Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Sunday, April 23, 2006

Labirintet e së shkuarës

E kaluara nuk është një shpellë e mbyllur një herë e përgjithmonë. Labirinteve të saj u kthehemi sa herë gjejmë shtigje të futemi në to. Pavarësisht se ka njerëz që s’u vjen mirë nga kjo. Ka që bëjnë çmos që të mos hyet më aty, vënë gurë e zënë shtigjet herë me inat e herë me këshilla savantësh: mos shihni të kaluarën po të sotmen e të ardhmen. Por gjithsesi pa ditur nga ke ardhur nuk di se ku të shkosh. Në atë shpellë ku kërkojmë të hyjmë herëpashere është njëlloj si të ketë rënë një tërmet i madh: janë rrëzuar statuja, kollona, orendi e gurë. Janë mbuluar me pluhur data e ngjarje. Ata që hyjnë aty, zihen e grinden me njeri tjetrin se ku e kanë vendin gjërat, si ishte kjo e si qe ajo tjetra. A thua se ka mijra e mijra vjet që kjo shpellë ka qenë e gjallë, kur në të vërtetë ka fare pak vjet. Paleozoologët janë në gjendje që me pak fije eshtra të gjendura në zgafellat e kohrave të ndërtojnë kafshët e lashta që kanë jetuar atëhere. Për të rindërtuar e venë në vend të shkuarën tonë, detyra nuk është kaq e vështirë. Vetë ne e bëjmë kështu. Duke qenë pjesë e një mjedisi të caktuar, njeriu e ka të vështirë ta përcaktojë siç duhet atë mjedis. Duhet të largohet e shkëputet prej tij që këtë ta bëjë më mirë. Dhe tani mund ta bëjmë më mirë.

Shqipëria u shkëput nga murtaja komuniste me një hutim e rrëmujë të paparë. Ramiz Alia, i cili pati shansin historik ta kthente ketë vend në udhën e perëndimit shumë më parë se të pushkatohej Çaushesku, tregoi qulltësinë e pavendosmërinë karakteristike të edukuar për dyzet vjet nën satrapin e madh. Duke humbur këtë shans, i zënë si dhelpra në çark, ai dha e mori të sigurojë dekomunistizimin formal duke infiltruar skalionet komuniste në turmat e revoltuara që kërkonin ndryshimin pa e ditur mirë se cili qe ai ndryshim. Shumë biznese të sotme të suksesëshme, shumë lidhje të brendëshme e të kamufluara, e kanë zanafillën pikërisht në mbledhjet e fundit të shtabit komunist ku janë përcaktuar taktikat dhe janë ndarë detyrat për të ardhmen.

Janë të ndryshme kategoritë e vuajtjeve të shqiptarëve në kalvarin komunist. Një pjesë u zhduk e u shfaros, u burgos e u përndoq; një pjesë tjeter rrojti një jetë me profil të ulët e pa rënë në sy; të tjerë, të lidhur me fitimtarët në pushtet, jetuan jetën e asaj kohe, me të mirat e të ligat, sipas periudhave ku e hidhte adrenalina e kryesatrapit komunist; të tjerë akoma, u ngjitën shkallëve të diktaturës duke u përpjekur të ngjiteshin sa më lart në të. Të ishe disident atë kohë, do të thotë të ishe i vdekur ose në burg. Disidentë të lirë (apo të gjallë) Shqipëria nuk pati. Pësh-pëshet vesh më vesh dhe ndonjë guxim i vetmuar, qenë pjesë e jetës por nuk i jepnin asaj tonin. Një punonjës i vjetër i sigurimit, mik i familjes sime, më pat thënë tani von se nga të gjithë procesverbalet e mbajtura në hetuesi zhdukeshin e fshiheshin të gjitha sharjet e fyerjet që kishin të bënin me Enver Hoxhën. Kështu shkruhej historia. Kishte njerëz që qenë ngarkuar të raportonin për të tjerë njerëz, kishte që paguheshin për këtë, kishte që e bënin pa para, për karierë apo thjesht për inat. Qarkullonin dosje pa fund dhe nëpër organizatat bazë të partisë, si nëpër vrima merimangash endeshin rrjetat ku do të vareshin më pas fate njerëzish të thjeshtë.

