Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Sunday, July 09, 2006

Daullexhinjtë e patriotizmit

Shumë të këqia shqiptarëve historikisht u kanë ardhur nga brenda. Ata që i kanë bërë dëm më së shumti kanë dalë prej vetë atyre. Natyrisht ata nuk kanë bërtitur se veprojnë për interesa të ngushta të vetat apo të dikujt tjetër. Daullja e tyra ka qenë se i shërbejnë Shqipërisë dhe interesave të mbrojtjes kombëtare e të ardhmes së shqiptarëve. Kjo lojë demagogjike ka shekuj të tërë që vazhdon dhe natyrisht nuk është karakteristikë vetëm e shqiptarëve. Por gjithsesi, më e theksuar kjo dukuri është në popujt ku nuk spikat kultura, që gënjehen e sugjestionohen lehtë dhe i marrin rrahjegjokset e pseudoheronjve si kumbime të daulleve të kushtrimit për shpëtimin kombëtar.

Në fakt debati që ka në fokus çështjen kombëtare është më popullori e më i preferuari për kombin tonë. Ai bën të harrohen hallet e tjera të së përditëshmes. Me sa duket ne nuk rrojmë dot pa armiq bile edhe pa pseudoheroj që të na tregojnë se ku janë armiqtë. Enver Hoxha ishte një nga ata që në vend t’u jepte shqiptarëve bollëkun e premtuar, u vinte paprerë përpara koka armiqsh, të vendit e të jashtëm. Në kohën e tij, thonë që në poligonet ushtarake, ushtria dhe i gjithë populli ushtar merrte shenjë kundër tabelave që kishin mbi to fytyrat e Reganit, Brezhnjevit e Titos. A thua se ata e kishin fajin për mishin me tallon, ushqimet me racion e jetën me privacion.

Koha kur rrojmë, në kushtet e zhvillimit të globalizmit e të prirjes së vendeve më të vogla e më të pazhvilluara për t’u integruar në bashkime e organizma shtetesh të fuqishme, është koha kur bota bëhet gjithnjë e më tepër botë e të gjithëve dhe kur njerëzimi mëson gjithnjë e më tepër nga gabimet e veta dhe rreket të ndërtojë udhën e vet sa më pranë të ndershmes e së drejtës duke formuluar parimet demokratike që i shkojnë më së miri arsyes së qënies njerëzore mbi këtë planet. Në një kohë si kjo, gogoli i rrezikut kombëtar, britma nacionaliste dhe pseudoheronjtë që nuk rreshtin së gjeturi e treguari armiq, po humbasin gjithnjë e më tepër terren. Ky profesioni i lashtë i demagogëve të veshur me petkun e patriotizmit, po bjerret e shuhet përditë. Ata që vazhdojnë t’u bien këtyre daulleve janë në grahmat e fundit. Një i tillë është z. Kastriot Myftaraj i cili ka rrëmbyer flamurin e patriotizmit dhe u mëson shqiptarëve se ç’duhet të bëjnë në këto kohra “rreziku të madh”.

Shkrimi i fundit i z. Myftaraj në gazetën Sot, godet Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. A është i besueshëm ky zotni në ato që thotë? Nuk kam as kohë e as mundësi të verifikoj të gjitha thëniet e tij, por duke u nisur nga një pohim në një tjetër shkrim të tijin kohë më parë se I.Kadare mori pjesë në mitingun e organizuar nga komunistët në pushtet pas ndodhisë së ambasadave dhe foli atje kundër të ikurve, më duhet të them se ai nuk ja përton shumë të flasë kodra pas bregut. Eshtë një fakt historik se Kadare as foli e as mori pjesë në atë miting surrogato. Pretendimi për të kundërtën nuk e nderon një njeri që trajton tema intelektuale pafund në shkrimet e veta. Po kështu, në shkrimin e fundit ai jep hollësira nga jeta e klerikëve të sotëm shqiptarë dhe thur skenare që edhe Hiçkoku do t’i kishte zili. Duket sikur nj[ ish infermjer në një spital psikiatrik qënkësh atje me qëllim që të elektroshokonte armiqtë e klasës të asaj kohe. Prralla me elektroshok. Në fund të fundit, pse duhet të futë hundët ky zotëri në çështjet e klerit shqiptar ortodoks? Shpesh dëgjohen zëra” të dëbohet Janullatosi nga Shqipëria se na qënka armik i vendit tonë dhe i shërben Greqisë. Po ç’të drejtë ka gjithkush nga ne ta ulërasë këtë gulç? A nuk është kjo punë e vetë komunitetit ortodoks shqiptar? Dhe kur nga ky komunitet ngrihen priftërinjtë e nderuar dhe mbrojnë atë që është bërë me Kishën Ortodokse Shqiptare dhe udhëheqjen plot mënçuri e humanizëm të kryepeshkopit të saj, ky z. Myftaraj zë na tregon armiqtë e vendit, grekë e serbë që qënkan pas kësaj kishe e që mezi presin të na hanë. Ai heq e ngre shenjtorët e fesë dhe mëson se kush duhet nderuar e kush jo a thua se është vetë Papa apo patriarku botëror i ortodoksisë.

