Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, December 27, 2007

Skandali kulturor i zotit Sallabanda dhe probleme të diplomacisë shqiptare

Vetëm pak kohë më parë, ambasadori Shqipërisë në SHBA, z.Aleksandër Sallabanda bëri një paraqitje mbi Shqipërinë në Brigham Young University, Provo, Juta. Ky është një universitet privat në pronësi të kishës mormone. Ambasadori mund të kishte gjetur auditore më të përshtatëshme për paraqitjen e tij por kjo është tjetër gjë. Të gjithë ata që ndoqën në videon e qarkulluar në internet paraqitjen e tij me Power Point, patën një ndjenjë jo e mirë.

Ka shumë që bëjnë me faj anglishten e dobët të ambasadorit. Unë mendoj se prapë nuk është këtu puna. Anglishtja e tij, edhe pse jo me nivel, ishte e mjaftë për të shprehur ato që donte të thoshte ai. Dhe veç kësaj ai vetëm sa shoqëronte shfaqjen e figurave në Power Point. Puna është tek niveli i tij i dobët kulturor dhe tek paraqitja e pasaktë e gjërave në një ekspoze për Shqipërinë. Edhe një gjimnazist në një humbëtirë të thellë të Shqipërisë me siguri që i di më mirë se ai ca gjëra. Të thuash që shqiponja në flamurin shqiptar ka dy krerë se njëra përfaqëson jugun e tjetra veriun, është vërtet të qeshësh por pastaj të vrenjtesh e të mendosh se ç’nivel ka diplomacia shqiptare sot.

A nuk e di ky zoti ambasador se shqiponja me dy krerë e ka origjinën që në Bizantin e lashtë? A nuk e di ai se atë e kanë në flamurët e tyre apo në simbolet kombëtare veç Shqipërisë edhe Mali i Zi, Rusia, Serbia e Armenia? Po këto vende, për jugun e veriun e kanë atë atje? A i lejohet një kryediplomati në vendin më të rëndësishëm të globit të thotë se në Maqedoni ka një milion shqiptarë, kur sipas regjistrimit të vitit 2002, ata janë vetëm pak më shumë se 500 mijë? Është fjala për të bërë diplomaci, jo për të shitur patriotizëm e megallomani. Dhe le të mos përmendim gafa e gafa të tjera, shprehje pa vend e cilësime të pasakta që ai kishte në ligjërimin e tij fare joligjërues.

Dhe të mendosh se është fjala për një material të parapërgatitur e për të cilin mund të gjesh sa të duash të dhëna. Bile do të ishte mirë që vetë ministria e jashtme në Tiranë të përgatiste materiale standarde për raste të tilla parqitjesh për ambasadat. Imagjinoni se ç’gafa duhet të bëjë ky zoti ambasador kur merr pjesë në debate të ndryshme në tryeza më të larta, kur ndodhet përballë gazetarëve etj. Persona të tillë nuk i njeh publiku deri sa ndodh ndonjë rast si ky që thamë më sipër dhe ku ju del kallaji e tregohen se ç’janë në të vërtetë.

Dhe nuk është vetëm ky rast kur ky zotni ambasador është i pasaktë e i lehtë. Në shumë materiale të tjera mund të gjesh “xhevahire” të tijat. Në një intervistë me “Washington Diplomat” ai thotë se gjatë regjimit komunist ishte i internuar 11 vjet në Kukës ku punonte si mjek. Pse të internuar paskan qënë të gjithë ata mjekë, mësues, agronomë inxhinierë që punonin nëpër rrethet e humbura të Shqipërisë në kohën e diktaturës? Nuk fitohet me të pavërteta respekti i të huajve në ato vende ku diplomati kryen shërbimin e tij. Dhe në ato që thotë zoti Sallabanda ka mjaft të pavërteta e budallallëqe.