Duke mos patur një disidencë të vërtetë, drejtuesit e lëvizjes demokratike për ndryshim u bënë ose ata që kishin ndjerë mbi vete apo familjet e tyre peshën më të rëndë të thundrës komuniste ose komunistët liberalë një pjesë e të cilëve flakën tesrat e partisë së vjetër dhe duke ditur zanatin, zunë menjëherë vendet drejtuese të partive të reja që u bënë biznese fitimprurëse për flamurmbajtësit. Por vendet drejtuese nuk qenë të panumërta. Dhe nga kjo shpejt u rritën tensionet dhe shoqëria u end kuturu dhe s’dihet ku do të përfundonte po të mos e hiqte pas vetes bota. Komunistëve liberalë apo antikomunistëve të butë ju duheshin antikomunistët e egër, pra ata të burgjeve e të internimeve, edhe pse mes këtyre kishte mjaft lapërdharë që do të kishin pranuar me qejf të ndrronin vendet me gardianët e tyre e t’i shërbenin kryesatrapit. Ata ju duheshin për të bërë më të besuar në sy të botës të kaluarën e tyre, për t’i përdorur si argumentë e forcë ndaj kundërshtimit vende vende të plebejve qorra që sokëllinin ndonjëherë “Kumandant, na mori malli!” (Kur kumandanti i la tërë jetën të hanin bar). Me kohë, antikomunistët e egër u lodhën nga lufta politike, ashtu të drobitur e të sakatuar në shpirt siç qenë nga vitet e shkuara dhe u hoqën mënjanë, një herë të zhgëngjyer e pa gjetur rrugëdalje e një herë të mashtruar me një copë kockë që antikomunistët e butë u a vinin pranë si trofe të çmuar.

Intelektualët entusiastë që rendën t’i bashkoheshin vërshimit demokratik, qenë me plot difekte në veten e tyre. Një pjesë, ata që kishin patur mundësi edukimi më të shumta, që kishin dalë jashtë vendit për shkolla e specializime, qenë domosdo nga familje të besuara, të lidhura ngushtë me regjimin. Familjet e tyre ndikonin ende mbi ta edhe në këtë periudhë tranzicioni kur një pjesë e tyre doli në krye të partive e lëvizjeve. Historia u rrokullis shpejt duke lënë pas shumë keqkuptime që gjithsesi s’duhen lënë të varrosen nën pluhurin e kohës. Ndarja me të kaluarën u bë e mangët dhe difektoze. Ata që donin të fshihnin diçka, ulërinin që të mos merreshin me të duke rendur të ndërtonin biografitë e reja, të tjerë që s’shihnin asnjë perspektivë zunë të ngrenë biografitë e tyre duke rrëmuar çdo llagëm të së kaluarës me vlerë a pa vlerë. Ata i vunë kazmën çdo gjëje të bërë apo të jetuar në atë periudhë dhe ngjallën në këtë mënyrë mosbesim e urrejtje tek ata njerëz që edhe pse kishin rrojtur nën diktaturë, u dhimbte ajo pjesë jete që do ta bënin njëlloj edhe sikur diktatura të mos ishte.

Pronat nuk u kthyen apo u kthyen pjesërisht e posaçërisht duke u ngatërruar me ligje të koklavitura e premtime fushatash zgjedhore. Dosjet e fshehta nuk u hapën me pretekstin se mund të hynte armiqësia në popull, a thua se kjo armiqësi nuk ka vite që bën ligjin në atë vend. Me shuarjen e zërit të antikomunistëve të egër, antikomunistët e butë bëjnë sot ligjin në Shqipëri. Kjo spjegon se pse nostalgjia komuniste lulëzon herë pas here atje, në media, radio, TV e jetën reale. Del i biri i Enver Hoxhës e tregon përrallat e babait dhe na thotë se po të ishte ai gjallë, Shqipëria nuk do kishte këto probleme që ka sot (po ato problemet e tjera që do kishte, nuk i zë ngoje!). Te shumë shtetarë të sotëm, edhe pas pozave e manierave moderne gjen përsëri komunistët e vjetër. Po t’i ckërmitësh pakë u dalin mendësitë arkaike komuniste. Asnjëherë ata nuk bënë një katarsis të thellë. Ndaj thonë: Mos u merrni me të kaluarën. Shikoni përpara, vetëm përpara. Po ajo “përpara” jo gjithmon është përpara kur të udhëheqin ata. E kaluara duhet njohur e mësuar për të mos u përsëritur më në pjesët e saj të dhimbëshme e të turpshme. Por analizën e saj mund ta bëjë më mirë se kushdo rinia që vjen, që hyn e del në Shqipëri nga universitetet më të mira të botës ku nuk e shpuri Enver merhumi apo soji e sorollopi i tij, por etja për dije e kulturë demokratike. Ylli i atij vendi do të ndritë kur në krye të punëve të saj të dalë kjo rini duke i zënë vendin antikomunistëve të butë demagogë që kanë 15 vjet që pretendojnë se janë ata që kontrollojnë kaosin e rrëmujën por që në fakt është kaosi e rrëmuja që i kontrollon ata.

(Botuar në Metropol, 23 prill 2006)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home