Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, November 17, 2008

Çmitizimet e vjetra dhe mitizimet e reja

Në gazetën Shekulli të 13 nëntorit, botohej një shkrim i Viron Graçi, “Histori të reja me heronj të vjetër”, ku autori me të drejtë shtronte çështjen e çmitizimit të historisë sonë. Historia e shqiptarëve ka vuajtur kurdoherë nga mosqënia objektive. Ajo është imponuar shpesh herë si një version historie që u ka interesuar pushteteve në fuqi. Veçanërisht gjatë diktaturës komuniste, gjithëshka u pa në filtrin ideologjik e të luftës së klasave dhe shumë gjëra kanë nevojë të rishihen e të vihen në vendin e duhur.

Por kjo është një temë tjetër që meriton të trajtohet hollësisht e me nge. Ajo që dua të them këtu shtyhet nga një tjetër shkrim i botuar në të njëjtin numër të gazetës së mësipërme, apo më mirë një lajm, me titull “Dr. Evis Qaja: Mendjet e mëdha të shekullit 21”, ku tregohet se si një e re shqiptare, Znj. Evis Qaja, ka marrë një diplomë nga Instituti Amerikan i Biografive ku është cilësuar një nga “Mendjet e mëdha të shekullit 21”. Në këtë botim, përfshihen personalitete të shquara botërore nga fusha të ndryshe, thotë lajmi, si Ajnshatjn, Margaret Thaçer, Xhon Kenedi e të tjerë. E pra do të ishte shumë inkurajuese dhe përkrahëse për ne shqiptarët po qe se edhe Znj. Qaja do të bënte pjesë aty dhe po qe se i gjithë ky cilësim do të ishte i vërtetë.

Pa dashur të fyej sadopak zonjushën e nderuar, biografinë e arritjet e së cilës as i njoh e as i di, dua të them se Instituti Amerikan i Biografive (sipas Wikipedia) është një botues referencash biografike në Reili, Karolina e Veriut, SHBA , që ka botuar biografi të njerëzve që nga 1967. Ky institut prodhon të ardhura nga shitjet e çertifikatave, diplomave dhe librave ku përshkruhen biografitë e individëve të ndryshëm.

Ky institut procedon në këtë mënyrë: ai mbledh emra që dalin në veprimtaritë e ndryshme të botës e që sigurisht nuk janë njerëz të rëndomtë e askushë. Këtyre individëve, instituti u dërgon një letër ku pasi vë në dukje meritat e tyre madhështore, u propozon përfshirjen në një libër biografik, së bashku me emra të tjerë të njohur të botës. Për këtë, individët duhet të paguajnë një shumë të caktuar, që t’u dërgohet libri si edhe një pagesë tjetër (jo të pakta të gjitha këto) për të marrë një diplomë ( me kornizë ari, argjendi, platini etj.) ku thuhet se ti je përfshirë në filan përmbledhje biografike.

Nga moria e individëve që u drejtohen këto letra, le ta zemë se gjysma e pranon ofertën dhe dërgon shumën e kërkuar (zakonisht 300 $ apo më shumë). Në qoftë se këta janë qoftë dhe 100 vetë nga e gjithë bota , kjo do të thotë se Instituti në fjalë mbledh 30,000 $ dhe botimi i një libri me 100 kopje nuk bën më shumë se 2,000 - 3,000$. Pra fitimi nuk është i pakët. Mund të llogaritet pastaj edhe fitimi nga diplomat e çertifikatat etj. Duhet theksuar se në qoftë se nuk paguan, harroje përfshirjen në mendjet e shquara apo njerëzit e mëdhej.

