Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Sunday, November 26, 2006

Vallja hibride

Shqipëria në grupin e vendeve me regjim hibrid në indeksin e fundit të demokracisë të revistës së njohur angleze The Economist. Nga vendet e Evropës Juglindore ka prapa vetëm Bosnje dhe Herzegovinën (që dihet se çfar kongloshteti është) dhe Turqinë ku ende mund të futesh në burg po fyeve “turqizmën”. Greqia, fqinja jonë dhe “armiku” ynë i madh është në grupin prej 27 vendesh të vendeve demokratike të botës, duke lënë prapa Anglinë e Francën. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit janë në grupin e vendeve me demokraci me të meta. Pra kanë të meta po quhen vende demokratike. Ky paloshteti yni, i Shqipërisë, sipas sondazhit është asgjë më shumë se sa...shtet hibrid.

Gjithsesi ky lajm do të kalojë si gjithë të tjerët, pa ndonjë bujë të veçantë në “hibridin” shqiptar. Sa vende janë në sondazh, do thonë? Nja 165. OK, Shqipëria është në vendin e 83, pra në mes. E de, s’është dhe aq keq. Vetëm këtij që u quajtkërka “hibrid” si t’ja bëjmë? Por ne kemi një shprehje: e hamë turpin me bukë. Kjo është e lashtë, kur ushqimi identifikohej me bukën. Po sot ne e hamë turpin me shumë gjëra edhe më të mira, me të cilat kapërdihet edhe më me lezet, me biftek, me peshk, me verë në restaurante luksoze majë godinash shumëkatëshe apo buzëdetesh, me shoqëri të bujshme a privatësi intime. E pimë me kafe, me raki e uiski dhe pastaj i turremi debateve pa fund në gazeta, radio, televizione e forume të internetit. E ku pyesim ne se si na quan bota? Ne s’na bën syri tërr por vazhdojmë sipas asaj këngës së famshme: dhe në gojë ujkut hedhim vallen. Dhe ujku i shkretë habitet aq shumë nga kjo valle sa mbetet gojëhapur e nuk mbyll dot gojën!

E pra, ky lajm do kalojë si pa u ndjerë sepse Shqipëria prodhon lajme pa fund. Ç’thonë të mëdhejtë e politikës? Pse erdhi në Shqipëri Selami? Si u prit në Kosovë si një “vigan liberator” ish diktatori zëkec Ramiz Alia? Ç’thotë Kadareja? Po Qosja? Ç’identitet kemi ne shqiptarët mor aman, se nuk po na zë dot gjumi? Kush do ta intervistojë Janullën? Kur do të na bëjë zonja Hoxha formën e ardhëshme politike? Kur do të hapen ato të shkretat dosje? Si shkon klasifikimi i VIP-ave në Tirana Observer? Të rejat e fundit nga Kënga Magjike. Pse u prenë çedrat te lulishtja gropë e ministrive?...Pastaj prapë ndonjë video alla Gjoni dhe hamendjet për presidentin e ardhshëm dhe ministrinë e të krishterëve të ndershëm të Nardit e Nikollës....Sa herë i mendon të gjitha këto margaritarë të kurorës të medias shqiptare që shumfishohen në tryezat popullore të vatrave shqiptare, në rrugë e shtëpi, që nga dominotë me zhul të pensionistëve e deri te shndritjet e kristalit të gotave në Sheraton, aq më shumë të shkon mendja se ç’fjalë me vend e gjetur është fjala “hibrid”. Në kohën e komunizmit “hibrid” ishte një lloj misri hamullor, i verdhë e i madh që s’e hante as derri (po që e hante ndonjëherë edhe populli vende vende). Por ama për sy, nuk kishte të sharë.

Vallë kështu do të vazhdojë ky vend? Ka 15 vjet në udhën demokratike dhe demokracia nuk duket gjëkundi. Vetëm hibridi na mbeti. Një ironi e shëmtuar e atij misrit që zgërdhihet dhëmbëverdhë e s’do t’ja dijë fare në vlen apo jo për gjë. Vazhdon vallja hibride shqiptare. E çuditëshme, e allasojshme. Na duhet kurdoherë të shpikim një ujk. Që t’ja hapim gojën me zorr e t’ja hedhim vallen mu në gojë. Hajde valle, hajde! Çuditet bota. Dhe po të dalë fjala vjen Amerika, apo Anglia apo qoftë dhe Italia e të thotë se jep dyshtetësi (apo qoftë njështetësi) për shqiptarët, bobo çfar kthese të rrufeshme do të merrte vallja hibride! A thua do të mbetej ndonjë shqiptar pa u turrur drejt këtij shansi të ofruar bujarisht? Vetëm ndonjë i mbetur zgëqeve, atje ku nuk dëgjohet trumpeta zëçjerrë e mediave. Vetëm ata do të qenë “patriotët” që nuk do ta braktisnin mëmëdhenë. Nga rreth 6 milion shqiptarë në trevën ballkanike, janë gati dy milion shqiptarë të shpërndarë sot nëpër botë. Nuk është puna se kanë ikur më të mirët e kanë mbetur më të liqtë, as se kanë ikur më kozmopolitët e kanë mbetur më patriotët. Eshtë një prirje e natyrshme për t’i ikur lodhjes e mundimit të valles hibride shqiptare dhe për t’u futur në një valle më të shtruar, më të thjeshtë, më njerëzore që luhet e pabujshme dhe nuk të merr mendjen, në vallen e madhe të njerëzimit e botës.