Cila është merita e këtij zotnie që na qënka caktuar ambasdador në vendin më të fuqishëm të botës? Po t’i zësh t’i numërosh të tëra, të del se vetëm përkushtimi partiak politik është merita që e ka sjellë këtu këtë mjek mikrobiolog. Tani nuk jemi më në 1991 kur kishim alergji nga diplomatët e vjetër por edhe të rinj ende nuk kishim. Vallë nuk ka edhe tani? Me siguri që kjo nuk është e vërtetë. Diplomatët janë persona teknikë jo nëpunës partie. Askush nga vendet e vërteta demokratike nuk i ndërron ata sipas fitoreve të partive në zgjedhje. Diplomacia është zanat. Kurse ne vazhdojmë me mendësinë që t’i përdorim postet diplomatike si shpërblime besnikërie apo partitizmi.

Dihet se ç’rol minimal ka Shqipëria në skakierën e politikës botërore. Kjo nuk është as e turpshme e as poshtëruese. E turpshme dhe poshtëruese është që të mos dimë ta paraqesim vendin tonë ashtu siç duhet, me ndershmëri, dinjitet e kulturë. Ç’mund të bëjë më shumë një diplomat se kaq në një tjetër vend? Ç’mund të bëjë tjetër më mirë veçse ta bëjë amabasdën një qendër kulturore të bashkëkombasve të tij që janë në atë vend, pa dallim idhtarësh e partish? Dhe vini re se ç’ndodh? Vini re se si rreth 70% e gjithë personelit të ambasadave, me gjithë ambasadorët brenda, nuk kthehen më në mëmëdheun e tyre të dashur kur i heqin apo u mbaron afati por gjejnë ndonjë skutë për të ndenjur atje ku janë duke shfrytëzuar lidhjet e vjetra e miqësitë e krijuara në emër të marrëdhënieve zyrtare diplomatike.

Kjo është sepse ende edhe sot kur Shqipëria është e hapur, një post në ambasada shikohet me lakmi si një privilegj i madh. Ky post i kërkohet me lloj lloj mënyrash, atij, “të madhit” që e ka në dorë kë të çojë. Dhe “i madhi” e jep shpërblimin, kur i mbushet mendja. Pra nuk çohet në këtë post një njeri që bën punën (ashtu siç ndodh edhe me shumë poste të tjera në atë vend) por vihet një njeri që të shpërblehet e të japë garanci se i qëndron besnik “të madhit”.

Rrallë ndodh që personeli i trupit diplomatik shqiptar të jetë mik i vërtetë i kulturës. Në përgjithësi ata nuk i shohin dot me sy njerëzit e kulturës të vendit të tyre. Ndërkohë që kjo ishte e vetmja gjë me të cilin duhet të mburreshin në ato vende ku i kanë caktuar të jenë. Pyetni po të doni shkrimtarë e piktorë, muzikantë, gazetarë e njerëz të shkencave dhe do t’ju tregojnë se si i kanë pritur në ambasada kur u ka rënë rasti. Me përjashtim të atyre që gëzojnë besimin dhe afërsinë e “të madhit” apo “të mëdhejve”, të tjerët kanë një përshtypje që nuk do të donin ta shihnin më kurrë me sy derën e asaj ambasade.

Dhe është qesharake të vësh re se detyra kryesore e këtyre ambasadorëve hallemëdhej është të presin e të përcjellin zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar. Për këtë ata e shkrijnë të gjithë talentin dhe energjinë e tyre. Dhe vizita të tilla janë pa fund. Vijnë pa rreshtur funksionarë që nuk e kanë të vështirë të sajojnë ftesa (shumë nga këto ftesa i sajojnë ambasadorët pritës). Pastaj kanë edhe ndonjë punë të tyre, takojnë ca bashkëpatriotë, shikojnë fëmijët që i kanë në shkolla atje, u japin kohë grave të bëjnë pazaret e modës e shumë të tjera.

Me aq e vogël dhe e parëndësishme sa ç’është Shqipëria, ambasadorë të tillë si z. Sallabanda e bëjnë veç të tjerave jo vetëm akoma më të parëndësishëm por edhe qesharak vendin e tij. Shqipëria ka nevojë për diplomatë që të rrezatojnë dije, mënçuri e kulturë, që të mos përdorin fjalorin “ne” për partinë në pushtet dhe “ata” për opozitën. Diplomatët shqiptarë duhet të jenë njerëz karizmatikë, të sjellshëm e të edukuar, të aftë të bëjnë miq të shumtë në atë vend ku shërbejnë por të mos humbasin edhe miqësinë e respektin e bashkëkombasve të tyre atje.

