Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Sunday, March 25, 2007

Afshet e ofshet patriotike

Menjëherë pas videos së këngës së ushtarëve lapangjozë grekë vërshoi reagimi patriotik shqiptar, me nota groteske e të papërmbajtëshme. Ca thanë të mbyllen bankat greke në Shqipëri si edhe të gjitha bizneset greke, ca të tjerë të priten marrëdhëniet diplomatike, të tjerë akoma, të shporret Janullatosi. Në shumë shoqata e forume në internet u formuluan me ngut nota proteste e deklarata. Shpirti shqiptar u fye, u nëpërkëmb, zorrët e shqiptarit u përfytyruan si lidhëse në këpucët greke. Pati që thurën të frymëzuar raposodi e bejte që ti kujtojnë armikut grek se kush është shqipoja. Hajde more, hajde!

Shumë nga këto të shtyjnë të mendosh: ka punë më të mira për të bërë ky popull apo nuk ka? Pse rri si ai që tregojnë? Ai që kishte hedhur brezin në sheshin e fshatit dhe priste kush të kalonte e ta shkelte e të përfytej me të. Ky patriotizëm atavist i dyfeqeve me gjalmë është ai që do të na shpjerë në Evropë? Eshtë e vërtetë që shqiptari e ka dashur lirinë dhe vendin e tij si shumëkush në botë. Eshte e vërtetë gjithashtu se pozita gjeografike e vendit të tij i ka bërë shpesh herë të rriten orekset shoviniste të fqinjëve. Por historia e shqiptarëve nuk është fare e veçantë siç na mësohej në shkolla, sikur nuk paska vend e popull tjetër në botë që t’i kenë rënë në qafë kaq sa ne shqiptarëve.

Një ide e tillë na u ngulit me pompë e bujë nga propaganda e diktaturës komuniste. Atij sistemi i leverdiste ta ngrinte patriotizmin si virtutin më të shquar të shqiptarit. Që të jepej pas tij e të mos mendonte për të tjerat, për vjedhjet e pronës, mungesën e lirisë së fjalës e të mendimit, burgjet e internimet, rradhët për votim e për ushqim, jetën me komandë dhe izolimin nga bota. Dhe ishte ajo kohë kur Shqipëria u mbush me bunkerë dhe hunjve të vreshtave ju vunë maja metalike që parashutistët armiq të nguleshin në to. Shqiptari patriot u bë një mit i madh. Kënga buçiste : Në njërën dorë kazmën...në tjetrën pushkën, apo : Dhe në gojë të ujkut hedhim valle...Apo poezitë me shqiptarin që shkonte të maste kufijtë nëpër natë me pushkën e gjatë...Apo filmat me vigjilencën e shqiptarëve që mbronin kufijtë e që shpesh harrojmë se në ato kufij janë kapur e vrarë qindra e mijra njerëz që donin të iknin jashtë tyre dhe fare pakë nga ata që donin të hynin brenda tyre. Apo shqiptari i pamposhtur që çante udhën e historisë me pallë në dorë. Hajde përfytyrime, hajde! A kishte më bukur se të mbushej jeta me kësi imagjinatash ?

Vini re se sa ndryshon ky patriotizmi hoxhist nga ai i rilindasve. Patriotizmi i tyre nuk është i egër e luftënxitës, por i butë e i kulturuar. Ata propaganduan e luftuan për t’u treguar botës se edhe shqiptarët janë të aftë të bëjnë shtet e të rrojnë më vete si gjithë bota e qytetëruar. Ata u kujtuan shqiptarëve se janë shqiptarë e jo turq e se kanë një gjuhë që është gjuha shqipe. Por ama vini re Naim Frashërin se sa miqësisht u shtrin dorën grekërve. Në emër të humanizmit e fqinjësisë së mirë. Jo në emër të diktaturave e ideologjive siç mund të kishte bërë Hoxhomadhi ynë po qe se Greqia do të ishte bërë komuniste, kur të na bënte vëllezër e shkuar vëllezërve me grekët, siç na bëri me serbët, rusët e kinezët. Tjetër punë se do të prishej me ta më pas, po qe se do të tradhëtonin marksizmin.

