sëpatën e dardharit, siç i thonë. Sipas tij, shkrimtarët e mëdhej kanë dy cilësi themelore: 1) qartësia dhe thjeshtësia dhe 2) fabula ka gjithmonë objekt e subjekt (?!). Dhe pas kësaj, ai na ndërton vetë një hierarki që i shkon pas mides kësaj teorie.

Cilido njeri me sado pak kulturë, që diçka ka lexuar nga letërsia e përbotëshme në kohra, zë e qesh me teorinë e zotit Bajri. Ku i fut ai shkrimtarë të tillë si Xhojsi, Kafka, Paund, Eliot e dhjetra të tjerë? Nuk janë vallë këta shkrimtarë e poetë të mëdhej të botës? E pra, ata nuk janë fare të thjeshtë dhe nuk lexohen dot si beletristë të tillë si Daniel Still me shoqe e shokë. Por ja që këta të fundit kanë vërtet: 1)qartësi e thjeshtësi dhe 2) fabula ka gjithmonë objekt e subjekt. Pse nuk i fut zotnia edhe këta në listën e tij të letërsisë së madhe të botës? Nuk mund të ndahen shkrimtarët në të thjeshtë e të pathjeshtë. Çdo shkrimtar që rëndom e përdor simbolin në veprën e vet nuk e përkufizon dot si të thjeshtë.

I indinjuar me të drejtë nga zhurma e përshtjellimi që mbizotëron në studimet dhe kritikën bashkëkohore të letrave shqipe, autori i shkrimit ashtu si i thotë gjërat nuk bën gjë tjetër veçse shton këtë kakofoni e pështjellim dhe nuk del aspak e qartë në shkrim në se fajin që nuk janë “shkrimtarë të vërtetë“ e kanë vetë shkrimtarët, apo shtëpitë botuese që librat e tyre i botojnë fare pak apo aspak, apo kritikët që ngrenë e ulin vlerat sipas interesave të tyre, apo lexuesit që nuk lexojnë këta shkrimtarë.

“Ndersa nga Letersia Bashkohore Shqiptare mbeten te permenden vetem disa emra si, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Koco Kosta, Dritero Agolli, Sabri Hamiti, Rexhep Qosja,” thotë zoti Bajri. Po vallë e pranon kushdo këtë listë? Po Podrimja, Arapi, Spahiu, Kongoli e të tjerë, do të thoshte ndonjë tjetër. (Aq më tepër: lista e zotit Bajri ka një kokolepsje emrash shkrimtarësh e kritikësh apo historianësh letrarë). Gjithkush mund të ndërtojë lista. Por problemet që shtron artikullshkruesi nuk zgjidhen me këtë. Dikush tjetër do të thoshte se zoti Bajri vetë ka lexuar shumë pakë nga letërsia shqipe e botuar në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ndoshta mund të jetë edhe kështu se zotnia siç e deklaron, është i prirur vetëm nga thjeshtësia dhe fabula me objekt e subjekt.

Letërsia e vërtetë nuk ka nevojë për hierarki. Hierarkitë duheshin në epokën komuniste për presidiume, ceremoni festash e për të nxjerrë në pah sukseset e shoqërisë socialiste në lëmin e letrave. A keni parë ndonjëherë vallë në Amerikë të bëhen renditje të tilla hierarkike si: shkrimtarët më të mëdhej të Amerikës janë A.X., B.Y dhe C.Z. Kurrë. Askush nuk e bën këtë gjë në letrat e Amerikës. Mund ta bëjë vetëm ndonjë kritik Shqipërie (ose që shkruan shqip) për të ndihmuar amerikanët, por ata vetë nuk e bëjnë.

Pështjellimi përsa i përket çështjes së letrave në shoqërinë e sotme shqiptare nuk vjen nga që nuk ka shkrimtarë të mirë e të vërtetë, por për shkak të zhvillimit amorf e të çorientuar të vetë shoqërisë shqiptare të çliruar nga zgjedha e totalitarizmit ku ajo qe e detyruar të pranonte gjithëshka që i servirej si të vërtetë absolute. Shtëpitë botuese në Shqipëri sot janë të prirur më së shumti drejt komercializmit dhe e shikojnë librin si një biznes të mundshëm. Jo më kot, ca nga to krahas librave merren edhe me ndërtime apo biznese të tjera. Veç kësaj, vetë njerëzit hynë vetëtimthi në një epokë shumë të vrullshme komunikative, me shtimin 100 fish të gazetave, revistave, televizioneve e radiove dhe mbi të gjitha internetit. Kjo patjetër do t’ja kufizonte hapësirën dhe kohën e kushtuar, librit. Por të gjitha këto janë kalimtare në shoqëritë në tranzicion. Me kohë, gjërat zenë vend. E mira është që të mos bëjmë lista si të zotit Bajri sepse i ngatërrojmë më shumë lexuesit e zellshëm shqiptarë dhe në vend t’i nxisim ata të tjerët, të pazellshmit, i bëjmë të mos zenë kurrë libër me dorë.

(Botuar në Gazeta Sot, 8 shkurt 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home