Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Tuesday, September 30, 2008

Përsiatje rreth një përvjetori të zi që vjen

Këto ditë, shtypi shqiptar botoi një intervistë me zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit më famëkeq në historinë e Shqipërisë. Me një vetëpërmbajtje model dhe konseguencë për t’u admiruar, kjo zonjë plakë vazhdon t’i mbushë mendjen opinionit shqiptar për qëllimet e mira të Enver Hoxhës, për shpirtin e tij të madh dhe mirësinë e tij prej engjëlli. Shokët nuk i vrau Enveri, thotë zonja e tij por ata e tradhëtuan Enverin. Dhe kalon më tutje e bën filosofira se pse nuk duhet të kërkojë ndjesë në emër të regjimit të cilit i përkiste si anëtare e familjes diktatoriale.

Intervista ka mjaft broçkulla se si një nga pendesat e saj qënka ajo për Fadil Paçramin, të cilit ja ktheu dramat që naivi mendjefyçkë i dërgonte nga burgu por ajo nuk përmend fare mijra të pushkatuar e të vdekur internimeve, mijra familje të mjeruara, vullnetet e ndrydhura të mbarë një populli dhe mënyrën e detyruar të jetesës gjysmake që nuk ishte jetë edhe për shumicën e atyre që qenë jashtë burgjeve e internimeve.

Mund të jetë edhe e natyrshme, që nuk ke pse pret më tepër nga kjo zonjë plakë që pavarësisht halleve e heqjeve të viteve të fundit (që janë një cërre në oqean në krahasim me ç’i shkaktuan ajo me të shoqin e mbarë kastën e tyre këtij populli) bëhet gati të shkojë e lumtur në atë botë sepse ka jetuar me burrin më ideal e më vizionar. Dhe ajo shpreson, siç na thotë në fund të intervistës, që populli shqiptar ta korigjojë veten e ta vërë mostrën që ajo pati për burrë në vendin që i takon.

Unë nuk i vë faj fare kësaj gruaje që për 40 vjet ju duk vetja edhe më e fuqishme se vetë Hera e Zeusit pasi ky i fundit kur i binte ndesh me dëshirat e veta e merrte dhe e përplaste të shoqen kokëtatëpjetë atje ku rronin vdekatarët e gjorë, kurse ajo bënte ç’deshte e si ta deshte në mbretërinë e mjeruar të të burrit të saj. Ajo që më bën të vë ulërimën në vetvete në këto raste është gazetari që është përballë saj. Ç’pret tjetër të thotë Nexhmije Hoxha me ato pyetje të mefshta të gazetares së nderuar Rudina Xhunga? Vini re intervistën e Keti Kurik të CBS me kandidaten amerikane për zëvendës presidente Sarah Pejlin. Ajo nuk mban as anën e demokratëve dhe as të republikanëve, as e fyen e as e sulmon të intervistuarën, por me pyetjet e mënçura e korrekte që bën, nxjerr në pah injorancën dhe mungesën e përgatitjes së saj për të kontribuar në këto fusha. Kaq.

Kurse kjo gazetarja jonë sikur ka merak se mos e lëndojë shumë në pikëllimin e saj zonjën e rëndë e të respektuar që ka përpara. Sepse mund edhe ta marrë inat ajo e t’i mbyllë derën. Bah, atëhere na iku zogu nga dora e nuk bëjmë dot skoop. Ja pra, gazetarja e pyet zonjën plakë se a është në dijeni se Këshilli i Evropës vazhdon t’i kërkojë Shqipërisë të kërkojë ndjesë për krimet e komunizmit. Zonja erudite i thotë se nuk është Këshilli i Evropës pas kësaj po një farë baroni. Kurse gazetarja kalon më tutje e nuk i thotë asaj (mbase nuk e di fare as ajo) se Këshilli i Evropës kaloi në 25 janar 2006 në Strasburg një rezolutë që dënon krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste. Rezoluta u miratua si rezultat i një raporti mbi “Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, me autor Goran Lindblad, anëtar i delegacionit parlamentar suedez në Këshillin e Evropës. Rezoluta dënon shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga regjimet komuniste totalitare dhe shpreh simpatinë, mirkuptimin dhe njohjen e viktimave të këtyre krimeve. Ajo u kërkon të gjitha partive komuniste apo pas-komuniste në këto vende të bëjnë në se nuk e kanë bërë rivlerësimin e historisë e të komunizmit dhe të distancohen qartë nga krimet e kryera nga regjimet komuniste totalitare dhe t’i dënojnë ato pa asnjë mëdyshje. Ja pra këto duhej të thoshte gazetarja e nderuar.

