Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, June 15, 2006

Realiteti i deformuar dhe nevoja për gazetarinë hetuese

Vetëm ditë përpara kongresit të jashtzakonshëm të Partisë Socialiste, shumë media në Shqipëri lakonin emrin e Fatos Nanos duke aluduar se ai do të bënte këtë e atë, kështu e ashtu në kongres duke ngjallur kërshërinë e interesimin e qytetarëve mediandjekës. Kongresi u bë dhe ish kryetari socialist as që mori pjesë në të. Por ky nuk është rasti i parë kur mediat janë burime të thashethemeve në Shqipëri, kur përhapin në mënyrë fare të pabazë e spekullative ato që gazetarët bisedojnë kafeneve e restauranteve. Ndodh shpesh që mediat, herë nga mosserioziteti e herë me paramendim, duke u nisur nga disa fakte të jetës së përditëshme, nga politika, ekonomia, kultura etj., ndërtojnë një realitet të deformuar plot tollombace scoop-esh që nuk e nderon një gazetari e medie serioze. Të mos shkojmë larg: askush nga gazetarët e medias shqiptare nuk e qëmtoi me seriozitet e kompetencë aferën e zhvarrimeve të Përmetit, për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje për hir të së vërtetës e jo për të ngjallur ca ndjenjëza gjoja njerëzore e gjoja patriotike. Vetëm u shkruan një tufë shkrimesh më së shumti me hamëndje, u ndërtuan ca skenare për romane të ardhëshme e kaq.

Ka disa arsye pse ndodh ky deformim realiteti në medien e sotme shqiptare, pse u jepet me pashë vend cikërrimave e gjërave të parëndësishme e pse lihen jashtë ato që kanë vlerë e dobi për publikun. Së pari, pronësia e mediave në Shqipëri është tepër e dukshme, ajo shpesh është individuale, bordet drejtuese nuk funksionojnë apo janë fare formale dhe ku më shumë e ku më pak ai që vendos për botimin nuk është kryeredaktori por drejtori i gazetës. Bile ka raste kur ky drejtor (gazeta Shekulli, për shembull) ka dhe portretin e tij të përhershëm në gazetë ku ai duket si Big Brother që ruan mbi të gjitha ato miliona shkronja që rreshtohen aty përditë. Shpesh herë interesat e bizneseve të pronarëve të mediave pleksen e ndërthuren me interesat e aferat e shumta e të ndryshme politike. Dhe realiteti rindërtohet kësisoj i deformuar sipas këtyre interesave. Së dyti, personaliteti i gazetarëve është ende i brishtë e amorf për t’i bërë ballë një realiteti shpesh herë të ashpër, presionit të politikës, punëdhënësit, njohjeve, miqësive, klanit e familjes. Shumë e gjejnë më komode të merren me afera të lehta, aromatike nga të cilat nuk u hyn gjëmb në këmbë (apo në atë vendin me të cilin ulen) dhe që i bën të famshëm për nja dy-tre ditë në kafenetë e klubet. Së treti, vetë shoqëria shqiptare, karakterizohet nga thashethemomania. Kjo është më se e qartë në një vend ku të gjithë i dinë të gjitha dhe flasin për të gjitha. Shumë njerëz nuk kanë durim të lexojnë me nge e vëmendje. Lexojnë titujt vetëm. Çudi si nuk ka dalë ende në Shqipëri ndonjë gazetë që të ketë fund e krye vetëm tituj. Ca vite më parë kur mora në duar një gazetë shqiptare, pashë me germa të mëdha në faqen e parë: Presidenti mashtron. E hapa me kuriozitet brenda të shihja se çfar kishte mashtruar presidenti dhe pashë se ishte fjala për presidentin e një klubi futbolli. Kur ja thashë këtë një profesorit tim të gazetarisë ai qeshi me të madhe, por shpejt u vrenjt e u trishtua dhe unë e kuptova se pse. Së katërti, vetë pushteti me kompleksitetin e tij, me të ndershëm e të pandershëm, të korruptuar e të pakorruptuar, egoistë e altruistë, është ku më shumë e ku më pak kundër pasqyrimit të një realiteti real. Kjo do t’i hapte atij mjaft telashe që lidhen me interesa të fuqishme partish e klanesh.

Deformimin e realitetit në media e pengon vetëm një gazetari e vërtetë hetuese. Ajo ka kohë që ka mbetur vetëm në fillesa në Shqipëri për të gjitha ato arsye që rreshtuam më sipër. E megjithatë, asnjë nga ato arsye nuk e përligj mosdaljen e moslulëzimin e saj.