Ky difuzion i natyrshëm është ai që do ta bëjë Shqipërinë duke zhbërë vallen e saj hibride të amokut. Këtij difuzioni i trëmbej diktatura komuniste kur mbyllte deri në gjakderdhje kufijtë. Ky difuzion është fitorja më e madhe e pakthyeshme e Shqipërisë në këto 15 vjet. Ai do të sjellë rilindjen e dytë kulturore të Shqipërisë, do të pastrojë ndërgjegjet e vrara e të malcuara, do të shtojë trensparenten e të ndershmen në jetën shqiptare dhe do të rritë qytetërimin e një kombi vital që është ngrënë përjetësisht me veten e tij më shumë se me të huajt.

Për të arritur këtë na duhet të bëjmë ca gjëra të thjeshta: Të flasim më pak e të punojmë më shumë. Të shplajmë trutë nga mendësitë komuniste. Shteti nuk është as prifti, as mësuesi, as beu e bamirësi ynë; është vetëm partneri ynë për ndërtimin e një jetese më të mirë. Të mos bastionizohemi si gurë shahu në skalionet e politikës duke e parë të keqen vetëm e vetëm në kampin e kundërt. T’i detyrojmë politikanët të jenë më të ndershëm e transparentë. Të luftojmë për ligje të mira dhe t’u bindemi atyre më shumë se zotave e pejgamerëve. Të inkurajojmë futjen e sa më shumë forcave të reja në jetën qytetare e politike. Të mos thashethemizojmë e përgojojmë çdo aspekt të jetës shqiptare duke përhapur ndjenjën e pështirosjes e të mosbesimit. Të mos shpikim armiq e ujqër për vallen tonë e të mos kërkojmë fajtorë jashtë nesh për ato që s’na ecin. T’u hapim udhë më të zotërve e më të diturve dhe të marrim mbi supe aq sa ç’mund të mbajnë supet tona. Të jemi më pak egocentristë e më shumë modestë: qendra e gjithësisë gjithsesi është shumë e shumë larg secilit nga ne. Kulturë, kulturë dhe vetëm kulturë. Kështu do të mund ta futim vallen hibride shqiptare në vallen e shtruar të shumicës më të kulturuar të njerëzimit e botës.

(Botuar në Gazeta Sot, 26 nëntor 2006)

Wednesday, November 15, 2006

Kush e njeh Blerta Foniqin?

E njeh kush vallë nga lexuesit e rregullt të shtypit në Shqipëri e Kosovë Blerta Foniqin? A e njeh kush nga tifozët hungurues të përleshjeve politike, analistët, opinionistët dhe të gjithë ata që mbushin tej e mbanë shtypin e shkruar në shqip, të përcjellë në eter me radio e TV apo në mundësitë e pafundme të internetit? E pra, në një nga gazetat e përditëshme mjaft të njohura e fokusuar në Evropën Juglindore (South European Times, http://setimes.com/) të internetit që del edhe në gjuhën shqipe, emri i Blerta Foniqit është mjaft i njohur.

Kjo gazetare e re është korrespondente e SETimes për Kosovën. Shkrimet e saj shquhen për një gazetari vetpërmbajtëse, për dhënien e fakteve të duhura, për tolerancë e korrektesë profesionale. Në klimën e vështirë politike të Kosovës së sotme, në prag të ngjarjeve të mëdha që e presin këtë vend e këtë popull, tensionet me ata që kundërshtojnë pavarësinë e ligjëshme të ëndëruar prej kohësh janë rritur mjaft dhe diplomacia ndërkombëtare bën çmos të gjejë zgjidhjen më të mirë të pranueshme. Në këtë klimë, është vështirë për gazetarët të mos rrëmbehen nga pasionet e të mos mbajnë dukshëm anë.

Blerta Foniqi është nga ato vajza të reja që e ka kuptuar siç duhet mjeshtërinë gazetareske. Gazetari i faktit është një gazetar i faktit dhe jo përcjellës i opinionit të tij në publik. Ai është kronikani i së përditëshmes dhe fokusuar në fushën e tij, politikë, ekonomi, kulturë apo sport, pasqyron ato që ndodhin brenda kësaj fushe, pa pasion të tepruar e anëmbajtje, pa paragjykime e intolerancë. Shkrimet e Blerta Foniqit janë njëlloj të vetpërmbajtura e të barazpeshuara edhe kur bën intervistë me kryeministrin e Kosovës apo citon krerë të saj dhe edhe kur interviston banorë serbë të Kosovës dhe shpreh pakënaqësitë dhe pasigurinë që ata kanë.

Kjo gazetare nuk bën bujë, shkrimet e saj nuk kërcasin. Po pse duhet të kërcasin shpesh herë si patllake letre shkrimet e medias? Ne nuk rrojmë dot pa këto kërcitje, na është mësuar veshi e nuk bëjmë dot pa to. Hidhen të gjithë kush e kush të shesë sa më shumë erudicion e kulturë të përbotëshme, xhveshin pallat e turren të bëjnë kërdinë. Vini re: pse duheshin harxhuar aq batare shtypi për çështjen e vajzës së zotit Kadare? Fare më kot, vetëm për të gjendur punë për njerëz të zhytur në limontinë intelektuale e vanitetin bjerrakotës, vetëm për të shfaqur inatet dhe urrejtjet tona primordiale apo qoftë dhe për veneracionet tona të sëmura. Një gazetare si Blerta Foniqi do të kishte bërë që në krye atë që në shtypin shqiptar u bë në fund: do të kishte nxjerrë dokumentacionin përkatës pa asnjë koment dhe publiku do ta kishte marrë vesh në çast se si ishte puna.