Më tutje kur ta pyeste në se Hoxha ka vrarë shokët dhe të merrte përgjigjen se nuk ishte e vërtetë por e vërteta na qënkësh se shokët e paskan tradhëtuar atë, duhet t’i thoshte ca fakte (të vockëla fare) si për shembull pse e vrau pas krahëve Mustafa Gjinishin që tutje në kohë të luftës? Ishte tradhëtar? Po pse nuk i bëri gjyq? Kështu e mësonte kanuni i tij marksist? Po këta shokët që e paskan tradhëtuar, çfar tradhëtuan? Tradhëtuan besnikërinë ndaj tij? Nuk e dinë vallë njerëzit që shokëve të tij u shkulnin gjuhët me pincë që të pranonin se kishin tradhëtuar? Pastaj kur kujton Fiqirete Shehun, pse nuk e pyet gazetarja se a e vizitoi ndonjëherë në burg shoqen e saj të rinisë dhe pse nuk qau hallet me të që t’i rrëfente ajo “gabimet” e veta? Sipas kujt ligji komunist e droguan dhe e vdiqën në qeli këtë shoqen e saj të vjetër? Sa kollaj llustrohen gjërat e punët, harrohen krimet e lemerishme, sundimi monstruoz dhe na u përmendka kafshata e bukës që na mbante gjallë dhe mjetet më minimale të jetesës. A ka turp më të madh se ky në faqe të dheut?

Na kujton ajo se paska qenë luftë sistemesh. Po Enver Hoxha nuk ishte Karl Marksi, e pandershmja zonjë pasi ky ishte një intelektual borgjez që analizoi kapitalizmin dhe dha ca ide të dyshimta për të ardhmen e shoqërisë. Ai gjithsesi nuk ishte një kasap si Enver Hoxha, me hanxhar në dorë e kobure në brez. Totalitarizmi shqiptar nuk mbronte as marksizmin e as komunizmin por në fakt, si një pjellë komuniste mbronte enverizmin, që ai institui yt i pështirë e quante triumfin e teorisë komuniste në botë. Ja, këto duhet të të thoshte ty gazetarja o shëmbëlltyrë e pandreqëshme e së keqes mbi dhe.

Dhe mos shpreso të vijë koha për respekt e nderim e burrit tënd. Ajo kohë ka përfunduar bashkë me aq jetë e energji njerëzish që ai shpuri dëm. Gjej ndonjë vend tjetër ku ndoshta ca si ai e nderojnë ende, te Meles Zenavi, për shembull, në Etiopi që u frymëzua nga mësimet e Enverit e vazhdon të përgjakë popullin e vet. Dhe më lejo të të përmend së fundi një shprehje të C.S. Ljuis : Nga të gjitha tiranitë, më shtypësja nga të gjitha është ajo e ushtruar për të mirën e vetë viktimave. Është më mirë të jetosh nën baronët plaçkitës se sa nën shtiekeqët e plotfuqishëm moralë. Mizoria e baronit plaçkitës mund të flejë ndonjëherë, lakmia e tij në një pikë, mund të ngopet, por ata që na torturojnë ne për të mirën tonë, do të na torturojnë pa fund sepse ata bëjnë kështu me miratimin e ndërgjegjes së tyre”. E pra, përvjetori i ditëlindjes së tët shoqi është vetëm një përvjetor i zi dhe për të tillë nuk ka respekt por vetëm reflektim, pendesë për disa, syçeltësi e vullnet nga të gjithë për të mos lejuar më të kthehen ato kohra.

(Botuar në gazetat Tema dhe Sot, 2 tetor 2008)

Friday, September 26, 2008

Të rinjtë dhe politika

Mosha e re eshte nje argument qe përdoret shpesh herë në luftën politike për të zbehur vlerat e një kundërshtari që sjell në fushbetejë ide të reja e energji. Natyrisht, ajo përdoret si samar për mungesën e përvojës dhe nga ana tjetër, si një vlerë që mund të japë frute më pas por jo tani dhe aq më tepër jo kundër meje. Kanë kohë këta të rinjte! është një shprehje e përdorur shpesh nga gjenerata në gjeneratë.

Mosha kalon, të rinjte nuk janë më të rinj dhe të rinj te tjerë dalin kurdoherë. Por ata që dikur ishin të rinj, e që kanë më shumë rrathë në bark e në qafë dhe më pak lesh në kokë shpesh përdorin po atë logjikë. E mo, kanë kohë këta të rinjtë!

Në shoqërinë shqiptare pak vite më parë doli një lëvizje e re rinore. Me vrullin dhe energjinë që solli ajo u bë shpejt pjesë e peisazhit socio-politik shqiptar dhe një aktore e shquar e veprimtarive që bartnin mendimin perëndimor mbi rolin e qytetarit në jetën e një vendi. Pati që i shanë e vazhdojnë t’i shajnë, pati që i lëvduan e vazhdojnë t’i lëvdojnë. Sido që të jetë, kjo lëvizje bëri shpejt emër në gjithë vendin dhe u njoh nga ndërkombëtarët si një aleat i tyre në ndërtimin demokratik të Shqipërisë. Por si shqiptarë të rrahur vaj e me uthull që jemi, ne nuk na hyjnë në sy punët që bëhen, por duam të dimë sa para kanë, ku i gjetën, sa vodhën, kush i shtyn, janë majtas apo djathtas. Po s’ditëm nga këto ne nuk na gjen shpirti derman. Dhe sharjet vazhdojnë dhe daullet e tyre, siç ndodh rëndom, i mbytin pizgat e lavdërimeve.

