Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Byroja politike e hienave dhe Ramiz Alia i palagur

Kur lexon proces-verbalet e viteve ‘1980 të Byrosë Politike të PPSH dhe të Komitetit të saj Qendror, cilido pikëllohet për degjenerimin e logjikës njerëzore, për demagogjinë që bëhet si pakuptuar pjesë e përditshmërisë së njeriut dhe i sundon ndjenjat e mendimet dhe ai harron se ç’gjë e bukur është jeta, me qiellin, diellin, yjet, gjelbërimin, zogjtë, artin, dashurinë. Harrohen të gjitha. Harrohet se si përbindëshi që bën ligjin, që gëlltit e ha, shfaros e shuan me zjarr, që predikon si Mesia dhe që në fakt është vetëm një njeri aq i vockël sa që ka zili cilindo që ka një famë të rëndomtë si për shembull, një sportist, apo një këngëtare, ka qenë dikur një larvë e pafuqishme të cilit askush nuk pati nge të shihte se si i dolën luspat, si ju rritën kthetrat e çatallët gjakatarë me të cilët shuajti një popull të tërë dhe e dënoi të mbetej në fund të karvanit të botës. Eshtë e pafalëshme “mosngeja” e një populli për të kqyrur e vepruar ndaj bërjes së përbindëshit që do t’i ofrohej si dhuratë e pashëmbullt brezave të tjerë që vinin më pas e s’kishin njohur tjetër mënyrë jetese.

Ç’pikëllim për veteranët, punëtorët, fshatarët, mjekët, inxhinierët, artistët, ushtarakët, studentët kur lexojnë ato faqe në të cilat del troç e açik mediokriteti e poshtërsia, ku hienat mblidhen e llomotisin për të shqyer e ngrënë prenë e rradhës. Dhe sa tragjikomike është kur një hienë e përçudnuar nga zëmërimi e me jargët ndër dhëmbë, i hidhet me tërbim presë që ka bërë më parë të njëjtën gjë që po bën ai tani me një tjetër por që nuk e di se nesër kështu do t’i hidhen në zverk vetë atij hienat e tjera. Dhe në mes të tyre, kryehiena më parimore, më e pagabueshmja, më e etura për gjak edhe pse është gjithmon e ngopur. Të tjerët ruajnë shenjën e tij, shikojnë mimikën e tij, nuancën e fjalëve, tonin e të shprehurit dhe sipas tyre zgjedhin fjalët që duhet të thonë, mënyrën e sulmit ndaj presë së rradhës duke mos harruar elozhet për kryehienën që duke u dhënë në tavë një nga ta, u shton pakëz kohë për të harruar kur në tavë do jenë ata vetë, me rradhë. Pakë nga ta janë të vjetër, po asnjë që nga fillimet kur përbindëshi ishte larvë. Atyre të asaj kohe u humbën eshtrat prrenjve e moçaleve. Të tjerët janë “besnikët” e rinj, ca injorantë e injorante mbledhur nga rrethet, marangozë, shoferë, stallierë me ndonjë inxhinier e ndonjë filosof që të mos bjerë në sy për keq.

Shënimet janë të mbushura me broçkulla pafund, kundrasense, zigzake alogjike, lojra banale fjalësh ku kryehiena sundon si një Zeus fuqiplotë dhe orkestron ashtu i përhumbur në ëndrrën e tij të përjetëshme të sundimit, atë orgji që ja di përmendësh notat. Dhe a ka gjë që mund të durohet e mbajë të qetë njeriun kur ai shqipton herë pas here: “... foli Partisë, hapja zemrën Partisë,...Partia do të të gjykojë drejt...” Kërkon llogari për gjëra që e di mirë që nuk bëheshin pa marrë mendimin e tij, shtyn njërin kundër tjetrit dhe regjistron në mend skenarët e ardhshëm: “Dale,...si e the atë se nuk e kuptova?” Dhe hiqet mënjanë si Pilati e thotë: “Partia të dënon, jo unë.”