Gazetari është luftëtar për të vërtetën. Por e vërteta jo kurdoherë ndodhet në anën tonë. Atëhere atë duhet ta qëmtosh atje ku është. Gazetarët në shtypin shqiptar kanë kohë që janë bastionizuar nëpër llogoret partiake apo të politikanëve të veçantë. Sapo përmendet emri i dikujt prej tyre dhe të gjithë e dinë se kë do shajë e kë do lavdërojë. Kjo në aspektin e brendshëm, sepse në atë të jashtmin ka një unifikim e polarizim në të njëjtin krah, atë patriotik dhe nuancat e ndryshimeve janë të pakta. Diskutimi në se duhet të jetë apo jo patriot gazetari, është i gjatë dhe jo gjithkush e kupton në hapësirën shqiptare. Sikur të nisej një gazetar i shquar si Fevziu apo Nano për t’i bërë një intervistë Vojislav Koshtunicës apo Boris Tadiçit lidhur me ç’mendojnë ata për zgjidhjen e statusit të Kosovës, do t’i ndodhnin gjëra shumë të pakëndëshme vetëm sikur të shprehte idenë, e jo ta realizonte atë realisht. Janë këto të pakëndëshme që na bëjnë të mbajmë qëndrime krejt absurde ndaj institucioneve ndërkombëtare kur është fjala për njërin apo tjetrin aspekt. Për shembull, na vjen mirë kur gjykata e Hagës gjykon Millosheviçin, Shesheljin apo të paditur të tjerë serbë për krime lufte, po rrudhim buzët kur ajo gjykon ta zëmë, Ramush Hajredinin (me gjithë respektin që kam për të). E me që ra fjala, asnjë gazetë shqiptare në Shqipëri apo Kosovë nuk botoi padinë e gjykatës së Hagës ndaj tij apo shokëve të tij dhe akuzat që ajo përmbante. Mund të mos ishim dakord me ato akuza por vetë padia ishte një fakt me të cilin publiku duhej të njihej.

Por ama, kjo është detyra e gazetarit. Oriana Fallaçi, gazetarja e shquar italiane që vdiq para ca kohësh, ishte e famshme pikërisht për këmbënguljen e saj për të sjellë në faqet e shtypit nëpërmjet intervistave të shtetarëve demokratë e diktatorë, opinionet e tyre me të cilët ajo jo kurdoherë ishte dakord. Në kulmin e përleshjeve politike ku ka qenë ngërthyer bota, ka patur asë të shtypit, që pa u ndjerë e trumbetuar, pa daulle e zurna, kanë bërë punën e tyre, kanë sjellë mendimin e kundërt, të kundërshtarit, “armikut” dhe kjo nuk u është marrë si propagandë e si kundërvënie por thjesht si një mishërim i profesionit të gazetarit.

Përveç se duhet të pasqyrojnë më me profesionalizëm, pa anësi politike apo individuale të përditshmen e jetës shqiptare dhe të zhvillojnë me shpejtësi gazetarinë gjurmuese, gazetarët shqiptarë duhet të dalin edhe më nga guacka e “shqiptarizmës”, të bëhen më botëdashës e njerëzidashës e të krijojnë kontakte sa më të shumta me jetën aktive të të gjithë globit. Këto mund të duken ëndrra në një tavan të palyer e me laskra suvash, kur gazetarët shqiptarë kanë kaq shumë halle personale e profesionale, mundësi të pakta financiare e vartësi ndrydhëse nga bosët e shtypit. Por gjithsesi edhe në qofshin veç ëndrra, është mirë të ëndërrosh dhe për t’i realizuar ato duhet të ndihmojnë edhe shoqatat e institucionet gazetareske e të medias që shpesh herë kanë emra të mëdha e punë të vogël.

Friday, November 10, 2006

Zgjedhjet në SHBA: mësime e përvojë

Me emocion të thellë u pritën anembanë Shteteve të Bashkuara rezultatet e zgjedhjeve për në Kongres, Senat dhe guvernatorët e administratat e shteteve, natën duke u gdhirë 8 nëntor. Ne shqiptarëve kjo datë na kujton kur lindi lugati komunist në Shqipëri, por në Amerikë ishte një ditë që shënoi një fitore të madhe të demokratëve ndaj republikanëve në pushtet. Pas 12 vjetësh, Partia Demokratike ka rimarrë kontrollin e Kongresit. Ajo ka ekuilibruar pozitën (në rast se nuk fiton shumicën) në Senat dhe ka marrë shumicën e posteve guvernatoriale.

