Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, October 27, 2006

Shqipëria dhe Indeksi 2006

Ditët e fundit u botua Indeksi vjetor i lirisë së shtypit anembanë botës nga organizata e mirënjohur Gazetarët Pa Kufi (GPK). Indeksi 2006 përfshin 168 vende. Për përpilimin e tij, organizata ka shpëprndarë pyetësorët me 50 pyetje të hollësishme rreth lirisë së shprehjes të cilët janë plotësuar nga 14 shoqata botërore në mbrojtje të lirisë së shprehjes, 130 korespondentë që përbëjnë rrjetin botëror të vetë GPK, si dhe një numër i shumtë gazetarësh, studjuesish të shtypit dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut kudo në botë. Indeksi përpilohet mbi bazë viti, nga shtatori në shtatorin e vitit pasardhës. Në bazë të studimit, çdo vendi i është vënë në korrespondencë një numër pikësh që në këtë indeks lëviz nga 0.50 në 109.0. Vendet me më pakë pikë janë më lart në klasifikimin e përgjithshëm. Kështu Finlanda, Irlanda, Islanda dhe Hollanda ndajnë vendin e parë me 0.50 pikë kurse në vendet e fundit, me 95 deri 109 pikë janë Kuba, Eritrea, Turkmenia dhe Koreja e Veriut.

Në Indeksin 2006, Shqipëria renditet në vendin e 80 së bashku me Katarin, me 18.0 pikë. Duket sikur nuk është fort keq, të jesh diku në mesin e listës 168 vendëshe lidhur me lirinë e shtypit. Por nuk është ashtu. Në se analizon me hollësi rezultatet e studimit dhe edhe studimet e viteve të tjera të këtij lloji, sheh të tjera hollësira e këndvështrime që tregojnë se liria e shtypit në Shqipëri po shkon tatëpjetë në vend që të shkojë përpjetë. Në indekset e viteve 2003, 2004, 2005 dhe 2006, Shqipëria ka patur respektivisht 6.50, 11.50, 14.17 dhe 18.0 pikë. Pra gjendja sipas këtyre studimeve ka ardhur duke u përkeqësuar përsa i përket lirisë së shtypit në Shqipëri. Vitin e kaluar ajo ishte në vendin e 62-të, sivjet ka zbritur në vendin e 80-të. Përmbi të janë vende të tilla si Kongo, Lesoto, Togo, Madagaskari, Hondurasi e të tjerë. Të bën përshtypje që Kosova, nga vendi i 100 në Indeksin 2005, ka kapërcyer në vendin e 70 në Indeksin e këtij viti duke lënë prapa edhe Shqipërinë. Gjithashtu të bën përshtypje se nga vendet evropiane, Shqipëria ka nën vete vetëm Moldavinë, Ukrainën, Rusinë, Bjellorus dhe Turqinë. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore janë me tregues më të mirë dhe katër prej tyre kanë përparim nga një vit në tjetrin, thotë raporti i GPK.

Kush e pengon lirinë e shtypit në Shqipëri? Faktori kryesor është ashpërsia e luftës politike, bastionizimi politik e ndarja e opinioneve nëpër llogoret partiake. Shteti vërtet nuk fut gazetarë në burgje ( përndryshe Shqipëria do të kishte gati 100 pikë, si Kuba e Koreja e Veriut) por i luan ndryshe burgjitë. Shtypi klasifikohet: kush është me ne e kush kundër nesh. Pastaj nisin taktikat: si ta bëjmë këtë të heshtë, apo atë të lavdërojë? Si t’ja mbyllim gojën me inspektorët e taksave, si ta miklojmë me reklamat shtetërore? Ende ruhet struktura prej hipopotami e radiotelevizionit kombëtar. Ende aty rri Zheji, si Kasheu i pavdekshëm që u shërben të gjithë zotnijve. Çfar radiotelevizioni publik është ky? Vetëm pse publiku paguan taksa për të? Në qoftë se qeverisë i duhet një i tillë, le ta reduktojë në një strukturë të vogël që do të pasqyronte veprimtaritë e qeverisë, projektet e saj etj. Kaq. Dhe si i tillë, ai do të kalonte nga një qeveri në tjetrën. Por të mos mashtrohet publiku se RTV na qënka publik. Ai është publik sa ç’është Tur Ejfeli i atyre shqiptarëve që kanë shkruar emrat e tyre në majën e tij.



Shtypi vazhdon të ruajë formën anakronike të gazetave partiake dhe atyre të pavarura. Gazetat e varura dihet se janë të partive të cilat edhe pse nuk i lexon kush, vazhdojnë me kokëfortësi të harxhojnë drutë e pyjeve shqiptare (apo të botës). Gazetat e pavarura varen hu më hu, ku këtu e ku atje. Po të parodizonim shprehjen e Tolstoit në hyrje të Ana Kareninës, do të thoshim: Gazetat e varura janë të varuar njëlloj, të pavarurat janë të pavarura secila sipas mënyrës së vet.