Gazetaria hetuese do një përkushtim të veçantë qytetar të gazetarëve, kërkon guxim e trimëri, gjykim, nerva të forta e intuitë, njohje të shumta e të ndryshme, burime të sakta e të besueshme. Nganjëherë asaj i duhen muaj e vite për të nxjerrë në shesh të vërtetat e mëdha. Nelli Blaj, një nga pionieret e gazetarisë hetuese në SHBA që në fund të shekullit të 19-të, i hynte aventurave të vërteta për të zbuluar ato që synonte. Ajo u hoq e punoi si punëtore në një fabrikë në Pitsburg për të nxjerrë në dritë shfrytëzimin e fëmijëve në atë fabrikë. Më pas, në ndjekjen e një skandali me pacientët e çmëndur në azilin e tyre në Blekuell, Nju Jork, ajo hyri aty duke simuluar vetë një paciente të tillë dhe zbuloi prova që tronditën atë kohë Amerikën.

Gazetaria hetuese është sot në pararojë të shoqërive demokratike të botës. Është madhështor për nga kurajoja e guximi, zbulimi i skandalit Uotergejt nga gazetarët e shquar Bob Vuduord dhe Karl Bernshtajn që përfundoi me dorëheqjen e presidentit Nikson. Don Hejël është i famshëm në Amerikë për zbulimin e aferave të gabuara gjyqësore ku janë dënuar të pafajshëm. Të gjitha skandalet e politikës, ushtrisë, shërbimeve të fshehta, bizneseve të mëdha e të fuqishme në këtë vend janë zbuluar e nxjerrë në dritë nga gazetarë të përkushtuar e seriozë që rrallë kush i njeh e i di. Të tillë ka në të gjithë botën. Gazetari argjentinas Daniel Santoro, zbuloi e denoncoi skandalet e shitjes së armëve të Argjentinës, Kroacisë në vitet 1991-1995 kur ndaj vendeve ish jugosllave ishte vënë embargoja (dhe kur nafta shqiptare shkonte për të furnizuar tanket serbe). Gazetarit gjerman Hans Lejendeker ju vu jeta në rrezik nga tifozët e Stefi Graf kur zbuloi e denoncoi evazionin fiskal të familjes së tenistes së famshme. Italiani Leo Sisti, një nga më të shquarit gazetarë hetues të botës, ka shtjelluar aferën gjyqësore të Di Pietros, të “duarve të pastra” dhe ka zbuluar skandalet më të mëdha italiane të kohëve të fundit duke përfshirë edhe atë të shitjeve të ndeshjeve të futbollit. Në 1999, hetimi i tij mbi lidhjet e kontrabandës së cigareve shpuri në dorëheqjen dhe ndjekjen penale të ish ministrit të jashtëm të Malit të Zi, Branko Peroviç.

Në kushtet e një vendi si i yni, ku ecja përpara në rrugën e zhvillimit demokratik ngadalësohet, ndërpritet e pengohet nga mentalitete të dëmshme të trashëguara, nga prirje anarkiste dhe raporte jo të drejta individ-shtet, nga korrupsioni e krimi i organizuar që bëhen gjithnjë e më tepër rreziqe të mëdha për të ardhmen e vendit, gazetaria hetuese duhet të jetë një komponente e rëndësishme jo vetëm e medias por e të gjithë jetës shqiptare. Duke ndjekur me skrupulozitet, logjikë e njohje të legjislacionit realizimin e tenderave, të projekteve e të programeve të ndryshme me grante të huaja, me kredi apo me fonde të vendit, duke hetuar shmangiet nga taksat, pastrimin e parave, bizneset e dyshimta e të jashtëligjëshme, gazetarët hetues do të ndihmonin në pastrimin e vendit nga çibanët e korrupsionit duke bërë më të ndërgjegjshëm edhe qytetarët që këta të mos e ndjekin median vetëm për gallatë e për të kaluar kohën, por si një luftë të përditëshme me një realitet që duhet të bëhet më i mirë, e ku ata vetë janë luftëtarë.

