Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Kur mungon transparenca

Zhurma e madhe që bëhet në Shqipëri mbi korrupsionin, hajdutërinë e mashtrimin dhe që nuk shpie në rezultate të prekëshme e të merituara, ushqehet para së gjithash nga një mungesë e theksuar transparence në të gjithë mekanizmin e marëdhënieve publike e qytetare. Njerëzit janë mësuar t’i bëjnë punët e tyre që të mos bien në sy të njërit apo të tjetrit dhe shpesh herë kulturën e tyre familjare, pra që gjithëshka të mbetet brenda familjes, e përcjellin edhe nëpër institucione e organizata qofshin këto shtetërore apo të shoqërisë civile.

Mungesa më e madhe e transparencës vihet re padyshim në strukturën qeveritare të shtetit dhe në qeverisjen lokale. Por shteti ka një natyrë përgjithësisht konservatore dhe aq më tepër, ky i yni, nuk e ka aspak në traditë elementin e transparencës. Ato që duhet t’ja mësonin shtetit domosdoshmërinë e transparencës qenë në rradhë të parë organizatat civile apo OJQ-të. Këto të fundit, patën një përhapje të gjerë në Shqipëri pas rënies së komunizmit, si kudo gjetkë në vendet që përjetuan të njëjtin tranzicion. Me mijra organizata që mbulonin të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore u ngritën në Shqipëri. Duhet ta pranojmë se jo të gjitha ato, ashtu sikurse partitë e shumta që u themeluan, kishin në bërthamë të tyre idealin e ndershmërisë e të përkushtimit. Duke vënë re se nëpërmjet tyre po përthithej një pjesë e mirë e fondeve që komuniteti ndërkombëtar jepte për vendet që përjetonin tranzicionin komunisto-demokratik, shumë individë me manovra të mahitëshme brrylash gjetën streha të mrekullueshme pranë këtyre OJQ-ve për përfitime personale e klanore.

Pa dashur të bëj një analizë të plotë të veprimtarive të OJQ-ve në Shqipëri dhe pa mohuar kurrsesi rolin e madh që ato kanë luajtur e lozin në zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare, desha të përqëndrohem pikërisht në mungesën e transparencës së vetë këtyre OJQ-ve, gjë që bën që ato të etiketohen si të tilla apo të atilla, të shahen për vjedhje, moskompetencë, ortakëri e si rrjedhojë edhe për mungesë objektiviteti në gjykimin e problemeve të rëndësishme të vendit. Të tilla organizata e institucione, sigurisht nuk mund t’i mësojnë transparencën shtetit sa kohë që nuk e kanë për vete.

Le t’i hedhim një sy organizatës më të madhe të shoqërisë civile të ngritur në Shqipëri që nga viti 1992, Fondacionit të Shoqërisë së hapur për Shqipërinë (SOROS), i cili edhe pse duhej të ishte shembulli e modeli i të gjitha OJQ-ve të tjera, pavarësisht nga synimi fisnik i fondatorit të vet bamirës e demokrat, mori ngjyrime shqiptare dhe pati periudha të shoqërive të mbyllura frankmasone. Hapni po të doni uebsajtin e kesaj organizate: http://cc.soros.al/. Informacioni qe gjen aty eshte tepër i përgjithshem. Financat gjate viteve te fundit japin shifra te pergjitheshme, p.sh shendetesia, botimet, konferencat etj. Kur kerkon botimet te del nje fajëll ne mikrosoft akses ku duhet te shkruash autorin apo perkthyesin qe te gjesh botimin. Botimet e plota nuk dalin. Se atehere mund te merrje vesh ta zemë se libri i astrofizikanit të shquar angles Stefen Haukings është botuar nga ky fondacion pasi është përkthyer nga Y.P., burrë i shquar por mjek e qe s’ka te bëje fare me astrofizikën. Pra, po te ishin të dhënat të plota dhe Fondacioni të donte të ishte transparent, duhej të merrje vesh se si jane bere botimet, kush i ka zgjedhur perkthyesit, si jane zgjedhur (se ka zera edhe sot e kesaj dite se jane ndare paratë si te Pusi i Hajdutëve), kush ka vajtur ne konferenca, pse është financuar, kush ka marrë bursa, pse e ka marrë, sa para janë dhënë për këtë e atë e kështu me rradhë. Këto gjëra duhet t’ua mësonin nëpunësve të Fondacionit anëtarët e bordit të madh ku bënin pjesë ca nga figurat e shquara bashkëkohore që nuk dihej edhe për vetë ata në bazë të çfar kriteresh zgjidheshin aty.

Nuk merr vesh gjëkundi gjithashtu edhe sa para jane harxhuar per një program të veçantë të këtij fondacioni, Projektin për Zhvillimin e Arsimit Shqiptar (AEDP) ku eshte vjedhur sa eshte mundur. Robert Gareviç, thotë në një uebsajt (www-gewi.k.junigraz.ac.at) se AEDP ka shpenzuar 14.5 milion dollarë për 140 rindërtime e ndërtime të reja kopështesh e shkollash në Shqipëri. Në qoftë se ata që banojnë në një fshat ku është ngritur një nga këto shkolla, do ta dinin se AEDP ka dhënë për shkollën e fshatit të tyre ta zemë, shumën 200,000 dollarë, ata do ta kuptonin menjëherë sa para janë vjedhur sepse e dinë që kjo shkollë nuk bëhej me më shumë se, ta zemë 100,000 dollarë. Po ku ta marrë vesh ai fshatari i shkretë këtë gjë? E pra, të nderuar zotërinj OJQ-istë, edhe ai ka të drejtën e tij të pamohueshme ta dijë këtë. Jo vetëm t’i thuhet: ja shkolla, ta gëzofsh, të tjerat s’të duhen se pa pare e ke. Pra asgjëkundi nuk del se si janë shpërndarë fondet një më një, cilat firma i kanë marrë, cilat persona kanë bërë tenderat etj. U vodh ç’u vodh në ministrinë e arsimit për këtë, hajdutëve u bëfshin mirë dhe kaq.

Kjo është pra nevoja e domosdoshme për transparencë. Askush nga OJQ-të nuk e ka këtë. Askush nuk tregon buxhetin dhe si është ndarë hollësishëm. Sigurisht jo të gjithë kanë vjedhur. Por edhe në këtë rast, transparenca duhet për të vërtetuar tamam atë, pra që nuk është vjedhur. Kë trëmb transparenca veçse hajdutin? Dje na thuhej se gjithë botën, borgjeze-revizioniste nuk e zinte gjumi dhe kishte hall si e si të merrte vesh ndonjë gjë për Shqipërinë, kalanë komuniste. Armiku përgjon (pupu sa shumë armiq për kaq pakë njerëz!) Ndaj asgjë s’duhej të dilte. Sekret, sekret i madh. Po sot pse kështu? Kush pengon sot të jemi transparentë veç vetes sonë dhe atyre maktheve diabolike të përvetësimit që grryejnë paprerë karkasat e qënieve mjerane dyfytyrëshe njerëzore? Ajo nuk zëvendësohet me betime e stërbetime për ndershmërinë, me pamjet e përvuajtura, me akuzat ndaj të tjerëve apo edhe kontrollet e rrepta financiare (që sigurisht duhen). Transparenca është një nga themelet e kulturës demokratike dhe pa të s’ka të ardhme ashtu siç do ta donim.

(Botuar në Gazeta Sot, 26 mars 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home