Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, April 21, 2006

Një prokuror si Patrik Fitxherald

Një nga çështjet më “të nxehta” politike këto ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është hetimi i Ljuis Libit, ish shefi i shtabit i nënpresidentit Çeni. Historia nisi si një rrjedhje informacioni nga Shtëpia e Bardhë lidhur me pozicionin si oficere e CIA-s të Valeri Plejm, gruas së ish ambasadorit amerikan Xhozef Uillson. Ky i fundit ishte ngarkuar nja dy vjet më parë me një mision të rëndësishëm: të hetonte në Nigeri në se Iraku ishte në tratativa për të marrë uran prej këtij vendi. Paralelisht me misionin diplomatik të ambasadorit, në kanale të tjera vepronte e shoqja, një operative e vjetër e inteligjencës amerikane. Uillson jo vetëm që nuk u bind “të gjente” provat që Bushit i duheshin me çdo kusht për të nisur fushatën e Irakut, por ai u kthye në një kritik të ashpër të kësaj fushate. Kohë më pas Libi, në kontaktet e fshehta me shtypin, nxorri misionin e Valeri Plejm dhe faktin që ajo ishte punonjëse e CIA-s. Ky informacion rrezikonte jetën e familjes në fjalë, ndaj ajo paditi administratën amerikane lidhur me këtë.

Disa muaj më parë, prokurori Patrik Fitxherald arrestoi Libin pasi arriti në përfundimin se ishte ai që i kishte dhënë informacionin gazetares së Nju Jork Times Xhudith Miller. Tani, me kurajo e profesionalizëm, ai po grumbullon fakte të reja se e gjitha afera është një përpjekje e përbashkët e kupolës presidenciale për të diskredituar kritikët e Bushit për luftën në Irak. Ky është një përfaqësues i ligjit që të imponon respekt dhe nuk do t’ja dijë se kë cënojnë e vënë në hall përfundimet e hetimeve të tij. Ai deklaroi se “shumë njerëz në Shtëpinë e Bardhë, kanë përdorur informacionin e fshehtë për të diskredituar, ndëshkuar apo për t’u hakmarruar ndaj një kritiku të luftës së presidentit Bush në Irak.”

Patrik Fitxherald, lindur në 1960, vjen nga një familje e shtresës së ulët irlandeze-amerikane. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën për ekonomi e matematikë në Amherst, vazhdoi për ligjet në Harvard dhe në 1988 u caktua ndihmës i prokurorit të Nju Jorkut ku ndoqi trafikun e drogës dhe procedimin e Xhon Gotit, bosit të familjes famëkeqe mafioze. Në 2001 ai u bë prokuror i qarkut verior të Ilinois ku hapi menjëherë disa çështje të rëndësishme duke zbuluar një rrjet korrupsioni e mitëmarrjesh që shkonin deri në kupolën më të lartë të këtij shteti. “E vërteta është motorri i sistemit tonë gjyqësor,” thotë Fitxherald. “Në qoftë se komprometoni të vërtetën, i tërë procesi ka humbur.”

Fitxherald nuk ka asnjë përkrahje në kupolën e lartë të politkës amerikane. I vetmi njeri që vuri re aftësitë dhe kurajon e tij dhe e propozoi si prokuror në Ilinois, ishte Peter Fitxherald (pa lidhje me me të), senator republikan i cili tashmë ka vdekur. Ky prokuror i ri është shembulli i njeriut që ka çarë me zotësinë, ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij në udhët e sistemit gjyqësor të Amerikës.

Kur dëgjoj për të më shkon mendja në Shqipëri dhe ëndërroj sikur edhe atje të kishte gjyqtarë e prokurorë si Patrik Fitxherald. Natyrisht që është vështirë të jesh atje ky lloj njeriu i drejtësisë, kur drejtësia përdoret në më të shumtën e rasteve si një monedhë në pazarin politik. Vini re çka ndodhur me heqjet e vëniet e prokurorëve të përgjithshëm. Lexoja ca kohë më parë kujtimet e Zef Brozit, prokurorit të viteve të para të demokracisë ku tregohej hapur se sa e rrezikuar do të qe jeta e tij në se nuk do kishte pranë ambasadën amerikane në Shqipëri. Me një pazar të tillë politik u hoq Arben Rakipi dhe kështu po përpiqen të heqin edhe kryeprokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku. Kryeministri i sotëm, që e kishte këtë jurist për kaq vjet këshilltar në kohën kur ishte president i vendit dhe që vetë e ka propozuar për këtë post, befas zë e luan të gjithë gurët që ta heqë. Vallë nuk e paska pasë njohur mirë aq pranë sa ç’e kishte kur e mbante për këshilla?

Mund të ketë edhe në Shqipëri gjyqtarë e prokurorë që do të shkonin me siguri në udhën e Patrik Fitxheraldit. Por ata pengohen që në krye. Eshtë vërtet e vështirë të jesh në Shqipëri njeri i ndershëm, por është shumë herë më e vështirë të jesh gjykatës apo prokuror i ndershëm. Kjo sepse të rrezikohet për ditë jeta tënde dhe e familjes, jo nga një keqbërës e dy, po nga klane të tëra, qarqe politike që janë të lidhura me krimin e korrupsionin. Vini re se juristët më të mirë hiqen mënjanë e bëjnë para si avokatë duke zgjedhur më së shumti raste të parrezikshme por që jo kurdoherë dhe atyre u del për mbarë.

Bota na kërkon gjithnjë e më tepër reforma në gjyqësor dhe kemi 15 vjet që themi që po bëhen reforma e asgjë nuk vihet në vijë. Themi gjyqtarët e prokurorët janë të korruptuar. Ka edhe që janë. Por jo të gjithë. Por ata nuk i lë politika të jenë të ndershëm. Nuk i lë as politika e as mentaliteti shqiptar, tarafi, rrethi, soj e sorollopi. Ndershmëri do të thotë të futësh në burg edhe tët atë po qe se ka shkelur ligjin. Kur e pyetën në një intervistë Patrik Fitxheraldin se a do ta procedonte një irlandez që hyn pa dokumenta në SHBA, ai tha natyrisht që do ta procedonte. Në qoftë se nuk bënte kështu me atë, tha ai dhe ndryshe kur në vendin e tij të ishte një arab, atëhere ky do të ishte racizëm i pastër dhe shkelje haptazi e ligjit. Mirë është që në çdo profesion njeriu të jetë i ndershëm e me kurajo. Por një artist i madh mund të mos jetë edhe aq i ndershëm e me kurajo, një mjek i zoti, një inxhinier a shkencëtar, po ashtu. Kjo nuk i bën ndonjë dëm të madh shoqërisë, u bën dëm vetëm atyre që janë ashtu. Kurse një gjykatës i pandershëm a pa kurajo dëmton një shoqëri të tërë, ngre apo rrëzon besimin e njerëzve te ligji e sistemi shtetëror. Ndaj nuk është puna të kemi një shkrimtar të madh si I.Kadareja, një muzikant të madh si A.Gjebreja, një humorist të madh si A. Llakaj apo një sportist të madh si E.Bogdani, por të kemi gjyqtarë e prokurorë si Patrik Fitxheraldi.

(Botuar në Gazeta Sot, 19 prill 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home