Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Tuesday, September 30, 2008

Përsiatje rreth një përvjetori të zi që vjen

Këto ditë, shtypi shqiptar botoi një intervistë me zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit më famëkeq në historinë e Shqipërisë. Me një vetëpërmbajtje model dhe konseguencë për t’u admiruar, kjo zonjë plakë vazhdon t’i mbushë mendjen opinionit shqiptar për qëllimet e mira të Enver Hoxhës, për shpirtin e tij të madh dhe mirësinë e tij prej engjëlli. Shokët nuk i vrau Enveri, thotë zonja e tij por ata e tradhëtuan Enverin. Dhe kalon më tutje e bën filosofira se pse nuk duhet të kërkojë ndjesë në emër të regjimit të cilit i përkiste si anëtare e familjes diktatoriale.

Intervista ka mjaft broçkulla se si një nga pendesat e saj qënka ajo për Fadil Paçramin, të cilit ja ktheu dramat që naivi mendjefyçkë i dërgonte nga burgu por ajo nuk përmend fare mijra të pushkatuar e të vdekur internimeve, mijra familje të mjeruara, vullnetet e ndrydhura të mbarë një populli dhe mënyrën e detyruar të jetesës gjysmake që nuk ishte jetë edhe për shumicën e atyre që qenë jashtë burgjeve e internimeve.

Mund të jetë edhe e natyrshme, që nuk ke pse pret më tepër nga kjo zonjë plakë që pavarësisht halleve e heqjeve të viteve të fundit (që janë një cërre në oqean në krahasim me ç’i shkaktuan ajo me të shoqin e mbarë kastën e tyre këtij populli) bëhet gati të shkojë e lumtur në atë botë sepse ka jetuar me burrin më ideal e më vizionar. Dhe ajo shpreson, siç na thotë në fund të intervistës, që populli shqiptar ta korigjojë veten e ta vërë mostrën që ajo pati për burrë në vendin që i takon.

Unë nuk i vë faj fare kësaj gruaje që për 40 vjet ju duk vetja edhe më e fuqishme se vetë Hera e Zeusit pasi ky i fundit kur i binte ndesh me dëshirat e veta e merrte dhe e përplaste të shoqen kokëtatëpjetë atje ku rronin vdekatarët e gjorë, kurse ajo bënte ç’deshte e si ta deshte në mbretërinë e mjeruar të të burrit të saj. Ajo që më bën të vë ulërimën në vetvete në këto raste është gazetari që është përballë saj. Ç’pret tjetër të thotë Nexhmije Hoxha me ato pyetje të mefshta të gazetares së nderuar Rudina Xhunga? Vini re intervistën e Keti Kurik të CBS me kandidaten amerikane për zëvendës presidente Sarah Pejlin. Ajo nuk mban as anën e demokratëve dhe as të republikanëve, as e fyen e as e sulmon të intervistuarën, por me pyetjet e mënçura e korrekte që bën, nxjerr në pah injorancën dhe mungesën e përgatitjes së saj për të kontribuar në këto fusha. Kaq.

Kurse kjo gazetarja jonë sikur ka merak se mos e lëndojë shumë në pikëllimin e saj zonjën e rëndë e të respektuar që ka përpara. Sepse mund edhe ta marrë inat ajo e t’i mbyllë derën. Bah, atëhere na iku zogu nga dora e nuk bëjmë dot skoop. Ja pra, gazetarja e pyet zonjën plakë se a është në dijeni se Këshilli i Evropës vazhdon t’i kërkojë Shqipërisë të kërkojë ndjesë për krimet e komunizmit. Zonja erudite i thotë se nuk është Këshilli i Evropës pas kësaj po një farë baroni. Kurse gazetarja kalon më tutje e nuk i thotë asaj (mbase nuk e di fare as ajo) se Këshilli i Evropës kaloi në 25 janar 2006 në Strasburg një rezolutë që dënon krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste. Rezoluta u miratua si rezultat i një raporti mbi “Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, me autor Goran Lindblad, anëtar i delegacionit parlamentar suedez në Këshillin e Evropës. Rezoluta dënon shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga regjimet komuniste totalitare dhe shpreh simpatinë, mirkuptimin dhe njohjen e viktimave të këtyre krimeve. Ajo u kërkon të gjitha partive komuniste apo pas-komuniste në këto vende të bëjnë në se nuk e kanë bërë rivlerësimin e historisë e të komunizmit dhe të distancohen qartë nga krimet e kryera nga regjimet komuniste totalitare dhe t’i dënojnë ato pa asnjë mëdyshje. Ja pra këto duhej të thoshte gazetarja e nderuar.