Shumë analistë e shohin këtë fitore si një referendum ndaj politikave të dështuara të administratës së Bushit dhe paaftësisë së Kongresit republikan për ta bërë përgjegjëse këtë administratë. Partia në pushtet humbi postet senatoriale në disa shtete të rëndësishme si Pensilvani e Rhod Ajland. Ajo humbi këtë post gjithashtu në shtetin që i dha fitoren Bushit dy vjet më parë, në Ohajo gjë që tregon një ndryshim të opinionit të zgjedhësve. Demokratët sjellin një axhendë të gjerë që duke gjetur miratimin e publikut votues, sjell me vete ndryshime legjislative dhe një premtim për të konfrontuar presidentin Bush në çështje si lufta në Irak dhe përparësitë ekonomike konservatore. Gara edhe pse e ngushtë e fytafytas në shumë zona, shënoi një fitore të madhe të kampit demokrat që ishte parashikuar me kohë nga sondazhet e ndryshme e analistët e shumtë.

Për çdo vëzhgues, votimet në SHBA qenë një garë e fortë dhe e bukur, pa të shara e rrahje, pa krisma pushkësh. Më e shumta që u derdh qe ndonjë krikëll birre në baret e Uashingtonit, të Nju Jorkut e san Franciskos ku njerëzit rrinin në pritje të rezultateve që vinin valë valë në mbulimin plot vetëpërmbajtje e profesionalizëm të stacioneve më të njohura televizive. E tillë, korrekte, e gëzueshme dhe me një konfrontim sjelljesh qytetare ishte e tërë fushata zgjedhore e këtyre zgjedhjeve. Votuesit votuan për persona konkretë, për politikanë të vjetër e të rinj që kanë bërë të njohur me hollësi vizionin e tyre politik. Të zhgënjyer nga njëri, ata u prirën drejt tjetrit duke gjykuar se politikani për të cilin votonin do të bënte më shumë për t’ua dalë situatave ekonomike, për të përballuar shtëpitë e kredituara dhe shkollimin në kolegje e universitete të fëmijëve, për një politikë të jashtme më realiste.

Këto zgjedhje bashkë me shumë të tjera si to, janë një mësim i madh për ne shqiptarët. Vota e lirë është elementi më i shenjtë i demokracisë. Ajo nuk duhet shpërdoruar e topitur. Kujtesa e votuesve shqiptarë duhet të jetë e mprehtë dhe vigjilente. Vota e bën përgjegjës votuesin për të ardhmen e vet. Ai nuk duhet t’i kalojë premtimet e kandidatëve si gjëra të kota e bajate por të mbajë shënim e të kërkojë sqarime për to dhe kur të vijë rradha të kujtojë mosplotësimin e tyre.

E keqja më e madhe e votuesve shqiptarë është lidhja e tyre tradicionale pas partive. Sado më i mirë të jetë kandidati nga partia tjetër, ai shihet me syrin e të qënit një “armik” dhe për të nuk mund të votohet kurrsesi. Kjo nuk ndodh në Amerikë. Një kontigjent i madh i tyre kalon nga njëra parti tek tjetra në çdo zgjedhje, vetëm sepse shohin një alternativë më të mirë te sfidanti, qoftë ky i partisë tjetër. Dejvid Liberman edhe pse i pavarur, fitoi vendin e senatorit në Konektikat sepse njerëzit shohin tek ai njeriun që mund të bëjë më shumë për aspiratat e tyre. Dhe edhe pse mund të qenë demokratë apo republikanë, ata votuan për të.

A ndodh vallë në Shqipëri që zgjedhësit të dinë se ç’qëndrim ka mbajtur e si ka votuar deputeti i tyre gjatë një legjislature të tërë për çështje të ndryshme? As që bëhet fjalë. Gjatë fushatës së zgjedhjeve, kandidatëve për kongresmenë e senatorë ju kujtohej se sa herë kishin votuar për këtë e atë gjë e ç’qëndrim kishin mbajtur ndaj problemeve të rëndësishme të vendit. Kurse në Shqipëri së pari, votimet në seancat parlamentare janë në më të shumtën e rasteve tejet partizane dhe të komanduara nga partia dhe së dyti, vetë zgjedhësit janë indiferentë. Ja dhashë votën partisë, thotë ai dhe s’i bie mendja më se ç’u bë me atë votë.

Vetë sistemi proporcional është një sistem që favorizon, por favorizon padrejtësisht, partitë e vogla. Po ç’të mirë ka Shqipëria nga partitë e vogla përveç të përdorurit si monedha kusuri në pazarin e partive të mëdha? Mos vallë me që ja pamë hajrin për gjysmë shekulli një partie të vetme, duam të nxjerrim zinë tani duke patur dhjetra parti? Le të jenë sa të duan, por jo me vota proporcionale e me pragje sa t’i duan ato. Le të kenë kandidatët e tyre në çdo zonë dhe jo të jenë parti me dhjetë veta që të grinden e pjellin parti të tjera për hir të posteve. Prapa sistemit proporcional fshihet mediokriteti partiak i kamufluar shpesh herë si meritokraci partiake.

