Tërbimi i injorancës
E kam admiruar shpesh herë gazetaren Mimoza Dervishi për shkrimet e guximshme plot pathos qytetar kur analizon situatat e mprehta politike dhe kur nuk mënon të kritikojë deri në krerët më të lartë të politikës shqiptare për probleme që asaj nuk i duket se shkojnë në drejtimin e duhur. Kjo është detyrë e një gazetari politik dhe këtë besoj nuk e mohon dot as zoti Lefter Maliqi, me dy fakultete. Megjithatë, ky zotni në një shkrim ka ca ditë më parë te Koha Jonë, vë përpara emrit të gazetares fjalëzën “një farë“. Kur kësaj gazetareje që ka shkruar dhjetra e dhjetra shkrime e njihet mirë nga kolegët e lexuesit ju dashka thënë “një farë Mimoza Dervishi...” atëhere ç’mbetet të thuhet për këtë zotin Maliqi, që megjithse me dy fakultete, nuk e njeh njeri. Me siguri për të duhet thënë “askërkushi Lefter Maliqi”.
Eshtë e turpshme që të ngrihet një me nder politikan (apo më mirë politikaxhi) dhe të guxojë të baltosë e të përjargë me fjalë të pështira një gazetare të nderuar. Ai mund të polemizonte me të si një njeri që nuk është dakord me ato që shkruan ajo dhe të parashtronte qetësisht idetë e tij alternative ndaj atyre të gazetares Dervishi. Por zotni Maliqi nuk ka kohë t’i bëjë të gjitha këto. Ai do që t’i zgjidhë të gjitha problemet me një të rënë të pallës.
Vimë kështu te ata mercenarë të politikës që po ndeshen gjithnjë e më tepër nëpër faqet dhe valët e medias shqiptare. Ata janë trima të çartur që e bëjnë me aq duf një shkrim ndaj dikujt njëlloj sikur ta zinin papritmazi e ta rrihnin atë në ndonjë qoshe. Me sa guxim rrëmbejnë penën e i vërviten shtypit këta politikaxhinj që u është mbushur mendja se i dinë të gjitha punët e kësaj bote dhe kujtojnë se meqë llapashiten në llucën politike, patjetër janë edhe gazetarë dhe dinë t’u tregojnë vendin kujtdoqoftë. Por gazetaria nuk është për t’i treguar vendin a apo mbyllur gojën njerit apo tjetrit o të nderuar sharlatanë. Ajo vërtet tregon vende e mbyll gojë, por tregon së pari të vërteta nga e cila trembeni të gjithë ju me të gjithë kryetarët tuaj të partive.
Vetëm injorantët kujtojnë se me që kanë hyrë në politikë mund të bëjnë çfardo profesioni të duan, pra mund të hiqen e dhe mjeshtër të penës e gazetarë. Fjala e shkruar, nga njerëz që dijnë ta shkruajnë mbetet në analet e dijes dhe nuk është si jargavitjet e përditëshme që prodhon politika dhe që harrohet sapo perëndon dielli. Këtë duhet ta ngulitin mirë në mendje kalorësit kordhëtarë të politikës që futen ndonjëherë faqeve të gazetave.
Veç kësaj, shtypi i lirë, sado i sakatepsur të jetë, prapë shkon drejt shtypit të lirë duan apo s’duan ca lakej politikanësh. Nderi politik i një politikani qoftë ky edhe kryetar partie, nuk vihet në vend me ca shkrime arrogante anonimësh por me trajektoren politike të vetë politikanit, kur ato që ai thotë e bën ngjallin simpati e përkrahje në publik.
(Botuar në Gazeta Sot, 14 maj 2006)
0 Comments:
Post a Comment
<< Home