Më tutje kur ta pyeste në se Hoxha ka vrarë shokët dhe të merrte përgjigjen se nuk ishte e vërtetë por e vërteta na qënkësh se shokët e paskan tradhëtuar atë, duhet t’i thoshte ca fakte (të vockëla fare) si për shembull pse e vrau pas krahëve Mustafa Gjinishin që tutje në kohë të luftës? Ishte tradhëtar? Po pse nuk i bëri gjyq? Kështu e mësonte kanuni i tij marksist? Po këta shokët që e paskan tradhëtuar, çfar tradhëtuan? Tradhëtuan besnikërinë ndaj tij? Nuk e dinë vallë njerëzit që shokëve të tij u shkulnin gjuhët me pincë që të pranonin se kishin tradhëtuar? Pastaj kur kujton Fiqirete Shehun, pse nuk e pyet gazetarja se a e vizitoi ndonjëherë në burg shoqen e saj të rinisë dhe pse nuk qau hallet me të që t’i rrëfente ajo “gabimet” e veta? Sipas kujt ligji komunist e droguan dhe e vdiqën në qeli këtë shoqen e saj të vjetër? Sa kollaj llustrohen gjërat e punët, harrohen krimet e lemerishme, sundimi monstruoz dhe na u përmendka kafshata e bukës që na mbante gjallë dhe mjetet më minimale të jetesës. A ka turp më të madh se ky në faqe të dheut?

Na kujton ajo se paska qenë luftë sistemesh. Po Enver Hoxha nuk ishte Karl Marksi, e pandershmja zonjë pasi ky ishte një intelektual borgjez që analizoi kapitalizmin dhe dha ca ide të dyshimta për të ardhmen e shoqërisë. Ai gjithsesi nuk ishte një kasap si Enver Hoxha, me hanxhar në dorë e kobure në brez. Totalitarizmi shqiptar nuk mbronte as marksizmin e as komunizmin por në fakt, si një pjellë komuniste mbronte enverizmin, që ai institui yt i pështirë e quante triumfin e teorisë komuniste në botë. Ja, këto duhet të të thoshte ty gazetarja o shëmbëlltyrë e pandreqëshme e së keqes mbi dhe.

Dhe mos shpreso të vijë koha për respekt e nderim e burrit tënd. Ajo kohë ka përfunduar bashkë me aq jetë e energji njerëzish që ai shpuri dëm. Gjej ndonjë vend tjetër ku ndoshta ca si ai e nderojnë ende, te Meles Zenavi, për shembull, në Etiopi që u frymëzua nga mësimet e Enverit e vazhdon të përgjakë popullin e vet. Dhe më lejo të të përmend së fundi një shprehje të C.S. Ljuis : Nga të gjitha tiranitë, më shtypësja nga të gjitha është ajo e ushtruar për të mirën e vetë viktimave. Është më mirë të jetosh nën baronët plaçkitës se sa nën shtiekeqët e plotfuqishëm moralë. Mizoria e baronit plaçkitës mund të flejë ndonjëherë, lakmia e tij në një pikë, mund të ngopet, por ata që na torturojnë ne për të mirën tonë, do të na torturojnë pa fund sepse ata bëjnë kështu me miratimin e ndërgjegjes së tyre”. E pra, përvjetori i ditëlindjes së tët shoqi është vetëm një përvjetor i zi dhe për të tillë nuk ka respekt por vetëm reflektim, pendesë për disa, syçeltësi e vullnet nga të gjithë për të mos lejuar më të kthehen ato kohra.

(Botuar në gazetat Tema dhe Sot, 2 tetor 2008)

1 Comments:

Anonymous Anonymous said...

OyLBER,
Gazatarja nuk eshte prokurore ,te ishte ashtu si thua ti ,nje emision nuk do te mjaftonte jo e jo ,por as nje dite e as nje muaj..
por ti vetem emrin ke ylber,fjalet i ke vetem sa te ndezesh gjakerat perseri,te hapesh nje lufte te re klasash, se i bie qe gjysma e popullit ,te jete pushkatuar ,dhe gjysma ne burg!
Thirja jote si konteks me ngjan me nje trakt komunist"posht fashizmi"ose e kunderta posht komunizmi viva duce"

Shkrimi ishte shume i gjate,gje te re nuk na the ,ku ishim as gjekundi...

Njerzit sot kane nevoje per nje shprese ,per edukim me ligje t e shtetit juridik ,per nje jete me te mire ne shqiperi ,dhe jo per te treguar kush je , ti!

Eke permendur shume fjalen balte ,llum etj ,e di te kujt ja jane keto shprehje .
Te atyre komunistave qe ti permend ne shkrim.
Mos perserit vet veten mik,
Te uroj te punosh ndryshe drejt vlerave ,fillo nga vetja .

Nenshkrimi im eshte anonim,por po te jap adresen:
zbylis@yahoo.co.uk
mos te me quash frikacak...

3:09 PM  

Post a Comment

<< Home