Përveç profesionit të patriotit e nacionalistit që z. Muftaraj e luan me kompetencë të plotë, ai merr edhe rolin e babait shpirtëror të kombit shqiptar, duke i rekomanduar atij që të përqafojë fenë protestante të krishterë (?!) Se pse duhet të bëjnë shqiptarët kështu, ai e di. Ky zotni na paska zbuluar se të parët e tij na qënkërkan detyruar të ndrrojnë fenë. Po të kishte qenë kështu, nuk do të mbetej i krishterë në këmbë në trojet shqiptare. Po grekërit, serbët, bullgarët e rumunët pse nuk e ndrruan fenë se edhe ata qenë të pushtuar si ne? Historia zotëri, nuk është kaq e kollajtë për t’u shkoklavitur dhe afshet e pasionet nacionaliste që ndezin shpesh herë median tonë, apo qoftë ulërimat mbi teoritë konspirative mbi akaparimin prej fqinjëve nëpërmjet depërtimit në Shqipëri të kapitalit të tyre, identitetin e shumëpërfolur kombëtar dhe debatet bjerrakote mbi fenë, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm tërheqin vëmendjen e publikut nga problemet e së përditëshmes dhe u krijojnë mundësi e terren klasave politike të spekullojnë me pushtetin.

A thua kjo është udha për ta nxjerrë në dritë këtë vend e këtë popull? E dimë që shumë nga fqinjët tanë kanë patur synime shoviniste ndaj trojeve tona, e dimë që na kanë kafshuar e na kanë sakatuar mjaft herë duke përfituar nga konjukturat e ndryshme dhe interesat e fuqive të mëdha. E dimë që ka qarqe në Greqi e Serbi që ende sot, do të donin t’i shihnin në hell shqiptarët; serbët kanë gjakosur kosovarët e grekët çamët e jugun e Shqipërisë. E parë nga një tjetër këndvështrim, edhe ata janë patriotë për vendet e tyre. Mos vallë presim që të luftojnë për çështjen shqiptare? Një shkrimtar i mënçur polak, Jaroslav Lec ka një aforizëm të famshme: “Fytyra e armikut më tremb më tepër kur shoh se sa e ngjashme është me timen.” Faleminderit zotërinj daullexhinj, nuk është ky patriotizmi që na duhet. Po të bëheshim më të mënçur, më tolerantë e më të kulturuar se qarqet “patriotike” në Serbi e në Greqi apo kudo qoftë, do të fitonim simpatinë e nderimin e botës mbarë dhe shumë çështje ende të pazgjidhura do të zgjidheshin në dobinë tonë. Ka ikur koha e dyfeqeve me gjalmë dhe e valleve në gojë të ujkut. Boll më me profesionin e lashtë të patriotëve profesionistë që i kanë ardhur gjer në grykë këtij vendi. Eshtë koha e dijes, kulturës e humanizmit dhe ata që nuk hyjnë dot në këtë rrjedhë, të hiqen mënjanë e të bëjnë sehir se fjala e tyre nuk bën më dobi.