Shtypi i pavarur mbetet ende i individualizuar në pronësinë e tij. Individi pronar ndikon më shumë te gazeta se sa një bord aksionerësh. Por edhe këto borde që kanë nisur të krijohen duhen vënë sa më parë mbi baza ligjore dhe ato që shkruhen në ligje të zbatohen pa një pa dy nga organet përkatëse. Vetëm në Shqipëri ndodh që një aksioner me 3-4% të aksioneve në një media, nuk i lë bashkëpronarët të hyjnë në pronën e tyre dhe kur ata kanë dhjetfishin e aksioneve të tij. Gjithsesi, kalimi i pronësisë në bashkësi aksionerësh do të sjellë liri më të madhe për shtypin sepse në qoftë se lidhjet politike konjukturiale të një individi pronar do të zëvendësoheshin me lidhjet përkatëse të grupit të aksionerëve, këta të fundit do ta kishin më vështirë për të ndikuar te mendimi i lirë gazetaresk për shkak të variacionit të lidhjeve të mësipërta.

Sigurisht që vartësia apo pavartësia e shtypit ndaj strukturave qeveritare dhe partive politike ndikon drejtpërsëdrejti në lirinë që ka gazetari për të shprehur mendimin e tij. Nga ana tjetër, vetë gjendja ekonomike e pakënaqëshme e gazetarëve, ndërkohë që ata shohin se si pasurohen me të shpejtë pushtetarët e ndryshëm, i bën ata të ndikohen edhe nga “ndere” të vogla e të parëndësishme, një darkë apo një drekë në një restaurant luksoz, një shërbim jashtë shtetit për të mos folur për “ndere” të rënda që kanë të bëjnë me makina, shtëpi, vila plazhi etj. Në këtë mënyrë, ndodh që gazetari të përbetohet që është i lirë dhe thotë atë që mendon por ai vetë e di mirë se sa i lirë është në atë kufizim lirie që ndërtohet edhe me kontributin e tij.

Në fund t[ fundit, nuk ka si të jetë i lirë një shtyp apo media audiovizive në një vend ku gëlon korrupsioni, zallamahia politike, kondrasenset e shumta logjike që vihen re në strukturat e ndryshme shtetërore, në marrëdhëniet mes kushtetutës, ligjebërësve, ekzekutivit, presidencës. Janë të gjitha këto që duke instaluar atë frymë të pashëndetëshme kanë ndikuar në katapultimin e Shqipërisë nga vendi i 63 në të 80, në Indeksin 2006 të GPK. Dhe për këtë duhet të bëjnë më shumë OJQ-të e ndryshme, organizatat e gazetarëve që veç bëjnë sherr me njera tjetrën e mbi të gjitha Instituti i Mediave që vegjeton prej vitesh.

Për lirinë e shtypit e të shprehjes duhet të luftojmë të gjithë. Por më së shumti duhet të luftojë vetë njeriu i shtypit e i medias. Misioni i tyre është i madh e i përkushtuar. Ai nuk është i lehtë e pa rreziqe. Sigurisht që po të ndjekësh ndershmërinë, ai i gazetarit është i fundit në hierarkinë e profesioneve që të bëjnë të pasur. E kam thënë dhe në shkrime të mëparshme që në situatën ku ndodhet Shqipëria është e domosdoshme ngritja e gazetarisë gjurmuese. Të tillë gazetarë, duke bërë me pasion detyrën e tyre të raportimit të faktit do të arrinë të zbardhin shumë aspekte të jetës shqiptare duke u bërë me plot të drejtë një pushtet i katërt, pushtet i së drejtës dhe fjalës së lirë.

Botuar në Gazeta Sot, 27 tetor 2006

Wednesday, October 25, 2006

Parabola që lodh intelektualët

Nuk ka asnjë respekt për jetën personale të njeriut në rropamat sokëllitëse të medias shqiptare. Gazetat turren si krokodilë sapo bie në ujë një pre e mundëshme. Kush e ka rradhën? Kush është skupi tjetër që do të trondisë titujt e shtypit, eterin e radios apo televizionit? Kush është ai zbulim, ajo çudi e gurgule e madhe, e fshehtë që media do t’i bëjë viviseksionin për ta bërë pronë të të gjithëve? Vallë këto skupe do ta shpëtojnë Shqipërinë, do të zhdukin korrupsionin, do të sjellin më shumë begati e kulturë dhe do të forcojnë rendin e demokracinë në atë vend?

