Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, November 12, 2008

Ndërsa koha shkon

Koha është ajo që i bën gjërat të harrohen. Të rëndësishmet humbasin rëndësinë e zëvendësohen nga të tjera më të rëndësishme. Të rejat bëhen të vjetra e zëvendësohen nga të tjera të reja. Ato që na interesojnë sot mund të mos të na intersojnë nesër dhe ato që kanë vlerë sot ndodh që ta humbasin vlerën me kohë.

Koha nuk rrjedh njëlloj për të gjithë. Por gjithsesi ajo ecën e ecën e nuk ndalon kurrë. Lë pas hallet e përditëshme të njerëzve, zhurmën, zallamahinë dhe kalon nëpër të tjera halle e telashe, ndodhi e historira, faqe gazetash e figurash televizive. Duket sikur kjo qerrata kohë është aleati më i mirë i qeveritarëve të liq që mund të ketë një vend. Megjithse në pamje të parë të ngjan se atyre nuk u vjen mirë që koha ikën kaq shpejt e pushtetit të tyre u vjen fundi, kjo nuk është kështu pasi ata marrin masa që përsëri të vijnë në pushtet, të bekuar nga vota popullore.

Koha është aleati më i mirë i këtyre qeveritarëve sepse ajo heq vëmendjen nga ato që ngrenë e trazojnë shpirtrat e qytetarëve dhe i bëjnë ata të ngrihen kundër e të protestojnë. Koha, si një lumë i madh, mbath me llum e me baltë brigjet e malcuara ku bëjnë jetën njerëzit, zbut çarjet e ngurtësuara dhe i bën ato gjithnjë e më pak të dukëshme. Kjo është ajo që u intereson aq shumë pushtetarëve, parlamentarëve, partiakëve e politikanëve të status quo-ve.

Vini re se ç’ndodh në Shqipëri. Zjejnë e trazohen shumë gjëra. Flitet e përflitet për to, bëhen deklarime, organizime e veprimtari, buçasin radiot e televizionet, ngjethin ajrin e shikimet gazetat e mbushin hapësirën e internetit lajmet e bujshme. Pastaj koha kalon dhe ato fashiten e shuhen si flakë kashte e vendin e tyre e zënë të tjera, po aq të zhurmëshme, po aq në dukje, të rëndësishme e jetike.

Shqipëria hyri me vrull në epokën e demokracisë me shumë zhurmë e britma, me shumë parregullsi e çoroditje por koha kaloi dhe ajo harroi se duhet të dënonte krimet e diktaturës komuniste, t’u jepte të drejtën atyre që vuajtën e hoqën më shumë prej saj. Krerët e rinj të saj u angazhuan në një luftë të ashpër për pushtetin e ri, për pasuritë e pronat e reja. Pronat e pronarët e vjetër u harruan e u lanë pas dore. S’kemi kohë, bërtisnin pushtetarët e rinj, duhet të bëjmë këtë e atë. Por koha shkonte dhe bënte të harroheshin shumë lëndime e plagë sepse të tjera lëndime e plagë dilnin përpara.

Ndërsa koha shkon: U harruan dëmet e panumërta në atë pasuri që një herë e një kohë quhej e popullit. Ajo u vodh e u plaçkit për të krijuar kastat e reja të biznesmenëve. U harruan vjedhjet e shpërdorimet e ndihmave të Evropës e botës. U harruan firmat piramidale apo ato të larjes së parave, u harrua se kush mbante përgjegjësi për hapjen e depove dhe shpërndarjen e armëve si të ishin fishekzjarre. U harruan se kush ndërseu popullin kundër popullit dhe kush ishte shkaktar i humbjes së mijra jetëve njerëzore dhe shaktërrimeve në masë.

Ndërsa koha shkon: U harruan vjedhjet e parregullsitë në një zgjedhje sepse erdhën të tjera zgjedhje dhe u bënë të njëjtat gjëra. U harruan trafikimet e paligjëshme (ose të mbuluara nga ligjet) të naftës, të armëve, të njerëzve. U harruan viktimat e mbytura në det e që donin të kalonin përtej me gomone, sepse të tjera viktima të reja u shfaqën, në det apo në liqen. U harruan ankesat për rritjen e çmimeve, për tarifat e celularëve që janë nga më të lartat në botë, për planet e privatizimit që mbeten në letër me vite e vite, për gjendjen e keqe të shëndetësisë, pë mungesën e ilaçeve e të trajtimit njerëzor nëpër spitale, për helmimet me ushqime të prishura e të skaduara, për degjenerimin e shkollave e të sistemit arsimor, për prishjen e çoroditjen e kërkimit shkencor.