Gjithshka është e ligjëshme në këtë biznes, pasi Instituti, duke përfshirë në botimin e vet disa nga biografitë e njerëzve vërtet të shquar e të botuar në mjaft libra të tjerë më parë, nuk bën ndonjë shkelje në se fut në këtë botim edhe shumë klientë që paguajnë e që në fakt janë dikushi edhe kur kurora që u vihet nuk është përshatshmërisht për kokën e tyre. N[ fund të fundit, Instituti ka bërë një zgjedhje emrash që ai i quan si “të shquar” dhe këtu atë nuk e kap dot ligjërisht. Ndaj dhe ai funksionon e mbijeton si shumë biznese të këtij lloji në Amerikë. Objekti i këtyre lloj institucioneve janë mungesa e njohurive të njerëzve dhe etja që ata kanë (që shumë herë është e drejtë e njerëzore) për t’u vlerësuar mundin e përpjekjet e tyre.

Instituti Amerikan i Biografive (ABI) ka dhjetra botime si ky i mësipërmi: Njeriu Ndërkombëtar i Vitit (si për ironi, këtë çmim u tha se fitoi Ramiz Alia në 1990 apo 1991), Njeriu i Shquar i Shekullit XXI, Njeriu i Shkencës, Gratë e Mëdha të Shekullit XXI, Një nga Elita e Gjenive, Elita Bashkëkohore e shumë e shumë të tjera.

Pas viteve ’90, ABI gjeti një thesar të vërtetë në dëshirën e individëve nga vendet e ish Lindjes komuniste për të hyrë në botimet e tij bigrafike. Njerëzit nën regjimin komunist vlerësoheshin shpesh herë me kritere ideologjike. Qindra e mijra vetë bënin punë të mrekullueshme në fushat e tyre e nuk i njihte njeri. E pra, në këto vite të pas-diktaturës, shumë shqiptarë, duke hequr nga kursimet e familjeve të tyre disa qindra dollarësh apo në raste të tjera, pa dhimbje të mëdha, nga të ardhurat e bizneseve të reja, u bënë të famshëm duke treguar emrat e tyre të botuara në libra luksozë e të shkruar në diploma të admirueshme për nga paraqitja.

Por shqiptarët i harruan këto siç harrojnë zakonisht shumë gjëra të tjera dhe jepen pas berihait të ditës. Ja pra tek na kthehet e njëjta dukuri si një lajm i ri me shembullin e Znj. Qaja. Publiku ushqehet tani me mitin e rradhës. Absurditeti i lajmit është se nuk jep asnjë informacion se përse është e famshme kjo zonjushë që i vihet dhe titulli Dr. përpara. Përse vallë është shquar e dalluar ajo që të meritojë të quhet një nga mendjet e mëdha të shekullit të 21-të?

Dëmi në këtë rast është i opinionit publik. Ai gënjehet e hiqet prej hunde me një informacion të pasaktë e të paplotë. Por ne i pëlqejmë e jemi dashuruar me mitizimet. Mitomania është një cilësi e theksuar shqiptare. Dhe pastaj kërkojmë të çmitëzojmë historinë e mitet e lashta. OK, por le të mos prodhojmë mite të reja sepse kështu puna jonë e vënies në vend të gjërave do të ishte e pafrutëshme e pavlerë dhe e pambarueshme.

Botuar në gazetën Tema, 20 nëntor 2008

Wednesday, November 12, 2008

Ndërsa koha shkon

Koha është ajo që i bën gjërat të harrohen. Të rëndësishmet humbasin rëndësinë e zëvendësohen nga të tjera më të rëndësishme. Të rejat bëhen të vjetra e zëvendësohen nga të tjera të reja. Ato që na interesojnë sot mund të mos të na intersojnë nesër dhe ato që kanë vlerë sot ndodh që ta humbasin vlerën me kohë.

Koha nuk rrjedh njëlloj për të gjithë. Por gjithsesi ajo ecën e ecën e nuk ndalon kurrë. Lë pas hallet e përditëshme të njerëzve, zhurmën, zallamahinë dhe kalon nëpër të tjera halle e telashe, ndodhi e historira, faqe gazetash e figurash televizive. Duket sikur kjo qerrata kohë është aleati më i mirë i qeveritarëve të liq që mund të ketë një vend. Megjithse në pamje të parë të ngjan se atyre nuk u vjen mirë që koha ikën kaq shpejt e pushtetit të tyre u vjen fundi, kjo nuk është kështu pasi ata marrin masa që përsëri të vijnë në pushtet, të bekuar nga vota popullore.

