Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Absurditeti i një kritike

Të bën përshtypje se me sa qejf e hare i gjëmojnë shqiptarët çfardo fjale apo zëri që nxin e anatemon vlerat e tyre të pakta të vërteta. Kjo duket në përkthimin e një artikulli të Stefen Shvarc që Blendi Kraja nxiton t’ja paraqesë publikut shqiptar në gegnishten e tij brilante. Këtij zotnie që shpesh rrëmon nëpër botimet e kaluara shqiptare për të gjetur ndonjë frazë apo varg ku zihet në gojë Partia apo komunizmi dhe për të denigruar me to autorët e tyre që sipas tij nuk kanë kurrfarë vlere letrare, nuk i hyn në sy asgjë nga ajo që vetë autori i përkthyer prej tij thotë në po këtë artikull (por që me sa duket përkthyesi ka harruar ta përkthejë), “Ismail Kadare është i vetmi intelektual shqiptar i mirënjohur jashtë trojeve ku flitet ajo gjuhë“.

Natyrisht zoti Kraja mund të zgjedhë dhe të përkthejë mjaft artikuj të tjerë të shtypit botëror ku Kadare cilësohet si një nga penat më të forta të letërsisë së sotme botërore, por inati i tij primordial e bën që të ngashnjehet vetëm me irracionalizmin e Stefan Shvarc i cili njihet mirë në SHBA për mendimet e tij ekstremiste e kontrapedale. Kështu për shembull, në “The Weekly Standart”, volumi 9, numri 43 të vitit 2004, Shvarz del kundër mendimit të Gabriel Garcia Markez se Pablo Neruda është nga poetët më të mëdhej të shekullit të njëzetë. Ai thotë se Neruda ishte “shkrimtar i keq dhe njeri i keq” dhe poezia e tij është poezi burleske. Antikomunizmi e bën shpesh herë Shvarc të mbajë qëndrime denigruese krejt qesharake e të papranueshme nga cilido kritik që njeh sado pak artin letrar.
Këto mendime për Kadarenë ai ka kohë që i përtyp e ngjit nëpër shtypin kritik letrar të Amerikës. Reagimi i tij ndaj dhënies Kadaresë të çmimit prestigjioz “Man Booker” u botua në “Literary courtesan”, të 16 korrik 2005. Ja si reagoi ndaj këtij sulmi Xhon Karej, kryetari i jurisë së Man Brooker International Prize: “Sulmi i Stefen Shvarc mbi jurinë e Man Brooker International Prize bazohet në një keqkuptim. Çmimi është për arritjet në letërsinë artistike. Juria nuk pritej të merrte në konsideratë të dhënat politike të autorit... Vendimi ynë unanim ishte vetëm mbi bazën e meritës letrare.”
Eshtë po ky Shvarc që vite më parë e quante “Kronikë në gur” një “homazh për qytetin jugor të Gjirokastrës... dhe një lajkë e ofruar për diktatorin” mendim që është kryekëput i gabuar e tendencioz. Argumentet e përdorur nga Shvarc për ta etiketuar Kadarenë një shërbëtor të Partisë së Punës të Shqipërisë janë hedhur poshtë si absurde nga nga Noël Malkolm, në “New York Review of Books”.

Po të lexosh ato që ka shkruar Stefen Shvarc për letërsinë ballkanike, do të vësh re opinionet e tij ekstremiste që janë krejt në kundërshtim me trendin e zakonshëm e të pranueshëm të kritikës letrare e historiografisë së këtij subjekti. Ai vetëm pretendon më kot se e njeh letërsinë e kësaj treve, po ashtu edhe atë shqiptare, por kjo nuk është fare e vërtetë. Ai jo vetëm nuk njeh letërsinë, por nuk ka njohur e nuk njeh realitetin e një vendi si Shqipëria, gjë e cila edhe pse nuk përbën ndonjë mëkat, bëhet i tillë kur pretendohet e kundërta.
Do të thoshim në fund, se vetë kjo kritikë e Stefan Shvarc lidhur me veprën “Pasardhësi” të Kadaresë ngatërron konceptin themelor të asaj që përbën letërsinë artistike (fiction) me ngjarjen reale. Eshtë fare naive dhe qesharake t’i kërkohet një vepre letrare të japë të gjitha elementët historikë të asaj që përbën ngjarjen ku mund të jetë bazuar vepra. Autori i shkrimit duke u nisur nga paragjykimi i tij se Kadare ka qenë një komunist e puthador i ndërgjegjshëm i diktaturës ngre një teori të vërtetë konspiracioni sipas të cilës vetëm Kadare e di të vërtetën e vdekjes së ish kryeministrit. Më absurd se ky zorr se mund të gjendet ndonjë përfundim.

(Botuar në Koha Jone, 23 janar 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home