Ka ditë që gazetat kanë hedhur në publik “asin” e rradhës: ka bërë apo nuk ka bërë krim Kadareja ndaj familjes së një djali që na paska dashur vajzën e tij; a është apo nuk është ky një krim i komunizmit? Kjo histori është pothuajse e njëkohëshme kur diku në Tepelenë, vrisnin veten dy të rinj të dashuruar sepse e shihnin të pashpresë dashurinë e tyre dhe se “shokët” e partisë u a bënë skëterrë jetën. Eshtë histori e njëkohëshme me raste shumë më makabre, arrestimesh, torturash, krimesh gjakatare të diktaturës që diheshin e nuk diheshin. Eshtë histori më e hershme se kur u pushkatuan poetët, u vranë e u tërhoqën osh njerëz në kufi, u mbajtën rradhat e pasmesnatës për tallonat e qumështit e mishit. Më e hershme se rrënimi i parë i shtetit në vitet 1991-1992, se sa rrënimi i dytë i shtetit në 1997-1998, se sa hapja e depove të armëve e gënjeshtrat për kthimin e pronave, se sa vjedhjet e xhvatjet e shtetit tërë këto vite, se sa përfitimet e korrupsioni i shtetarëve, pazaret e pista politike dhe morali i të pamoralshmes që ka zënë kryet e vendit në Shqipëri.

Por jo, ne e kemi mendjen atje, te konfrontimi i “burgjezit” Kadare me “proletaren” Janulla e cila i shkruan letër komisionit të çmimit Nobel qe të mos i japin çmimin shkrimtarit por nuk i shkruan Amnisti International apo gjykatave të mëdha të botës për të akuzuar gruan e diktatorit Nr.1 apo diktatorin Nr.2 që sot hiqet aq demokrat sikur ta kishte nxjerrë Platoni nga hundët. O zot ç’lemerira ndodhin në Shqipëri! Një analist na preket nga kujtimet e fëmijërisë dhe na akuzon krimin e madh të Kadaresë. Gazetat turren me vrap të kapin fqinjë të viktimave, ish policë, ish gjykatës, ish shtetarë që ata të rrëfejnë se si qe kjo apo ajo punë, si i tha, çfar bëri. Botohen edhe vjersha për atë dashuri të mbytur nga babai “burgjez”dhe botuesit rendin si zagarët pas gjahut t’i vënë në libra xhevahiret e pasionit të vrarë e të shkatërruar.

Një gjë harrohet në shpleksjen e kësaj historie: respekti për njeriun, për intimitetet e tij, për botën e tij që ai si qënie njerëzore nuk do e as nuk dëshëron ta ndajë me askënd e jo më me faqet e gazetave e ekranet e TV. Le ta lëmë mënjanë Kadarenë.Ai vetë është mësuar me gjëra të tilla, i janë ngritur kurthe, pusira, janë përpjekur ta demaskojnë, ta heqin qafe dhe herë pas here edhe e kanë mikluar, i kanë bërë qejfin dhe e kanë marrë me të mirë. Interesat kanë qenë të ndryshme e shpesh herë kontradiktore në mbajtjen apo mosmbajtjen e tij, në shpërfilljen, denigrimin apo ngritjen në piedestal. Pra le ta lëmë mënjanë “burgjezin”. Po ç’faj ka e bija që përgojohet kështu? Ajo nuk është më vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare kur ç’fluturon haet. Ajo sot është një goxha grua, një qytetare shqiptare dhe franceze njëherazi, një shkencëtare e zonja dhe e nderuar që punon në Paris në një nga institucionet më prestigjioze të botës në fushën e saj. Ajo ka familjen e saj, shokun e saj të jetës, një shkencëtar gjithashtu i shquar e nga një familje tjetër e respektuar e kulturës dhe dijes shqiptare, ka fëmijët e saj që edhe pse të vegjël, diçka u bie në vesh e përpiqen të kuptojnë nga zallamahia e mediave shqiptare rreth historisë së nënës së tyre.

Ç’të drejtë kemi ne të ndërhyjmë në këtë mënyrë në jetën e saj? A nuk është e turpshme që për ta bërë më pikante historinë, lëshojmë e hedhim të papërmbajtur hollësira intime, të vërteta apo të rreme, mobilizojmë imagjinatën dhe lëshojmë pa fre fantazitë tona erotike? I jati i saj e ka marrë në sy të jetë njeri publik dhe i di mirë pasojat e të qënit i tillë. Po vajza e tij është tjetër. Ajo nuk e ka maninë shqiptare “të të dalit në gazetë apo TV”. Ka të tjerë plot që e kanë këtë qejf dhe tregojnë bëmat e tyre. Po ja që ajo, apo dikush tjetër nuk do, nuk do as t’i përmendet emri e as të aludohet për të në gazeta. Nuk u dashka që media e bashkë me median e gjithë thashemenaja shqiptare që përfundon po në media, të respektojë njeriun, qytetarin, privacinë dhe intimitetin e tij? Liria është një monedhë me të njëjtën fytyrë në të dy faqet. Por njëra është për ty, tjetra është për tjetrin. Ndryshe, po të qe me fytyrë të ndryshme në të dy faqet nuk do të ishte liri po diktaturë.