Koha është aleati më i mirë i këtyre qeveritarëve sepse ajo heq vëmendjen nga ato që ngrenë e trazojnë shpirtrat e qytetarëve dhe i bëjnë ata të ngrihen kundër e të protestojnë. Koha, si një lumë i madh, mbath me llum e me baltë brigjet e malcuara ku bëjnë jetën njerëzit, zbut çarjet e ngurtësuara dhe i bën ato gjithnjë e më pak të dukëshme. Kjo është ajo që u intereson aq shumë pushtetarëve, parlamentarëve, partiakëve e politikanëve të status quo-ve.

Vini re se ç’ndodh në Shqipëri. Zjejnë e trazohen shumë gjëra. Flitet e përflitet për to, bëhen deklarime, organizime e veprimtari, buçasin radiot e televizionet, ngjethin ajrin e shikimet gazetat e mbushin hapësirën e internetit lajmet e bujshme. Pastaj koha kalon dhe ato fashiten e shuhen si flakë kashte e vendin e tyre e zënë të tjera, po aq të zhurmëshme, po aq në dukje, të rëndësishme e jetike.

Shqipëria hyri me vrull në epokën e demokracisë me shumë zhurmë e britma, me shumë parregullsi e çoroditje por koha kaloi dhe ajo harroi se duhet të dënonte krimet e diktaturës komuniste, t’u jepte të drejtën atyre që vuajtën e hoqën më shumë prej saj. Krerët e rinj të saj u angazhuan në një luftë të ashpër për pushtetin e ri, për pasuritë e pronat e reja. Pronat e pronarët e vjetër u harruan e u lanë pas dore. S’kemi kohë, bërtisnin pushtetarët e rinj, duhet të bëjmë këtë e atë. Por koha shkonte dhe bënte të harroheshin shumë lëndime e plagë sepse të tjera lëndime e plagë dilnin përpara.

Ndërsa koha shkon: U harruan dëmet e panumërta në atë pasuri që një herë e një kohë quhej e popullit. Ajo u vodh e u plaçkit për të krijuar kastat e reja të biznesmenëve. U harruan vjedhjet e shpërdorimet e ndihmave të Evropës e botës. U harruan firmat piramidale apo ato të larjes së parave, u harrua se kush mbante përgjegjësi për hapjen e depove dhe shpërndarjen e armëve si të ishin fishekzjarre. U harruan se kush ndërseu popullin kundër popullit dhe kush ishte shkaktar i humbjes së mijra jetëve njerëzore dhe shaktërrimeve në masë.

Ndërsa koha shkon: U harruan vjedhjet e parregullsitë në një zgjedhje sepse erdhën të tjera zgjedhje dhe u bënë të njëjtat gjëra. U harruan trafikimet e paligjëshme (ose të mbuluara nga ligjet) të naftës, të armëve, të njerëzve. U harruan viktimat e mbytura në det e që donin të kalonin përtej me gomone, sepse të tjera viktima të reja u shfaqën, në det apo në liqen. U harruan ankesat për rritjen e çmimeve, për tarifat e celularëve që janë nga më të lartat në botë, për planet e privatizimit që mbeten në letër me vite e vite, për gjendjen e keqe të shëndetësisë, pë mungesën e ilaçeve e të trajtimit njerëzor nëpër spitale, për helmimet me ushqime të prishura e të skaduara, për degjenerimin e shkollave e të sistemit arsimor, për prishjen e çoroditjen e kërkimit shkencor.

Ndërsa koha shkon: U harruan përsëri zgjidhjet për problemet e pronës. U harrua hapja e dosjeve dhe diskutimet e vrullshme të hapen apo të mos hapen ato, u harruan sa spiunë e informatorë ka në parlament e qeveri. U harruan Poliçanët, Bulqizat, Gërdecët, aferat e pista të policisë e shërbimeve të fshehta, vdekjet e dyshimta të dëshmitarëve, skandalet e diplomacisë, rrëzimet e pallateve të ndërtuara keq, lejet e ndërtimit të dhëna me shkelje të ligjit, qindra e mijra çështje të pazgjidhura nga gjykatat, nga parlamenti, nga qeveria. Janë harruar reformat që të tjerët na detyrojnë të bëjmë e që vetë nuk do t’i bënim kurrë. Harrohen ato dhe bëhen prapë reforma të tjera. Harrohen ligjet që janë bërë e bëhen prapë ligje të tjera. Harrohet kushtetuta e interpretohet siç do njëra palë apo tjetra.

