Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Kultura e forumeve

Po te lexosh e lexosh shume nga bashkëbisedimet e shqiptareve në forumet e internetit, mund të mësosh mjaft nga veçoritë tona kombëtare individuale. Forumet janë një shpikje e mrekullueshme ku mund të shfrysh pasionet e mllefet e tua, të lëshosh demonët e egër që të mundojnë, të fshihesh pas nofkave të shumëllojshme: zilja, kaçilja, demi, kopaçja, dybeku, nastradini, kazanova, kukudhi, balozi, jarani, fjora, bora, pellushja e të tjera e të tjera dhe të brohorasësh anonimatin tënd. Mund të shkruash si të të vijë, me pika, me presje, pa pika, pa presje, me cfardo zhargoni e pa doganë fjalësh. Mund të shkruash e të japësh mend për çdo gjë të botës. Mund të shash, të pështysh, të bulërasësh, të hingëllish, e edhe të masturbohesh. Mund të hiqesh trim, i ditur, me kulturë, patriot që s’të bën syri tërr, që e do me shpirt popullin tënd po që s’përton t’i bësh për një lek ata që s’janë dakord me mendimin tënd, t’i quash të shkjaut, të grekut, të nemces e të firaunit a thua se ata s’janë nga populli yt. Mund të citosh njerëzit e mëdhej, të rrëfesh historira personale e të tregosh barcaleta me fjalë pise. Rroftë anonimati!

Nuk mendoj se ka pasqyrë më të mrekullueshme ku mund të shohësh Shqipërinë e sotme ashtu siç është në të vërtetë, se sa në forumet tutje tëhu internetit. Një kakofoni e mjerueshme zërash. Njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Një budalla hedh një gur në lumë e njëqind budallenj të tjerë turren ta nxjerrin, pastaj durojnë e durojnë ca të mënçur aty në breg dhe thërrasin: Po jo aty or budallej, ka rënë atje më tutje. Dhe turren edhe ata në lumë. Asnjë diskutim i hapur nuk përfundon me ndonjë racionale që do të vlente. Të gjitha hapërdahen në gërrmërre personale, krekosje të shëmtuara e poza kalorsiake. Dhe imagjino kur ato shpesh herë fshihen pas armurave të anonimatit. Qëllimet e forumtarëve (dmth ata që ngrenë forumet) janë padyshim të larta e fisnike. Ka forume për politikën, dashurinë, artin, letërsinë, muzikën, shkencën. Dhe kjo është mirë. Por nuk shkon shumë dhe lukunia e forumxhijve (dmth ata që shkruajnë nëpër forume) i prish, shaktërron e i përdhos të gjitha.

Sigurisht që ka forume më serioze ku shkruesit nuk fshihen pas nofkave dhe ku ata që shkruajnë dinë të shkruajnë e komunikojnë si njerëz normalë të kulturuar. Por edhe nga këto, mjaft degjenerojnë në një bjerrje mendimi polivalent apo në shporta karavidhesh. Diskutonte për shembull një forum që të ngrihen apo të mos ngrihen TEC-et në Vlorë. Shumë nga forumxhinjtë (kjo fjalë nuk përdoret me ngarkesë emocionale, por për kollajllëk), ambjentalistë apo mjedisorë të thekur, sillnin prova pse nuk duhen bërë ato në Vlorë. Citoheshin personalitete, bashkëngjiteshin artikuj gazetash, shahej qeveria socialiste që e nisi këtë punë, shahej edhe ajo demokratja që nuk po e bitis siç duhej e më në fund doli dikush me një peticion për qeverinë që të ndalohet urgjent projekti. Kur fashitet diskutimi dhe merr e lexon të gjitha ç’janë shkruar për këtë temë (apo të tjera si kjo) vë re se ka fare pakë gjëra të dobishme. Një që s’kishte asnjë mendje në krye për këtë, e gjen veten me tre a katër të tilla në të katër anët e horizontit, një tjetër që qe i bindur në mendimin e tij, bindet edhe më shumë se ka të drejtë edhe kur e drejta është me vite larg nga mendimi i tij.

Në një forum, një nga forumxhinjtë me CV të lartë bën hedh një ide “gjeniale”: të modifikohen shkronjat e shqipes në mënyrë që ajo t’i përshtatet kohës së cyberspace. Pra të hiqen fillimisht “ë” dhe “ç” dhe më pas edhe ato dyshkronjëshet munduese dhe të zëvendësohen me të tjera më të lehta. Për shembull në vend të “ë“ vemë “ee” dhe në vend të “ç” vemë “sch”. Duke reduktuar shkronjat në 26, do të kemi kursime aq të mëdha sa që Shqipëria e gjorë do ta ketë fare kollaj të fluturojë jo në Evropë por edhe më tutje, në ndonjë planet tjetër. Forumxhijve të tjerë që e dëgjojnë këtë, u ndodh si me ata të mënçurit e bregut të lumit që u tha më sipër. Durojnë e durojnë pastaj s’durojnë më e i turren lumit të nxjerrin gurin, nakatosur në baltë e në llucë me budallenjtë e tjerë. Sigurisht është detyrë e forumtarëve (apo moderatorëve siç u thonë) që t’u japin drejtim e mos lënë të degjenerohen temat. Në fund të fundit, ata duhet të jenë ekspertë të mirëfilltë të forumeve të tyre.

Nuk është e vështirë të zbulosh shpesh herë nëpër forumet tona krizën e identitetit, intolerancën dhe mbivlerësimin e vetes. Del açik prirja e jetës së sotme shqiptare: për të folur e folur e folur shumë dhe për të bërë konkretisht pakë, pakë, pakë, sa pakë. Në këtë formë siç është, kultura e forumeve është kushërirë e parë me kulturën e thashethemnajës së kafeneve dhe të endjes bjerrakote të turmave tutje tëhu rrugëve. Jeta e njeriut është tepër e shkurtër për të harxhuar orët e ditët kësisoj. Mjete të tilla të teknologjisë së informacionit e komunikimit janë avantazhe të jashtzakonshme të kohës e të brezave tanë. Le t’i përdorim ato me më shumë dobi e mend. Jo ta gjejmë veten brenda tyre se nuk kemi ç’të bëjmë tjetër me kohën tonë, por të futemi në to për të ndjerë të bukurën e racionalen e për t’i shërbyer me sa mundemi vendit tonë të vogël e pse jo, edhe botës sonë të madhe.

(Botuar në Metropol, 10 mars 2006, Gazeta Sot, 10 mars 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home