Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Mjaft me luftën qorrazi të MJAFT

Nuk mendoj se do të kisha marrë penën (dmth, kompjuterin) për të shprehur opinionin tim lidhur me shkrimin e zotit Frashëri në Gazeta Sot, 22 mars, “Mjaft me MJAFT-in zoti Kadare”, në rast se nuk do të kisha vënë re një pasaktësi të madhe e të pafalëshme për një drejtor të përgjithshëm të Institutit të Çështjeve Kombëtare. Eshtë fjala për një element historik: autori pretendon se Ismail Kadare ka marrë pjesë e folur në mitingun e organizuar nga rendi në pushtet në Shqipëri, për të anatemuar të ikurit në ambasada (“...kur atë korrik të nxehtë e të fundit të diktaturës `90 nga sheshi “Skënderbej” ju u drejtuat krah byroisteve me “jashtëshqitja e kombit” mijëra shqiptarëve që vraponin drejt Europës për një jetë më të mirë.” K.Sh. ). Sigurisht nuk është serioze për këtë drejtor të përgjithshëm të bëjë gabime të tilla. Ismail Kadare as ka folur e as ka marrë pjesë në atë miting famëkeq. Dhe kanë kaluar vetëm 16 vjet. Ç’duhet të themi për të a për ndonjë tjetër pas 100 vjetësh? Zoti Frashëri po të rronte aq gjatë mund të thoshte për shembull se I. Kadare ka marrë pjesë krah për krah Enver Hoxhës në krijimin e partisë komuniste shqiptare.

Dhe gabimi i mësipërm bëhet vetëm e vetëm sepse autorit i ka zënë sytë mllefi e inati. I tërë shkrimi i zotit Frashëri është i mbushur me një tërbim të pajustifikueshëm, me MJAFT dhe me Ismail Kadarenë që na e çmokërka këtë lëvizje. Ajo që të bije në sy në shkrim është se djemtë e vajzat e MJAFT jetokërkan në lluks. Këtë autori e përsërit disa herë rresht në shkrim. Po ku është lluksi? Mos kanë vallë Porshe e Ferrari, jahte e klube personale? Apo se vishen mirë e frekuentojnë klubet e Tiranës? Po të jetë vetëm për këtë të fundit, atëhere zoti Frashëri paska koncept të gabuar për lluksin. Ai thotë: “...por ne kontestojmë mënyrën e prezantimit, organizimit, veprimtarinë, misionin, lluksin dhe të tjera vese të tyre.”. Në këtë fjali janë futur në thes shumë elementë. Në se ke të drejtë të kontestosh i nderuar zotëri, “vese të tjera”, nuk ke kurrsesi të drejtë të kontestosh veprimtarinë, misionin etj. vetëm pse qënkan të ndryshme nga ato të Institutit tënd. Sa për lluksin, dua t’i mësoj zotit Frashëri se në botën e sotme demokratike (dhe une e di kete se jetoj ne Amerike) lluksi nuk është ndonjë sakrilegj për të goditur kundërshtarët. Anxhelina Zholi, një artiste e njohur në SHBA e në botë, është ambasadore nderi e OKB dhe ka kontribuar ne dhjetra veprimtari bamirësie e për të drejtat e njeriut në botë, por ajo merr të paktën 100 milion $ në vit të cilat nuk ja zë kush në gojë se jetokërka në luks. Ky koncept është i barazitizmit socialist dhe përbën një mendësi tipike komuniste.

I njëjti koncept duket edhe më poshtë në shkrim, kur autori ka mendimin që do të ishte më mirë sikur të gjitha fondet që ka marrë MJAFT të ndaheshin barabar mes OJQ-ve për të ndërtuar një Freedom House ku të strehoheshin të gjitha ato (edhe pse më poshtë na bën me dije se në Shqipëri ka rreth 900 OJQ që “broçkullisin”).

I tërë shkrimi i vesh fjalëve të shkrimtarit të madh të tjera konotacione sipas qejfit të artikullshkruesit duke dashur ta bëjë atë armik me cilindo shqiptar të ndershëm. “Edhe paralelizmi që përdorni në fjalët e zgjedhura prej jush për të, si: “protesta në rrugë”, “thyerje xhamash a veturash”, “vënia në shërbim të një force politike”, “pastërti morale!”, “fashistoid” etj. janë pjesë e një filozofie të vjetëruar marksiste.” Ku e sheh filozofinë marksiste këtu ky eruditi i Institutit Kombëtar?