Shoqëria shqiptare po pëson një polarizim të frikshëm, jo përsa i përket pasurisë por më keq akoma, përsa i përket mënyrës së të menduarit. Ç’vlerë ka që tirret kështu historia e së bijës së shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjithë kohrave, le ta zemë për një bujk në fshatrat e Gramshit, për një pensionist të Ersekës, për një bari fshati në Progonat, për një mësuese në Pukë apo një maturant në Prrenjas? Mos vallë ka të bëjë kjo histori me një pagë më të mirë, me ushqime më të shumta e më të sigurta në sofër, me një rrugë apo urë që ta afrojnë më shumë me botën e madhe, me një mendje apo përvojë që ta bënte më të kulturuar apo më të mençur? Asnjë nga këto. E ndërkohë, atje në metropolin elitar shqiptar tirren e tirren historitë e pavlera, në majë të kullave të larta, në kafenetë e hoteleve luksozë e në baret e restaurantet, në vilat buzë detit. Bah, ç’na gjeti kështu, psherëtijnë të lodhur korifejtë intelektualë: kujt t’i japim të drejtë në këtë parabolë që është më e thellë se sa gjeneza e botës, “burgjezit” apo “proletares”?

Botuar në Koha Jonë dhe Gazeta Sot, 25 tetor 2006

Saturday, October 14, 2006

Paragjykimet shqiptare

Nuk ka gjë që të mos paragjykohet në botën shqiptare, që nga më të rëndomtat e deri te ato me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit. Vini re si reagohet për gjithëshka: Kush u bë ministër? Filani? Kush është ky, i kujt është, ku ka qenë më parë? Ohu, po të jetë djali i filanit, as që ka për të qullur gjë. Le që më ka thënë Iksi mua për të që e ka patur në shkollë, vetëm përshesh di të hajë ai jo të bëjë për ministër... Kush është kjo organizatë? Kush e ka ngritur? Ku i gjejnë paratë? Hajde mor se i di unë, këto lojra. Janë që t’ja futin PD-së (ose PS, etj.)...

Dhe ja tani më e fundit: Kush është ky Aksioni Civil? Kush bën pjesë në të? Ama është ky filani dhe ky fistëku? Po atëhere kjo dihet pse është ngritur ky biçim aksioni. Le po e quajnë edhe veten intelektualë, pale!... Dhe pason pastaj një lumë sharjesh, fyerjesh, poshtërimesh të pashembullta sikur ata të shkretët njerëz të mos kishin krijuar një Aksion Civil po një Aksion terrorist që do të hidhte në erë të gjithë globin.

Shoqëria shqiptare ka vuajtur prej kohësh nga paragjykimet. Në shumë fjalorë mund të gjendet se paragjykimi është një gjykim apo opinion i ngjizur në mënyrë të paravendosur, një prirje apo opinion i formuar pa bazën e duhur apo pa njohuritë e mjaftueshme. Paragjykimi është një e metë thelbësore që turbullon mjaft mjedisin jetik të një vendi. Eshtë ai që gjeneron intolerancën, nxit përbuzjen e urrejtjen. Paragjykimi është shpesh rrjedhojë e formimit tonë të mangët, e të mësuarit për t’i bërë gjërat “më këmbë“ e “shpejt e shpejt” ndërkohë që ato duan të ulesh mirë e t’u kushtosh kohë e mund, e të përgjithësuarit e një përvoje negative që mund të ketë njëri apo tjetri në një teori të tërë të vlerësimit të gjërave që as i ka parë e as i ka ditur ndonjëherë.

Në epokën komuniste, paragjykimet i vlenin mjaft diktaturës (imperializmi ishte gogol, revizionizmi, tradhëtar, feja, opium për popullin, ballistët, bashkëpuntorë të pushtuesve e që hanin pula, prona, turp e herezi e madhe etj.) Sot, në një shoqëri të hapur e demokratike ato vetëm sjellin dëm. Vini re armiqësinë e madhe mes të majtëve e të djathtëve (kur vetë shumë nga ta të gjorët nuk e dinë fare pse janë të majtë apo të djathtë). A nuk është rrjedhojë e paragjykimeve, që socialistët janë hajdutë e mafiozë e të lidhur me krimin kurse demokratëve ju qan shpirti për popullin? Apo e kundërta: demokratët janë hajdutë e mafiozë e të lidhur me krimin kurse socialistëve u qan shpirti për popullin? A nuk është rrjedhojë e paragjykimeve ajo që filani apo fistëku janë o vetëm të mirë o vetëm të liq, që nuk bëjnë kurrë ndonjë gjë të mirë? Gjithkujt në Shqipëri i mbërthehen paftat e paragjykimit dhe s’ka burrë t’ja shqisë ato nga pamja e tij.