Koha shkon. Historia thur bëmat e saj. Vetëm rapsodët e bejtexhijtë patriotë të afsheve e ofsheve mbeten të njëjtë. Janë po ata që këndonin në sarajet e sulltanit në Stamboll, ata që kanë kënduar për kralët, mbretërit, perandorët. Janë ata që duken në një film të vjetër të Cinecita për pushtimin shqiptar, se si vinë te Jakomoni për ta përshëndetur me veshjet kombëtare e çifteli e lahutë. Janë ata që u ngjirej zëri me: “Enver Hoxha o tungjatjeta...” apo “Fol Enver të lumtë goja...” në festivale, skena, podiume e kështjella. Janë ata që brohoritën “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!” kur ra komunizmi. Ata që nxituan të thurin rimat: “O Fatos o legen, prite Salën se po vjen”. Janë ata që tani kanë veshje më moderne, përdorin dhe internetin po prapë nuk e kanë harruar zanatin e rapsodive dhe bejteve trimërore.

Ky palopatriotizëm i është ngjitur si sëmundje e ligë tërë këtij populli. Edhe më të moderuarit, ata që nuk shajnë e fyejnë me fjalë të pista armiqtë e shqiptarëve, kanë prapë nga ky patriotizëm hoxhist. Vini re se si shprehet një lexues (i moderuar) në një letër në gazetën Shekulli : Shqiptarët, përveç të tjerash, i bashkon edhe besa dhe burrëria e tyre e fortë, unike dhe legjendare. Besa dhe burrëria e shquajnë kombin tonë nga kombet tjera. Ato janë karakteristikat dalluese të karakterit të shqiptarit, nga të cilat ndër shekuj e mijëvjeçarë ka rrezatuar vetëm besnikëri, çiltërsi, atdhedashuri, qëndresë dhe liri.
Deviza e tij luftarake dhe jetësore qe dhe mbeti: Atdheu mbi të gjitha! Prandaj edhe dje, edhe sot, edhe nesër, brohoritja e shqiptarit ishte, është dhe do të jetë: Shqipëria Etnike mbi të gjitha!”

Nuk duam ta analizojmë këtë thënie kallëkrupëse megallomane që i nxjerr shqiptarët jo vetëm me bisht (pra ndryshe nga të tjerët) por edhe me një bri të madh në ballë. Sa dëshpëruese e lodhëse janë këto hingëllimat për besë e burrëri legjendare. Dhe vini re në fund ku del zogu. Shqipëria etnike! Brohoritja për të pra nuk qënka gjë e keqe. Të këqia janë vetëm ato brohoritjet e të tjerëve për pjesë të vendit tonë. Dhe kjo shprehje gjen vend në një nga gazetat më me emër të Shqipërisë, në vitin e Krishtit 2007.

Sigurisht nuk janë vetëm shqiptarët që vuajnë nga ethet nacionaliste. Ka të tjerë plot në Greqi, në Serbi, në Bullgari e në Turqi. Në këtë të fundit bile akoma nuk është hequr ligji që të dënon me burg po fyeve apo cënove frymën turke, turqizmën. Sa do të donin ta futnin këtë ligj edhe në Shqipëri zanatçinjtë e palodhur të pseudopatriotizmit shqiptar. Atëhere le të guxonte të fliste kush kundër virtutit shqiptar të atdhedashurisë.