Pse duhet të prodhojmë kaq shumë baltë e llum në jetën tonë të përditëshme? Pse duhet të përdhosim medoemos gjithëshka e gjithëherë edhe kur ato, edhe në mos qofshin evenimente të jashtzakonshme në jetën e vendit, janë të paktën dukuri normale të zhvillimit të shoqërisë civile? Le të vimë në disa pika më konkrete. Ku i gjen ky MJAFT këto fonde të mëdha që po të shpërndaheshin barabar do të kënaqnin të gjitha OJQ-të e Shqipërisë? I vjedh, i merr me mashtrime? Ja jep qeveria fshehurazi? Ja japin armiqtë borgjezo-revizionistë për të bërë kundër-revolucion në Shqipëri? Lëri këti dëngla o zoti drejtor i përgjithshëm. Bën mirë të kalosh andej nga zyra e MJAFT dhe me siguri ata do të të japin një kafe e do të të mësojnë si të bëhesh edhe ti i aftë të marrësh ca fonde për Institutin tënd Kombëtar. Çdo të thotë që MJAFT është i palegalizuar? Kush të jep fonde më kot nga organizatat ndërkombëtare e vendet e botës po të jesh i palegalizuar? E kam thënë edhe në një shkrim timin të mëparshëm: fakti që MJAFT ka simpati në botën e madhe demokratike dhe qeveri të ndryshme bashkë me organizata evropiane e botërore janë përpjekur ta ndihmojnë, është një tregues se kjo lëvizje është në udhë të drejtë.

Inati dhe zëmërimi yt zoti Frashëri është krejtësisht pa vend e i pajustifikuar. Lëreni luftën qorrazi se nuk sjell dobi. Ju do të bënit mirë të analizonit me gjakftohtësi e arsye se ç’mëkate e gabime ka bërë MJAFT në jetën qytetare shqiptare, pse ka vepruar ashtu e jo ndryshe dhe ç’alternativa keni patur ju dhe Instituti juaj në vend të tyre. Me një debat të kulturuar do të ndikonit më mjaft se MJAFTI në opinionin publik shqiptar. Po të bënit kështu, do të na jepnit mundësi ne të tjerëve të çmonim vizionet e horizontin tuaj, mundësi që nuk patëm fatin e mirë ta kishim nëpërmjet shkrimit që keni botuar.

3 Comments:

Anonymous Anonymous said...

Une per MJAFT nuk kam ndonje respekt te madh, por shpesh i sulmojne kot. Nqs doni te kundershtoni MJAFT kundershtoni politikat e tyre, jo se ca bejne ne jeten private.

Dirk

7:02 AM  
Anonymous Anonymous said...

“……Ju do të bënit mirë të analizonit me gjakftohtësi e arsye se ç’mëkate e gabime ka bërë MJAFT në jetën qytetare shqiptare, pse ka vepruar ashtu e jo ndryshe dhe ç’alternativa keni patur ju dhe Instituti juaj në vend të tyre…..”

Me pelqen kjo pjese e artikullit, shume flitet kundra Mjaft por gjithshka ngelet ne fjale e askush s’ben dicka per me mire. E mire apo e keqe, Mjaft deri tani eshte me e suksesshmja ne qellimet e saj dhe ne mbrojtjen e Shqiptareve, te tjeret nqs duan/dine te bejne me mire le ti pervishen punes se me fjale s’behet gje.

Ll.T.

7:02 AM  
Anonymous Anonymous said...

tung juve shum .ne kosove pergjthesi ne te gjitha qyetetet te drjtat e femijeve nuk repektohen ……………………munduhuni qe ligji ynte te arrint ate pike edhe ti respektoj te drejtat e tyre nuk besoj qe nuk mundeni por nuk i kini kushtet me arrit qet pike po ju lutm sa me shpejt qe te jet e munder qiteni ke t tme ne bisdime ..ju faliminderit per mirkutim tung ju peshndes

albijona

7:03 AM  

Post a Comment

<< Home