Klasa politike shqiptare është e interesuar kurdoherë për zgjedhje të rrëmujshme, të koklavitura, me grindje, me tensione. Që kur të humbasë një palë, të thotë më vodhën votat se të tilla qenë zgjedhjet. Sepse askush nuk është e sigurtë. Votat dhe elektorati blihen kollaj, ende votohet me turma, fshatçe, me fis, me taraf, me frikë, me presion. Vini re: ende në Shqipëri nuk është caktuar data e zgjedhjeve vendore. Dhe pastaj të presësh që këto zgjedhje të shkojnë normale. Në SHBA, zgjedhjet e fundit u zhvilluan të martën, ditë jave pra. Njerëzit qenë në punë dhe sekush linte punën për një orë, shkonte votonte e kthehej prapë. Askush nuk u qa e u ankua. Mund të mendohet kjo në Shqipëri? Po të jetë ftohtë, thuhet pse në të ftohtë, po të jetë nxehtë, thuhet pse në vapë, po të jetë në kohë pushimesh, thuhet pse në pushime, po të jetë në ditë pune, thuhet pse në ditë pune, me një fjalë: si i dhe ujë gomarit...

Edhe një herë kthehem tek ti i nderuar votues shqiptar. Ti je ai që i ke në dorë të gjitha sado që politikanët hiqen se të kanë në dorë ty. Momenti i votimit është momenti më vulnerabël për politikanin. Sado fodull e i rëndë, atij i duhet vota jote dhe vjen ta lypë atë. Mendohu mirë kur t’ja japësh. Mos ja jep për hatër të partisë që e mbështet, po për hatër të vetive të tij dhe besimit tënd se do t’i bëjë ato që premton. Në mos i bëftë, mbaja mend dhe kujtoja në votën tjetër. Thotë një shprehje amerikane: po të gënjyen një herë, turpi është i atij që të gënjen, po të gënjyen dy herë, turpi është yti, miku im.


Botuar në Metropol, 10 nëntor 2006

Tuesday, November 07, 2006

Heshtja që mashtron

Nostalgjia e herëpasherëshme për të kaluarën komuniste që gjallohet e bën majë nëpër trazirën e jetës shqiptare është diçka që nuk e nderon këtë komb dhe flet kundër vetive të mira që ai i atribuon me krenari vetes. Eshtë e vërtetë që popujt përshtaten shpesh herë të rrojnë në kushte më të rënda se çdo të rronin natyralisht, në kushte të shkaktuara nga vetë qënie e struktura shoqërore. Eshtë e vërtetë se ndodh që vjen një kohë kur ata nuk gjejnë dot forcë të ngrihen e të shkundin zgjedhën e tiranisë dhe harrohen në përditshmërinë e jetës njerëzore me të gjitha të mirat e të ligat e saj. Në këtë rast, kur një zhvillim mbarëbotëror e përmbys këtë zgjedhë e tirani siç ndodhi me diktaturën komuniste, vërtet nuk ka pse njerëzit të bëjnë heroin e luftëtarin e paepur por ama nuk ka edhe pse të bëjnë indiferentin, të përgjumurin, për të cilin ajo që ndodhi, si të ndodhte si të mos ndodhte, na qënkësh njëlloj.

E pra, nuk është kështu. Ajo që ndodhi me shoqërinë shqiptare në fillim të viteve 1990, është kontakti i parë i këtij populli me demokracinë e vërtetë, është ngjarje më e madhe se pavarësia, shtetformimi, çlirimi nga pushtuesit e të tjera. Rrëzimi i komunizmit dhe ardhja e demokracisë në Shqipëri nuk ka precedent në jetën e këtij populli gjatë tërë historisë së tij. Sepse ai asnjëherë nuk ka qenë i lirë, as në kohën e Skënderbeut, të sulltanëve, të Zogut apo Enver Hoxhës. Kjo nuk duhet harruar kurrë dhe s’duhet lënë të mbulohet me lëmashkun e nostalgjisë për jetën gjoja të qetë e të siguruar në komunizëm.

Ata që mbrojnë sistemin komunist në Shqipëri, që vazhdojnë të nderojnë Enver Hoxhën, diktatorin tipik të komunizmit të atrofizuar në variantin më të ashpër të tij, janë një vrasje e persekutim i dytë për të vrarët e të persektutuarit e asaj epoke dhe një turp i madh si për të vdekurit që ikën të zhgënjyer, për të gjallët e dalë gjallë nga katrahura komuniste ashtu dhe për ne të tjerët që e përjetuam si fëmijë apo që lindëm më pas asaj monstre makabre.

Komunizmi është sistem i mediokritetit. Dijenitë që ky sistem kërkon nga individi janë të cunguara e të cekta. Dijenitë e thella e të gjera e bezdisnin dhe i nxirrnin telashe atij. Për më tepër, izolimi nga bota u bë gjithashtu një tipar thelbësor i komunizmit shqiptar. Pra njerëzit mediokër janë ata që kanë hak ta vajtojnë përmbysjen e tij, kanë hak të kujtojnë me nostalgji Enverin e tyre, atë figurë të pashkollë e arriviste, të pakulturë e inatçore, psiken e tij të sëmurë e delirante dhe diabolizmin e përçudshëm që do t’ja kishte zili edhe vetë Luciferi. Duhet kujtuar se jo të gjithë njerëzit jetonin keq në komunizëm. Kishte një sërë syresh që edhe pse të pasigurtë në jetën që bënin sepse thundra e atyre që kishin më lart mund t’i shkelte në çdo kohë, qenë gjithsesi të kënaqur në atë farë relativizmi të ndërtuar jetësor kur mijra e mijra të tjerë vuanin me të vërtetë. Këtyre të favorizuarve të komunizmit u shkonte fjala në të gjitha terrenet ku bënin jetën e tyre, në familje, rrethin shoqëror , në komshij, lagje e deri në nivelin që kishin në strukturën shoqërore apo shtetërore. Shumë nga ta edhe pa punuar fare (në se do të heqim mënjanë punës sorrollatjet e kota, propagandën, survejimet. mësimet e partisë dhe çdo gjë tjetër që lidhej me mbajtjen e rendit) siguronin një jetë normale brënda paftave kufizuese që qënieve njerëzore u vinin atë kohë si kuajve. Njerëz të tillë është e natyrshme që sot të kenë nostalgji e mall për të shkuarën. Sot, asgjë nuk bëhet pa punë dhe fjala jote nuk dëgjohet se je kuadër partie apo kryetar kooperative. Hierarkia e re e vlerave, sado që shpesh herë e shrregullt dhe kaotike, i mërzit shumë nga përjetuesit e të favorizuarit e sistemit komunist.