Paragjykimet shkojnë përtej kufijve të vendit ku rrojmë. Ato enden kuturu si balona të shkëputur nga pejtë. Paragjykohen shtete, kombe, epoka, fqinjë, dukuri e kultura, duke ushqyer nacionalizma të shëmtuar, ksenofobi, vlerësim bardh e zi të gjërave.

Paragjykimet janë diçka që e dëmtojnë individin pasi e vendosin atë në raport jo të drejtë me pjesën tjetër të shoqërisë. Shpejt a vonë, ato krijojnë bazën për mosmarrëveshje të kota e anësore duke ndikuar në gjithë procesin jetësor të individit. Por dukuria është akoma më e dëmshme dhe e rrezikshme për një shoqëri të tërë. E kapluar nga paragjykimet, shoqëritë njerëzore nuk mund të bëjnë kurrë përpara. Sado të kulturuara të kenë qenë këto shoqëri, nëpërmjet paragjykimeve janë manipuluar nga diktaturat për të shkuar në udhët pakrye ku kanë dështuar kurdoherë.

Me shqiptarët sot ndodh një dukuri e pashembullt. Duke qenë se gati një e treta e popullsisë jeton jashtë trojeve ku janë lindur e rritur, me pasion, mall e dhëmshuri, shpesh herë ata marrin pjesë në korin e madh të bashkëbisedimit në median e shkruar e audiovizive apo cybermedian moderne të internetit dhe më shumë akoma në bisedat e shumta në rrethe të ngushta e të gjera njerëzish. Të gjithë flasin për politikën, si bëhet kjo e si duhet bërë ajo. Kjo do të ishte gjysma e së keqes po qe se ky kor i madh nuk do të kishte paragjykime. Por jo. Paragjykimet e atyre që rrojnë më pranë jetës së vendit përcillen e bëhen shpesh herë qeliza nga të cilat rriten e zhvillohen paragjykimet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Dhe krijohet kështu një tablo që aman o zot, nuk di nga ta kapësh më parë.

Natyra apo Zoti i ka dhënë njeriut mendjen, instrumentin më të fuqishëm në gjithësinë që njohim, me të cilin ai ka arritur ta zhvillojë jetën e botën njerëzore deri në stadin që njohim e jetojmë. Paragjykimi është diçka që i përvidhet mendjes ndaj nuk e nderon njeriun mendimtar. Nuk mund të shpresojmë kurrë që Shqipëria të bëjë përpara siç duam ne të gjithë, rrethuar kaq shumë nga paragjykime që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shpërbëjnë e bjerrin energjitë e vrullin e një populli të shquar posaçërisht për vrulle e energji.

Botuar në Gazeta Sot, 13 tetor 2006

Sunday, October 01, 2006

Ylberi nuk kapercehet

Së pari i kërkoj ndjesë si zotit Kastriot Frashëri ashtu dhe zotit Kastriot Myftaraj që u a ngatërrova mbiemrat dhe në ndonjë shkrimin tim e kam marrë njërin për tjetrin. Besoj se do të ma falin duke qenë se kjo nuk është bërë qëllimisht por thjeshtë nga mangësia e informacionit që vjen prej të qënit larg.

Zoti Kastriot Myftari në një shkrim të tij të fundit rrëfen se pasi ka ardhur nga një udhëtim nga jashtë shtetit, i paska rënë në dorë një shkrim timi i cili e paska ngacmuar aq sa edhe pas pushimeve i ka mbetur mendja dhe ka vendosur të lajë hesapet me autorin e tij duke i vënë si titull shkrimit të tij lojëfjalëshin “Kur Ylberi nuk e kapërcen dot ylberin”. Pavarësisht nga emri im, unë nuk pretendoj të kapërcej ndonjë ylber nga vetë fakti se kjo është e pamundur. Ylberi kapërcehet vetëm në prralla e mitologji. Këtë se bën dot as Ylber Memia e as Kastriot Frashëri me të gjithë institutin e tij të çështjes kombëtare.

