Paragjykimet shqiptare
Nuk ka gjë që të mos paragjykohet në botën shqiptare, që nga më të rëndomtat e deri te ato me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit. Vini re si reagohet për gjithëshka:
Dhe ja tani më e fundit:
Shoqëria shqiptare ka vuajtur prej kohësh nga paragjykimet. Në shumë fjalorë mund të gjendet se paragjykimi është një gjykim apo opinion i ngjizur në mënyrë të paravendosur, një prirje apo opinion i formuar pa bazën e duhur apo pa njohuritë e mjaftueshme. Paragjykimi është një e metë thelbësore që turbullon mjaft mjedisin jetik të një vendi. Eshtë ai që gjeneron intolerancën, nxit përbuzjen e urrejtjen. Paragjykimi është shpesh rrjedhojë e formimit tonë të mangët, e të mësuarit për t’i bërë gjërat “më këmbë“ e “shpejt e shpejt” ndërkohë që ato duan të ulesh mirë e t’u kushtosh kohë e mund, e të përgjithësuarit e një përvoje negative që mund të ketë njëri apo tjetri në një teori të tërë të vlerësimit të gjërave që as i ka parë e as i ka ditur ndonjëherë.
Në epokën komuniste, paragjykimet i vlenin mjaft diktaturës (imperializmi ishte gogol, revizionizmi, tradhëtar, feja, opium për popullin, ballistët, bashkëpuntorë të pushtuesve e që hanin pula, prona, turp e herezi e madhe etj.) Sot, në një shoqëri të hapur e demokratike ato vetëm sjellin dëm. Vini re armiqësinë e madhe mes të majtëve e të djathtëve (kur vetë shumë nga ta të gjorët nuk e dinë fare pse janë të majtë apo të djathtë). A nuk është rrjedhojë e paragjykimeve, që socialistët janë hajdutë e mafiozë e të lidhur me krimin kurse demokratëve ju qan shpirti për popullin?
Paragjykimet shkojnë përtej kufijve të vendit ku rrojmë. Ato enden kuturu si balona të shkëputur nga pejtë. Paragjykohen shtete, kombe, epoka, fqinjë, dukuri e kultura, duke ushqyer nacionalizma të shëmtuar, ksenofobi, vlerësim bardh e zi të gjërave.
Paragjykimet janë diçka që e dëmtojnë individin pasi e vendosin atë në raport jo të drejtë me pjesën tjetër të shoqërisë. Shpejt a vonë, ato krijojnë bazën për mosmarrëveshje të
Me shqiptarët sot ndodh një dukuri e pashembullt. Duke qenë se gati një e treta e popullsisë jeton jashtë trojeve ku janë lindur e rritur, me pasion, mall e dhëmshuri, shpesh herë ata marrin pjesë në korin e madh të bashkëbisedimit në median e shkruar e audiovizive apo cybermedian moderne të internetit dhe më shumë akoma në bisedat e shumta në rrethe të ngushta e të gjera njerëzish. Të gjithë flasin për politikën, si bëhet kjo e si duhet bërë ajo. Kjo do të ishte gjysma e së keqes po qe se ky kor i madh nuk do të kishte paragjykime. Por jo. Paragjykimet e atyre që rrojnë më pranë jetës së vendit përcillen e bëhen shpesh herë qeliza nga të cilat rriten e zhvillohen paragjykimet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Dhe krijohet kështu një tablo që aman o zot, nuk di nga ta kapësh më parë.
Natyra apo Zoti i ka dhënë njeriut mendjen, instrumentin më të fuqishëm në gjithësinë që njohim, me të cilin ai ka arritur ta zhvillojë jetën e botën njerëzore deri në stadin që njohim e jetojmë. Paragjykimi është diçka që i përvidhet mendjes ndaj nuk e nderon njeriun mendimtar. Nuk mund të shpresojmë kurrë që Shqipëria të bëjë përpara siç duam ne të gjithë, rrethuar kaq shumë nga paragjykime që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shpërbëjnë e bjerrin energjitë e vrullin e një populli të shquar posaçërisht për vrulle e energji.
Botuar në Gazeta Sot, 13 tetor 2006
1 Comments:
Pershendetje per kete blog shqip dhe shqiptar. Paragjykimet besoj qe jane njerzore me shume se shqiptare. Une jam ne France dhe ketu flitet vetem per paragjykimet. E rendesishme eshte qe vendi te eci perpara drej modernizimit dhe tolerances.
Post a Comment
<< Home