Zakon shqiptar
Ç’zakon të çuditshëm që kanë shqiptarët! Kur je gjallë, të turren sa mundin e s’të lënë gjë pa thënë (ose s’të zënë fare në gojë). Kur vdes, të bëjnë të madh dhe vënë kujen për ç’kanë humbur. Kjo gjë më erdhi ndërmend pas disa vdekjesh me rradhë të një sërë shqiptarësh të shquar. Dhe pastaj vëmendja m’u kthye ndaj Kadaresë. Kështu ndodh edhe me të. Pse sulmohet ai?
Ta themi që në krye: sulmohet se rron e është gjallë, se vazhdon të bëjë me një kokëfortësi prej mushke atë zanat që di të bëjë më mirë e që e bën më mirë se kushdo, letërsinë, se nuk rri strukur në ndonjë qoshe të Parisit por vjen e na fut hundët në këtë lëtyrhanen e jetës sonë shqiptare, se mbahet me të madh se është nga ky qerrata vend që e quajmë dheun e babës apo të mëmës. Ah, po të kishte bërë një çikë burg, një çikëz fare, do të ishte ndryshe. Pale të kishte vdekur një çikë, një çikëz fare, atëhere do ishte e çdo ishte. Obobo, pale të kishte bërë një çikë vetëvrasje, një çikëz fare. Pupu, çdo ishte! Sot do t’i ngrihej monumenti atje tek e kishte i ziu merhum. Pa do të lëshoheshin namqorrët e kulturës shqiptare nga janë e nga s’janë e do ta bënin për një lek jurinë e Stokholmit pse nuk i dha atij çmimin e madh (po ata dallkaukë që argumentonin më parë ashtu nënë zë se pse nuk duhej t’i jepej ky çmim), aq sa edhe Nobelit të gjorë që s’i dridhej zemra as nga dinamiti, do t’i dridheshin eshtrat atje ku është nënë dhe. Pse nuk ka vuajtur një çikë xhanëm? Pse i ka dalë e drejta e studimit, pse ka marrë shtëpi në mes të Tiranës, pse i ka ecur me femrat dhe ka marrë goxha grua? Pse i ka vajtur jeta fjollë edhe nën diktaturë edhe në demokraci? Mëkatar i madh ky Kadareja ynë! Ngjall zili. Zili pafund. Ngjall mëri, na kujton dobësinë tonë, mungesën e karakterit, dështimet tona, besëthyerjen, sahanlëpirjen, burracakërinë, injorancën. Të gjithë jemi gati të flasim për të, të themi fjalën tonë prej kompetentësh, të gjithë pretendojmë se e njohim në pëllëmbë të gishtave. Ata që e njihnin në Gjirokastër, thoshin, eh i zoti është po nuk e njohin në Tiranë. Kur e njohën në Tiranë, thoshin, nuk e njohin në Shqipëri. Kur e njohën në Shqipëri, thoshin, ohu, nuk e njeh Evropa. Kur e njohu Evropa, thanë nuk ja japin Nobelin s’e nuk e njeh Amerika. Po tani që e njeh Amerika e gjithë bota ç’të themi? Të themi se nuk e njohin në botra të tjera, apo që s’e njohën ata që shkuan e vanë në shekujt e mëparshëm?
Që jemi popull kulturëdashës ne këtë e kemi vërtetuar katërcipërisht gjatë gjithë historisë sonë kur hidhnim valle edhe në gojë të ujkut. Edhe kur kemi qenë ndonjëherë kulturëvrasës na ka detyruar bota e cila donte që ne të mos ishim fare në këtë botë. Hidhni një sy në histori. Shihni se kush i ka vrarë, helmuar, shitur, spiunuar, përgojuar heronjtë në Shqipëri. Vetë shqiptarët. Edhe kur ka qenë bota prapa, hjekësi, kapucari e vrasësi kanë qenë shqiptarë. I gjori Skënderbe, më shumë luftoi me farefisin e princat e tij që iknin e vinin në krye të hordhive pushtuese, se sa me gjeneralët osmanllinj.
