Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Ameba e RTV

Dorëheqja e kryetarit të këshillit drejtues të radiotelevizionit shqiptar, z. Kiço Blushi dhe fjala e tij me këtë rast të mbushin me mërzi e dëshpërim për gjendjen e mjeruar të mediave në Shqipëri. Vite të tëra pseudo-reformash në më të madhin institucion mediatik, duke qenë se janë bërë sa për sy e faqe dhe janë prirur qëllimisht në tjetër drejtim nga ai që kanë shprehur deklaratat e pushtetarëve, e kanë shndrruar këtë institucion në një amebë të stërmadhe, pa formë që i ngjan shumë drejtorit që ka aktualisht.

Kaq e vështiërë qënka që ky institucion të bëhet një institucion i vërtetë civil e qytetar edhe pse mund të financohej ende nga shteti sepse kryen një shërbim kombëtar? Por ai nuk bëhet i tillë duke e bërë këshillin drejtues gjysma blu e gjysma rozë që të hanë kokat me njeri tjetrin, por duke futur njerëz që nuk duan t’ja dinë nga krerët e partive dhe as që i kanë në celularë numrat e tyre, njerëz të shoqërisë civile që e kanë vërtetuar veten se u dhëmbet e drejta, e vërteta dhe e mira e përbashkët dhe jo fati i njërës apo tjetrës parti.

Që radiotelevizioni shqiptar kërkon reforma e reforma të thella bile, kjo as që vihet në diskutim. Në gjendjen që është ai thith fonde të shumta e të pajustifikuara nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesit. Janë bërë përpjekje herë pas here për ta krasitur e për të krijuar një strukturë më të zhdërvjellët por të gjitha kanë qenë më kot. Pas vrullit të parë të çdo drejtori, institucioni ka devijuar prapë në shtratin e vet të mëparshëm, duke u fryrë e majmur. Ai nuk është fare efektiv, nuk është absolutisht radiotelevizioni më i dëgjuar e i shikuar në vend apo jashtë. Kanale të tjerë televizivë apo radioje të vendit, të ngritura sipas parimeve të ekonomisë së tregut, kanë struktura dhjetra herë më të vogla e të pakta se goxilla e RTV shqiptar por ndiqen e pëlqehen më shumë nga njerëzit. Dhe është e pafalëshme sepse RTV ka njerëzit më të përgatitur profesionalisht që në fakt duke u larguar që aty kanë krijuar e ngritur të gjitha mediat e tjera të suksesëshme audiovizive të vendit.

Ka kohë që publiku shqiptar paguan taksë për këtë RTV dhe këtë taksë nuk e paguan për PD apo PS kur qoftë njëra apo qoftë tjetra janë në pushtet, por e paguan që të shohë lajme dhe emisione objektive dhe jo surretërit e politikanëve që hanë darkë të paftuar në çdo tryezë të familjeve shqiptare për natë e për natë. Eshtë e paturpshme të luash me ndjenjat e një populli të tërë duke vazhduar me lojën e vjetër të informimit komunist, kur emisionet priteshin në mes, shkurtoheshin e transformoheshin për hatër të telefonave nga zyra e shtypit e KQ apo nga cilëtdo funksionarë të lartë. Tani kushtet janë më të favorshme për këtë imponim: telefonat celularë rrahin nga e gjithë bota, nga plazhi, avioni, hoteli jashtë shtetit ku mund të ndodhet urdhëruesi. Vërtet po nuk bëre si e deshi ai, s’futesh në burg e s’internohesh zgëqeve, por ama humbet ca gjëra me rëndësi, ca rroga të majme, ca tendera, ca ndarje parash e lëre pastaj rëndësinë e komoditetin e postit.

PD erdhi në pushtet më tepër se gjashtë muaj më parë me premtime të mëdha për të luftuar korrupsionin e qeverisë së mëparshme socialiste. U bënë ndryshime të menjëherëshme në mjaft institucione të rëndësishme të vendit. Po ky qerrata RTV kaq i parëndësishëm paska qenë sa që nuk ngacmon gjëkundi vëmendjen e hundëmprehtit Berisha? A nuk e di ai se kush është në krye të RTV? Eshtë një sharlatan i paskrupullt e një kumarxhi që i gdhin netët te Rozafa apo ku të mundë tjetër. Eshtë një king-kong i tenderave që kullufit sa të mundë e ka fituar neverinë e përbuzjen e pjesës dërrmuese të kolektivit mbi të cilin sundon. Si nuk i ditkërka Berisha syshqiponjë këto? Këto i dimë edhe ne këtej nga ana tjetër e oqeanit dhe jo më ata aty. Mjafton të lexosh ç’kanë shkruar këto kohë punonjës të ndryshëm të këtij institucioni dhe e merr vesh. Atëhere mendja të shkon te një lojë e dyfishtë që ka bërë ky drejtor lapërdhar. Dihet se spiunët më të vlefshëm e më të zotët kanë qenë ata që bënin lojë të dyfishtë. Kjo u siguronte atyre jo vetëm të ardhura më të mëdha por edhe jetëgjatësinë në zanat. Një lojë të tillë ka bërë ky Zheji që na doli si ylli i mediave në Shqipëri vetëm e vetëm për tonin harbut, mungesën e tolerancës e llafollogjinë agresive. Ai i ka shërbyer partisë që e vuri, por nuk ka harruar t’i mbajë telat e t’u bëjë shërbime krerëve të opozitës. Ashtu sië bën tani të kundërtën. Po të ishte Zheji një gazetar e intelektual i madh duhet të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë sapo humbi PS në zgjedhjet e vjetme, pasi ai erdhi pikërisht nga kjo parti në atë post e të mos mundohet të na gënjejë me RTV publike e më the të thashë.

Sa për dorëheqjen e Blushit, ky zotëri do të ishte ngritur më shumë në sytë e opinionit publik në rast se këtë dorëheqje do ta kishte dhënë më parë, kur në pushtet të ishte partia që e vuri, sepse siç thotë vetë ai, këto probleme kanë qenë edhe atëhere, njëlloj si tani. Duke u sorrollatur e zvarritur me heqje vërejtje drejtorit e punë të ngarkuara atij për të kryer, këtij këshilli i ra vlera e u bë vërtet qesharak. Dorëheqja e Blushit apo e cilitdo anëtari të tij që në atë kohë, do të kishte patur vlera të tjera. Por ja që gjërat nuk janë aq të thjeshta dhe i ziu njeri kaplohet nga një mori gjërash që s’i vjen mirë t’i lëshojë, shpërblime, udhëtime, celularë etj. dhe ndonse mund të mos jetë i pandershëm jeton përditë mes pandershmërisë.

(Botuar në Koha Jone, 19 mars 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home