Shumë nga personazhet e këtyre dramave monstruoze janë gjallë e hiqen zvarrë udhëve e shtëpive edhe sot. Ç’turp që është për ta dalja e këtyre shënimeve! A kanë vallë nipër e mbesa? A nuk i pyesin ata: “O gjyshi, çfar kishte bërë ai xhaxhi që e shaje aq shumë ti? Ç’u bë pastaj me të?” Kurse ndonjë nip a mbesë më e rritur që di një çikë më shumë do të skuqet nga turpi vetë më parë se ta pyesë atë palo gjysh apo gjyshe. Gjithsesi, ata janë pensionistë të rëndomtë tani që i gëzojnë ditët e tyre të fundit në demokraci, ku të gjithë mund të shajnë të gjithë dhe që edhe kur i merr mallin të japin direktiva e të shkruajnë kujtime, u del kallaji shpejt e bëhen qesharakë.

Vetëm njëri doli fare pa lagur nga e gjithë kjo histori: Ramiz Alia. Ky burrec zëhollë, demagog e lajkatar i rangut të parë ka marrë pjesë në këshillin e hijenave për të paktën 30 vjet. Fjalët e tij në këto byro e pleniume janë nga më të pështirat. Duke rrojtur për ditë e për orë me një frikë të përjetëshme se mos papritmas vihej në tavë ai vetë, pasi e njihte mirë karakterin paranoiak e të paparashikueshëm të kryehienës, atij i doli mbroth e ju hap rruga për të zënë vendin e kryezotit të ngordhur. Dhe ç’bëri ky “demokrati” ynë? Ky gjoja idealisti filosof? Çimentoi trashëgiminë e përbindëshit, ngriti monumentet e tij dhe e shpuri vendin edhe më thellë në moçalishten komuniste. Naivët e miopët thonë për të se ishte ndryshe nga kryehiena, se ishte më paqësor e nuk hante mish njeriu. Po nuk ja patë buzëve gjakun e shokëve të tij hiena të shqyera e të çjerra në kohë? A nuk ja patë gjurmët e orgjive të kasaphanës popullore ku ai ishte violina e parë apo nga të parat? Ai ishte fatkeq se nuk pati kohë. Në botë ra këmbana e vdekjes për ideologjinë monstër që shnjerëzoi njerëzimin. Ai nuk pati kohë të vrasë e të presë edhe pse prapë i kishte rrotull kasapët, zonjën e zezë, çukërat, miskërat, stefanërat, gjonërat, asllanët e çarçanët matufë e të tjerët që për një çikë mirëqënie e një çikë pushtet syrgjynosnin e vrisnin edhe vetë nënën e babën e tyre. U përpoq të llumosë demokracinë e re që vinte, ngriti kurthe e strategjira. Por të gjitha më kot. Ishte vonë. Epoka e hienave kishte marrë fund.

Ironia më e madhe është se si ky njeri me kaq mëkate në jetën e tij e mban veten si një shenjtor të përkorë e të devotshëm që u përpoq t’i bënte mirë këtij populli e me që nuk e shpuri grigjën atje ku gjoja kishte menduar, ja hedh fajin botës që i futi shkopinj në rrota qerres së tij të lerosur. Vini re fjalët e tij në mbledhjet e fundit të hienave, në janar 1991 kur thotë “...të mprehim shpatën”, atë shpatë që e kishte aq për zemër kryezoti dhe xhelati më i madh i historisë shqiptare. Dhe a nuk të vjen të kuisësh si një këlysh i dobët e i pafuqishëm kur sheh se si vazhdon të nderohet e zërë vend në Shqipërinë e viteve 2000, ky sharlatan i pispillosur që na shitet si filosof e burrë shteti? E thërresin nëpër ceremonira, i vënë me respekt kamerat e mikrofonët përpara, e lusin të botojë intervista e kujtime. Dhe ai ngazëllehet kur ndonjë e quan si shëmbëlltyrë të Gorbaçovit nga i cili ai është larg sa planeti ynë me Neptunin. A nuk kuptojnë e nuk dinë nga historia këta kronikanë të medias së sotme? Apo jepen vetëm pas skoop-it e harrojnë se shvlerësojnë dinjitetin e gjithë një kombi? Dijeni o zonjusha e zoterinj se skoop mund të bëhet edhe duke demonstruar fytyrën e vërtet të kësaj hiene burracake, fytyrë e cila është fshehur pas velit të qetësisë demokratike. Shnjerëzore nuk është që ky njeri të vdesë vdekjen e tij i etiketuar siç ka qenë e ç’është. Shnjerëzore është të vdesë si njeri e aq më tepër, i nderuar. Vdekja e plakut më të humbur në skajin më të humbur të atij dheu, meriton njëmijë herë respekt më shumë se vdekja e tij.

(Botuar në Koha Jone, 2 shkurt 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home