E gjithë kjo tjerrje e gjatë e dëshpëruese e kësaj teme, ofshet e afshet patriotike, kacafytjet, përbetimet për luftë e ngrënie gurmazesh armike, që barten me emra e mizanskena të tjera edhe në jetën e përditëshme dhe edhe mes vetë shqiptarëve, është një qorrsokak apo një udhë që të çon drejt greminës. Pse të mos i luftojmë armiqtë tanë (në se qënkan të tillë) qoftë dhe ata ushtarët lapërdharë grekë, me kulturë e me njerëzillëk ? Edhe vende më thellë në Azi, sillen më me kulturë se sa ne kur vjen puna në ratse të tilla. U bë i famshëm filmi i Boratit në botë. Po kazakistanasit nuk bënë thirrje për ta linçuar Sasha Baronin siç bëmë ne për atë gazetarin anglez. Ata bile e ftuan aktorin të merrte pjesë në reklamat e turizmit të vendit dhe e falenderuan që e bëri botën të interesohej për vendin e tyre.

Prirjet mbarëbotërore i kanë zhvleftësuar e bërë primitive afshet e ofshet patriotike e nacionaliste. Patriotizëm ka edhe në SHBA por ky është i një lloji tjetër. Eshtë patriotizmi i qytetarit amerikan për vendin e tij, një patriotizëm i lirë, divers i rracave e kombësive të ndryshme që kanë shtetësinë amerikane. Pa mendoni se çdo të bëhej sikur të mos ekzistonte dyshtetësia, pra të ishte siç e kanë ca shtete, që po more një shtetësi, do lësh tjetrën, atë origjinalen. A thua se nuk do ta linin shqipot atë pasaportën me shqiponjën dykrerëshe? Nuk e besoj. Sa të mira e begati do t’i sillte vendit ajo energji që harxhohet së koti nga pseudopatriotët dhe zanatçijtë e luftës permanente për mitin e patriotizmit dhe pamposhtmërisë shqiptare. Sa gjëra e punë lihen pa bërë të magjepsur nga këto pasione donkishoteske që na lënë kurdoherë në fundin e kazanit të përvëluar ballkanik. Këto pasione që shkurtojnë jetën, s’kanë të bëjnë kurrë gjë me kulturën e përparimin, me demokracinë e humanizmin që bota e madhe i ka njohur e është përpjekur të çajë drejt tyre që përpara se ai murgu i lashtë i Anamalit pranë Shkodrës të shkruante: “U Doni Gjoni biri i Bdek Buzukut...”

Thursday, March 22, 2007

Mbi mendimin ndryshe

Duke qenë se politikanët, shtetarët e lartë, udhëheqësit e shteteve e të partive vijnë jo nga ndonjë racë e veçantë qëniesh përveç racës njerëzore, ata kanë po ato sëmundje, huqe, vese kush më pak e kush më shumë, si të gjithë njerëzit. Eksperimentet psikologjike tregojnë se njerëzit janë të prirur ta shpërfillin kritikën. Ata tërhiqen më së shumti nga ata që i admirojnë dhe janë në një mendje me ta dhe në përgjithësi nuk i pëlqejnë ata që i kundërshtojnë, që mendojnë ndryshe dhe që i kritikojnë.

Kur vjen puna te shtetasit e zakonshëm, kjo mbase nuk prish shumë punë. Por është tjetër kur ky problem trajtohet tek udhëheqësit apo shtetarët e lartë. Këta të fundit i zgjedhin vetë ata që punojnë rreth tyre; zgjedhin ndihmësat, këshilltarët, vartësit. Në qoftë se kjo ushtri njerëzish rreth udhëheqësit apo shtetarit të lartë do të përzgjidhet sipas kriterit të mësipërm, pra më i miri është ai që të mban gjithmon ison e s’ta bën fjalën dysh, atëhere këta “Yes Men” bëhen një mur i rrezikshëm që e ndan udhëheqësin nga realiteti dhe bën që në kokën e tij të krijohet një pseudorealitet i gënjeshtërt. Kjo është një dukuri që ndodh shpesh udhëve të kësaj bote. Një proverb danez thotë se njerëzve të fuqishëm dhe grave të bukura nuk u bie ta dëgjojnë kurrë të vërtetën.

