Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, June 02, 2008

Vetëm angazhimi aktiv qytetar çon në triumfin e demokracisë

Në fjalën e tij në Dakotën e Jugut, kandidati kryesues demokrat në garën për president të SHBA, Barak Obama, pasi parashtroi një sërë reformash që ka ndërmend të bëjë po të jetë president i vendit, u tha dëgjuesve se si president ai do ta kishte mendjen kurdoherë tek ata, njerëzit e thjeshtë por kërkonte prej tyre një shpërblim për këtë: që ata të ishin të angazhuar aktivisht në jetën e vendit, të ndiqnin fushatat politike dhe të merrnin pjesë energjikisht në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme për bërjen e ligjeve e të politikave. Ndryhsimi nuk vjen pa këtë angazhim, tha ai.

Angazhimi i shtetasve në jetën politike të vendit është një problem që shqetëson sot shumë sociologë në botë. Dihet që nën diktaturë, ndikimi i zërit të masave ishte një farsë e vërtetë. Partia e madhe fabrikonte broçkullat e saj të rradhës dhe i dërgonte poshtë tek populli që të bënte sikur ato kishin dalë që andej. Parulla e mirënjohur: “Ç’do populli bën Partia dhe ç’thotë Partia bën populli” është e famshme dhe proverbiale për këtë demagogji.

Kur hyjnë në udhën e demokracisë, njerëzit kanë entusiazmin e fillimit dhe angazhohen me vrull e entusiazëm për të ndërtuar demokracinë e vendit. Por entusiazmi bie shpejt, shumë nga ta zhgënjehen dhe e kuptojnë që shpesh herë idetë e fjalët e mëdha janë vetëm për të mbuluar interesa të ngushta, për përfitime personale, të familjes, të klanit, të partisë. Klasa politike, udhëheqësit e vendit me trajektoren e veprimtarisë së tyre janë shpesh herë shkaktarët e rënies së vrullit e entusiazmit të njerëzve në pjesëmarrjen në jetën e gjallë aktive të vendit.

Ky zhgënjim e pasivitet vihet re edhe në shoqëritë që janë në krye të demokracive sot në botë. Në zgjedhjet federale të SHBA në 2006 votuan vetëm rreth 81 milion e njerëzve ndërkohë që popullsia votuese ishte 220 milion dhe votuesit e regjistruar qenë 135 milion. Pra votuan vetëm rreth 44% e popullsisë votuese. Kurse në votimin për “American Idol” një shou televiziv popullor ku dalin talentet e reja të Amerikës, ishin rreth 97 milion votues që dhanë votën e tyre me telefon dhe e-mail, pra më shumë se sa pjesëmarrësit në zgjedhjet e fundit. Dhe është qesharake të mendosh se këta 97 milion që votuanse kush të shpallej American Idol i vitit, qenë më shumë se 81 milion që hodhën votat e tyre për fatet e vendit.

E njëjta gjë vihet re sot gjithandej në botë. Zgjedhjet e fundit lokale në Rumani kishin një pjesëmarrje më pak se 50%. Në Shqipëri gjithashtu pjesëmarrja në votime ka rënë nga zggjedhjet në zgjedhje. Njerëzit janë të pakënaqur me tollombacet e premtimeve boshe, me ankthin se vota e tyre manipulohet, dhe bëhet e pandikueshme, me transformimin e pushtetarëve kur marrin postet, me zhurmën e grindjet politike e të tjera. Por në vende të tilla si SHBA, ku shinat e demokracisë kanë kohë që janë shtruar, mosqënia aktive e shtetasve edhe pse ndikon në mbarëvajtjen e krejt vendit, për shkak të ekzistencës aktive e pë një kohë të gjatë të mjaft organizatave qytetare nuk është aq e rëndësishme e aq vitale sa në vende si Shqipëria.

Veç të qënurit vëzhgues, aktiv e konstruktiv në të gjithë proceset politike të vendit, duke lënë mënjanë thashethemërinë e llafazanërinë boshe, fajësimet përgjithësuese, sharjet e mallkimet që i kemi zakon ne shqiptarët, nuk ka mënyrë tjetër se si të mund të rregullohen gjërat në atë vend. Vota e lirë është instrumenti bazë i demokracisë dhe qëndrimi ndaj saj duhet të merret në vëmendje nga shqiptarët, të trajtohet seriozisht dhe të mos lihet pas dore e të neglizhohet. Votimi është një detyrë qytetare që rendi demokratik ta jep për të mos e shpërdoruar. Eshtë i vetmi mjet që bën që zëri yt të ketë mundësi të dëgjohet. Pa të nuk ka asnjë shans. Të rrish në kafene e të shash pushtetarët u a ke bërë atyre kurdoherë jetën më të gjatë e vetes më të shkurtër. Përveç kësaj gjatë fushatave zgjedhore duhet t’u bëhet kandidatëve një skaner i plotë, të mbahen shënim premtimet dhe t’u kujtohen atyre nesër.

