Shqiptarët në fund të vitit 2006
Në fund të çdo viti është zakon që njeriu të vihet në mendime. Dhe kjo është e natyrshme. Eshte një ritual i lashtë sipas të cilit çdokush bën në vetevete një bilanc, ç’më solli ky vit, ç’kam bërë e ç’nuk kam bërë. Më të rinjtë që ende nuk e ndjejnë peshën e viteve, jepen pas haresë e qëllon që të mos e vrasin mendjen shumë. Të tjerë qëllon që ndjejnë edhe mallëngjim për vitet që ikin si pa u marrë vesh. Fundi i çdo viti sjell kurdoherë gëzim e trishtim përzjerë bashkë. Kjo është e natyrshme: C’est la vie!
Për shqiptarët ky është fundviti i 16-të që kur i ikën diktaturës komuniste dhe jetojnë në një shoqëri më të lirë e më demokratike. 16 vjet nuk janë pak. Ahmet Zogu mbretëroi në Shqipëri një çikë më pak se kaq po megjithatë ja doli të krijonte një shtet, autokratik, anadollak, quaje si te duash, por krijoi një shtet si gjithë Evropa e asaj kohe. Enver Hoxha në 16 vjet e bëri Shqipërinë ashtu si deshi, me tokat kooperativa e të gjitha të shtetëzuara, me armiqtë e klasës nëpër burgje e internime dhe e ndjeu veten si Mesi të marksizëm-leninizmit që kishte misionin e goditjes ndaj revizionistëve dhe imperialistëve. Të dy ata i dhanë fytyrën e tyre shtetit shqiptar. Sigurisht, pas vitit 1990, të gjithë ne nuk prisnim që njëra parti apo tjetra, njëri krypartiak apo tjetri t’i jepnin fytyrën e tyre shtetit të ri shqiptar. Sepse kjo ishte tjetër kohë tani dhe idealet e njerëzve frymëzoheshin nga era e pluralizmit, lirisë dhe demokracisë që frynte anembanë botës. Por që të krijohej një shtet përsëmbari, që të mos ishte as më i mirë e as më i lig se të tjerët, këtë zorr se ka shqiptar që të mos e ketë lutur e dashur dhe të cilin ta ketë menduar në çdo fund viti si ky tani.
E pra, ai shtet shqiptar që ëndërrojmë është tepër larg. Politikanët shqiptarë, si një shportë karavidhesh dhanë e morën këto 16 vjet me fjalë e me vepra, me këmbë e me duar të sundojnë njeri tjetrin dhe shporta u end kuturu, më të majtë e më të djathtë, përpara e prapa po kurrë nuk bëri një çap më tej se atje ku ishte. Po ta analizosh me nge,
Ky fundviti e gjen Shqipërinë në po atë zallamahi grindjesh e mosmarrëveshjesh politike që jemi mësuar ta shohim prej vitesh. Të huajt janë lodhur së qënuri arbitër e gjykatës. Ata s’dinë anën e kujt të mbajnë. Ndërhyrjet e tyre janë shpesh herë të paefektëshme dhe stërhollimi i logjikës shqiptare të sherrit, me kthesat e papritura, inatet eksplozive e interpretimet krejt arbitrare e ndryshe të çdo gjëje të shkruar, i bëjnë këta arbitër të gjorë krejt të pafuqishëm e të mallkojnë fatin që u ka rënë ky mision. E bastionizuar rëndë në blindazhet e llogoreve partiake, politika shqiptare me “ne” dhe “ata” nuk ka shoqe në botë. A thua do të ulet e ta takojë Berisha ndonjë ditë Ramën dhe të bisedojnë si dy njerëz normalë që fati e ka sjellë të ndikojnë në fatin e mbarë një populli?
Ky fundviti e gjen Shqipërinë përsëri pa drita. Përmenden arsye, krizë energjie ballkanike, krizë evropiane...E kujt i duhet kjo? Ajo që duhet janë dritat. Ndaj bëhen votime çdo katër vjet. Qytetet e botës shkëlqejnë nga dritat. Duke ndënjur pranë një peme të madhe krishtlindjesh në San Francisko, mora vesh se fuqia elektrike e saj dhe e të gjithë kompleksit ishte 50 megavat. Dhe po mendoja: kjo do të thotë sa 500.000 shtëpi me nga një llampë 100 vat. Dhe në mend më erdhi Tirana e cila kur dritat ikin gumzhin nga zhurmat e gjeneratorëve të lokaleve që duket sikur bërtasin me të madhe ankimin e pazëshëm të qytetarëve.