Nuk është fjala as për mllefe e as për inate. Eshtë fjala për idetë që ka njeri apo tjetri sot lidhur zhvillimet e shoqërisë njerëzore, mbi mënyrën se si e kupton njeri apo tjetri përkatësinë etnike, patriotizmin e atdhedashurinë. Opinionizmi shqiptar i ngjan vërtet sot një shporte karavidhesh por kjo nuk do të thotë se prej kësaj nuk u dashka dhënë asnjë opinion. Pa dashur t’i vë kazmën vatanit siç më cilëson Frashëri se po rrekem të bëj, larg emfazave groteske e përbetimeve patriotike, thjeshtë e me mendje të qetë, po përpiqem të jap më poshtë mendimin tim për ato mbi të cilat përsiat zoti Frashëri dhe të cilat unë i shoh ndryshe nga ai.

Gjithnjë e më tepër në median shqiptare, në gazetat, revistat, radiot e televizionet dhe akoma më së shumti në cybermedian shqiptare, në forumet, gazetat virtuale e blogerët e ndryshëm në internet, po shpaloset një patriotizëm anakronik e deliromadh që s’ka asgjë të përbashkët me kohën që rrojmë dhe prirjet e pjesës më përparimtare të njerëzimit ku bëjmë pjesë. Këta zëra të ngjirur që kumbojnë si bori të ndryshkura luftrash e që mbajnë mbi zhgunet e tyre mykun e varreve e të harresës, autosugjestionohen nga klithmat e tyre mbi Shqipërinë e madhe etnike, mbi bashkimin e madh të shqiptarëve, mbi padrejtësitë shekullore që të tjerët na kanë bërë ne dhe për të mirat e mëdha që i kemi bërë ne të tjerëve. Kalorës të tillë delirantë e histerikë po shfaqen gjithnjë e më shpesh si një alternativë e perspektivave që i hapen Shqipërisë në një frymë paqeje, bashkëpunimi e integrimi në rang evropian e global.

Do të ishte e lehtë të talleshe me shumë nga ato që këta mjeranë të penës thonë në shkrimet e tyre. Por unë nuk mendoj se ato janë për t’u tallur. Dhe t’i quash ata vetëm karagjozë apo sharlatanë, thjeshtë minimizon një problem që ka rëndësi për ardhmërinë e Shqipërisë, për mendësinë e brezave të rinj të saj që kanë sot shansin gjithnjë e më tepër të jenë të barabartë me bashkëkohasit e tyre më të përparuar të të gjithë globit, drejt një udhe që bota demokratike po e kristalizon me mund e me dije. Unë nuk i përbuz e as nuk i urrej këta njerëz. Ajo që dua unë është të përpiqem t’i kuptoj ata në gjithë atë retorikë çmendurisht lakadredhase me të cilat përmbytin paprerë shtypin e shkruar e vizual dhe ngjallin kaq armiqësi, urrejtje e përçarje.

Për mua njerëz të tillë janë para së gjithash, të rrezikshëm e dëmprurës. Ata i përkasin asaj shpure që patriotizmin e bëjnë zanat, që e keqpërdorin dhe e keqtrajtojnë. Njerëz të tillë e shohin historinë bardhë e zi, e ndajnë botën në “ne” dhe “ata”, kujtojnë të ligat e dëmet që të tjerët na kanë bërë por harrojnë të ligat e dëmet që edhe ne u kemi bërë të tjerëve. Aq më tepër ata nuk kuptojnë dinamikën e historisë dhe atë që njerëzimi e bota sot nuk janë ata që kanë qenë.

Ajo që më ka tmerron herë pas here në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, është kjo urrejtje e jashtzakonshme e demonstruar nga njerëz të tillë që mezi ç’pret rastin të shfaqet, një urrejtje absurde mbi bazën e së cilës të gjitha argumentet e tjera që ngrihen janë të kota e lehtësisht të rrëzueshme. Pse u dashka që shqiptarët e sotëm të urrejnë grekët e sotëm sepse ca stërgjyshër të tyre kanë dashur të bëjnë të tyret pjesë të trojeve shqiptare apo qoftë edhe se kanë therur, vrarë e djegur ca nga stërgjyshërit tanë? Nga ana tjetër: mos duhet që grekët e sotëm të urrejnë shqiptarët e sotëm për mizoritë që taboret me shqiptarë të Ali Pasha Tepelenës, të shqiptarit Mehmet Pashë të Egjiptit e të jeniçerëve arnautë kanë bërë mbi grekët në kohën e tyre kur ata grekë përpiqeshin të shkëputeshin nga zgjedha otomane? Pse u dashka që shqiptarët e sotëm të urrejnë serbët e sotëm për shkak të përgjakjes e mizorive që ca nga Karagjorgjeviçët, Pashiqët e Millosheviçët e tyre i kanë bërë popullsisë shqiptare në Shqipërinë e sotme e në Kosovë? Prapë nga ana tjetër: mos duhet që banorët e trevave boshnjake e serbe të urrejnë shqiptarët e sotëm qoftë për raprezaljet e shtypjet e taborreve me shqiptarë të Bushatlinjve të Shkodrës, aleatë e vasalë atë kohë të Portës së Lartë, apo qoftë për kundërgoditjet e rezistencën për pavarësinë e Kosovës? Pse duhet që të urrejnë shqiptarët e sotëm, italianët e sotëm për synimet e tyre të vjetra politike dhe për pushtimin fashist? Gjithashtu më tej: mos duhet që italianët e sotëm të urrejnë shqiptarët e sotëm sepse një pjesë e tyre nga të vajturit atje u sjellin andralla popullsisë italiane, i vjedhin, ndodh që i vrasin, trafikojnë drogë e prostituta? Përgjigja për të gjitha këto pyetje është një Jo e madhe. Duhet të mësohemi të rrojmë në harmoni e paqe me fqinjët tanë, të paktën sot, kur janë të gjitha mjetet demokratike e qytetare për ta bërë këtë. Vini re një absurd dhe çudi të madhe: Trojet shqiptare u pushtuan për gati 500 vjet nga Turqia Otomane. Po te shqiptarët nuk ka një të tillë urrejtje (dhe shumë mirë që s’ka) për kombin turk si ajo ndaj grekëve e serbëve që edhe pse e kanë lakmuar e kafshuar Shqipërinë, asnjëherë nuk kanë mundur ta shtien atë në dorë të tërën. Pushtime kemi patur edhe nga Italia e Gjermania në kohrat moderne, po lavdi Zotit nuk na është ngjallur ndonjë urrejtje e tillë për pasardhësit e këtyre pushtuesve.