(botuar në Koha jonë, 16 qershor 2006)

Tuesday, June 06, 2006

Korrupsioni, aleancat dhe “hallë Tamara”

Thonë që korruspioni është i pangjyrë. Nuk ka ngjyrat e partive. Kjo e bën më të vështirë zbulimin e denoncimin e tij. Në Shtetet e Bashkuara, pas një sërë skandalesh korrupsioni të nivelit të lartë ku përfshiheshin funksionarë dhe përfaqësues të Partisë Republikane që ka pushtetin, në Kongres e në Senat, shpërtheu skandali i rrushfeteve që kongresmeni Uilliam Xheferson merrte si shpërblim të favoreve ndaj firmave amerikane të internetit që mbulonin Afrikën. Dhe ky kongresmen nuk është i Partisë Republikane por i asaj Demokratike. Këtij “gjynahqari” të fundit, FBI i gjeti në frigoriferin e shtëpisë një paketë prej 100 mijë dollarësh. Në një farë mënyre, ky Xhefersoni i ngjan atij kryetarit të komunës së Golemit, që merrte rrushfet për ndërtimet në komunën e tij. Apo me ata të tjerët, deputetë a pushtetarë që përfliten e përfliten dhe ndjekja e tyre penale bëhet tërkuzë e gjatë që s’del kurrë në dritë.

Ndryshimi mes asaj se si trajtohet korrupsioni në SHBA dhe Shqipëri është ky: te e para, korrupsioni s’bëhet kurrë aleat politik dhe është një dukuri tepër individuale; te e dyta, korrupsioni jo vetëm që bëhet aleat politik, përdoret për kapital politik, por zhvillohet në trajtën e klaneve të fuqishme brenda e jashtë partive duke i marrë frymën gjithë jetës së vendit. Shumë nga politikanët dhe pushtetarët shqiptarë ja dinë mirë hiletë e dredhirat njëri tjetrit, por për vetëmbrojtje e sipas parimit: mos më ngit, të mos të ngas, bëjnë ndaj korrupsionit luftën e mullinjve donkishoteskë, kurse mënjanë i hapin shluzat lumenjve të korrupsionit e përfitimit personal, familjar, klanor. Vini re se ajo që ka ndodhur me Nanon, vite më parë kur denoncoi në forumin e partisë së vet korrupsionin e krerëve të saj me Caci-Muçi e Baçi dhe më pas në vend të katarsisit bëri aleancë dhe vazhdoi punën me po ata cacëra, muçëra e baçëra sikur të mos kishte ndodhur kurrgjëje, përsëritet gati njëlloj me Berishën i cili në një çast sinqeriteti (apo taktike politike), pohoi do kohë më parë në parlament se “të vetët” i kishin propozuar që t’i merrnin ata bizneset korruptive të kundërshtarëve të tyre dhe po ashtu ai, vazhdon punën me ta në krah. Pra në të dyja rastet, me korrupsionin bëhet aleancë politike dhe duke bërë kështu shoqëria shkon drejt gjëndjes kanceroze kur asnjë bisturi e trajtim mjekësor nuk i bën dot derman metastazave të sëmundjes monstër.

E keqja më e madhe është se në Shqipëri korrupsioni ka arritur tashmë të organizohet si aleancë ndërpartiake. Ndrrimi i pushteteve është realizuar disa herë; pushtetarët janë të ndërgjegjshëm se nuk mund ta mbajnë pushtetin pafund. Pra ata investojnë te opozita që mund të vijë nesër në pushtet, sipas parimit: po të mbaj, që të më mbash apo: ta mbuloj që të ma mbulosh. Aleancat korruptive ndërpartiake mund të nuhaten shumë kollaj në atë copë jetë Shqipërie ku njerëzit e kanë zakon të dinë se ç’ha për darkë komshiu e me ç’merren robt e tij të shtëpisë. Megjithatë asgjë apo (që të mos e shtysh pesimizmin deri në ekstrem) fare pak del në dritë. Dhe kjo është në sajë të atyre parimeve “të mëdha” e universale që përmendëm më sipër.