Pse nuk ndjehemi krenarë e të nderuar kur një njeri si Kadereja na nderon gjuhën e kombin? Apo më mirë, pse ndjejmë sado pak krenari për të kur jemi mes të huajsh dhe sapo vimë “ndër vedi” e harrojmë këtë krenari e fillojmë e të rrëmojmë fjalët si pula glasat, se pse shkroi kështu për këtë e ashtu për atë, pse nuk u rreshtua majtas apo djathtas, pse nuk hesht kur ne themi se duhet të mos flasë dhe pse s’bëzan kur themi se duhet të ngrejë zërin. Muhabetet tona më shpesh janë të formës: I zoti, i mirë, por…Dhe pas çdo “por”- i vijnë një sërë “sikur”-esh: sikur kështu e sikur ashtu…
Natyrisht, as që duhet ta krahasojmë Kadarenë me figura të mëdha të historisë shqiptare. Le ta zëmë, me Fishtën, apo me nënë Terezën. Pupu, ç’mëkat i madh po të bënim kështu! Sepse ata kanë meritën e madhe e të padiskutueshme se janë të vdekur. Kurse ky guxon dhe është i gjallë! Bah! E si mund të krahasohet me të përvuajturit e vdekur, kur jeta i ka shkuar si jo më mirë? Epo dëgjoni o shkretanë naivë: Megjithë respektin për ata që s’janë më në këtë botë të të gjallëve dhe ca më tepër që kanë nderuar këtë komb e këtë gjuhë, asnjë i gjallë apo i vdekur i këtij kombi nuk mund të krahasohet me atë çka bërë Kadareja për këtë vend e këtë gjuhë. Duke lënë mënjanë shpellarët që ndodh të rrojnë sot në qendër të Tiranës, duke lënë mënjanë thundrat e grisura të çorapeve, ngrënien në një çanak, kokën në cung të drurit, duke lënë mënjanë harbutllëkun, pabesinë e injorancën, ai e vuri shqipen dhe botën shqiptare në panteonin e kulturës botërore, përkrah Dantes, Shekspirit, Tolstoit e Markesit dhe na dha të gjithëve ne nga një biletë gratis për të vizituar herë pas here këtë panteon. Ç’është e vërteta, ai i dha kësaj botës sonë një ndriçim paksa rozë, duke lëvizur fare pak elementë në mizanskenën e saj, duke zëvëndësuar ndonjëherë pabesinë me besën, harbutllëkun me trimërinë, burracakërinë me burrërinë. Si ai udhëtari i largët që vjen në anë të botës e kur e pyesin se nga ç’familje është, nuk e zë në gojë që e kanë halenë jashtë në fund të bahçes dhe i mbajnë bagëtinë nën vete atje ku flenë e të tjera e të tjera. E pra, ky është ndoshta kompromisi më i madh që ky shkrimtar i madh ka bërë në jetën dhe veprën e vet. Dhe këtë prapë shqiptarët s’ja dinë. Prapë shajnë e anatemojnë. Imagjinoni sikur vetë ai, si ca kolegë të tij në botë, të kishte sharë, të kishte lënduar ca tela patriotizmi e të kishte shpupurisur ca leshra herezie. Ç’katrahurë të madhe do kishte bërë! Do t’i vinin bombat kudo të ishte, në Sen Zhermen të Parisit, në Vodafonin e Tiranës apo në Malin e Robit të Kavajës.
Shkrimtarë të mëdhej të botës janë të mëdhej se kanë ngritur në art vlerat e antivlerat njerëzore, pa përmendur fare se ç’kombi i përkasin e ç’gjuhë flasin. Lexoni Franc Kafkën dhe do shihni se në asnjë rresht nuk e përmend që është çek, çifut apo austro-hungarez. Po mos vallë e shan Çekia që e polli e Gjermania që i dha gjuhën? Kurse ky i madhi ynë u lodh së na ngrituri ne në botë më shumë se ç’vlejmë e më tepër se ç’meritojmë. Dhe ne prapë s’ja dimë po bëjmë gërrmëre për të: jo po ashtu, jo po kështu. E quajmë shkrimtar të oborrit, kur shumica e prindërve tanë shkonin të gjithë pa zbardhur mirë të votonin 99.99 përqind për atë oborr, kur spiunonin njeri tjetrin për atë oborr e kur bënin të pabërën vetëm për t’u ngritur pakëz më lart në hierarkinë shoqërore që ai oborr kishte sajuar.
Boll me këtë maskaradë të pështirë o atdhetarë shqiptarë, të vjetër e të rinj, anakronikë e modernë. Njollosja e Kadaresë është turpi ynë më i madh historik.
(Botuar në Korrieri, 23 shkurt 2006)

0 Comments:
Post a Comment
<< Home