Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Ata që i dinë të gjitha

Ndodh një dukuri e çuditëshme në median shqiptare: sapo për arsye të rrethanave dhe zhvillimeve lënë karrigen apo funksionin politik a shtetëror, një pjesë e madhe politikanësh a shtetarësh rrëmbejnë penën e i futen faqeve të shtypit. I futen me një zell që me të vërtetë të habit. Dikush mund të thotë: epo ç’të keqe ka këtu? Cilido është i lirë të marrë penën e të shkruajë. E kush nuk shkruan sot në këtë Shqipërizën tonë? Vetëm ata që nuk dinë shkrim e këndim. Sigurisht nuk është ndonjë e keqe kushedi çfarë, duke marrë parasysh boll të këqia që ka ky vend. Nga njëra anë, kjo tregon se këta njerëz e çmojnë dhe e kuptojnë forcën e fjalës në shtyp. Por nga ana tjetër, ata shpesh herë e mërzisin lexuesin duke dhënë formula e receta për zgjidhjen e të gjithë problemeve që ka vendi (bile dhe bota!).

Një ish ministër bile, kohët e fundit propozonte edhe një novacion gjuhësor: të hiqen “ë“ dhe “ç” nga gjuha shqipe sepse paraqesin vështirësi kur shtypen në kompjuter dhe të zëvendësohen me ca gërma të tjera (?!) Ndoshta ai dhe mund të ketë të drejtë dhe fundja ka shprehur një merak të tijin që s’e lë rehat kur shtyp shkrimet e tij të shumta me kompjuter. Po nuk do ishte më mirë të merreshin gjuhëtarët me këtë punë? Sepse po i njëjti person, shkruan me dhjetra shkrime ku jep mend se si të bëhet me doganat, tatimet, si të bëhet me imunitetin e parlamentarëve, të prishet a të mos prishet mbikalimi te Zogu i Zi, si të rregullohet trafiku, plazhi i Durrësit, kushtetuta, zgjedhjet, si do shkojë puna e Kosovës, e Ballkanit, e botës e të tjera e të tjera. Kur arrihet deri këtu, kemi të bëjmë me manjakë që dëshërojnë të shprehin në shtyp atë që s’patën kohë e mundësi ta vinin në praktikë (qoftë edhe në përmasa më të vogla), kur ishin në postet e larta të pushtetit. Po kush u a ka fajin?

Në Amerikë rrallë duken në shtyp firmat e ish funksionarëve të lartë. Duken vetëm atëhere kur i fton gazeta të shprehen për ndonjë ngjarje historike të rëndësishme që ka ndodhur në kohën që ata kanë mbajtur postin. Dhe nuk flasin e nuk marrin përsipër t’i dinë të gjitha gjërat e të japin mend për to.

Tek ne, një ish president i nis më së shumti shkrimet e tij me frazën: “Kur isha jashtë shtetit për nje veprimtari shkencore...”, që sipas një filmi të vjetër shqiptar, përkthehet: Kur isha një herë në Çanak-kala. Bile ai tregon edhe ndonjë barcaletë nëpër shkrime dhe jep referenca pa fund librash e artikujsh duke dalë nga fokusi dhe funksioni i vetë gazetës. Ajo që më ka habitur gjithmonë është se ku e gjejnë kohën këta njerëz që të shkruajnë e të shkruajnë pothuajse përditë? Se një punë ata e kanë, me të cilën marrin rrogën. Dyshon atëhere (larg qoftë!) që nuk e bëjnë siç duhet atë punën tjetër që duhet të bëjnë. Mos është vallë që të mësuar me popullaritetin e kohës kur ishin nëpër poste, me përmendjen në shtyp, në lajme, në radio e TV, kërkojnë me ngulm ta bëjnë emrin e tyre të valvitet nëpër faqet e shtypit si për inat e hakmarrje të atyre që “s’i kanë çmuar” se cilët janë.


(Botuar në Gazeta Sot, 5 shkurt 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home