Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Meditim mbi memoaret e një ambasadori

Nuk e di se si me erdhi ndermend por po mendoja se në qoftë se ne shqiptarët do ta kishim patur shkrimin tonë ca shekuj më parë se Formula e famshme e pagëzimit, pyjet e këtij vendi tani do të kishin marrë fund me kohë me atë dëshirë e zell që kanë “vëndëthit e bekuar” për të shkruar e shkruar e shkruar. Pale pastaj sikur ai diktatori surrat-petull komunist të mos na kishte ndaluar per pesëdhjetë vjet të shkruanim ashtu siç donim e sa të donim. Këmbë druri nuk do të kishte mbetur në Shqipëri siç nuk ka për të mbetur pas pakë vitesh në vazhdofshim njëlloj të harxhojmë aq harbutërisht letrën që del nga brumi i drurëve.

Lexoja ka ca ditë memoaret e një ish ambasdori. Njeri me kulturë, bërë çuditërisht mjaft aktiv tani së fundmi, duke marrë me rradhë të gjitha gazetat e duke bërë thirrje për fushata intelektuale e tema të thekura savantësh. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte se ketij njeriu duke e hequr nga puna, i kishin bërë një të mirë të pallogaritëshme: i kishin dhënë kohën për të prodhuar vërshimin e shkrimeve të tij të papërmbajtëshme. Po pse nuk rreket më mirë ky ish ambasador të zgjidhë hallin e tij? Apo kërkon ta zgjidhë duke folur për kodra mbas bregut (por edhe për Belulin…)? Si intelektual i ndershëm që kërkon të na mbushë mendjen se është, lipset të shkojë atje në Tiranë e të zgjidhë çështjen për të cilën akuzohet e jo të na tregojë dokrra më tha e i thashe, ku në qendër vihet zotësia e tij e padiskutueshme, ndershmëria dhe karakteri i paepur.

Eshte e çuditëshme se si ata që e kanë rrojtur aktivisht periudhën komuniste, nuk u bëjnë përshtypje këto gjëra. Nuk u bëjnë përshtypje për shembull se ende pas 15 vitesh demokraci ne nuk heqim dore nga pinjollët e nomeklaturës së kuqe, por vazhdojmë ti vemë ata ambasadorë, ministra, deputetë e të tjera poste të rëndësishme. Nuk paska të tjerë djem e vajza ky vendi ynë ndërkohë që ka kaq të diplomuar në universitetet më të mira të botës?

Vini re një pasazh që ky ish amasadori ynë i nderuar përdor në memoaret e tij. Kur takohet me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Z. Limpreht dhe ky i fundit i kujton të atin e tij, ambasadori ynë hidhet përpjetë dhe i qëndron si burrë se babai i tij paska qenë njeri i ndershëm e punëtor dhe s’ka patur asnjë privilegj nga regjimi komunist. Unë vetë, kam dëgjuar nga im atë se babai i tij s’linte 16 tetor pa shkuar shkollë më shkollë për të treguar bëmat komuniste të E.Hoxhës. Dhe i biri na thotë se ai nuk ka patur asnjë privilegj. Harron ai ata që u dergjën burgjeve, u internuan e e ngrysën jetën provincave skutaerrta kur ai kishte mundësitë të bëhej ky që është, të studjonte e të shkonte jashtë shtetit atë kohë kur nuk shkonte kushdo? Ai na thotë se Z. Limpreht, paska rënë dakord me të dhe se na thënka që e njëjta gjë ka ngjarë dhe me birin e Z.Gjoni, i cili qënka “the best you got”. Po të jetë kështu, Z.Limpreht do të ishte një miop i pakorigjueshëm por ai nuk ishte i tillë. Siç dinte ta dallonte të bukurën, ai e dallonte edhe të mënçurën te një brez i ri që nuk kishte të bënte me nostalgjitë e nomenklaturave demode të përmbysura.

Por me sa duket është e vërtetë ajo që arra bie nën arrë. I ati i këtij ish ambasdori vazhdon të prodhojë përçartje letrare pafund, vjersha e kujtime që po t’i lexosh duhet të mbash brinjët me dorë nga e qeshura. I ziu njeri, që ja heq paratë kafesë pleqërishte për të paguar botimin e librave! I biri i tij është ku e ku me të atin, modern, filosof, diplomat. Diplomat? Ndoshta vetëm diplomat nuk është. Se me këtë vërshim shkrimesh që nuk ka digë ta mbajë, ai më së pari i bën dëm vetes së tij ndërkohë që dosja i qëndron e hapur në organet kompetente.

(Botuar në Koha Jone, 6 dhjetor 2005)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home