Sunday, December 16, 2007

Dhuntia e të dhënit

Të japësh për të tjerët në nevojë, është një traditë e lashtë që nga kolonistët e parë në SHBA. Filantropë të tillë si Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts e shumë e shumë të tjerë, kanë përjetësuar tashmë emrat e tyre në bëmat e ndihmës ndaj atyre në nevojë dhe në të mirë të komuniteteve të ndryshme. Sot bujaria ka arritur nivele të larta në Amerikë. Sipas aneksit të Uashington Post, Parade, në vitin 2006, dhurimet e bamirësisë i kaluan atje 295 miliard $, që është më shumë se prodhimi bruto i Norvegjisë dhe 12 miliard $ më shumë se një vit më parë. Rreth 68% e familjeve amerikane dhanë diçka për bamirësi në 2006. Në nivelin e lartë, 21 vetë gjatë këtij viti dhanë për bamirësi çeqe me së paku 100 milion $. Ndër ta janë Uorren Bufet që premtoi 85% (më tepër se 40 miliard $) të pasurisë së tij dhe Ofra Vinfri që dha 58 milion $ për arsimin në Afrikë. Sipas të dhënave, 65% e kontributeve që ndihmojnë të financohen kuzhinat e bamirësisë apo kujdesin e përditëshëm pa pagesë, vijnë nga familjet që fitojnë më pak se 100,000 $ në vit. Amerikanët që dhurojnë janë më të shumtë se ata që votojnë. Amerikani mesatar dhuron 2.6% të të ardhurave të veta. Njerëzit që fitojnë më pak se 50,000 $ japin mesatarisht 971 $ në vit për bamirësi, ata me të ardhura 50.000 deri 100.000, japin 1.918 $ dhe ata mbi 100,000 japin 3.975 $. Natyrisht Amerika ka edhe dukuri të tilla kur miliarderë e milionerë u lënë trashëgimi qenve e maceve, por kjo nuk është e zakonshmja. E zakonshmja është ajo çka thamë më sipër.

Pse japin vallë ata? Veç motiveve të veçanta personale, janë disa përcaktues të përbashkët që i bëjnë njerëzit të japin: bërja e botës një vend më i mirë për të jetuar, dhëmbshuria për ata në nevojë, apo një ndjenjë për të shpërblyer shoqërinë për fatin e tyre të mirë. Me librin e tij të fundit, “Duke dhënë: si secili nga ne mund të ndryshojë botën”, ish presidenti Klinton është bërë një ambasador i filantropisë. Pavarësisht nga të ardhurat që ke, thotë ai, pavarësisht nga mosha e aftësitë, ka prapë diçka që mund të bësh. Në vend të mendosh se kanë pllakosur problemet, bëj një gjë. Po të mund të ndryshosh jetën e një njeriu, ke bërë një gjë të madhe, thotë ai. Kjo është në përputhje me atë çka thënë e madhja Nënë Terezë: “Në qoftë se nuk mund të ushqesh 100 vetë, atëhere ushqe vetëm një.” Bamirësia nuk e ndryshon botën, por të paktën zbut dhimbjet e shumë njerëzve mbi dhe.

Dhuntia e të dhënit nuk është karakteristike për shoqërinë e sotme shqiptare. Gjatë këtyre 17 vjetëve, pas thyerjes së barazitizmit të pështirë e artificial komunist, pasuria e shqiptarëve u polarizua në mënyrë të skajshme. Tranzicioni, demokracia e tregu i lirë, nuk mund të favorizonin një lloj një njeri të thjeshtë në Gramsh, Bulqizë apo Pukë (duke lënë mënjanë të gjithë ata ç’qenë në fshat) nga dikush që punonte ta zemë, në tregtinë e jashtme apo në institucione të rëndësishme, në Tiranë. Pasuria u përfitua me mjete nga më të ndryshmet, me mbështetje politike, me dhunë, me spekullime e shkelje ligji, por edhe me punë të ndershme e me respekt të ligjit. Dukuri të tilla nuk qenë që ndodhën vetëm në Shqipëri. Kudo, në botë janë vënë re të tilla zhvillime, në etapa të caktuara.

