Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Përçartjet e një ish filosofi enverist dhe tarifa e babëzisë së tij mediatike

Në një shkrim të mëparshëm, duke ruajtur parimet etike të gazetarisë të cilat ende i mësoj në shkollë, u përpoqa të parashtroj disa mendime të miat mbi babëzinë mediatike që një ish ambasdor ka shprehur së fundmi, pas një skandali që ndodhi në ish ambasadën e tij dhe pas një procesi penal të hapur për të. Nuk është se zotëria nuk ka shkruar edhe më parë, por kurrë me të tillë intensitet e mani gjithëpërfshirëse. Në atë shkrim unë shprehesha gjithashtu se pinjollë të tillë të nomenklaturës së kuqe janë kurdoherë të dyshimtë kur përfshihen në udhën drejt demokracisë pa bërë një katarsis të thellë e të gjithëanshëm.

Në reagimin e tij, ish ambasadori dhe ish filosofi enverist, m’i bën më të qarta e më të bazuara hamendjet e mia. Në kaq e kaq shkrime e libra që ky njeri ka shkruar (dhe më duhat ta sqaroj se kur them që shkrimet hanë pyjet, kjo do të thotë se letra që botohen gazetat e librat bëhet ende nga brumi i drurëve dhe nuk ka te beje se me se i shkruan zotëria dhe i ati i tij ato, me kompjuter a me pendë pate) nuk ka thënë një fjalë kundër babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, nuk ka bërë kurrë përpjekjen për analizuar krimin e një diktature nga më gjakataret në botë. Dhe ky njeri, vetëm me pesë e gjashtë vjet në diplomaci, nxiton të na rrëfejë kujtimet e veta për qënien e tij si ambasadori më i rëndësishëm i vendit, a thua se këtë vend e mori me ndonjë meritë të shquar a ndonjë konkurs dhe jo si rezultat i shoqërive e simpative të vjetra, ashtu siç bëhen punët në Shqipëri. Të mbushet ca më tepër mendja për këtë kur shikon se si po i shkon filli vendimmarrjes për detyrën e ambasadorit të ri në Uashington.

Ka patur intelektualë, të cilët kanë qenë në elitën e vendit edhe në kohën e regjimit komunist, që kanë denoncuar në një mënyrë apo në një tjetër krimet e atij regjimi, që të mos flasim pastaj për intelektualë ish të dënuar e të persekutuar të cilët e kanë bërë këtë më së miri. Ka patur edhe të tjerë që kanë marrë në sy ta ndajnë veten edhe nga bëmat e vetë baballarëve të tyre, kur këta baballarë kanë patur funksione të larta në hidrën komuniste, duke demonstruar një guxim të pashëmbullt qytetar. Kurse ish filosofi ynë vetëm na qënka krenar për të atin e tij, një puthador (për të mos shkuar më poshtë trupit të njeriut) i paskrupull i tiranit, një zyrtar i lartë të cilin i biri na i paraqet sikur të kishte tundur gjithë jetën ca letra të kota zyre nga një vend në tjetrin. Ky baba i nderuar punonte në kokën kryesore të hidrës shumëkokëshe dhe në doni të dini se ç’bëhej atje, lexoni procesverbalet që botohen në Metropol këto kohë. Sa për atë që zotnia ish ambasdor më tall se e paskam me të dëgjuar që i ati shkonte shkollë më shkollë si prifti me kusi, për të molloisur për xhaxhi Enverin e dashur, e ka kot. Të vërtetat janë të vërteta (sidomos kur është fjala për të vërteta të tilla të thjeshta) dhe nuk lidhen me moshën e njerit apo tjetrit. Unë vetë s’kam mbajtur rradha qumështi, s’kam parë të internuar e të vrarë burgjeve e kënetave, por ja që këto i di. Jam kurioz të di, a i ka biseduar (apo kritikuar) ndonjë herë ky bir i virtutshëm me të atin, kronikan i diktatorit, veprimtaritë e shumëpërfolura të tij, fjalët e tij në shkolla, takime e biseda? Apo bisedojnë ende të dy kokë më kokë e me pësh pëshe, të mallëngjyer për atë kohë që s’ka kthim?
Fjala e shkruar nuk është pronë e askujt. Qoftë e talenteve të vjetra, si ish filosofi ynë (një herë e një kohë marksist dhe tani pragmatist) qoftë edhe e ndonjë “talenti të ri” si unë. Rëndësi ka që kjo fjalë e shkruar të zerë vendin e vet, të thuhet si duhet e kur duhet dhe të mos hidhet si tym për të mbuluar veprimet apo mosveprimet e njërit apo tjetrit. Zotnia në fjalë, lipset të zgjidhë së pari punët e tij të përfolura, marrëdhëniet me shtetin që e bëri ambasador dhe e hoqi nga ambasador, pastaj le të zgjidhë grykën e thesit të “publicistikës” së tij. Tarifa e babëzisë së tij mediatike është vetëm shvlerësimi i një kulture intelektuale të dyshimtë e me rrënjët në kohën e babaqemos. Sigurisht kjo nuk është çudia e vetme e këtij vendit tonë që ka më për qejf fjalët se sa punët që e shpien përpara.

(Botuar në Koha Jone, 13 dhjetor 2005)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home