Ndërsa koha shkon: Përsëriten e dalin prapë të njëjtat probleme nga njëra zgjedhje në tjetrën: kodi zgjedhor, komisionet e zgjedhjeve, dokumentacioni identifikues, listat e votimeve, e të tjera. Dhe përsëri harrohen. Bëhen plane e programe për luftën kundër korrupsionit dhe i zë pluhuri në dosje e në sirtarë dhe bëhen përsëri të tjera plane kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Dalin afera skandaloze me Fazllij e Diverolë dhe shuhen e fashiten si të mos kenë qenë kurrë.

Prokuroritë e gjykatat e kanë po ashtu kohën aleatin më të mirë. Dosjet harrohen me vite sa që të interesuarit ose vdesin ose s’çajnë kokçë më për to se jeta u ka vënë mbi shpinë të tjera halle më të rënda. Ata që janë dënuar nga një palë gjyqe, nxitojnë të rigjykohen kur janë ndrruar pushtetet dhe kështu dalin të pafajshëm e faqebardhë ndaj fëmijëve të tyre. Harrohen krimet e deri vrasjet si të qenë kondravajtje të rëndomta parkimi. Hetimet vazhdojnë me vite e vite dhe kur del befas ndonjë fakt i ri, më së shumti kur ndonjë gazetar trazon urët e zjarrit ashtu si më kot, njerëzit pyesin njëri tjetrin: kur ka bërë vaki kjo, në kohë të Enverit apo të Saliut ?

Ndërsa koha shkon: Harrohen fjalimet e pushtetarëve. Harrohen qëndrimet e tyre, një herë kur shajnë e tallin vetereanët e një herë kur i përqafojnë e kuvëndojnë gju më gju me ta. Harrohen ç’kanë thënë për njeri tjetrin, si kanë kaluar nga një parti a grupim politik te tjetri, si kanë votuar nëpër legjislatura, harrohen krahët i majtë apo i djathtë, harrohen programet e partive, premtimet për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për zhvillimin e turizmit e ndërtimet pa leje (apo me leje të padukshme) në bregdet, për jetë më të mirë, për begati e lulëzim.

E pra, a nuk është koha aleati më i mirë i pushtetarëve ? Atëhere ç’u mbetet qytetarëve? E vetmja gjë që mund të bëjnë ata është të mos e lënë kohën të rrjedhë më kot, për të fashitur e harruar shqetësimet e në dobi të pushtetarëve zullumqarë, por ta përdorin atë për të shpënë deri në fund ato që nisen e që nuk bitisen. Ta mbajnë nga mënga e xhaketës (apo nga kapistra e kravatës) deputetin a pushtetarin deri sa të zgjidhet ajo që është shpupurisur. Të mos harrojë, të mos harrojë, të mos harrojë! Mos e lërë kohën të rrjedhë pa u zgjidhur ajo që është zbuluar e duhet zgjidhur. E gjithë medja mund të ndihmojë këtu jo duke hedhur paprerë skoop-e por duke ngulmuar t’u shkohet deri në fund aferave të zbuluara. Në fund të fundit, në këtë garë të përjetëshme me kohën, humbasin të gjithë ata që e kanë kujtesën e shkurtër. Ky është fati i tyre. Ndërsa koha shkon...siç thotë ajo kënga e pavdekshme e Herman Hupfeld kënduar nga Sinatra i madh.