(botuar në Koha Jonë, 10 korrik 2006)

Wednesday, July 05, 2006

Toleranca dhe 4 korriku i SHBA

Shtetet e Bashkuara feston në 4 korrik festën e vet më të madhe, Ditën e Pavarësisë. Kjo është festa e kombit amerikan, një komb i konceptuar mbi një mënyrë të re e moderne. Toleranca është tipari më themelor që është vendosur në themelet e demokracisë më të madhe e më të fuqishme të botës. Le ta shohim këtë veçanërisht në qëndrimin ndaj fesë.

Etërit e mëdhej themelues të Amerikës, Tomas Xhefersoni, Xhon Adamsi, Benxhamin Franklin, Aleksandër Hamiltoni, Xhejms Medisoni dhe Xhorxh Uashingtoni qenë njerëz të besimeve komplekse. Disa nga ta qenë të krishterë, deistë, agnostikë, apo ateistë. Dhe megjithse të rritur në një univers me ndikim të madh fetar e të krishterë, ata qenë të gjithë në një mendje kundër ngritjes së një kishe kombëtare. Ata donin vërtet që feja të ishte një faktor në jetën publike të kombit të tyre, por jo të ishte faktori mbizotërues. “Ndërsa ne mbrojmë për veten tonë lirinë për të përqafuar, shprehur e respektuar fenë të cilën ne e besojmë të jetë me origjinë hyjnore”, shkruante Medison, “ne nuk mund të mohojmë një liri të barabartë për ata, mendjet e të cilëve nuk janë dhënë ende ndaj provave që na kanë bindur ne.”

Vini re se ç’shprehje të fuqishme tolerance ka në fjalët e mësipërme, të thëna dyqind e ca vjet më parë. Vini pranë këtyre fjalëve, paçavuret e kongreseve dhe pleniumeve të partisë dalë nga goja e Enver Hoxhës e lakejve të tij me kostume dopiopetë dhe do të shihni si duken ato. Apo vini po të doni edhe fjalimet e partiakëve tanë modernëve të pas viteve ’90 mbushur me armiqësi, urrejtje e mostolerancë në luftën e egër për pushtet.

Toleranca e vendosur në themelet e shtetit, bëri që Shtetet e Bashkuara të korigjonte shumë gjëra në jetën dhe historinë e vet të mëpasme. Me qëndrimin tolerant që mbajtën etërit themelues ndaj fesë, në këtë vend lulëzuan të gjitha fetë e botës. Që nga priftërinjtë e vetmuar të Uestit, me biblën në dorë e koburen në brez e deri te Xhoel Ostini, pastori modern elokuent që predikon sot në Lejkvud të Teksasit për një auditor prej 35 mijë vetësh, Amerika ka parë variante nga më të ndryshmet e feve: katolike, ortodokse, baptiste, evangjeliste, presbiteriane, mormoniste, luteriane, unitariane, adventiste, islamike, budiste, çifute, spiritualiste, taoiste, hinduiste, bahaiste, shientologjiste e mjaft të tjera. Askush nga to nuk ka mbizotëruar në jetën publike të vendit. Askush nuk ngre ndonjëherë probleme të tilla për ta vënë fenë në qendër të identitetit të popullit amerikan.

Institucionet fetare të Amerikës kanë qenë të fuqishme por më të fuqishme se to kanë qenë kurdoherë institucionet e dijes të Amerikës, universitetet e kolegjet me emër në mbarë botën nga të cilat kanë dalë shumica e dijetarëve, shkencëtarëve e korifejve të kulturës e artit të shekullit të 20-të. Kjo e bën Amerikën demokracinë më diverse e të hapur të botës. Ndoshta dikush mund të kujtojë periudha të errta në historinë e saj, skllavërinë, makartizmin e të tjera. Gjithsesi ato janë pak për një histori 250 vjeçare. Dhe në fund të fundit, kush ja ndreqi “mëkate” të tilla Amerikës? I ndreqi vetë. Sikur grekët e serbët të hidhnin në erë sahatin e Tiranës dhe të dilte dikush e të deklaronte në gazetë se mirë bënë që bënë kështu, pa dyshim, ai do të varej me kokë poshtë e do t’i vinin zjarrin për së gjalli në qendër të qytetit. Ja pra, në Amerikë, edhe pas goditjes së pashembullt të kullave binjake në 11 shtator 2001, pati njerëz që deklaruan se kjo ishte pasojë e vetë politikës amerikane, pati që shprehën bile admirim për sulmuesit. Të tillë kanë dalë në gazeta, TV, libra e filma dhe nuk i prek njeri me dorë, ndonse shumë nuk janë dakord me ta.