Kjo dukuri nxjerr krye edhe në shoqëri të përparuara e me traditë të thellë demokratike. Në SHBA kohët e fundit po diskutohet dëndur për njerëzit që rrethojnë presidentin Bush e që ndikojnë në vendimarrje të rëndësishme të shtetit më të fuqishëm të botës. Dy çështje të fundit të lakuara së tepërmi nga analistët e medias janë dalja nga Shtëpia e Bardhë e informacionit mbi Valeri Plejm, e shoqja e një ish ambasdori të SHBA që ishte kritik ndaj luftës në Irak, gjë që u bë sipas të gjitha gjasave për shpagim dhe pushimi nga puna i një sërë prokurorësh që gjoja nuk kishin pasur rezultatet e duhura, por që në fakt, del se nuk kishin prirje “pro-republikane”. Për çështjen e parë, është në proces gjyqësor një nga ndihmësit kryesorë të nënpresidentit ndërsa për të dytën, po kërkohet dorëheqja e prokurorit të përgjithshëm.

Në vende si Shqipëria, problemi është më traumatik. Politikanët aty nuk vijnë nga familje tradicionale politike apo të mësuara me bollëkun, mirëqënien dhe demokracinë. Ndaj ata transformohen shpejt e në mënyrë të çuditëshme dhe difektet në karakter u zënë fushën mbizotëruese të qënieve të tyre. Ata nxitojnë të bëhen të mëdhej, të ngjiten lart e më lart, të kenë pushtet absolut. Dhe vjen çasti që ata harrojnë pse janë aty ku janë. Na vjen në ndihmë këtu një aforizëm e mençur e poetit polak Vladislav Jirzhi Lec : ”Shpesh herë flamurmbajtësi kujton se është flamur”.

Është vërtet e çuditëshme se si transformohen politikanët shqiptarë. Kush i ka njohur jo shumë, po pakë vite më parë, kur kanë qenë të thjeshtë, të zakonshëm, habitet me ta. Ata fryhen si kaposhë, nuk i zë vendi vend, bejnë sikur të dëgjojnë, po nuk e kanë mendjen fare te ato që thua ti (kur nuk u intereson). Mbajnë kurdoherë përqark një tufë me lajkaxhinj e sahanlëpirës edhe pse e dinë se këta janë të tillë dhe ato që i thonë nuk janë të vërteta. Por qënia njerëzore qënkësh ndërtuar kësisoj. Psikologu danez, Roos Vonk, në një seri eksperimentesh ka gjetur se njerëzit janë të prirur ta besojnë lajkën që u drejtohet atyre edhe pse e njohin atë si mashtruese kur i drejtohet një të treti. Kjo, thotë Vonk, vjen nga që kur dikush thotë gjëra të mira për ty, ky vlerësim ngjit më shumë me sensin tonë intuitiv për vetveten, duke e bërë lajkën më të besueshme se kritikën apo mendimin ndryshe. Një tjetër psikolog sociologjist, profesori i Universitetit të Kalifornisë në Berkli, Filip Tetlok, ka analizuar këtë dukuri dhe ka gjetur se një pjesë e gabimeve të mëdha në histori ka ardhur nga përjashtimi i mendimit ndryshe. Ai mendon se udhëheqësit që e kanë inkurajuar mendimin ndryshe kanë marrë vendimin e duhur dhe kanë qenë më të suksesshëm se sa ata që këtë mendim e kanë shpërfillur e lënë pas dore.

Në Shqipëri problemi komplikohet edhe më nga prania e nepotizmit, krahinarizmit e partitizmit. Politikanët janë shpesh të detyruar të lajnë “borxhet” që kanë gjatë rrugës për të ardhur deri aty ku kanë ardhur. Kjo rrugë s’është kurdoherë e pastër dhe kostumet e tyre të modës kanë lënë shpesh fije të copës së tyre gjembave e ferrave. Dhe këto gjemba e ferra, pra njerëz të fisit, të klanit, të krahinës, të partisë, vijnë tani me atë fije në dorë dhe ja tundin përpara hundës. Dhe shpesh politikani ynë, e zgjedh stafin e tij prej këtij lloji. Dhe për ta, ai patjetër është dielli i botës, njeriu më i zgjuar që ka parë ky planet, kultura e tij është fenomenale dhe zemra e tij është e madhe sa e një hipopotami. Këta njerëz dinë të mbajnë vetëm iso. Ata prodhojnë raporte, informacione, të dhëna, fjalime duke i kanalizuar të gjitha sipas preferencës, opinionit e këndvështrimit të “bosit“ a “shefit“. Dhe kjo histori përfundon kurdoherë në atë moral që më madhërishëm se kushdo e ka shprehur Anderseni përrallëtar në parabolën e tij mahnitëse “Mbreti lakuriq“.