Kishte mjaft arsye se pse sistemi i kaluar komunist nuk u trajtua siç duhet në Shqipëri. Së pari, vetë një pjesë e flamurtarëve të demokracisë në të gjithë formacionet politike e sociale shqiptare nuk qenë të interesuar për ndarjen e sheshimin një herë e mirë të gjërave. Ata trëmbeshin se mos u kujtonin të kaluarën e tyre, përkatësinë në parti, lidhjet familjare e krushqitë me nomeklaturën, pale kur kishin edhe ndonjë dosje të policisë së fshehtë apo ndonjë dëshmi që u ruhej në dosje. Një pjesë e tyre, veç trëmbjes së mësipërme, e kishin dhe e kanë të pandërgjegjëshme braktisjen e ideologjisë marksiste. Ajo u ka hyrë në gjak dhe me të do të vdesin.

Edhe kur lufta kundër komunizmit e mbeturinave të tij të transformuara e gjallëruara në jetën e tranzicionit demokratik u shpall si parullë e ditës, ajo ishte më tepër një retorikë fushatash zgjedhore e lufte partiake dhe jo një luftë e ndershme e pa kompromis. Logjikisht, kjo luftë nuk ka pse pritet prej politikanëve të cilët janë pragmatistë e të dhënë pas zhvillimeve të jetës së sotme. Kjo do të ishte lufta e ndershme e klasës intelektuale e cila u trodh e u përçudnua nën elektroshokun komunist për 50 vjet me rradhë. Ku janë vallë historianët, politologët e sociologët shqiptarë që nuk e trajtojnë këtë temë? Mirë të vjetrit që u shkoi jeta me duartrokitje miratuese, po ku janë vallë më të rinjtë, ata që kanë bërë mastera e doktoratura e sot janë në Shqipëri apo në institucione e universitete të botës? A nuk është detyra e tyre të bëjnë viviseksionin e kavjes komuniste me të gjithë protagonistët e saj? Pse filosofë si Prof. Fuga bëjnë analiza shpesh herë konfuze mbi të përditëshmen por nuk analizojnë mostrën e një diktature të pashëmbullt në historinë e botës, siç ishte komunizmi shqiptar? Sa kollaj dalin dokumente për gjëra personale e të rëndomta dhe kurrë nuk shfaqen dokumente e vendime gjyqësore që kanë pushkatuar, burgosur e internuar njerëz.

Sado e armuar me ligjet e kushtetutat e kohës të miratuar gjoja nga populli, dikatatura e demagogjia komuniste është prapë e prekëshme dhe e kapëshme nga logjika e drejtësisë humane të një sistemi demokratik. Në Evropë bëhen thirrje për të dënuar krimet e periudhës komuniste kurse tek ne intelektualët vihen në rresht e prononcohen në artikuj e intervista ose për tema banale e të rëndomta sado që mund të kenë të bëjnë me persona të rëndësishëm publikë, ose me tema abstrakte si identiteti kombëtar e gjithfar filozofimesh eterne erudite e pa bereqet.