Ky fundviti e gjen Shqipërinë përësri me rrëmujën e ndërtimeve pa plane e pa kritere, apo më mirë me plane e kritere mendjengushta. Marrjet e lejeve të ndërtimit dhe vetë ndërtimet janë bizneset e arta. Por askush nuk kujtohet se si pallatet ngjitur me njeri tjetrin i marrin frymën banorëve.
Ky fundvit e gjen Shqipërinë përsëri të paqartë për të gjithë perspektivën. Çdo gjë që është bërë nga kundërshtarët është e keqe, duhet rrëzuar e prishur. Se duke qënë armik, ç’gjë të mirë mund të bëjë kundërshtari yt, apo jo? E pra, a nuk mund të ketë një strategji kolektive, bipartizane për gjërat më të rëndësishme të një vendi të vogël si ky i yni? Strategji për të cilën të binin dakord të gjitha palët dhe jo te bëjmë një rrugë e të prishim një rrugë, të ngremë një tubacion e të prishim një tubacion, të privatizojmë një ndërmarrje të ç’privatizojmë një ndërmarje.
Ky fundviti e gjen Shqipërinë të ngërthyer në llafazanërinë e kakofoninë e saj të zakonëshme e lodhëse. E gjen kaotike, të rrëmujshme, me plane shkeleshko e me korrupsion të paimagjinueshëm. E gjen me statistika të hallakatura e të pasakta. Sa vende pune të reja pune janë krijuar këtë vit? Sa është shtesa e të ardhurave për frymë këtë vit? Çfar ka përfituar e çfar ka humbur qytetari shqiptar nga shteti i tij për këtë vit që ka paguar taksat? Sa është shtesa e atyre që ndjekin shkollat, e atyre që mbarojnë shkollat, sa është shtesa e arsimtarëve për frymë, e mjekëve për frymë? S i është goditur krimi këtë vit? Sa të droguar ka shpëtuar shoqëria nga tundimi i drogës? Sa zyrtarë të korruptuar kanë shkuar në gjyqe e në burgje? Këto i të gjitha duhet t’ja thotë shteti qytetarit të vet në këtë fundviti.
Ky fundviti e gjen Shqipërinë ende pa zgjidhur problemin e pronës. Ka 16 vjet që vjen vërdallë shteti i hallakatur shqiptar dhe këtë problem nuk e zgjidh dot. Pret që t’i thotë bota: E di ç’keni ju, a doni ca tokë andej nga Antarktida që t’ua ndani atyre që do të kompensoni? Ose pret t’u japë bota ndonjë grant të madh që gjysma të shkojë në xhepa pushtetarësh e gjysma të zërë qoftë një mballomë të vetme ndër ata që pretendojnë pronat e tyre. E pra, problemi i pronës vazhdon të jetë një spekullim i madh në këtë fundviti.
Ky fundviti e gjen Shqipërinë me një arsim e kulturë të përçudnuar.
Ky fundviti e gjen Shqipërinë që më së fundi bëri një deklarim ashtu pa shumë zhurmë e bujë në parlament kundër komunizmit.
E pra, le t’i kthehemi edhe një herë asaj: A mund të vendosim një statistikë të rregullt e të besueshme për të parë çdo fundviti se sa ka bërë prapa apo përpara shoqëria shqiptare? Sepse gjithëshka mbytet e mbulohet nga llafollogjitë, nga llogjet e nënave të Zeqove majë thanave (sa shumë nëna Zeqosh e sa shumë thana paska patur kjo e shkretë Shqipëri!), nga vetëmburrjet e vetëlëvdatat, nga mëritë e grindjet e pafund. Le të luftojmë pra që kjo të bëhet. Dhe le ta shpallim javën e fundit të çdo viti Javën e Paqes me njeri tjetrin. Le ta lënë mënjanë urrejtjen dhe të pajtohen qoftë për këtë javë që nga Don Kishotët e mëdhej me armurat politike e deri te Sanço Pançat e vegjël që u venë pas. Le të shohim te gjithkush mikun e shokun dhe le t’i urojmë gjithkujt të mirën. Të jepemi pas virtutit dhe jo ta bëjmë vesin e vanitetin udhë të jetës. Të jepemi pas kulturës sepse një shtet i kulturuar e demokratik bëhet vetëm me njerëz të kulturuar e demokratë. Gëzuar o shqiptarë kudo që jeni në botë! Gezuar ti mik qe as ndodh të të bjerë në vesh a në sy fjala ime po që mezi ja
0 Comments:
Post a Comment
<< Home