Pra pushtetet janë ndrruar, pushtetarët kanë hipur e zbritur, një pjesë e tyre janë detyruar ta lënë politkën, qoftë nga mosha a qoftë nga lufta e brrylave, po rrallë ndonjë prej tyre nuk ja pa hajrin qeverisjes për aq sa qe në pushtet. Një pjesë, ish ministra e kryeministra u bënë të pasur e vazhdojnë edhe më të pasurohen me biznese të fuqishme që e kanë bazën në kohën kur kishin pushtetin, ata ose morën pronat që u takonin ose përfituan për të favorizuar bizneset që i nisën ortakët e tyre në hije. Por edhe të marrësh pronat e tua, kur të tjerët, të shumtët nuk i marrin dot, është edhe ky një përfitim nga pushteti, është një korrupsion. Në qoftë se një ligj zbatohet në një mënyrë ndaj dikujt dhe në një mënyrë tjetër ndaj dikujt tjetër, zbatuesi i tij bën haptazi korrupsion. Po kështu edhe për favorizimin e bizneseve që nesër do t’i kesh të tuat. Le pastaj kur është fjala për vjedhje me pashë, të parave të shtetit, të zarfave të tenderave, të lejeve të ndërtimit, të rrugëve të ribëra me dhjetra herë, të infrastrukturës së kryer shkel e shko (nja dhjetë herë në mos më shumë janë dhënë fonde për projektin e Fushë-Kuqes për furnizimin me ujë të Durrësit).

Akuza të shumta e të tmerrshme janë bërë në çdo fushatë parazgjedhore lidhur me korrupsionin e hajdutërinë e kundërshtarëve. Pastaj, kur merret pushteti, ujrat fashiten e puna rrjedh njëlloj. Vini re se sa e shëmtuar tingëllon protesta e grupit socialist në parlament, kur të trëmbur nga ndonjë inat sporadik i pushtetarëve të sotëm, kërcënojnë të ngrenë çështjen e rrënimit të Shqipërisë në 1997. Ky na qënka asi i tyre nën mëngë. Po pse nuk e bënë këtë kur kishin pushtetin? Kush u a mbajti vrullin? Vini re se në ç’hall të madh gjëndet Berisha për të prishur një ndërtim të kundraligjshëm sepse veç kundërshtarëve të tij, në të janë përzjerë edhe ca nga të vetët dhe ai e di që ashtu siç është ndarë hesapi, çdo votë ka peshë vendimtare. Vimë përsëri te ajo kënga e vjetër e Nanos: caci, baçi la-la-la, më mirë me ta se pa ta.

Me atë shkallë korrupsioni që ka Shqipëria dhe me atë ç’është bërë deri më sot kundër tij, shoqëria dhe shteti shqiptar vetëm sa e ka gërvishtur këtë korrupsion që gjallon e fryhet për ditë. Ndërkohë që duhej bërë e njëjta gjë siç bëhet në vende ku ky problem është i rëndësishëm për fatin e të ardhmen e vendit. Le ta lëmë SHBA dhe të shohim një vend më pranë nesh. Në Rumani janë në proces penal në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, një ish kryeministër dhe tre ish ministra të një viti e gjysmë më parë dhe janë gjithashtu edhe një sërë funksionarësh të aleancës në pushtet. Eshtë mjaft e rëndësishme që organet dhe autoritetet e duhura të kontrollit të mbikqyrin jetën financiare të politikanëve. Njerëzit janë qënie egoiste, edhe kur shkelin ligjet e marrin rrushfet, nuk i marrin për nipërit e stërnipërit, po më së shumti për veten e tyre, që të rrojnë më mirë e të ngjiten te luksi. Ndaj nuk shkon shumë dhe kjo u del. Ndodh atëhere si me ish kryeministrin rumun, që për të përligjur pronat, komfortin dhe pasurinë e papritur, shpiku “hallë Tamarën” e cila i paskësh lënë një trashëgimi të madhe para se të vdiste. Shqiptarët kanë qenë të mençur me paratë. I kanë fshehur në vrima e qypa, në mure e rrënjë pemësh dhe s’ka patur zot t’i gjejë. Jo sot, që ka lehtësi bankash të huaja anembanë botës, lidhje familjare e miqësie jashtë vendit me plot njerëz që hyjnë e dalin etj. Por megjithatë, të gjitha gjenden po të ndërtohen ligjet e duhura dhe të zbatohen ato siç duhen e po të funksionojnë siç duhet organet e ngarkuara me këtë punë. E keqja është penetrimi ndërklanor e ndërpartiak i korrupsionit dhe fshehja apo mosluftimi i tij për arsye të ekuilibrit të papërshtatshëm politik në momentin e caktuar. Duke bërë qoftë përkohësisht aleancë me korrupsionin, edhe pse vetë mund të mos jesh i prekur prej tij, është njëlloj si të nisesh në luftë me një flamur të rreckosur e të zbërdhylët që s’frymëzon kërkënd e me një kalë gërdallë që mezi mbahet në këmbë dhe kësisoj e ke humbur betejën pa e nisur fare atë.

(Botuar në Koha Jonë, 7 qershor 2006)