Mungesa e mendimit ndryshe në politikën shqiptare dhe në punën e çdo qeverie në Shqipëri, ka bërë që të prodhohet përditë kaq pezëm e armiqësi me të cilën habiten të gjithë misionarët ndërkombëtarë që vijnë të japin mend e këshilla. Të mësuar me lajkat e isot komode, udhëheqësit tanë e gjejnë kurdoherë mendimin ndryshe si ngatërrestar, prishapunës e që ka të bëjë me “ata“, pra me opozitën. Pa praninë e mendimit ndryshe në stafet e tyre, në ministritë, kryesitë e partive, parlament, kryeministri e presidencë, udhëheqësit shqiptarë kurdoherë do të degradojnë në ca autokratë të pështirë që jetojnë jashtë realitetit e nuk e njohin fare atë, që rendin pas qejfeve e kënaqësive edhe pse kanë premtuar të jenë shërbërëtorë të popullit. Nga flamurtarë të demokracisë, ata bëhen kështu pengesa më e sofistikuar për zhvillimet demokratike dhe jeta e tyre nuk është asgjë më shumë se një tollumbace demagogjie.

Botuar në Metropol, 22 mars 2007

Friday, March 09, 2007

Hyr e dil e tund peshqirin

I kam ndjekur me vemendje shkrimet e z. Mitro Çela në Gazetën Shqip. Përveç një kënaqësie nga humori i Filip Çakulit që nakatoset aty herë pas here, ato shkrime më shtynë të mendoj se si shket e roit mendja e burrit kur ai i afrohet të gjashtëdhjetave. Mitro Çela është një firmë e njohur në gazetarinë shqiptare, një nga të parët drejtues të shtypit të lirë (apo më mirë: të robëruar ndryshe) në Shqipëri, njeri politik, ish deputet e pse jo edhe biznesmen. Në ato shkrime ky zotni i nderuar tregon kujtime e mbresa të jetës së tij, kryesisht të pas viteve ’90. Nga shkrimet duket se z. Çela di mjaft gjëra që lexuesi i thjeshtë as që mund t’i marrë me mend.

Ajo që të bën përshtypje në këto shkrime është papërgjegjshmëria e këtij personi VIP dhe politikani të PD-së, për ta treguar historinë si një mori anekdotash banale me të cilat edhe mund të qeshësh ndonjëherë. Ky shkronjës (me që ai e ka qejf dhe e përdor me shumicë fjalën “këndonjës”) na jep një tablo gazmore të shumë prej ngjarjeve politike që formësuan jetën që Shqipëria rron sot. Diku del një prift, diku një grua e bukur, diku një telefonatë, një ftesë për pushime e për punë njëkohësisht, një bisedë intime. Libido e këtij personi rikthehet fuqishëm e mishërohet tani në moshën e tretë të tij, në ca zezake shalëgjata, ca bionde të mrekullueshme nga Parisi apo qoftë në ca korrektore vulgare që i korrektonin fjalimet e “doktorit” nga pozicionet e vështira të Kamasutrës. Kulmi është kur zotin Mitro e puth fare pranë cepit të buzëve ajo bukuroshja e Parisit e cila u ndje me faj se nuk kshte mundur të realizonte një takim të premtuar të “doktorit” me presidentin francez. Këtu, notat e shkronjësit ngrihen deri në një hymn të vërtetë dashuror: U bëfshin sa më shumë dështime të tilla që të ndjej mbi vete buzët e parizianes bukuroshe!