Kjo heshtje mashtruese dhe vringëllimi i polemikave vetëm për problemet e rëndësishme apo të parëndësishme të së sotmes janë ato që ushqejnë nostalgjinë e mallin komunist dhe cysin edhe më korrupsionin moral e politik që degjeneron shoqërinë shqiptare. Dhe është e natyrshme: pa u vendosur një kriter vlerësimi moral për të shkuarën, nuk mund të ndërtohet kuadri brenda të cilit do ta vinte veten cilido individ që hyn në politikë. Eshtë koha që shoqëria shqiptare të ndahet një herë e mirë me të kaluarën. Eshtë jo vetëm e turpshme por katastrofike që ende të flitet me të butë e me doreza për diktatorin, diktaturën dhe rrotat, dërrasat e burgjitë e saj shpërndarë anembanë vendit me justifikimin se mos na mërxiten veteranët, ish komunistët apo kriptokomunistët që në s’kanë fare mend, atë mendje të mbajnë. Eshtë turp e më tepër se turp që nuk hapen ende dosjet e arkivat e periudhës komuniste por u lihet dorë e lirë vetëm ca të pehlivanëve që thurin intriga politike e i përdorin në interes të politikës ato që të tjerët nuk i zotërojnë dot. Eshtë turp e më tepër se turp të mos evidentohen në Shqipëri krimet e kohës envero-ramiziste. Kjo do të ishte përmendorja më e denjë e më njerëzore që mund të ngrinim ne sot për ata që diktatura griu e bloi në ingranazhet e saj vrastare. Eshtë turp e më tepër se turp të mos zgjidhet ende në Shqipëri problemi i pronës, kur prona komuniste e nomeklaturës nuk dihet se ku i ka hedhur rrënjët. A vërtet kaq naivë të ishin kryekomunistët shqiptarë sa që të mos mendonin se do vinte një ditë kur s’do qenë më në krye dhe do t’u duheshin para? E pra, ç’ka bërë shoqëria shqiptare për paratë e Shqipërisë që mund të jenë fshehur bankave të botës? Ç’kanë bërë politikanët, intelektualët, akademikët, gazetarët? Një vërë në ujë. Vetëm janë grindur e gërrmërrur me hijen e tyre. Koha shkon dhe gjërat zënë lëmashk e mbulohen duke u bërë gjithnjë e më e vështirë të gjesh thellësirave thërrimet e së vërtetës. Ka të urtë që na mësojnë se e mira është të shihet e ardhmja dhe të lihet pas e kaluara. Po kur copat e fragmentet e së kaluarës i gjejmë përditë në udhën e së ardhmes sepse ato i heqin osh mbartësit e fanatikët e tyre, atëhere me to duhen larë hesapet një herë e mirë sepse ato janë që na pengojnë të gjejmë paqen me veten e me të tjerët, të mësojmë demokracinë e të ndërtojmë një shoqëri që sado herë pas here do t’i vijë turp ta kthejë kokën pas, prapë do të ndihet mirë në se ka garantuar që e ardhmja e saj nuk do t’i ngjajë në asnjë aspekt së shkuarës.

Botuar në Gazeta Sot, 7 nëntor 2006

Friday, November 03, 2006

Veneracioni i sëmurë dhe erudicioni i rremë

Nuk e njoh dhe nuk e di fare zonjen apo zonjushen Gjikondi qe shkruan që nga Çikago, SHBA. Por pësova një mërzi e zhgënjim të madh kur lexova shkrimin e saj botuar ditë më parë në Koha Jone, “Kadare, Havel dhe një Milo”. Në qoftë se do ta futnim në gazetari, shkrimi i saj do të ishte një gazetari e shëmtuar nga ato të cilat në Amerikë të varin teneqetë. Ai ishte një shkrim tifozësh të çmendur që nuk duan t’ja dinë se kush luan apo nuk luan, rëndësi ka që vetëm skuadra e tyre të fitojë.

Shumë pesha të rënda merr mbi vete kjo zonjë apo zonjushë që hyn me kaq guxim e vetëbesim në arenën e jetës intelektuale shqiptare e edhe botërore. Nuk është fjala për respektin e admirimin e pafund që ajo ka për një figurë siç është shkrimtari më i madh në të gjallë e të vdekur në letërsinë shqipe, Ismail Kadare dhe njëherazi një nga shkrimtarët më të mëdhej bashkohorë botërorë. Personalisht, e kam mbrojtur Kadarenë ndaj sulmeve e kastigimeve të dashakeqëve e cmirëzinjve sa që një nga më të shquarit e aradhës sulmuese, Blendi Kraja, më ka graduar duke më përfshirë në truprojat letrare të Ismail Kadaresë. Fjala është për më shumë se kaq. Eshtë një veneracion i sëmurë dhe një erudicion i gënjeshtërt absolut që autorja e shkrimit trumbeton, pozicioni i fyerjes së një plejade të tërë intelektualësh shqiptarë, i gjërave fare të dyshimta e të diskutueshme që hedh me lehtësi e pa droje ajo në rreshtat e shkrimit të saj.

Më lejoni të analizoj më poshtë disa citime nga shkrimi në fjalë. Autorja thotë: “Politikanë bëhen ata njerëz, të cilët s'bëjnë dot art të madh (si Teodor Laço, Besnik Mustafaj apo Preç Zogaj), apo që nuk bëjnë dot shkencë të vërtetë (si Paskal Milo apo Kastriot Islami), apo që përmes politikës kërkojnë emër dhe privilegje që s'i arrijnë dot me profesionin e tyre”. Me ç’të drejtë e thotë kjo shgaravitëse këtë frazë? Vallë ka lexuar ajo ndonjë rresht nga Teodor Laço, Besnik Mustafaj apo Preç Zogaj? Apo di ajo ndonjë gjë nga shkenca e Paskal Milos apo Kastriot Islamit? Po ta botonte një shkrim të tillë zonja apo zonjusha Alma në Amerikë lidhur me subjekte amerikane dhe të thoshte se vetëm Heminguej është shkrimtar gjenial dhe filani e fistëku nuk vlejnë, do ta qeshnin me të madhe. Me sa guxim e mendjelehtësi bën ajo pohime që na i shet si të vërteta absolute? Po sikur Kadare të bëhej një ditë president i Shqipërisë, ç’do t’i mbetej pohimit të saj? A nuk e di ajo se Pablo Neruda, Oktavio Paz, Seint Xhon Persi, Jorgos Seferis, të gjithë çmime Nobel për letërsinë kanë qenë të angazhuar në politikë duke mbajtur poste të larta si ambasadorë, senatorë apo sekretarë të ministrive të jashtme të vendeve të tyre? Po kështu Leopold Sedar Senghor, një nga poetët më të njohur të Afrikës, ka qenë president i vendit të tij apo Bllaga Dimitrova, kryepoetesha bullgare u bë nënpresidente e Bullgarisë. Dhe lista është më e gjatë se kaq.