Botuar në gazetën Tema, 13 nëntor 2008

Monday, November 10, 2008

Obama dhe triumfi i mendimit përparimtar

Zgjedhjet presidenciale përfunduan dhe populli amerikan dha verdiktin e tij duke zgjedhur midis dy kandidatëve cilësorë e dinjitozë që rrallë qenë parë në historinë e zgjedhjeve në këtë vend. Pas një fushate të gjatë e emocionuese ku çdo zgjedhës qe i aftë të njihte deri në hollësi sfondin, pikpamjet, karakterin, temperamentin e bagazhin e njohurive të secilit nga kandidatët, tani është koha që fituesi të vërë në jetë premtimet e tij për një Amerikë dhe një botë më të mirë.

Zgjedhja e Barak Obamës ishte një fitore e madh ndaj paragjykimeve raciale që edhe pse rrallë herë dolën haptazi, përsëri qenë ato që trazonin ujrat e ushqenin kundërshtimet. Shumë përkrahës u trëmbën nga efekti Bradli (quajtur kështu sipas kandidatit për guvernator të Kalifornisë në 1982, afro-amerikanit Tom Bradli, i cili megjithse kryesonte 8% sondazhet deri në fund të garës, humbi ndaj kundërshtarit të tij) duke menduar se sondazhet nuk pasqyrojnë ndjenjën e sinqertë të votuesit aq më tepër kur kjo ka të bëjë me paragjykimin racial.

Por nuk ndodhi kështu. Efekti i mesazhit që Obama përcolli gjatë fushatës së tij të jashtzakonshme ishte shumë më i madh se efekti Bradli apo efekte të tjera. Të bën përshtypje se ky mesazh u përkrah e gjeti mbështetje tek inteligjenca më briliante e SHBA, tek akademikët e shkencëtarët, tek gazetarët e shkrimtarët, tek artistët e studentët. Universitetet e qendrat intelektuale qenë pikat ku ai fitoi më shumë vota e siguroi fitoren në tërësi të shteteve të SHBA. Asnjëherë rinia nuk ka dashur e përkrahur kaq shumë në këtë vend një kandidat për president. Të rinjtë u bënë promotori i fushatës së tij dhe një faktor i fuqishëm që i siguroi atij fitoren.

E kthyer mbrapsht në SHBA, jehona pozitive e ideve të tij mbi politikën e jashtme, e largpamësisë, përmbajtjes, qasjes demokratike e prej të barabarti e Barak Obamës në botë, e rriti gjithashtu staturën e tij prej shtetari e udhëheqësi të vendit më të fuqishëm të botës.

Ai pati gjithashtu kundërshtarët e tij në SHBA e në botë, kundërshtarë jo vetëm për hatër të ngjyrës së tij, po për hatër të orientimit të tij ndaj politikave më të majta dhe të një politike të jashtme më pak agresive, me përdorim më të madh të diplomacisë e më pak të imponimit të forcës. Kjo është e natyrshme dhe kundërshtarë të tillë janë shpesh herë dinjitozë e të respektueshëm. Kurse ata që qenë kundër tij sepse ai nuk ishte si ta, pra i bardhë, janë për të ardhur keq e mbeten mjeranë në bisht të historisë njerëzore.

Ç’ndodhi me shqiptarët në këtë proces? Pati donkishotë që u bënë thirrje publike shqiptarëve për të mos votuar për Obamën sepse gjoja ai nuk dashka Shqipërinë e Kosovën por dashka më shumë Serbinë. Natën e fitores së bujshme të Obamës, unë shikoja me sytë e mendjes shkumën e zemërimit në qoshet e buzëve të këtyre borizanëve qesharakë. Shqipëria e Kosova janë aleatë të ngushtë të SHBA pavarësisht nga presidentët që vijnë e ikin në Amerikë. Shqiptarët kujtojnë se ndrrimi i presidentëve në SHBA është si ndrrimi i qeverive në Shqipëri, kur ndrrohen të gjitha politikat (me përjashtim të atyre që s’i ndrrojnë dot se i detyrojnë të tjerë) dhe stafet qeveritare. Po kjo nuk është kështu. Obama jo vetëm që nuk do, por as nuk mundet edhe sikur të donte, ta kthejë SHBA nga kursi i zakonshëm i saj si përçuese e demokracisë dhe e lirisë së të drejtave të njeriut në botë, ta bëjë atë “socialiste” apo “antishqiptare”. Ishte Bill Klintoni i Partisë Demokratike të SHBA presidenti që bombardoi Serbinë dhe ishte Xhorxh W. Bush, i Partisë Republikane të SHBA, presidenti që ndikoi më shumë se kushdo në pavarësinë e Kosovës e futjen e Shqipërisë në NATO.