Të rinjtë e MJAFT u rritën dhe organizata vazhdon tani me të tjera prurje e me të tjera energji. Po nismëtarët e saj ç’të bëjnë ? Të ikin e të merren me të tjera punë ? Të hapin biznese me paratë (gjoja) të vjedhura? A nuk është politika një udhë e natyrshme dhe logjike e ardhmërisë së tyre ? A nuk luftuan ata padrejtësitë shoqërore, indiferencën, korrupsionin, shpërdorimin e zyrtarëve e keqpërdorimin e pushtetit? Pse habitemi me Erion Veliaj me shokë që morën nismën të hyjnë si lojtarë realë në politikën shqiptare? Pa mendoni sa qenë komunistët kur erdhën në pushtet pas lufte apo edhe ç’moshë kishte Ahmet Zogu kur u bë kryeministër i vendit. Pa mendoni sa vjeç ishin të rinjtë e parë të demokracisë. Shumë nga ta s’kishin zënë punë me dorë po erdhën në politikë drejt e nga auditoret e shkolllave bile një pjesë, edhe pa i mbaruar ato mirë. Oo, po ishte kohë tjetër, thotë skeptiku apo ai që nuk i intereson. E pse tani nuk qënka koha?

Puna është se atëhere nuk qenë zënë ende llogoret politike, kurse sot, ato jo vetëm janë zënë por edhe janë fortifikuar, betonuar, blinduar dhe s’të hap kush vend në to. Shqiptarit i pëlqen loja me vetëm dy letra në dorë, o këtej o andej. Po të mos kishte shumë lakra e paragjykime në atë kaptinën që hiqet se i di të gjitha ç’bëhen në botë, do të ishte e lehtë të gjëndej vend për çfardo prurje të re që hynte në politikë. Po kush voton vallë në Shqipëri për një formacion të ri politik? Kush beson në të?

Nga presim ne vallë që të dalin lëvizjet e reja politike? Nga presim ne të vijnë në politikë forcat e reja. Mos duam që të vijnë nga pinjollët e atyre që bëjnë sot politikën në Shqipëri? A nuk është e natyrshme pra që veprimtarët e një grupimi të tillë si MJAFT apo lëvizje të tjera qytetare të jenë kandidatët më të pranueshëm për të hyrë në politikë. Ne nuk habitemi kur në politikë janë futur gjithfarë biznesmenësh që e shohin politikën kryesisht si një mjet për të mbrojtur drejtpërsëdrejti bizneset e tyre. Ne nuk habitemi që nga politika nuk dalin sa t’u dalë fryma dhjetra e dhjetra sharlatanë që ndërruan tesrat e partive disa herë dhe kanë zënë nga një vend në skakierën tragjikomike të politikës shqiptare. Po ne habitemi me Erion Veliaj se pse na u fut në politikë. Dhe habitemi se pse shkon këtej dhe jo andej, se pse bëhet me njërin e jo me tjetrin. Pra edhe një herë: kush do t’i jepte atij votë po të dilte si një forcë më vete politike? Askush. Se votat tona janë përcaktuar: o me njërin o me tjetrin, sado t’i shajmë të dy palët.

Na del tani një Gur Peshe dhe me një letër miqësore na i kujton mikut të tij se si na paska sharë e tallur ata me të cilët rri sot. Dhe ky guri i peshës nuk e bën këtë letër nga hëna, po nga një istikam ku lufton një nga makutërit më kutërbues të politkës shqiptare dhe që ishte më i ri se Erion Veliaj kur ju turr pushtetit në ‘90. Po për se e fton ky guri pa peshë i peshës mikun e tij? E fton që të ndrrojë istikam? Të vijë e të bëhet me të? Apo e bën që ta vërë në siklet mikun e tij me ata që ai nga halli i quan si bashkëluftëtarë të tij ? Dhe vërtet që i ka nga halli bashkëluftëtarë ata që ka sharë e anatemuar. Sepse si të bëjë ndryshe ? Pa mendoni : ka vite e vite që në politikë që hyet nëpërmjet furriqeve të partive, inkubatorëve të zoqve të partisë apo nga kërcimet akrobatike prej bizneseve të mëdha. Po të rinjtë si Erion Veliaj nuk janë të tillë. Ata kanë të drejtë të vijnë natyrshëm në politikë dhe për të çarë në të, mund t’u duhet të mbajnë anë në njërën apo tjetrën palë deri sa në kokën kaotike shqiptare të shpërndahen mjegullat e të mos jepen votat më kot si kutia e duhanit në një rreth miqsh po të përdoren ato me kujdes, maturi e largpamësi.

Ka kohë që shqetësimi mbi atë që na mbetën në dorë një Sali, një Fatos, apo një Ed Rama është rritur e nxjerr krye në zhaurimën e medias, të kafeneve, të shtëpive shqiptare. Po ku t’i gjejmë të tjerët ? Do të na i sjellë me tajare apo pampor Evropa apo Amerika ? Jo, ata i kemi këtu, janë të rinjtë shqiptarë vetëm që të kemi më tepër besim tek ta dhe t’i lëmë të bëhen ata që duhet të bëhen.

(postuar në peshkupaujë, 1 tetor 2008)