Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, November 17, 2008

Çmitizimet e vjetra dhe mitizimet e reja

Në gazetën Shekulli të 13 nëntorit, botohej një shkrim i Viron Graçi, “Histori të reja me heronj të vjetër”, ku autori me të drejtë shtronte çështjen e çmitizimit të historisë sonë. Historia e shqiptarëve ka vuajtur kurdoherë nga mosqënia objektive. Ajo është imponuar shpesh herë si një version historie që u ka interesuar pushteteve në fuqi. Veçanërisht gjatë diktaturës komuniste, gjithëshka u pa në filtrin ideologjik e të luftës së klasave dhe shumë gjëra kanë nevojë të rishihen e të vihen në vendin e duhur.

Por kjo është një temë tjetër që meriton të trajtohet hollësisht e me nge. Ajo që dua të them këtu shtyhet nga një tjetër shkrim i botuar në të njëjtin numër të gazetës së mësipërme, apo më mirë një lajm, me titull “Dr. Evis Qaja: Mendjet e mëdha të shekullit 21”, ku tregohet se si një e re shqiptare, Znj. Evis Qaja, ka marrë një diplomë nga Instituti Amerikan i Biografive ku është cilësuar një nga “Mendjet e mëdha të shekullit 21”. Në këtë botim, përfshihen personalitete të shquara botërore nga fusha të ndryshe, thotë lajmi, si Ajnshatjn, Margaret Thaçer, Xhon Kenedi e të tjerë. E pra do të ishte shumë inkurajuese dhe përkrahëse për ne shqiptarët po qe se edhe Znj. Qaja do të bënte pjesë aty dhe po qe se i gjithë ky cilësim do të ishte i vërtetë.

Pa dashur të fyej sadopak zonjushën e nderuar, biografinë e arritjet e së cilës as i njoh e as i di, dua të them se Instituti Amerikan i Biografive (sipas Wikipedia) është një botues referencash biografike në Reili, Karolina e Veriut, SHBA , që ka botuar biografi të njerëzve që nga 1967. Ky institut prodhon të ardhura nga shitjet e çertifikatave, diplomave dhe librave ku përshkruhen biografitë e individëve të ndryshëm.

Ky institut procedon në këtë mënyrë: ai mbledh emra që dalin në veprimtaritë e ndryshme të botës e që sigurisht nuk janë njerëz të rëndomtë e askushë. Këtyre individëve, instituti u dërgon një letër ku pasi vë në dukje meritat e tyre madhështore, u propozon përfshirjen në një libër biografik, së bashku me emra të tjerë të njohur të botës. Për këtë, individët duhet të paguajnë një shumë të caktuar, që t’u dërgohet libri si edhe një pagesë tjetër (jo të pakta të gjitha këto) për të marrë një diplomë ( me kornizë ari, argjendi, platini etj.) ku thuhet se ti je përfshirë në filan përmbledhje biografike.

Nga moria e individëve që u drejtohen këto letra, le ta zemë se gjysma e pranon ofertën dhe dërgon shumën e kërkuar (zakonisht 300 $ apo më shumë). Në qoftë se këta janë qoftë dhe 100 vetë nga e gjithë bota , kjo do të thotë se Instituti në fjalë mbledh 30,000 $ dhe botimi i një libri me 100 kopje nuk bën më shumë se 2,000 - 3,000$. Pra fitimi nuk është i pakët. Mund të llogaritet pastaj edhe fitimi nga diplomat e çertifikatat etj. Duhet theksuar se në qoftë se nuk paguan, harroje përfshirjen në mendjet e shquara apo njerëzit e mëdhej.

Gjithshka është e ligjëshme në këtë biznes, pasi Instituti, duke përfshirë në botimin e vet disa nga biografitë e njerëzve vërtet të shquar e të botuar në mjaft libra të tjerë më parë, nuk bën ndonjë shkelje në se fut në këtë botim edhe shumë klientë që paguajnë e që në fakt janë dikushi edhe kur kurora që u vihet nuk është përshatshmërisht për kokën e tyre. N[ fund të fundit, Instituti ka bërë një zgjedhje emrash që ai i quan si “të shquar” dhe këtu atë nuk e kap dot ligjërisht. Ndaj dhe ai funksionon e mbijeton si shumë biznese të këtij lloji në Amerikë. Objekti i këtyre lloj institucioneve janë mungesa e njohurive të njerëzve dhe etja që ata kanë (që shumë herë është e drejtë e njerëzore) për t’u vlerësuar mundin e përpjekjet e tyre.

Instituti Amerikan i Biografive (ABI) ka dhjetra botime si ky i mësipërmi: Njeriu Ndërkombëtar i Vitit (si për ironi, këtë çmim u tha se fitoi Ramiz Alia në 1990 apo 1991), Njeriu i Shquar i Shekullit XXI, Njeriu i Shkencës, Gratë e Mëdha të Shekullit XXI, Një nga Elita e Gjenive, Elita Bashkëkohore e shumë e shumë të tjera.

Pas viteve ’90, ABI gjeti një thesar të vërtetë në dëshirën e individëve nga vendet e ish Lindjes komuniste për të hyrë në botimet e tij bigrafike. Njerëzit nën regjimin komunist vlerësoheshin shpesh herë me kritere ideologjike. Qindra e mijra vetë bënin punë të mrekullueshme në fushat e tyre e nuk i njihte njeri. E pra, në këto vite të pas-diktaturës, shumë shqiptarë, duke hequr nga kursimet e familjeve të tyre disa qindra dollarësh apo në raste të tjera, pa dhimbje të mëdha, nga të ardhurat e bizneseve të reja, u bënë të famshëm duke treguar emrat e tyre të botuara në libra luksozë e të shkruar në diploma të admirueshme për nga paraqitja.

Por shqiptarët i harruan këto siç harrojnë zakonisht shumë gjëra të tjera dhe jepen pas berihait të ditës. Ja pra tek na kthehet e njëjta dukuri si një lajm i ri me shembullin e Znj. Qaja. Publiku ushqehet tani me mitin e rradhës. Absurditeti i lajmit është se nuk jep asnjë informacion se përse është e famshme kjo zonjushë që i vihet dhe titulli Dr. përpara. Përse vallë është shquar e dalluar ajo që të meritojë të quhet një nga mendjet e mëdha të shekullit të 21-të?

Dëmi në këtë rast është i opinionit publik. Ai gënjehet e hiqet prej hunde me një informacion të pasaktë e të paplotë. Por ne i pëlqejmë e jemi dashuruar me mitizimet. Mitomania është një cilësi e theksuar shqiptare. Dhe pastaj kërkojmë të çmitëzojmë historinë e mitet e lashta. OK, por le të mos prodhojmë mite të reja sepse kështu puna jonë e vënies në vend të gjërave do të ishte e pafrutëshme e pavlerë dhe e pambarueshme.

Botuar në gazetën Tema, 20 nëntor 2008

1 Comments:

Anonymous Anonymous said...

Shum artikull i mire komplimente.

Ask ve Ceza

6:34 PM  

Post a Comment

<< Home