Komenti i mësipërm është edhe në kontekst me këtë shprehje tjetër të autores: Havelin askush nuk e quan shkrimtar të madh; ai është një shkrimtar mediokër. Një shkrimtar i madh nuk mund të jetë politikan, ndryshe arti i tij vdes.” Do të isha vërtet kurioz të dija se ç’ka lezuar zonja apo zonjusha nga Haveli duke bërë deklaratën kategorike se ai është shkrimtar mediokër. Mund të jetë edhe kështu, por a i takon vallë asaj ta thotë? Eshtë ende objekt diskutimi sot në se vepra letrare e Havelit sa do maja të larta të arrinte, të ishte më e rëndësishme se sa rezistenca intelektuale e tij ndaj diktaturës komuniste të atij vendi.

Shkrimi në fjalë është plot mëndjelehtësira e gjurmë thashethemesh. “...siç u kërkonte z. Milo, kur ishte Ministër i Jashtëm, mijra dollarë shoferëve që çonte nëpër ambasada”, shkruan ajo tepër e sigurtë. A mund të thuhet ky pohim kaq kollaj në një shkrim? Kjo ka bërë që shumë nga gazetat shqiptare të vuajnë nga mungesa e seriozitetit duke lakuar nëpër rreshta të gjitha thashethemet që thuhen dhe pa argumentuar e vërtetuar ato që hidhen si fakte e prova 100% të sigurta.

Më tej akoma, në shkrim thuhet: “Pa Kadarenë dhe letërsinë e tij të madhe evropiane sot Evropa do të na shihte si otomanë apo si muxhahedinë... Mendo, për një çast Shqipërinë e sotme pa Kadarenë. Humbetirë kulturore, zbrazëtirë e madhe, mjerim intelektual kur mendon se anti-intelektualizmi është ulur këmbë-kryq dhe sundon.Sa naive, mendjelehta e amatoreske tingëllojnë këto fjalë. Pra pa Kadarenë ne do të na shihnin si otomanë e muxhahedinë? Vërtet? Kush do të na shihte kështu? Vetëm ndonjë që ka aq mend sa autorja e shkrimit. Shqipërinë nuk e bën një njeri i vetëm sado i madh të jetë ai siç është Ismail Kadare. Në jetën intelektuale shqiptare vërtet ka amulli e përçarje por jo se anti-intelektualizmi na qënka ulur këmbëkryq dhe Shqipëria po pret Alma Gjikondin (që së bashku me idhullin e saj) të vijë e ta shpëtojë.

Marksi ka qenë njeri i vështirë, por i madh. Sartri ka qenë akoma më i vështirë, por gjithashtu i madh. Dostojevski ka qenë shumë njeri i vështirë, por një kolos i vërtetë në letërsi,” thotë ajo në shkrim. Këto dihen. E pastaj? Mos vallë këta s’ka guxuar t’i sulmojë apo kritikojë kush në kohën e tyre? Kjo zonjë apo zonjushë mrekullohet nga madhështia e gjenijve dhe harron që edhe ata janë bashkëkohorë në kohën që kanë rrojtur. Dhe si të tillë mund të tërheqin edhe kundërshtime apo kritika nga të tjerë bashkëkohorë se jo gjithmon mund të kenë pasur të drejtë. Njutoni është një shkencëtar gjenial por ata që e njohin shkencën e dinë se ç’poshtërsi të madhe prej njeriu të vogël bëri ai ndaj Laplasit që këtij të fundit të mos i njihej merita e zbulimit të njësimit integral. Po kështu, thuhet se Dostojevski ka spiunuar e futur në burg shokë të tij dhe Marksi ka patur një fëmijë të paligjshëm me shërbyesen, ndërkohë që komunistët e kanë mbajtur si gjeniun e moralit.

E rëndësishme është pra të mos hyjnizojmë kultet dhe të mos kemi atë venerim për ta duke na zënë sytë e duke fyer gjithkënd tjetër që kontribuon sado pak në fushën e mendimit, të artit apo shkencës. Pozicione të tilla prej gjykatësish kategorikë nuk i shkojnë individëve që kanë në biografitë e tyre vetëm tre-katër shkrime me opinione të dyshimta e të pabaza. Duke vënë re këtë shkrim apo ndonjë tjetër priresh të mendosh se janë autorë të tillë që ndikojnë në çoroditjen e shtypit shqiptar ku gjithkush mund të shkruajë për çfardo teme e të trajtojë çfardo problemesh. Personalisht jam në anën e Volterit të madh, i cili duke qënë një kundërshtar i paepur i teorive të Zhan Zhak Ruso-së, shkruante: “Nuk jam dakord as edhe me një fjalë nga e gjithë vepra e tij, por do ta mbroja edhe me të fundmen pikë të gjakut tim të drejtën e tij për të thënë cilëndo nga ato fjalë“. Por Volteri e thoshte këtë fjalë për Rusonë, e jo për cilindo që i mbushej mendja se di të shkruaj vetëm se qënka i dashuruar pas një gjeniu dhe fyen e injoron gjithë të tjerët.

Botuar në Gazeta Sot, 3 nëntor 2006