Mendimi im është se në rastin e urrejtjes ndaj grekëve dhe serbëve janë përzjerë ca mekanizma të tjera konfliktuale, individë e grupe që kanë qenë e janë të interesuar për një konflikt permanent e një urrejtje të pafashitur. Këta pseudopatriotë mjeranë që e kanë gjetur konfliktin e urrejtjen si mjete për të formuluar identitetin e tyre në krizë, e ndjejnë mjaft komod pozicionin e vrushkullimit të flakadanëve të urrejtjes e mostolerancës dhe nuk vënë re se flamujt e tyre janë rreckosur jo nga luftrat por nga ashpërsia e urrejtjes me të cilin kanë kohë që i tundin zotërit e tyre. Njerëz të tillë janë ata që shpërndajnë barut e fitila në Kosovë, Malin e Zi e Maqedoni, ata që qëllojnë nga makinat serbët e Kosovës e që u hedhin bomba autobuzëve të tyre pikërisht për të mos lënë që Kosova të bëhet e pavarur, ata që gjoja në emër të shqiptarizmës janë gati të marrin malin si kaçakë sapo humbin ca poste ministrore në Maqedoni. Këta janë revolucionarët permanentë në rrënjët e të cilëve do të gjesh me shumicë nazizmin, stalinizmin, trockizmin, maoizmin e enverizmin. Ata nuk ndihen kurrë mirë në paqe e bashkëjetesë. Nuk kanë tjetër mënyrë veç urrejtjes e luftës për të shfaqur identitetin e tyre gjynafqar e të mjeruar. A vërtet besojnë këta zotërinj (nganjëherë, aman o Zot, ka edhe zonjusha mes tyre!) se e gjithë bota e paska halë në sy Shqipërinë apo në rastin më të mirë, vetëm Amerika na dashkërka? A vërtet kujtojnë ata se ne shqiptarët në këtë botë mëkatare ku rrojmë jemi më të pamëkatët? Ç’procese të ndërlikuara lëvizin në trurin e këtyre njerëzve? Mos vallë shohin ata shumë filma me fantazma e horror?

Pse kujtojmë me një urrejtje të pashuar e të ndezur për hakmarrje atë histori të gjatë konfliktesh me serbët e sllavët e tjerë dhe nuk kujtojmë që ka patur periudha kur stërgjyshërit tanë kanë bashkëpunuar me ta? Beteja e madhe historike e Fushë-Kosovës në 1389 kundër otomanëve që po dyndeshin në Ballkan, ku morën pjesë krahas forcave serbe e malazeze edhe ato shqiptare nuk është shembull urrejtjeje por bashkëpunimi. E njëjta gjë ndodhi në betejën e dytë të madhe të Kosovës, kur Gjergj Kastrioti me ushtrinë e tij u përpoq t’i vinte në ndihmë Janosh Huniadit, në krye të koalicionit të krishterë. Më tej akoma, nëna me origjinë serbe e heroit tonë kombëtar, pra e Skënderbeut dhe krushqia e motrës së tij me Brankoviçët e Malit të Zi dëshmojnë se ka patur periudha kur shqiptarët apo arbërit nuk i kanë urryer serbët apo sllavët dhe anasjelltas. Shkojmë më tej: pse s’lëmë gjë pa thënë për grekët mizorë e gjakatarë që na kanë dashur kurdoherë të keqen kur ka patur periudha kur shqiptarë a arnautë janë vënë krah për krah me ta në revolucionin grek e në luftrat greke për pavarësi? A nuk janë sot pjesë e Greqisë dhe e popullit grek ata mijra e mijra shqiptarë të lashtë, arvanitët që difuzuan aty në rrjedhë të kohës nga trojet shqiptare? Ashtu siç po integrohen në jetën e Greqisë së re ata mijra e mijra emigrantë shqiptarë që nuk kanë shkuar atje për të luftuar e urryer po për të rrojtur në miqësi e paqe.