Fuqia ekonomike e të kamurve bie në sy në zë qytetet e mëdha të Shqipërisë veçanërisht në zonën e metropolit Tiranë-Durrës. Vila luksoze me pishina e kopështe në tarraca, makina të prodhimit të fundit e pushime atje ku nuk hyet dot me kuleta rrogëtarësh të zakonshëm. Milionerët e rinj shpesh prishin pa hesap për kënaqësi vulgare e vanitoze, ata ndodh të mbyllin lokalet jashtë vendit, siç tregojnë, për ta bërë qejfin më vete, lënë miliona e miliona në kazinotë e vendit e botës, i mësojnë fëmijët e tyre të jetojnë jetën e snobit duke harxhuar pa hesap klubeve e orgjive. Ndërkaq, mijra e mijra të tjerë s’kanë bukë të hanë, luftojnë me skamjen e vështirësitë e përditëshme ku shteti, në vend t’i ndihmojë, nuk u siguron as minimumin që duhet të bëjë një shtet për shtetasit e vet. Ata jetojnë mes fukarallëkut e stresit që prodhon mungesa e rrugëdaljes, papunësia, privacionet e shumta, kriminaliteti dhe ligji i korruptuar. Kjo po sjell paprerë jo vetëm drama tragjike në jetën e shoqërisë shqiptare: vrasje, vetëvrasje, hakmarrje e krime të përçudëshme të padëgjuara më parë, por po deformon realisht edhe psiqikën shqiptare.

A nuk mendojnë vallë të kamurit shqiptarë se jeta e tyre do të ishte më e mirë në qoftë se edhe vendi ku ata jetojnë do të ishte sado pak, një vend më i mirë për të rrojtur? Të përqëndruar në egoizmin e tyre, ata shpesh herë harrojnë se nuk mund të ndërtosh një klimë perfekte lumturie në qoftë se pak metra larg teje ulërin mjerimi e skamja. Sado të ruhen e të mbrohen, shpesh herë ai përçudnim shoqëror që ndodh me shumicën e shoqërisë, i arrin dhe i godet edhe ata duke i vënë në qendër të dramave po aq tronditëse me fëmijët e tyre, gratë e ata vetë.

Shqiptarët tradicionalisht janë mbajtur për mikpritës e bujarë. Kjo është pjesë e legjendave patriotike. Ç’është e vërteta, shqiptari është bujar kur është i varfër. Zakonisht ai është bujar kur e sheh se ti je më në hall se ai. Një i varfër të pret duarhapur dhe e ndan varfërinë me ty po të jesh në hall. Po të kamurit? Vini re se ç’ndodh me atë që nuk bën vaki në botë: vijnë festat dhe çmimet në tregjet shqiptare rriten. Kaq të paskrupull janë këta tregtarët shqiptarë që medoemos duan ta shfrytëzojnë për të fituar më shumë edhe një rast të tillë? Veç kësaj, me pasanikët shqiptarë ndodh si me atë evgjitin e përrallës që ku u bë pasanik lyente dhe të pasmen me kos. E pra, ata prishin pa hesap për gjëra të kota dhe kurrë nuk japin gjë qoftë për komunitetin ku rrojnë qoftë për bashkëkombasit e tyre që fati u ka dhuruar skamjen e pamundësinë.

E pra, kujt t’i bjerë rasti të vizitojë Amerikën, do të shohë shkolla e spitale, parqe e muzeume, biblioteka e teatro të ndërtuara nga individë të shquar e pasanikë të vendit që nuk janë prona të familjeve të tyre por të mbarë komuniteteve e shoqërisë. Do të ndodhë kjo vallë dikur me Shqipërinë? A nuk janë edhe varfanjakët e sotëm në Shqipëri ata që kanë kontribuar për pasurinë e milionerëve të rinj në njërën apo tjetrën mënyrë? E pra, ku është sensi i mirënjohjes e përdëllimit? Le të mos harrojnë ata se jeta është tepër e shkurtër kur e jeton brenda egoizmit tënd të paskrupull dhe mund të zgjatet e të bëhet më e denjë për t’u rrojtur vetëm me altruizëm, bujari e me dhuntinë e të dhënit.

Botuar në Gazetën Albania, 21 dhjetor 2007