Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Boll me kenë...

‘Boll me kenë shkodran, t’tana i din e t’tana i ban’ e ka stigmatizuar vetveten humori i mençur i shkodranit. Duke lexuar morinë e shtypit të sotëm në Shqipëri, ato miliona faqe gazetash që hanë përditë pyjet tona, të vjen ndër mend që shprehjen e mësipërme ta modifikosh si më poshtë: ‘Boll me kenë shqiptar se je dhe gazetar’. Dhe kjo përforcohet nga ato që lexojmë përditë në gazetat kryesore të këtij vendi. Gazetaria është shpesh herë një arenë ku kalorës me armura flakin heshtat ndaj njerit apo tjetrit. Ka që hedhin vetëm fishekzare me shpresën se në dritën e tyre të pranishmit do të shquajnë një profil të hijshëm e të paharruar. Konsumohen kaq fjalë e shprehje, lëvizin përrenj inatesh, urrejtjesh, interesash, një shtyp që nuk ke nga ta kapësh, i pa parimtë, kaotik ku fryjnë erarat e pasioneve të pronarëve, simpatitë apo mëritë me aktorët e politikës së vendit. Ka kaq shumë hipokrizi e shtirje në këtë shtyp sa nuk i beson dot as edhe datës që vënë gazetat në krye. Vini re firmat në shtypin shqiptar. Duke lënë mënjanë gazetarët e vërtetë profesionistë që janë gjithnjë e më të rrallë sepse lodhen e mërziten nga zhurmëria e pafundme e fjalëve, nga presionet e turmës apo të politikës apo edhe nga paqejfllëku për ta parë emrin e tyre mes dhjetra emrash të tjerë që shkruajnë surrogato, gazetaria shqiptare po bëhet një strehë e firmave që vijnë nga sektorët të tjerë të jetës, por që e kanë kuptuar se forca e fjalës në Shqipëri është ajo që ngre shpesh herë një botë iluzore që merret e vërtetë nga injorantët. Jo rrallë shohim në këtë shtyp gazetarë që nuk dinë totalisht të shkruajnë, që nuk dinë shqipen. Vështroni se ç’pyetje skandaloze bëhen nëpër intervistat dhe si shtrëmbërohen faktet qoftë dhe ato që janë të dukshme në mes të ditës e në mes të sheshit. Më kujtohet që lidhur me tragjedinë e fundit në detin Jon, një vit e ca më parë, shumë gazeta nëpërmjet familjarëve të viktimave e gazetarëve i mëshonin asaj që viktimat u shpunë në Sazan përpara se të silleshin në Vlorë. Pse? Për t’i vjedhur, për t’i ndërruar, për të fshehur ndonjë gjurmë? Një oficer i marinës italiane deklaronte se ato u shpunë në Sazan thjeshtë për t’i futur në thasë plastikë dhe mos lemerisnin dynjanë (dhe edhe familjarët) ashtu siç qenë gjetur. Por kjo deklaratë lihej fare mënjanë dhe zhurma bëhej andej nga u interesonte qaraqeve të caktuara dhe sigurisht kjo ngjallte më tepër lot, indinjim e më the e të thashë te lexuesit.

Vështroni shumë nga firmat që shkruajnë rëndom sot në Shqipëri nëpër gazetat e egra e të buta. Shumë e dinë se gazetaria është një dhunti që ata e paskan patur të fshehur e të pazbuluar në vetvete. Një ish president shkruan e jep mend për të gjitha problemet sociale e ekonomike e botërore dhe kujton se i habit (dhe në të vërtetë i habit!) lexuesit me pesë libra të kënduar në kohën kur ishte president dhe kur këshilltarët i përgatisnin faqet që duhej të lexonte. Një ish ministër i brendshëm nga Durrësi shkruan për gjithfarsoj problemesh dhe i duket vetja si kryefjala e mençurisë botërore. Ky zotni do bënte më mirë të merrte e të analizonte se pse në kohën kur qeveriste ai dhe shokët e tij u bë ajo katrahurë që vrau mijra shqiptarë e detyroi të iknin nga sytë këmbët dhjetra mijra të tjerë. Shikoni pastaj ata që tregojnë kujtimet e tyre gjoja ‘objektive’. Kur lexon shkrimet e ca drejtorëve të RTV, të ish punonjësve të KQ të PPSH, të ish diplomatëve, ish sigurimsave, ish prokurorëve e ish e ish të tjerë, të duket sikur të gjithë të këqiat vinin nga lart dhe vetë këta qenë ëngjëj të cilëve u kishte zënë rrota bishtin (se ishin ëngjëj jo me flatra, po me bisht) dhe nuk kishin si e si të bënin për të ndihmuar të ziun popull në hallet e veta dhe bile e mbanin mbi supet e tyre një pjesë të peshës së saçit që diktatura kishte vënë mbi popullin. Le pastaj kur lexon kujtime të tjera se si diktatori na e kalonte Vitin e Ri me familjen, sa i dhëmbshur e i dashur ishte me nipër e mbesa e të tjera e të tjera, thua me vete: kaq naiv e mendjelehtë të jetë njeriu që të harrojë se ç’llum, ç’shtazëri e diabolizëm kishte në në pjesën tjetër (99 përqind) të jetës së atij përbindëshi dhe shokëve të tij, të cilët e lanë këtë vend të hallakatej gjysmë shekulli për të ardhur te portat e lirisë e demokracisë duke e gënjyer e mashtruar si askush përpara tij.

Gazetaria është një armë e së vërtetës. Por diskutimi mbi të vërtetën në botën e njerëzve zhvillohet që kurse ata dolën nga konfigurimi i majmunit dhe filluan të përdorin trurin si mjetin kryesor që i dallonte nga bota e kafshëve. Ndaj shpesh e vërteta na shitet në formën e të pavërtetave që fabrikohen përditë. Ndaj le të jemi më të thjeshtë në gjykimet tona. Të shkrujmë faktin, pa komente të pandikuar nga ajo se kush duam që ta hajë, ta pësojë, të burgoset apo të ngrihet në përgjegjësi me këtë që po shkruajmë. Shtypi perëndimor ka shembuj brilantë të gazetarisë së përditëshme. Mos duhet të përkthejmë në shqip për nja një vit rresht gazetat amerikane apo angleze për të mësuar gazetat shqiptare se si duhet të jenë?

I nderuar shkrues, kur merr penën betoju vetes se do të shkruash atë që ke parë e ke dëgjuar atje, në vendin e ngjarjes dhe nuk do të pyesësh se kujt do t’ja futësh me këtë apo kujt do t’i bësh nder, nuk do të ndikohesh nga pozicioni i pronarit të gazetës tënde në politikë apo biznes, nuk do të shfrysh inate personale apo të ndërtosh karierën tënde qoftë në politikë apo në biznes. Shprehe opinionin tënd me qetësi, pa fyer, sharë e anatemuar me soj e sorollop po vetëm duke besuar se do t’i bindësh të tjerët me forcën e gjykimit tënd. Vetëm duke hequr dorë nga amatorizmi i shërbehet së vërtetës.

(Botuar në Metropol, 30 nëntor 2005)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home