Në ka gjë për të cilën duhet investuar më së pari në Shqipëri është pikërisht kjo lloj tolerance. Maks Velo shkruan një shkrim të sinqertë (mund të jetë çfardo, por nuk guxon kush ta quajë të pasinqertë shkrimin e tij) dhe fiton përnjëherësh një urrejtje të përbindëshme deri në linçim. Mund të mos jemi dakord me një, dy, tre apo të gjitha mendimet e tij, por kjo nuk ka pse na ngrejë leshrat e kokës (dhe të pjesëve të tjera të trupit) përpjetë dhe të na errë sytë e mendjen. Në Shqipëri vendin e tolerancës e ka zënë besimi i verbër në ide të dyshimta, një besnikëri qorre ndaj zotit të fisit, klanit, tarafit, partisë. Vendin e tolerancës e ka zënë fyerja e ofendimi publik, leva pas koke, rrahjet me cuba, vrasjet e paguara, dinamiti në dyer shtëpish.

Duke u kthyer përsëri te feja, doja të shprehja mendimin tim se sa të pafrutëshme, anakronike e dëmprurëse janë polemikat e ashtuquajtura të mëdha që bëhen së fundmi në jetën publike të Shqipërisë, lidhur me identitetin e shqiptarëve. A nuk e dinë këta korifej të mendimit shqiptar se një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk besojnë në asnjë fe, as të krishterë e as muslimane? Të besosh në një zot nuk është turp, por nuk është turp edhe të mos besosh fare qoftë në një apo qoftë në shumë zota. Shoqëria njerëzore ka lëvizur përpara. Nuk është më koha kur doli Krishti apo Muhameti.

Shumë duan të ngjallin mendimin: pa fe nuk na pranon Evropa, më mirë me një fe (muslimane apo të krishterë qoftë) se sa pa fe fare, sepse pa fe qënke pagan dhe paganët janë barbarë. Sigurisht këto janë teza fare naive. Atëhere qënkan paganë shkencëtarët e mëdhej të botës nga puna e të cilëve ne kemi sot të gjitha të mirat që ka sjellë teknologjia: elektricitet, radio, TV, makina, telefon, kompjuter etj.? Mos qënkan paganë intelektualët e shquar e mendjet e mëdha të botës që kanë krijuar identitetin e mbarë njerëzimit dhe mes të cilëve ka patur shumë që nuk kanë besuar e nuk besojnë në zot? Ndarja e shqiptarëve në besime të ndryshme fetare, duke lënë mënjanë interesat e prirjet e kombeve fqinjë, ka të bëjë më së shumti me mosseriozitetin me të cilin e shihte fenë shqiptari, me një lloj pragmatizmi racional që e ka karakterizuar atë kurdoherë.

Në kohën kur intereasat kombëtare qenë në rrezik, Vaso Pasha hodhi idenë: Feja e shqyptarit asht shqyptaria”. Sot, në amullinë ku vërtitet mendimi shqiptar për të gjetur në se në thelb shqiptarët janë të krishterë apo muslimanë, i përkasin Lindjes apo Perëndimit, dhe kur mbi një e treta e shqiptarëve jetojnë aktualisht nëpër botë e larg trojeve të tyre, do të ishte më me vend që duke ruajtur atë që na bën shqiptarë, të zhvillojmë më së shumti atë që na bën njerëz mbi këtë planet. Ndaj sllogani më i mirë do të ishte: Feja e shqiptarit është humanizmi. Dhe humanizmi ushqehet e lartësohet vetëm me kulturë e tolerancë.

