Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, October 26, 2011

Të investosh për kulturën është të investosh për të ardhmen e shoqërisë

Një shkrim i Betim Muços në Gazetën Shqiptare disa ditë më parë tërhiqte vëmendjen ndaj një pune të madhe që ka bërë me një qendër kulture një kompozitor i njohur i vendit, punë e cila nuk ka gjetur aspak ndihmën e inkurajimin e shtetit. Autori mendonte me të drejtë se shteti në Shqipëri bën pak për kulturën. Por po ta shohësh problemin më gjerë, del se shteti jo bën pak por nuk bën kurrgjë për kulturën.

Me përjashtim të disa strukturave të trashëguara nga e kaluara komuniste që mbahen ende nga shteti, nuk ka asgjë që të të bëjë të thuash se shteti financon e mbështet një kulturë të shëndetëshme e të vlefshme për njerëzit. Buxheti shqiptar për vitin 2010 kishte për ministrinë e turizmit, kulturës, rinisë e sporteve vetëm rreth 3.39 miliard lekë (ose rreth 23.64 milion euro) ose 1.4% e buxhetit total. Po të heqim mënjanë turizmin, kuptohet se ç'shumë mikroskopike mbetet vetëm për kulturën. Po këtë vit, ministria e kulturës, rinisë e sporteve e Kosovës (ku nuk hyn turizmi) kishte rreth 13.9 milion euro. Pra nga sa shihet, edhe në Kosovën me aq halle më të mëdha se Shqipëria, investohet më shumë për kulturën.

Pa u zgjatur shumë, për vitin 2007, vetëm Kenedi Center në Uashington DC, SHBA, kishte 38.71 milion USD nga buxheti i shtetit (pa llogaritur donacionet private).

Në Shqipëri financohen nga shteti (edhe këto me pikatore) vetëm ca festivale e organizime që bëhen për t'i treguar botës se sa bën vendi për kulturën, ca struktura si RTV shtetërore, Opera e Baleti, Teatri Kombëtar, Qendra e Filmit, Muzeu Kombëtar etj. Por vallë vetëm këto përbëjnë kulturën e një vendi? Dikush mund të thotë se kultura financohet edhe nga qeverisja lokale. Po a ja merr mendja ndokujt se mund të japin për kulturën buxhetet xhepashpuar lokalë?

Regjimi hoxhist-ramizist kishte mbjellë si kërpudhat nëpër fshatra ato që quheshin vatra kulture. Kishte nga një sallë kinemaje në çdo qytet apo qytezë, kishte biblioteka nëpër lagje. Në kuadrin e izolimit të plotë nga bota, ato i duheshin regjimit për të formuar njeriun e ri komunist. Ishin ashtu sië ishin, për faqe të zezë por tani nuk janë fare. Sot ato duhet të qenë zëvendësuar me salla kompjuterash e interneti, me vende të vogla e të mëdha ku të bëhej muzikë e të luheshin lojra, me biblioteka e cyberbiblioteka, me muzera e ekspozita arti e njohurish.

Ndërtimet e reja pa kriter e me lakminë e fitimit kanë gëlltitur e gëlltisin çdo pëllëmbë hapësire dhe nuk lënë vend fare për kulturën, dëfrimin, shlodhjen qoftë të rinisë qoftë të të moshuarve. Ç'u mbetet njerëzve? Vetëm televizori, përpara të cilit ulen e mpijnë mendjen që të harrojnë hallet e ditës. Por edhe ato zhurmojnë e ulërijnë budallallëqe e komercializma dhe t'i ngatërrojnë më keq trutë me politikë, politikë, politikë, me muzikë koti, kitche pseudoartistike e biseda e komunikime banale.