Por votimi në vetvete gjithsesi nuk vlen pa qënien e përherëshme aktive, pa luftën e vazhdueshme qytetare. Në Shqipëri lëvizjet qytetare janë përgjithësisht fatkeqe. Njerëzit përgojojnë ata që i ndërmarrin këto nisma dhe bëjnë që ato të shuhen sa pa dalë nga embrioni. Këto lëvizje qytetare janë ato që përçojnë në unison zërin e një grupimi njerëzish. Po të bërtasim e shajmë të gjithë njëherazi, ky aktivizëm aspak konstruktiv nuk na shpie gjëkundi veç një kakofonie bezdisëse e lodhëse. Edhe marrja e pozave që “të tana i din e të tana i ban” e dhënia mend për gjithëshka, nuk të shpie gjëkundi. Fjala është për gjëra më të thjeshta, për ndjekjen e qënien në informim në mënyrë të vazhdueshme me atë që ndodh në vend, me ligjet që bëhen, udhëzimet që dalin, fushatat e nismat që qeveria apo pushteti lokal merr. Sot, sado të fshihet informacioni, prapë njeriu po të dojë mund të jetë i mirëinformuar për të gjitha këto. Ndodh që një ligj na prish punë dikur dhe zëmë e shajmë atë nëpër kafenera. Po ku dreqin ke qenë o njeri kur u ngjiz ky ligj? Pse nuk ja ke vënë veshin që atëhere por hidhesh tani që të shkelën në kallo?

Gjithmon shqiptarët bëjnë zhurmë si kofini pas të vjeli. Dhe ndodh një Gërdec, vetëm pak kilometra larg Tiranës e pastaj zënë e tirren çudirat: ka qënë kjo e ajo, ashtu e kështu. Po a nuk është indiferenca, jeta amorfe qytetare, joshja pas informacioneve banale ajo që na bën të na kalojnë pranë veshëve e syve të vërtetat e mëdha të jetës, ata fëmijë e gra që punonin në Gërdec e ato afera për të cilat nuk dinim gjë. Dhe sa Gërdecë të tillë ka në Shqipëri. Vallë do të presim të shpërthejnë që të na kujtojnë se ato janë pjesë e jetës sonë dhe e ka fajin mosinformimi, heshtja e indiferenca jonë që ato ndodhin ?

Impenjimi dhe angazhimi i vërtetë qytetar i çdo individi janë ato që mbajnë të shëndetëshme filizin e demokracisë. Vërtet ato nuk janë shkopi magjik që ndreqin në çast gjërat. Por ushtrimi i tyre i vazhdueshëm purifikon jetën e vendit molepsur nga korrupsioni e mashtrimi, modifikon e sjell në brazdë mediat shpesh herë spekullative e nën vartësi interesash dhe i mban si insektet nën një dritë të fuqishme bezdisëse pushtetarët e vendit duke i detyruara ata të lënë postin apo ta mbajnë atë siç duhet. I parë në këtë aspekt, të qënurit qytetar është profesioni i parë që demokracia i jep çdo individi përpara se ai të jetë student, pensionist, fermer, ndërtues, ushtarak, biznesmen a çfardo tjetër. Po nuk e ushtrove këtë profesion siç duhet, atëhere mos ju anko kujt se punët nuk shkojnë mirë, se nuk ka drita, se nuk ka ujë, se ka korrupsion, se ka shpërdorime, se jeta nuk është ajo që do ti të jetë. Shansin e ke. Ai është yti. Hidhu!

2 Comments:

Blogger Panorama de Fortim visto por Alida said...

Faleminderit per kete shkrim.

3:19 PM  
Anonymous Anonymous said...

Hi, I am starting an english blog from Albania, I am wondering if you dont mind linking it on your site and I will link yours. You can check it out on www.insidealania.wordpress.com and email me with your thoughts on insidealbania.wordpress@gmail.com
Thanks and keep up the good work!!
AKS

6:35 AM  

Post a Comment

<< Home