(Botuar në Koha Jonë, 5 qershor 2006)

Saturday, July 01, 2006

Fenomeni Çelebi

Papërgjegjshmëria e implikimit të shqiptarëve nëpërmjet fjalës së shkruar a të shprehur, në politikë, ekonomi, kulturë, mbarëvajtjen e përditëshme të punëve dhe të gjitha gjërat e tjera që ka kjo botë, është e pakrahasueshme dhe e paimagjinueshme. Të ndrydhur, të shtypur e të privuar nga fjala e lirë për gati një gjysmë shekulli komunist dhe edhe më parë pa ndonjë traditë fjale të lirë, ata qenë të etur e të papërmbajtur për të shprehur haptazi mendimet, opinionet, pikpamjet e tyre edhe pse shpesh herë pa kurrfarë tolerance, plot paragjykime, mungesë kulture, megallomani e prepotencë. Deri kur do të vazhdojë kjo inerci e shëmtuar?

Një pjesë e këtyre “të eturve” për fjalë, fjalë e fjalë, shpesh herë llangosur me baltën e sharjeve, përçmimeve, urrejtjeve e talljeve të padenja për cilindo që i vë vetes detyrë që të shkruajë për të ndrequr e jo për të prishur punë në atë kokolepsje të madhe që përbën jetën e njerëzve, janë jashtë vendit dhe duke qenë të paaftë të ndërtojnë atje një personalitet të thjeshtë qytetar e të inkorporohen në jetët e atyre vendeve ku kanë kërkuar strehë, nuk i lë meraku për gërr-mërret e atij vendi ku u bënë këta që janë dhe ndjehen më të lirë për të ulëritur pa doganë vetëm... ulërima.

Vështroni me maturi e gjak të ftohtë forumet e shqiptarëve në Internet dhe do të më jepni të drejtë për sa thashë më sipër. Fshehur shpesh herë pas anonimatit, injoranca këlthet e ulërin sa të vjen të mos e vësh më në gjuhë gjuhën tënde por të shpikësh një tjetër kod të panjohur tingujsh për të komunikuar. Gazetat domosdo kanë një barrierë për llumrat e fjalëve e ndotjet e gjithfarllojëshme që prodhohen nga penat a kompjuterat e grafomanëve të papërgjeshëm që u kërcasin fjalët si ato qeset e letrës kur i mbush me frymë e i plas pas murit. Ato në përgjithësi nuk mund të botojnë çfardo që t’i teket njerit apo tjetrit, shfryrje inatesh e mëri personale. Por ja që edhe gazetat na kanë forumet e tyre. Në njërin nga këto forume, në një nga gazetat e njohura, më i shquari nga të gjithë është një farë Mevla Çelebi që del herë nga Kina, herë nga Gjermania e herë nga SHBA. Ky është shoku i një Nastradin Efediu (në mos qoftë ai vetë në të dyja maskat) që shkruante papushuar më parë për të gjitha e kundër të gjithëve. Të dy këto maska, zënë 50 përqind të shënimeve të këtij forumi.

Mevla Çelebi është i preferuari i forumit të kësaj gazete. Me siguri ata që ruajnë normat e etikës në këtë gazetë, e dinë kush është ai, por me sa duket u intereson tërbimi e çmenduria e këtij zëri fare të çakërdisur (apo edhe të kurdisur) që shan gjithë botën e gjithë njerëzimin vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe Sali Berishën. Nganjëherë kam menduar se mos është një truk i lashtë fabrikimi i këtyre Çelebive, Nastradinëve apo kallam-kusurëve të tjerë për të dhënë ashtu si pa u ndjerë, opinionin e sovranit të madh, popullit. Pra të thuhet: shkruani më kot ju analistë, opinionistë, gazetarë gjithfarsoj po mos harroni se ja cili është mendimi i njeriut të thjeshtë që shprehet lirshëm në forumet e gazetave. Mund të jetë edhe kështu, ku i dihet. Fabrikimi i opinioneve është po aq i lashtë sa vetë politika.

