Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, November 10, 2006

Zgjedhjet në SHBA: mësime e përvojë

Me emocion të thellë u pritën anembanë Shteteve të Bashkuara rezultatet e zgjedhjeve për në Kongres, Senat dhe guvernatorët e administratat e shteteve, natën duke u gdhirë 8 nëntor. Ne shqiptarëve kjo datë na kujton kur lindi lugati komunist në Shqipëri, por në Amerikë ishte një ditë që shënoi një fitore të madhe të demokratëve ndaj republikanëve në pushtet. Pas 12 vjetësh, Partia Demokratike ka rimarrë kontrollin e Kongresit. Ajo ka ekuilibruar pozitën (në rast se nuk fiton shumicën) në Senat dhe ka marrë shumicën e posteve guvernatoriale.

Shumë analistë e shohin këtë fitore si një referendum ndaj politikave të dështuara të administratës së Bushit dhe paaftësisë së Kongresit republikan për ta bërë përgjegjëse këtë administratë. Partia në pushtet humbi postet senatoriale në disa shtete të rëndësishme si Pensilvani e Rhod Ajland. Ajo humbi këtë post gjithashtu në shtetin që i dha fitoren Bushit dy vjet më parë, në Ohajo gjë që tregon një ndryshim të opinionit të zgjedhësve. Demokratët sjellin një axhendë të gjerë që duke gjetur miratimin e publikut votues, sjell me vete ndryshime legjislative dhe një premtim për të konfrontuar presidentin Bush në çështje si lufta në Irak dhe përparësitë ekonomike konservatore. Gara edhe pse e ngushtë e fytafytas në shumë zona, shënoi një fitore të madhe të kampit demokrat që ishte parashikuar me kohë nga sondazhet e ndryshme e analistët e shumtë.

Për çdo vëzhgues, votimet në SHBA qenë një garë e fortë dhe e bukur, pa të shara e rrahje, pa krisma pushkësh. Më e shumta që u derdh qe ndonjë krikëll birre në baret e Uashingtonit, të Nju Jorkut e san Franciskos ku njerëzit rrinin në pritje të rezultateve që vinin valë valë në mbulimin plot vetëpërmbajtje e profesionalizëm të stacioneve më të njohura televizive. E tillë, korrekte, e gëzueshme dhe me një konfrontim sjelljesh qytetare ishte e tërë fushata zgjedhore e këtyre zgjedhjeve. Votuesit votuan për persona konkretë, për politikanë të vjetër e të rinj që kanë bërë të njohur me hollësi vizionin e tyre politik. Të zhgënjyer nga njëri, ata u prirën drejt tjetrit duke gjykuar se politikani për të cilin votonin do të bënte më shumë për t’ua dalë situatave ekonomike, për të përballuar shtëpitë e kredituara dhe shkollimin në kolegje e universitete të fëmijëve, për një politikë të jashtme më realiste.

Këto zgjedhje bashkë me shumë të tjera si to, janë një mësim i madh për ne shqiptarët. Vota e lirë është elementi më i shenjtë i demokracisë. Ajo nuk duhet shpërdoruar e topitur. Kujtesa e votuesve shqiptarë duhet të jetë e mprehtë dhe vigjilente. Vota e bën përgjegjës votuesin për të ardhmen e vet. Ai nuk duhet t’i kalojë premtimet e kandidatëve si gjëra të kota e bajate por të mbajë shënim e të kërkojë sqarime për to dhe kur të vijë rradha të kujtojë mosplotësimin e tyre.

E keqja më e madhe e votuesve shqiptarë është lidhja e tyre tradicionale pas partive. Sado më i mirë të jetë kandidati nga partia tjetër, ai shihet me syrin e të qënit një “armik” dhe për të nuk mund të votohet kurrsesi. Kjo nuk ndodh në Amerikë. Një kontigjent i madh i tyre kalon nga njëra parti tek tjetra në çdo zgjedhje, vetëm sepse shohin një alternativë më të mirë te sfidanti, qoftë ky i partisë tjetër. Dejvid Liberman edhe pse i pavarur, fitoi vendin e senatorit në Konektikat sepse njerëzit shohin tek ai njeriun që mund të bëjë më shumë për aspiratat e tyre. Dhe edhe pse mund të qenë demokratë apo republikanë, ata votuan për të.

