Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Integrimi dhe patriotizmi

E gjithë bota shkon drejt një procesi të madh integrues. Rritja e shpejtë e mjeteve të transportit e komunikimit dhe përmirësimi i infrastrukturave ligjore kanë bërë që dukuria e globalizimit, pra e ndryshimeve integruese ekonomike, politike, kulturore e teknologjike në botë të jetë në rendin e ditës. Vendet, bizneset, organizmat shoqërore dhe individët në sajë të kësaj dukurie janë më të lidhur e ndërvarur me njeri tjetrin. Pavarësisht nga diskutimi i ndezur akademik në se globalizimi është një dukuri reale apo vetëm një artifakt analitik, pavarësisht se është ende herët të mendohet bota si një shtet i madh unik e pa kufij, prirjet janë të qarta. Difuzioni i vrullshëm njerëzor pasqyruar në lëvizjet migratore, spostimi i prodhimit të mallrave në vendet më pak të përparuara, përparimi i përditshëm teknologjik shprehur në mjetet e shumta e të efektshme të komunikimit dhe një kulturë universale larg traditës kombëtare apo fetare, janë elementë të dukshëm të kësaj dukurie.

Duke qenë aty ku është, pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë është i mrekullueshëm në sfond të zhvillimeve të reja të botës. Rrëzimi i komunizmit dhe perspektivat e një shoqërie të begatë e demokratike çliruan energji të papara, jo kurdoherë të kontrollueshme në këtë vend të vogël. Ashtu si për vendet e tjera të rajonit, perspektiva e afërt e Shqipërisë është padyshim Evropa. Natyrisht kjo është një Evropë tjetër nga ajo e epokës romake, e feudalizmit, e mbretërve, e inkuizicionit, e pushtimeve të mëdha, e luftrave botërore dhe kolonializmit. Demokracia e saj është filtruar nëpër udhën e mundimshme të historisë. Edhe pse ende me një ekuilibër të brishtë dhe e ndarë nga interesa të “të mëdhejve” të saj, Evropa e bashkuar është një shembull i shkëlqyer i integrimit kontinental më shkallëmadh, me suksese të pabesueshme në dy dhjetëvjeçarët e fundit, që tejkalojnë edhe profecitë më optimiste të teoricienëve politekonomistë.

Personalisht, jam i mendjes se diskutime të gjata mbi atë se kujt i takon Shqipëria, lindjes apo perëndimit, krishtërimit apo islamizmit, Evropës apo Orientit, janë të pabukë dhe vetëm shtojnë amullinë e mendimit dhe segregojnë e pozicionojnë shqiptarët. Argumentet që sillen nga të dy krahët ngrenë vetëm kështjella emocionesh që sado të bukura të jenë janë edhe më të dobëta e më lehtësisht të prishëshme se sa kështjellat e rërës, sapo t’u qaset vala e pamëshirshme e logjikës bashkëkohore dhe e jetesës moderne.

Evropa nuk na pranon ne se jemi të bardhë apo të zes, krishterë apo muslimanë. Zhvillimet më të fundit, vënia në rradhë pas derës, e Turqisë që me siguri do të bashkohet me Evropën më shpejt se disa nga vendet ballkanike, e vërtetojnë këtë. Evropa na pranon kur të përmbushim rregullat e saj, kur t’i kemi ligjet të harmonizuar me ligjet e saj dhe kur të realizojmë parametrat ekonomikë e politikë në standardet që ajo kërkon.

Fati e deshi që ne që i themi vetes shqipëtarë të kapemi fort pas atyre trojeve që gjithëherë janë lakmuar nga dyndjet e hordhive e valët pushtuese ashtu si i gjithë Ballkani. Pavarësisht se nga vimë, nga pellazgë, ilirë apo thrako-ilirë, të drejtën tonë mbi këto troje e kufij hatërmbetur s’na i heq dot kush, ashtu siç nuk na i heq dot kush të drejtën për të folur gjuhën që flasim. Nuk bën kurrfarë dobie që të luajmë kurdoherë viktimën: na vranë, na prenë, na sakatuan, na shfarosën. S’duhet harruar se në situatat e ndërlikuara historike ku është përfshirë ky vend, me atë popull energjik e tejet vital që prodhonte parreshtur, ai përshtatej e difuzonte me strukturat pushtuese dhe arrinte shpesh herë deri në krye të këtyre strukturave duke vepruar në emër të tyre e në dëm të të shtypurve të tjerë. Pjesë e kësaj përshtatjeje është edhe ndërrimi i feve dhe mosqënia e tyre pjesë thelbësore e filosofisë praktike të jetës. Gjithsesi, të gjitha i takojnë historisë. Bota po modelohet marramendshëm në bazë të resurseve natyrore që ka, të tregut të punës, aftësive përthithëse të popullsive të saj dhe të gradientit të përvetësimit të teknologjisë. Përshtatja, difuzioni e migrimi, elementët thelbësorë shqiptarë në shekuj, janë “asat” që u vjen rradha të luhen.

Le t’i lëmë mënjanë teoritë e konspiracive. Që na prish punë ky fqi apo ai tjetri, që nuk na do ky i madh apo ai tjetri në Evropë. Përparimin e Shqipërisë sot e pengojnë vetë shqiptarët, me politikën që bëjnë e politikanët që kanë në krye. Grindje, grindje, grindje pafund. Ndërkohë që duhet të vraponim pa marrë frymë në këtë start të barabartë që u krijua për një pjesë të madhe të botës. Të vraponim e bënim tonën teknologjinë e re, të rritnim kulturën e të shfrytëzonim resurset që natyra i ka dhënë atij vendi. Eshtë fjala që këto të bëhen më shpejt. Sepse megjithë pengesat, ky integrim do të bëhet gjithsesi. Stacioni i parë është Evropa. I dyti, bota.

Një e treta e popullsisë shqiptare (brenda kufijve të Shqipërisë) është shpërndarë sot në botë. Rrallë kush nga vendet e tjera e ka këtë raport. Përsëri përshtatja, difuzioni e migrimi. Ata ikin, vinë, ikin, vinë. Por kurdoherë sjellin elementët e rinj të kohëve të reja të botës. Vetëm duke përvetësuar ajkën e kulturës bashkëkohore të botës, do ta ndjejmë gjithnjë e më pakë peshën nganjëherë bezdisëse që sjell përmendja e origjinës sonë në mjedise të ndryshme. Gjithnjë e më tepër njihemi e vihemi në dijeni për shqiptarë që shkëlqejnë e lartohen atje ku mësojnë, kryejnë studime apo punojnë. Ky është patriotizmi më i mirë: të synosh njeriun e botës drejt të cilit shkon bota. Integrimi i pashmangshëm global e ndërnjerëzor kthen në relike e fosilizon shumë nga mendësitë që ende gjallojnë në popuj të ndryshëm. Askush nuk e ka zgjedhur origjinën e tij, ndaj askush s’ka pse turpërohet apo krenohet me të. Le ta modelojmë tjetërsoj edhe patriotizmin tradicional: si dashuri për botën dhe qytetarin e botës drejt së cilës shkojmë.

(Botuar në Koha Jone, 31 mars 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home