Sigurisht është e drejta e gjithkujt që t’i thotë si të dojë bëmat e jetës së tij. Kjo s’të çudit aspak në xhunglën e fjalës së shkruar sot në median e përditëshme konvencionale apo cyberspace. Dhe nuk është fjala as për atë “sinqeritet” dhe një pe humori që zotnia e qep trashë nëpër shkrimet e veta. Eshtë fjala për atë se ç’lloj politikanësh kemi ne, qoftë kur janë aktivë e qoftë kur rrinë mënjanë jetës aktive politike. Të kesh humor në jetë, të bën mirë e ndoshta të zgjat dhe jetën, por mos vallë mund të përballohen vetëm me humor ato që njeriu merr përsipër të realizojë në vitet e veta? A nuk të bie në sy këtu një lehtësi, kollajllëk e papërgjegjshmëri e madhe për gjithëshka që ky politikan ka përçuar në karierën e tij politike? Vini re se sa shpenguar e çakërqejf i tregon ai ato që i kanë ndodhur: hidhet e kërcen me gëzim nga njëra histori te tjetra, thotë ca batuta që ka thënë, lë të kuptohen e të merren vesh ato që do ai dhe nuk lë të dalin ato që do t’i prishnin punë. Nuk ka asnjë analizë, as një fije racionaleje për të dëshmuar në mënyrë kritike historinë edhe kur gabime janë bërë me thasë të mëdhej nga të gjithë protagonistët e jetës politike shqiptare.

Sa në kontrast e ndryshe duken kujtime të tilla me kujtimet brilante që botohen në botë nga politikanë të shquar e persona të rëndësishëm në historitë e vendeve të ndryshme. Nga to vërtet ke se ç’mëson teksa kalon nëpër analizat e thella të ngjarjeve e epokave ku autorët janë modestë e gati të padukshëm. Po nga shkrimet e zotit Çela çfar të mësosh?

Në to ndihet gjithashtu një përbuzje e përçmim për njeriun e thjeshtë, që fati e koha nuk i vunë përpara në tavë ato që ju ofruan këtij zotnie. E pra, këndonjësit të nderuar, autori i bioskeçeve komike duket sikur i thotë paprerë atë shprehjen e famshme që përdorej dikur: merre me lëng se mishi u mbarua! Ja pra, i nderuar këndonjës, kështu bëhen punët që ti si di e s’i ke ditur kurrë. Ç’të mbetet të bësh ty? Vetëm të rrish e të këndosh ato që do të thotë një shkronjës i nderuar e një nga demokratët e parë si Mitro Çela.

Andej nga anët e zotit Mitro kanë një shprehje: hyr e dil e tund peshqirin. Kjo thuhet për njeriun që bën sikur bën po në fakt nuk bën asnjë punë. Pra ai vetëm hyn e del e i mëshon peshqirit që të duket se po bën punë. Nuk është se ç’peshqir ka tundur zoti Çela. Ajo që e bën më të rëndë gjendjen është se njerëz si ai, pra që hyjnë e dalin e tundin peshqirin ka shumë në politikën shqiptare. Nga tipa të tillë politikanësh nuk mund të presësh kurrë një gjë serioze, të përkushtuar që të ketë kërkuar sakrificë, vetmohim, privacion, vuajtje, dhimbje. Ata vetëm shkasin si ato larvat e vogla të bretkocave, me ca shakara të vakta, buzëqeshje sakate e një butësi fjale që ka raste të kall krupën. Por ama, me atë të tundur peshqiri, ata e marrin që ç’ke me të hisen e tyre dhe nuk u del pa gjë ky procesi i peshqirtundjes. Por veçse të tillë nuk arrijnë kurrë kreun e politikës sepse nuk kanë vullnet e kurajo për këtë por edhe pse ato që duan i marrin edhe kështu, nga kjo botë. Megjithatë, dinjiteti është me vite drite larg nga ta. Mjerë politika dhe kombi që kanë për politikanë peshqirtundës të tillë!