A ndodh vallë në Shqipëri që zgjedhësit të dinë se ç’qëndrim ka mbajtur e si ka votuar deputeti i tyre gjatë një legjislature të tërë për çështje të ndryshme? As që bëhet fjalë. Gjatë fushatës së zgjedhjeve, kandidatëve për kongresmenë e senatorë ju kujtohej se sa herë kishin votuar për këtë e atë gjë e ç’qëndrim kishin mbajtur ndaj problemeve të rëndësishme të vendit. Kurse në Shqipëri së pari, votimet në seancat parlamentare janë në më të shumtën e rasteve tejet partizane dhe të komanduara nga partia dhe së dyti, vetë zgjedhësit janë indiferentë. Ja dhashë votën partisë, thotë ai dhe s’i bie mendja më se ç’u bë me atë votë.

Vetë sistemi proporcional është një sistem që favorizon, por favorizon padrejtësisht, partitë e vogla. Po ç’të mirë ka Shqipëria nga partitë e vogla përveç të përdorurit si monedha kusuri në pazarin e partive të mëdha? Mos vallë me që ja pamë hajrin për gjysmë shekulli një partie të vetme, duam të nxjerrim zinë tani duke patur dhjetra parti? Le të jenë sa të duan, por jo me vota proporcionale e me pragje sa t’i duan ato. Le të kenë kandidatët e tyre në çdo zonë dhe jo të jenë parti me dhjetë veta që të grinden e pjellin parti të tjera për hir të posteve. Prapa sistemit proporcional fshihet mediokriteti partiak i kamufluar shpesh herë si meritokraci partiake.

Klasa politike shqiptare është e interesuar kurdoherë për zgjedhje të rrëmujshme, të koklavitura, me grindje, me tensione. Që kur të humbasë një palë, të thotë më vodhën votat se të tilla qenë zgjedhjet. Sepse askush nuk është e sigurtë. Votat dhe elektorati blihen kollaj, ende votohet me turma, fshatçe, me fis, me taraf, me frikë, me presion. Vini re: ende në Shqipëri nuk është caktuar data e zgjedhjeve vendore. Dhe pastaj të presësh që këto zgjedhje të shkojnë normale. Në SHBA, zgjedhjet e fundit u zhvilluan të martën, ditë jave pra. Njerëzit qenë në punë dhe sekush linte punën për një orë, shkonte votonte e kthehej prapë. Askush nuk u qa e u ankua. Mund të mendohet kjo në Shqipëri? Po të jetë ftohtë, thuhet pse në të ftohtë, po të jetë nxehtë, thuhet pse në vapë, po të jetë në kohë pushimesh, thuhet pse në pushime, po të jetë në ditë pune, thuhet pse në ditë pune, me një fjalë: si i dhe ujë gomarit...

Edhe një herë kthehem tek ti i nderuar votues shqiptar. Ti je ai që i ke në dorë të gjitha sado që politikanët hiqen se të kanë në dorë ty. Momenti i votimit është momenti më vulnerabël për politikanin. Sado fodull e i rëndë, atij i duhet vota jote dhe vjen ta lypë atë. Mendohu mirë kur t’ja japësh. Mos ja jep për hatër të partisë që e mbështet, po për hatër të vetive të tij dhe besimit tënd se do t’i bëjë ato që premton. Në mos i bëftë, mbaja mend dhe kujtoja në votën tjetër. Thotë një shprehje amerikane: po të gënjyen një herë, turpi është i atij që të gënjen, po të gënjyen dy herë, turpi është yti, miku im.


Botuar në Metropol, 10 nëntor 2006

0 Comments:

Post a Comment

<< Home