Pseudopatriotët nuk lënë gjë pa përzjerë e ngatërruar: identiteti kombëtar, feja, autoktonia, gjuha shqipe me të cilat spjegohen të gjitha gjuhët e botës etj. Ka që dalldisen e u bëjnë thirrje shqiptarëve të kthehen në fenë e të parëve (po kush janë vallë të parët?). Ca thonë se shqiptarët duhet të kthehen në katolikë, ca në ortodoksë, e bile ca të tjerë më modernë, propozojnë protestanizmin. Ata që thonë kështu mund të jenë vetë muslimanë apo që s’besojnë në zot, po kjo s’ka rëndësi për ta. Ata japin mend edhe a duhet të jetë apo jo një peshkop i huaj në krye të ortodoksisë shqiptare dhe më naivët i kërkojnë qeverisë (?!) që ta zbojë atë. Dhe pastaj kërkojmë që Shqipëria të përparojë, të zhdukë varfërinë, të ngrejë nivelin e jetesës e të tjera. Hajde mendje, hajde! Në krye të Selisë së Shenjtë ishte një polak i lavdishëm, sot është një gjerman e askush nuk ngrihet në Itali të protestojë për këtë.

A duhet që një Bregoviç apo një Ana Visi që vijnë në Tiranë të mbajnë mbi vete të gjithë ngarkesën e urrejtjes shekullore që pseodopatriotët e kohrave moderne përpiqen ta fryjnë si një drogë të re në flegrat e nacionalizmit shqiptar? A nuk është kultura, arti, shkëmbimi i ideve, komunikimi e perspektiva e përbashkët ato që na bashkojmë sot mbi këta troje fqinjë? Nga ana tjetër, mos duhet që ne t’i ngjajmë atyre gërxhove serbë me kapella në kokë që s’u tretet shpirti nga humbja e “djepit” të tyre të Kosovës dhe lakmia e brigjeve tona adriatike apo atyre qirieve greke të megaliidhesë që tundin temjanët e thurin komplote për Vorio Epirin? Nacionalizmi nuk luftohet me nacionalizëm e as shovinizmi me shovinizëm. Kjo është ajo që nuk kuptojnë kalorësit e fytyrës së vrerosur të pseudopatriotizmit shqiptar.

Fqinjët na i ka dhënë historia e nuk i zgjedhim dot vetë. Në Greqi sot rrojnë e punojnë gati treçerek milioni shqiptarë. Këtyre nuk ju lutën grekët të shkonin atje, ata i detyroi halli, por ama dhe grekët ja panë e ja shohin hajrin punës së tyre. Atëhere pse kjo urrejtje? Me urrejtje me fqinjët nuk bëhet një familje e jo më një shtet. Ajo që na duhet është të jemi më modestë, të punojmë më shumë (jo më për të ngrënë bar, si dikur), të jemi më tolerantë dhe të përfitojmë me mençuri nga vendosja e re e gurëve në skakierën e madhe të politikës botërore. Duam s’duam ne, Greqia për rrethanat e veta historike, është prej kohësh në atë komunitet evropian që ne e ëndërrojmë. Eshtë e natyrshme që kapitalet greke të hyjnë me shumicë në Shqipëri, ashtu siç hyjnë ato austriake e gjermane në Kroaci e Rumani. Kjo nuk do të thotë se na pushtoi Greqia. Përkundrazi, ne e kemi pushtuar Greqinë me ata qindra mijra shqiptarë që punojnë atje. Idhtarët e revolucionit permanent patriotik janë kushërinj të Enver Hoxhës që donte ta bënte Shqipërinë kështjellë e fanar të socializmit në botë dhe e bëri vetëm një turp e një shëmti të saj. Janë ata që prapë tundin e shkundin sot flamujtë e rreckosur të pseudopatriotizmit. Për ta, dua të përsëris edhe një herë thënien brilante të Jirzhi Lec: “Fytyra e armikut më tmerron më tepër kur shoh se sa e ngjashme është me timen.” Pse kaq shumë armiq o zotërinj për kaq pakë jetë njerëzore?

Botuar në Gazeta Sot, 1 tetor 2006