Pra meraku i këtyre borizanëve, NOBAMA, nuk ishte se vinin re tek ky president i ri ndonjë politikë antishqiptare. Meraku i tyre ishte se ai është me atë ngjyrë që është por këtë ata nuk e thonë dot haptaz se kanë frikë se i quajnë racistë. Më tej akoma, ata nuk pëlqejnë tolerancën e tij, përmbajtjen, tendencën për mospërdorimin e forcës. Më thoshte një i njohur se kishte ardhur këtu në SHBA që Amerika t’iu mbante grushtin te koka cilitdo vendi të botës. Nuk i kam sjellë fëmijët këtu që ta shoh Amerikën të barabartë me cilindo vend të botës, thoshte ky simpatizant i dorës së fortë prindërit e të cilit, si shumë të tjerë (falur qofshin ata) nuk guxuan as të pëshpërinin nën diktaturën hoxhiste.

Ishte ky miku im dhe të tjerë si ai që votuan kundë Obamës. Ata qenë gati të mbronin edhe gafat më të pafalëshme që vinin nga mungesa e dijes dhe koeficienti i ulët i inteligjencës që vinin re tek një sërë kundërshtarësh të Obamës dhe të theksonin e të bënin tra çdo qime që qëmtonin në jetën e biografinë e tij. Obama do ta lyejë Shtëpinë e Bardhë me bojë të zezë, qeshnin hidhur nën zë shumë shqiptarë që kur e do puna, mburren se nuk janë fare racistë.

Por edhe bota intelektuale shqiptare nuk u orientua dot nga intelektualët e SHBA për të bërë zgjedhjen e saj. Shumë njerëz të mençur në Shqipëri flisnin për Obamën me thashethemet e shtypit, si një musliman, përqeshnin orgjinën e rracën e tij dhe harruan të thellohen në ato që thoshte e shkruante ai. Ore, nuk gjetët ndonjë burrë më te mirë ju aty në Amerikë? ishte shprehja si me shaka e mendimtarëve sqimatarë shqiptarë. Sipas kolumnistit të së dielave të gazetës Panorama, Edmond Tupja, për fitoren e Obamës në Tiranë u gëzuan vetëm banorët e Brrakës (apo Bërrakës siç i thotë frëngologu i njohur humorist). Po ta marrim për të vërtetë këtë pohim të mikut të Aqif Qifës, zotit Tupja, kjo nuk do t’i nderonte shumë intelektualët pompozë të këtij qyteti.

Megjithatë, pati në shtyp mendime të mençura e plot kurajë kundër ndërhyrjeve të vjetëruara nga Shqipëria apo jashtë saj për t’i bërë thirrje diasporës shqiptare në SHBA që të votonte kundër Obamës. Dhe këto qenë krysisht nga të rinj që studjojnë në SHBA e që e ndjejnë veten të lirë nga paragjykimet raciste, kolektiviste e megallomaniste.

Tani gjithëshka është e qartë. Nuk është se me ardhjen e Obamës ka ardhur Mesia i botës. Nuk është se kriza finaciare botërore do të shuhet menjëherë dhe të gjitha ekonomitë do të lulëzojnë. Nuk është se në botë nuk do të ketë më luftra e konflikte dhe se planeti do të shpëtojë njëherë e mirë nga ndotjet që po e helmojnë. Jo. Por me një Amerikë më vizionare e me një njeri të mençur e të ditur në krye të saj, bota do ta ketë më të lehtë të lëvizë në udhën e saj të demokracisë e përparimit .

Botuar ne Gazeta Tema, 11 nentor 2008