Po pa të shohim ç’thotë ky Mevla Çelebiu ynë. Ja disa nga mendimet e tij: Shqiperia ka nje president kukull..., Shtypi shqiptar eshte i kapur nga MAFIA..., Po t'i jape Turqia azil politik Aldo Bares kurre nuk ka per tu pranuar ne Bashkimin Evropian...., Nje Minxhoz(Skënder) junior shkruan tamam si i ati kur sulmonte Niksonin dikur... Ti Kico (Blushi) e ke qejf Serbine se aty ku je futur dhender ti e kane pasur qejf denbabaden Serbine...Truri i pazhvilluar i Mustafa Nanos... Nano (Fatos) ishte byk... Bashkim Kopliku eshte me i neveritshmi ...Cmimin me te larte te pordheve e ka vendosur Dhori Sollaku.... Gazidede u kthye ne kohe, u emerua ne kohe. Dhe po ne kohe, bashke me Berishen dhe me burrat e vertete do te beje gjera te mira per ate popull qe u masakrua tmerresisht nga don Corleonet shqiptare per tete vjet me rradhe... Qosja (Rexhep) kujton se meqe ka studiuar Naim Frasherin di edhe Karl Poperin apo Henri Kisingerin. Por jo mor zoti Qose nuk mund t'i dish te gjitha se te gjitha vetem Mao Ce Duni i dinte... hrushovisti Edi Rama, pionieri i Enverit, Pandeli Majko... “kercimtarja” e katodromit te Nanos ,Artea (Arta Dade) qe mund te bente mire cdo pune tjeter dhe ate te “dybekut te Nafijes”,por vetem Ministre e Jashme nuk mund te behej... Nje gangster si Gjinushi... Petraq Kolevica germon si minjte... e të tjera e të tjera pafund. Në shumë nga shënimet, në fund, si për kulturë, Çelebiu vë edhe nga një shprehje anglisht të cilën e përkthen pastaj në shqip, për të na treguar se nuk rri kot atje ku ka kërkuar azil politik dhe pastron ndonjë hale.

Evlija Çelebiu i vërtetë, udhëtari e historiani turk i shekullit të 17-të ishte nga njerëzit më të bredhur e më të kulturuar të kohës së vet. Si kronikan i Portës së Lartë, ai ka përshkruar lavdinë e pushtimeve perandorake otomane por ka gjithashtu faqe të shkëlqyera për qytetet shqiptare të asaj kohe, Shkodrën, Elbasanin, Tiranën, Beratin e Vlorën. Atij do t’i dridheshin eshtrat në varr po të dëgjonte a të shihte se si shkruan ky hajduti i emrit të tij, pesqind vjet më pas. Kane ardhur kohe te veshtira, thotë ai, per anadollake te tipit te Qoses qe ndonese mund te vishen me frak, ne thelb tymojne si mejhanet e shekullit te 17- te. Vallë është guxim, trimëri a mënçuri të shprehesh kështu për një nga penat e mendjet më të mprehta të kulturës shqiptare? A nuk ngjan ky njeri që fshihet pas emrit të Çelebiut si një i fantaksur që shkreh në hava pisqollën e tij tymosëse ndërsa ka mbuluar kokën me jorgan? A u ka ndodhur të shihni ndonjëherë rrugëve ndonjë qen që rri te pragu i portës e i leh gjithkujt që shkon? Vetëm leh, se nuk ja mban t’i turret kujt. Bile kur ndal hapat e i kthehesh, ai fap, futet pas portës. Ja, një soj i tillë është ky Çelebiu ynë modern, që i bën thirrje kryeministrit të dëgjojë këshillat e tij. Zot na ruaj, ç’qënie të përçudëshme ka bota!

Duhet shumë mund e përpjekje për ta pastruar lëmin e kulturës dhe jetës shqiptare nga fenomeni Çelebi. Njerëz të tillë mbjellin vetëm farën e përçarjes e të urrejtjes. dhe i bëjnë punët më keq se ç’janë. Arsyetimi i tyre është sharja, logjika e tyre është alogjika, fjala e tyre është lehja. Çdokush ka të drejtë dhe është i lirë të shprehë mendimin e tij të lirë po pse u dashka të fyejë, ofendojë e kafshojë me tërbim e përjargie? A nuk ka ky njeri apo njerëz si ky, aq njerëzillëk e shkollë sa të bëjë debat me argumente me ata që s’është dakord? Pastaj, a nuk ka punë tjetër ky njeri? Nuk ka familje, fëmijë ndaj të cilëve të ketë detyrime? Apo ja paska taksur jetën dhe të gjithë kohën e tij vatanit të vet? Mjerë ai vatan që ka pjellë e bën sehir pjella si ky.


(postuar në Peshku pa ujë, 28 qershor 2006)