Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Syriana dhe guximi krijues

Ka pak javë që në kinematë e Amerikës po shfaqet filmi Syriana me skenar e regji të Stefen Gaghan, një nga skenaristët e njohur të Hollivudit i cili debuton me regjinë e tij të parë. Filmi i cili pritet të nominohet me një sërë çmimesh në veprimtaritë e ardhëshme vlerësuese kinematografike dhe tërheq vëmendjen për guximin krijues intelektual është prodhim i Warner Bros Pictures.

Syriana është një triller politik i cili shpalos intrigën dhe korrupsionin e industrisë globale të naftës e bashkë me të edhe të qarqeve të caktuara qeveritare. Në të luajnë aktorë të njohur si Xhorxh Kluni, Mat Damon, Xhefri Rajt e të tjerë. Duke lëvizur në disa linja paralele, filmi e mban nën tension e vëmendje shikuesin duke i treguar mjaft të vërteta të cilat nuk duken fare në jetën e përditëshme.

Një sheik i ri, arsimuar në SHBA i cili ëndërron të bëjë ndryshime e të sjellë demokracinë në vendin e tij, bëhet viktimë e interesave të kompanive të fuqishme të naftës në Amerikë. CIA ndërhyn dhe e heq atë qafe, duke mos kursyer edhe një punonjës të vjetër e të përkushtuar të sajin. “Korrupsioni është ndërhyrja qeveritare në veprimet e tregut në formën e rregullimeve,” thotë një nga personazhet e filmit. “Korrupsioni është mbrojtja jonë. Ai na mban ngrohtë e të sigurtë. Korrupsioni është pse unë e ti kapardisemi këtu e nuk luftojmë për një copë mish në rrugë. Korrupsioni...është pse ne fitojmë.” Filmi është një ekspoze ngjethëse e të vërtetave të mëdha që duan guxim jo më pakë të madh për t’u thënë. “Syriana është një vepër guximtare bërë nga pjesë të barabarta pasioni e përllogaritjeje...një film që ndërmerr rreziqe të shumta dhe begatohet nga të gjitha ato”, shkruan kritiku Keneth Turan në Los Angeles Times.

Filmi është në vazhdën e një sërë filmash të mëparshëm që lënë mënjanë filmat e aksionit, romancat e përjetëshme dashurore dhe efektet teknike spektakolare, për të thënë me guxim atë që krijuesi i mënçur zbulon në ravgimet e tij të kësaj bote, atë që zakonisht nuk thuhet por fshihet e vishet me ngjyra e çokollatë. Ai të ngjall një respekt të pashëmbullt për krijuesit guximtarë dhe për vetë atë shoqëri e vend që duke qenë kampioni i demokracisë mbi rruzullin tokësor, ka në vetvete një mori të këqiash që vetë ja lufton vetes. Kjo është pse një film i tillë nuk censurohet, po shihet i lirë në kinematë e Amerikës e të botës.

A nuk janë vallë patriotë krijues të tillë? A nuk e duan ata vallë Amerikën, vendin e tyre? Sigurisht. Ata janë patriotët më të mëdhej sepse e duan vendin e tyre të pastruar nga çibanë të herëpashershëm të intrigave më të larta, të kulisave të errta, të korrupsionit e parimeve të degjeneruara.

Imagjinoni sikur krijues të tillë të jetonin në Shqipëri apo kudo në Ballkan. Ata do të linçoheshin nga turmat pseudopatriote sepse kanë fyer ndjenjën patriotike dhe i kanë bërë dëm vendit të tyre. E njëjta gjë ndodh me Orhan Pamuk, shkrimtarin e madh turk që pati guximin të përmendë haptazi mizoritë otomane e turke ndaj armenëve e kurdëve dhe që pret të dalë tani përpara drejtësisë së vendit të tij. Të njëjtat gjëra në forma të ndryshme kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 15 vjetëve të tranzicionit demokratik. Ambicjet politike e kanë mbrehur ndjenjën qorre patriotike në karron e tyre të luftës. Me patriotizmin është luajtur e luhet shpesh herë një lojë e paskrupullt. Shoqëria jonë shqiptare duhet të synojë ndaj parimeve më të përbotëshme e të përjetëshme

Syriana jep një vizion të qartë të kësaj lufte e përpjekjeje.

(Botuar në Metropol, 22 dhjetor 2005)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home