Problemi i krijimit të një shtrati të shëndetshëm kulturor është me mjaft rëndësi e urgjencë veçanërisht për rininë. Duke e lënë atë pa këtë shtrat, ajo do të gjejë të tjera "kultura" dhe do të bëhet pre e parazitizmit, drogës, zvetënimit dhe e krimit. Shumë mirë që në Shqipëri bëhen rrugë, shumë mirë që bëhen hidrocentrale por shumë keq që nuk investohet më shumë për kulturën e cila nuk është një gjë abstrakte por ka të bëjë me të ardhmen e shoqërisë. Ajo e manifeston veten në sjelljen e përditëshme, në punë, familje, veprimtari e sjellje, në mendimin shkencor e krijimin artistik, në ndërgjegjen e vetëkontrollin e njeriut, në çfardo marrëdhënie me të tjerët, në shoqëri, miqësi e dashuri.

Askush nuk lind i kulturuar. I kulturuar bëhesh nëpërmjet edukimit dhe një procesi të gjatë që vazhdon tërë jetën. Pra është shoqëria që ka për detyrë ta vërë individin në udhën e shtratin e kulturës. Dhe është shteti ai që duhet të gjejë më shumë mundësi e fonde për këtë qëllim. Njeriu i kulturuar është në interesin e shtetit e shoqërisë. Ai e kupton e ndërton marrëdhënie më të mira me shtetin se sa njeriu i pakulturë. I kulturuari bëhet partner i ndërgjegjshëm i shtetit në ndërtimin e një jete më të mirë, i pakulturuari kërkon vetëm ta vjedhë e të përfitojë nga shteti, të marrë e të mos japë.

Mendoni një Tiranë tjetër, me më pakë sorollatje të kota e kafene e klube të shumtë ku konsumohen kafe e alkohol por me më shumë salla leximi e interneti, salla shfaqjesh e lojrash. kurse gjuhësh të huaja. kurse vallzimi, klube shahu e arti, vende të vërteta ku të lozin fëmijët dhe ku të kalojnë kohën pleqtë. Shumë nga këto do t'i bëjnë me kohë sipërmarrësit privatë se shteti as që do t'ja dijë. Por është në të mirën e tij, të shtetit pra, t'i ndihmojë këto sipërmarrje dhe kur nuk financon direkt për to.

Ashtu sic janë ngritur televizionet e kinematë private, do të ngrihen në Shqipëri edhe muze private, teatro private e objekte të tjera kulturore që bashkojnë frymën e biznesit me idealin kulturor por shteti është koordinatori i madh e i pazëvëndësueshëm këtu për të mbështetur e orientuar këto nisma. Në vendet e përparuara asnjëherë nuk jepen leje ndërtimi për komplekse të mëdha pa parashikuar e detyruar ndërtuesin të marrë përsipër ndërtimin brenda tyre të objekteve social-kulturore.

Biznesmenë të fuqishëm bëhen në këtë mënyrë partnerë me shtetin jo vetëm në zhvillimin e mbarë shoqërisë por edhe në krijimin e një klime kulture që do ta shpinte më përpara këtë shoqëri. Janë ata që financojnë e mbështesin bashkë me shtetin teatrot e qendrat artistike, muzeumet e bibliotekat, memorialet e qendrat rekreative të komuniteteve. Kjo praktikë është ende e huaj për biznesmentë shqiptarë të cilët duhet ta mendojnë e ta vënë atë në praktikat e tyre, sepse investimi për kulturën është gjithashtu në dobi të biznesit e biznesmenëve. Një shoqëri me njerëz të kulturuar është e vetëkontrolluar, qëndron larg dhunës e jetës së kotë mbushur me qorrsokaqe njerëzore.

E pra, Shqipëria ka nevojë për shumë e shumë gjëra. Por bëni kujdes e mos e shihni kulturën si njerkë, të nderuar pushtetarë e politikanë. Bëni më shumë për të sepse do të ndiheni të shpërblyer e do të qeverisni edhe ju më lehtë e më me kulturë.

Botuar në gazetën Idea, tetor 29, 2011