Ndërsa koha shkon: U harruan përsëri zgjidhjet për problemet e pronës. U harrua hapja e dosjeve dhe diskutimet e vrullshme të hapen apo të mos hapen ato, u harruan sa spiunë e informatorë ka në parlament e qeveri. U harruan Poliçanët, Bulqizat, Gërdecët, aferat e pista të policisë e shërbimeve të fshehta, vdekjet e dyshimta të dëshmitarëve, skandalet e diplomacisë, rrëzimet e pallateve të ndërtuara keq, lejet e ndërtimit të dhëna me shkelje të ligjit, qindra e mijra çështje të pazgjidhura nga gjykatat, nga parlamenti, nga qeveria. Janë harruar reformat që të tjerët na detyrojnë të bëjmë e që vetë nuk do t’i bënim kurrë. Harrohen ato dhe bëhen prapë reforma të tjera. Harrohen ligjet që janë bërë e bëhen prapë ligje të tjera. Harrohet kushtetuta e interpretohet siç do njëra palë apo tjetra.

Ndërsa koha shkon: Përsëriten e dalin prapë të njëjtat probleme nga njëra zgjedhje në tjetrën: kodi zgjedhor, komisionet e zgjedhjeve, dokumentacioni identifikues, listat e votimeve, e të tjera. Dhe përsëri harrohen. Bëhen plane e programe për luftën kundër korrupsionit dhe i zë pluhuri në dosje e në sirtarë dhe bëhen përsëri të tjera plane kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Dalin afera skandaloze me Fazllij e Diverolë dhe shuhen e fashiten si të mos kenë qenë kurrë.

Prokuroritë e gjykatat e kanë po ashtu kohën aleatin më të mirë. Dosjet harrohen me vite sa që të interesuarit ose vdesin ose s’çajnë kokçë më për to se jeta u ka vënë mbi shpinë të tjera halle më të rënda. Ata që janë dënuar nga një palë gjyqe, nxitojnë të rigjykohen kur janë ndrruar pushtetet dhe kështu dalin të pafajshëm e faqebardhë ndaj fëmijëve të tyre. Harrohen krimet e deri vrasjet si të qenë kondravajtje të rëndomta parkimi. Hetimet vazhdojnë me vite e vite dhe kur del befas ndonjë fakt i ri, më së shumti kur ndonjë gazetar trazon urët e zjarrit ashtu si më kot, njerëzit pyesin njëri tjetrin: kur ka bërë vaki kjo, në kohë të Enverit apo të Saliut ?

Ndërsa koha shkon: Harrohen fjalimet e pushtetarëve. Harrohen qëndrimet e tyre, një herë kur shajnë e tallin vetereanët e një herë kur i përqafojnë e kuvëndojnë gju më gju me ta. Harrohen ç’kanë thënë për njeri tjetrin, si kanë kaluar nga një parti a grupim politik te tjetri, si kanë votuar nëpër legjislatura, harrohen krahët i majtë apo i djathtë, harrohen programet e partive, premtimet për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për zhvillimin e turizmit e ndërtimet pa leje (apo me leje të padukshme) në bregdet, për jetë më të mirë, për begati e lulëzim.

E pra, a nuk është koha aleati më i mirë i pushtetarëve ? Atëhere ç’u mbetet qytetarëve? E vetmja gjë që mund të bëjnë ata është të mos e lënë kohën të rrjedhë më kot, për të fashitur e harruar shqetësimet e në dobi të pushtetarëve zullumqarë, por ta përdorin atë për të shpënë deri në fund ato që nisen e që nuk bitisen. Ta mbajnë nga mënga e xhaketës (apo nga kapistra e kravatës) deputetin a pushtetarin deri sa të zgjidhet ajo që është shpupurisur. Të mos harrojë, të mos harrojë, të mos harrojë! Mos e lërë kohën të rrjedhë pa u zgjidhur ajo që është zbuluar e duhet zgjidhur. E gjithë medja mund të ndihmojë këtu jo duke hedhur paprerë skoop-e por duke ngulmuar t’u shkohet deri në fund aferave të zbuluara. Në fund të fundit, në këtë garë të përjetëshme me kohën, humbasin të gjithë ata që e kanë kujtesën e shkurtër. Ky është fati i tyre. Ndërsa koha shkon...siç thotë ajo kënga e pavdekshme e Herman Hupfeld kënduar nga Sinatra i madh.

Botuar në gazetën Tema, 13 nëntor 2008

0 Comments:

Post a Comment

<< Home